Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Të votojmë Asllanin tërë jetën drejtor, deputet, ministër dhe gjithçka tjetër!

Të votojmë Asllanin tërë jetën drejtor, deputet,

Para çdo fushate zgjedhore, të gjithë funksionarët shtetërorë, partiakë, opozitarë, interesaxhinj, të mençurit, budallenjtë, të ngjiturit pas karriges dhe postit, përfituesit e tepsisë, përvetësuesit e kusisë, të pushtetit dhe ata që një dorë e mbajnë në revani e tjetrën në bakllava, së pari ata që ndërrojnë grazhd sapo nuhasin ndryshimin e erës, nisin të buzëqeshin, të të rrahin shpatullat, të kujtohen se ti egziston. Të eturit për përfitime, karrieristët, të pastërtit, luftarakët, pacifistët, kombëtaristët, nacionalistët, patriotët e parasë, të trazuarit, të revoltuarit, rrahësit e sharësit, e gjithë bashkësia e atyre që synojnë me patjetër një vend në nomenklaturën e stërmadhe të përfituesve, po jo idealistët që janë gati të sakrifikojnë për të tjerët që rëndom quhet “populli im i dashur”, rendin pas votuesve duke na parë, jo si individë me personalitet, qytetarë, sovranët që ngrejnë e rrëzojnë sistemet politike, po si numër votash. Llogari matematikore, me numra dhe rrënjë katrore. Këtu në Shqipëri, kjo është një traditë që ka jetëgjatësinë e shekujve dhe nuk kufizohet në tri dekada, po nis shumë kohë përpara. Është brenda nesh, sojit të politikanëve që e vërtisin politikën, si kadiu sherjanë andej nga vijnë përfitimet dhe burojnë privilegjet. Njerëz që vrapojnë në kërkim të parave dhe portofolave sa një ka që nuk ka xhep ta nxërë dhe xhaketë ta mbajë nga super pesha. Në të vërtetë, sistemi që lamë pas, i kishte tërë këto vese, po më të kamufluara, gati të ambalazhuara me pelerinën e virusit dhe zor të lexoheshin e kuptoheshin me një vështrim në ekran apo leximin e një faqeje gazete, thjesht me një lajm. Gjithçka na jepej e përpunuar, me stil elegant e me lezet edhe pse me helmin në brendësi që jo pak individë e pësonin pikërisht nga ky lloj ushqimi që na servirnin në tabakanë e presupozuar të luksit dhe mirëqenies për të gjithë. Është bërë tanimë traditë që para një viti, sa të vijnë fushatat elektorale, të zgjohet geni i fshehur brenda kurmit të politikës, si të dilte nga gjumi letargjik i dimrit të gjatë. Papritur të gjithë kujtohen se në një cep të fshatit, në shtëpinë e rënë, në sofrën e pangrënë, në dyert e shkollave të panxënë, diku në një karakatinë periferike, jetojnë qytetarë që të bëjnë funksionar dhe të zgjedhin deputet, ministër apo kryeministër a si të duash vetë. Dihet, vota është përcaktuese në zgjedhjen e atyre që nesër do marrin në dorë fatet tona, do na orientojnë nga progresi, siç betohen nga mëngjesi tek mëngjesi. E keni dëgjuar të gjithë Lulzim Bashën se si do ta kthejë rininë këtu në Shqipëri sapo të vijë ai, burri që do ndryshojë rrjedhën e historisë dhe do i vendosi në krye kurorën e lavdisë Shqipërisë! Dhe të gjithë do hani, pini e këndoni sepse në krye do jetë vetë Lal Gjoni! Dhe vërshon lumi i premtimeve, të cilat bëhen një mal i madh që i kalon edhe Himalajet apo Korabin për ta evidentuar me relievin tonë shqiptar. Unë, thërret Monika do u kthej lirinë. Barazinë pa asnjë dyshim. U premtoj se nuk do keni më asnjë shqetësim. Unë bashkë me presidentin tim! Të gjithë do keni punë e mirëqenie dhe këtë ua thotë Monika Kryemadhi me zemër nëne, që sa herë ka qenë në qeveri LSI ka bëra ashtu siç e do populli. Dhe në portat e shtëpive të mbyllura pas darke, nisin të trokasin me gishta të ndrojtur ata që lypin pushtet dhe synojnë të jenë në sallën e demokracisë për të bërë diktaturën e demokracisë për të hartuar ligje për të gjithë në dukje, po së pari për vete, për paga më të larta koncesione e privilegje pa fund të cilët i bëjnë më pas, të ftohtë akull dhe nisin t’i heqin malit të premtimeve një nga një gurët e themelit, për ta shfryrë thesin në një qeskë boshe. Jo vetëm ata që kërkojnë të bëhen deputetë, ligjvënës në atë numrin mitik njëqind e dyzetë, po edhe shumë nga nomenklatura, ata që presin të vijojnë karrierën në poste me para, vrapojnë nëpër dyert tona dhe me buzëqeshjen standarde në buzë e fjalën e ëmbël në gojë, thua se burojnë mjaltë e hallvë me shumë sheqer, të na premtojnë qiejt dhe se do na e bëjnë jetën shend e verë. I pari vjen një doganier. Veshur me xhinse. I dyti një legalizues me këmishën mbi pantallona si nga anët tona. I treti tatimori serioz. Bashkiaku në radhë. I katërti drejtori. I pesti furnitori. E me radhë deri në njëqind mijë, të gjithë me duart mbi tepsinë e pushtetit, të luten për t`ia dhënë votën kandidatit të garantit për ta mbajtur në atë post, jo pa para. Ikën ai, ikin ata dhe vijnë këta. Vjen një tjetër që tërë jetën ka punuar në Kadastër dhe ta sjellë detin e të mirave materiale te porta, thua se kanë hapur shpellën e Ali Babait dhe të gjithë, do nisim të marrim sa të duam dhe çfarë kemi të munguar. Pragu i fushatave elektorale i bën të gjithë pretendentët të ndjeshëm, të njerëzishëm, super të sjellshëm. Ata që janë në pushtet flasin si me marifet. Janë jo drejtpërdrejtë. Për mungesat vetëm hesht. Për arritjet i shumëfishojnë dhe në qiell i lartësojnë sa të gjëmojnë. Në pamjen e jashtme, na tregojnë anën më të kulturuar, të qeshurën e pamunguar, tipin e atij që i do të gjitha për mos të të dhënë më vonë asgjë. Të gjithë “hallexhinjtë” e votës në kërkim të postit, të parën fjali kanë: Jemi të një ane. Je nga Janiari im, kemi shëtitur në ato livadhe. Je çifliqot. Nga Konispoli ti a nuk je? Po ti tjetri nga Çoraj unë e di. Sarandiot i vjetër, delvinjotë me rrënjë, himariot, vlonjate, ti nga Peshkopia, nga Korça e serenatave, nga Lushnja e kongresit, Elbasani i kumrive ti atje. Të gjitha i dinë ata që zbresin si të vinin këmbën për të parën herë mbi tokë dhe jo sikur kanë jetuar këtu jetë e mot. Duam të ecim sëbashku e nis fjalën kryebashkiaku. Dhe ti je anëtari i fisit tim, mos e harro këtë, o trim. A nuk je sejkat, bejkat, Mustafaj, Mullaj, Hysni, Ramadani, nuk je ti?! Kemi lidhje gjaku. Jemi krushqi. Unë e di, ti më do dhe unë të dua pa asnjë kufi askush nuk të harron ti. Ç`të duhet të shkosh pas të kuqve, maskarenjve, arrogantëve, batakçinjve, të pasurve, oligarkëve, mavive, rozëve, ballistëve, aleancistëve, demokristianëve, socialistëve, atyre të marrëve që nuk të japin asnjë kafe kur sa një mal na ke ne?! Dhe nisin llogaritë. Ç`më jep ti e ç’të jap unë. Dhe duket si lojë e kalamajve. Ti hiq e unë vër! Unë shkul e ti ngul! Bëjmë pak logjikë e pastaj ca matematikë e në fund i vendosim një kryepikë. E di ti more vëlla cilët janë këta dhe ata? Po këtu, po të tjerët që nuk duhet t’i qasësh as te porta!? E nisin përgojimet, analizat, përbetimet, mallkimet, llogaritë e pasuritë, numërohen bëmat e gjëmat dhe thuren lavde që thua me vete më mirë ai sa ti! Vijnë të parët. Janë kryehallexhinjtë ata që duan për vete jo një post po gjithë tepsitë. Që nuk duan një tavolinë. Po e nisin nga tepsia, shkojnë në kuzhinë, kullufisin tërë shtëpinë e pastaj ia nisin të copëtojnë e kafshojnë Shqipërinë. Nga fshati im ka disa mbiemra që po të kesh fatin të jesh nën atë ombrellë apo të kesh lindur në atë derë, deputet e drejtor mbetesh ngaherë dhe nuk i largohesh postit asnjëherë. Je me fat që ke lindur në atë shtëpi sikur të kesh lindur me magji. Ajo që të habit pas çdo fushate elektorale dhe pas zgjedhjeve në fund fare, a thua se fitimtarët të kanë parë ndonjëherë dhe ti si njeri ke ndonjë vlerë? Janë pikërisht ata që tërë jetën jetuan në kolltukë dhe u njohën e shfaqën mijëra huqe. Po për çudi edhe pse emra të tjerë njëri Mustafa, Halim, Partin, Muhamet, Haxhi, Shyqyri, Asllan apo kapedan, kjo ka fare pak rëndësi. Sapo partia që të ka mbajtur nën ombrellë për vite me radhë, ikën nga pushteti, bëhen agresivë e shajnë me rrënjë e degë, sikur mos të kenë qenë asnjë ditë në pushtet dhe të mos kenë jetuar si mbret. Sapo kemi nisur një vit fushate. Dhe mblidhemi darkë pas darke. Vijnë asllanët, ta gjejnë shtëpinë me llamarinë dhe luten, as zverdhen, as skuqen, as  nxihen, as bëhen mavi apo blu sikur mos të jetonin këtu. Vinë e rrinë sa ta bëjnë haram tërë shtëpinë. Ata që ta të falin buzëqeshje pa kufi sapo në duar u vjen pushteti mbeten me Asllanët e Kapedanët dhe ti që të ka rënë bretku, ke ecur ndër shtigje e nuk ke fjetur nuk je as theror as novator, po mbetesh tërë jetën thjesht një copë horr në oborr. Sallat dhe podiumet, karriget e ofiqet, kolltukët e huqet, vilat e resortet janë pronë e asllanëve dhe kapedanëve që dinë të bëjnë politikë të madhe dhe t’i marrin të gjitha për vete në fund fare. Është koha që asnjëri ndër ne këtu në Shqipëri të mos harrojë se ata që flasin pa pushim, këtu i kanë dhënë provat dhe nuk ka asnjë arsye për mashtrim. Janë po ata. Janë të njohur për bëmat e mëdha. Për pasuritë e llogaritë. Për trojet e luksin pa kufi që i kanë edhe sheikët zili. Dhe ashtu siç kemi qenë ashtu do mbetemi unë e ti, o i miri njeri. Nuk e tha kot poeti ynë i madh: Kështu e ka demokracia. Dikush mori gjithçka, tjetri gishtin prapa!