BREAKING NEWS

“Gjatë tërë jetës sime nuk kam parë shkatërrime të këtyre përmasave”, Guvernatori i Bejrutit shpërthen në lot: Është si në Hiroshima, zjarrfikësit që erdhën të shuanin zjarrin janë zhdukur (VIDEO)

“Gjatë tërë jetës sime nuk kam parë
x

Opinion / Editorial

"Teatralët" në politikë, një siguri për vuajtje në demokraci!

"Teatralët" në politikë, një siguri për

Neroni është figura "par exelance" e një tirani teatral, një njeriu që luante pjesë dhe recitonte dhe pse shumë nga bashkëkohësit e kuptonin se ishte një ekzibicionist i dështuar në art. Por një njeri që donte të bënte teatër dhe që demonstronte një teatralitet të tillë, është akuzuar dhe jo vetëm akuzuar për krimet më të mëdha si ndaj njerëzve, Romës dhe familjarëve të tij. Ishte një vrasës dhe demon që shkatërronte atë model të shtetit që nuk e kishte ngritur vetë, duke dashur krejtësisht të çojë një të vetin në korrupsion e sipër. "Teatralë" të pashembullt janë dhe dy njerëzit e famshëm të fashizmit dhe nazizmit ose Mussolini dhe Hitleri. Gjestet e tyre, interpretimi në publik me fjalë dhe gjeste apo dhe rëndësia e tyre në arte dhe profesione si njëri piktor dhe tjetri gazetar, janë dhe shembujt e mëdhenj se "teatralët" kur kalojnë në delir, bëjnë dhe marrëzitë më të mëdha në drejtim të shtetit dhe shoqërisë që i promovon ngaqë "ju ka pëlqyer shfaqen". Neroni në fillime kishte pëlqimin e turmës për teatralizmat e veta, të cilat pastaj e kthyen në një njeri devijat që merrte përsipër të vriste njerëz dhe prishte gjithçka. Teatralët Mussolini dhe Hitler, me anën e gjesteve të tyre, klithmave, shtrëngimeve dhe lirimeve të trupit dhe mësimeve të marra për të bërë të tilla ekzaltime kanë mashtruar dhe turmat dhe i kanë bërë ato të "budallallepsen", sepse këto gjeste dhe marrëzi teatrale shoqëroheshin me një populizëm origjinal dhe medemek të guximshëm. Në fund shkaktuan miliona viktima dhe njëri vrau veten kurse tjetrin e varrën për këmbësh në sheshin qendror të Milanos. Edhe Lenini ishte teatral në mënyrën e tij dhe gjestet e tij! Ato gjeste të dorës apo dhe formës së drejtimit të turmës, ishin parësore për revolucionin. Po ashtu dhe gjestet e teatralit tjetër ose Stalinit! Të imituara dhe veshura në sjelljen edhe të komunistëve tanë në Shqipëri. Por dhe "teatrali" tjetër Mao Ce Dun që ju mësoi dhe shqiptarëve kostumin dhe kapelën e dokut, por dhe baletin kinez të mrekullueshëm, por në teatralen revolucionare të atij revolucioni proletar që vrau njerëz të shumtë. Por ne kemi teatralët tanë. Pothuaj të gjithë dhe po e filloj nga më i miri ndër ta që është Ahmet Zogu. Figura e tij prej njeriu të pushtetshëm dhe të sigurtë, por dhe të padiskutueshëm dhe të vet përmbajtur, ishte teatralizëm i qartë, por shumë i goditur dhe më i miri në pikërisht luajtje pjese me gjeste në pushtet. Ky teatralizëm i tij në fakt, është më i përkori për sa i përket një lideri apo udhëheqësi, sepse nuk tenton të bëjë marrëzira me shfaqe idiote të vetëm një njeriu dhe pse në fakt është një. Të një njeriu ekzibicionist të acaruar dhe ekzagjeruar në shpërthime idiote deliri patetik sikundër ka ndodhur te të tjerë. Mbas tij erdhi Enveri me teatralizmin e tij të rrejshëm si "ushtarak" kur nuk kishte zbrazur një pushkë dhe me ecjen e tij galopante dhe madhështore, pa qenë një herë të vetme një luftëtar lirie. Po, por me të tilla delire dhe mashtrime si në teatër, bëri pjesën më të madhe të popullit të tij mbas vetes. Pastaj vjen kulmi i teatralizmit demokratik me Sali Berishën dhe fillimet e tij me bërrylin e dorës së djathtë ngritur lart si amerikanët, kur jepte pikërisht dorën në fillimet e tij dhe delirin mitingashës me ulërima mes lëvizjeve folklorike të trupit dhe lëvizjeve perëndimore të dorës, të cilat ktheheshin në një "sagoma" të demokracisë te populli poshtë. Te timbri i zërit dhe teatralja në lëvizje të një burri të paepur që nuk ka armik që i "del përpara". Për të mos thënë pastaj për lëvizjet e të zezave të syrit, të cilat dhe sot e kësaj dite janë një moment që tregon mirë karakterin e një personi të tillë. Lëvizjet dhe modeli i përcaktuar për të "rrëshqanuar" turmat, janë teatralizmi që Berisha e ka përdorur mirë gjatë gjithë kohës së tij në pushtet. Po teatral dhe pse në pa rëndësi të faktit ka qenë dhe Fatos Nano. Modelet e tij qesëndisës në ekzibicion, cigaret dhe mënyra e të folurit me "por..ë", shtrirja e dorës për të rregulluar mëngën e xhaketës dhe lëvizjet "me sharm" madhështie e pasurie apo dhe diturie, ishin teatër i bërë mirë në sy të njerëzve. Kurse krye teatrali, por me talent të qartë dhe absolutisht pa krahasim është Edi Rama. Njeriu i shoë-ut është dhe teatrali më i qartë dhe më me talent që ka nxjerrë Shqipëria, përfshi dhe ata më përpara. Ky ua kalon të gjithëve. Për nga gjatësia dhe nga "post modernia" e ngjyrosur me "dromca" demokracie të shpikura nga vetë ai. Lëvizja e syve, hapja e gojës në mënyrë habitore, nervozizmi me mikrofonat dhe shkundja e podiumeve, sëpatat dhe ulërimat oooo doooktoooor, ishin një model që shqiptarëve ju kishte munguar dhe që e dinin që duhet për tju dhënë impuls besimi politik. Veshja "strambo" dhe folklorizmi shallvarexhi janë pjesë e teatralizmit të menduar qartë për ata poshtë dhe "batutë" për ata më lart. Edhe sot Rama është një teatraxhi i talentuar. Ai prandaj ka inat ose urren sipas mendimin tim, një dorë aktorësh të dikurshëm bashkë me teatrin e tyre që e prishi, sepse e ka pasur të qartë se nuk janë talente të vërtetë sikundër është ky vetë. Tashmë me batutën e stërzgjatur dhe të stërvonuar dhe delirin për të kujtuar se nxjerr "perla" nga goja, teatrin e tij të çdo dite e ka një marrëzi enciklopedike të pafund, por jam i sigurtë që një pjese të popullit i pëlqen. Ju pëlqen se shumica nuk e kuptojnë se çfarë thotë dhe kjo pjesë e shoqërisë jeton mirë, kur nuk shpjegon dot se çfarë thotë lideri i tyre. Po pra, jeton mirë se "kur ky poshtë nuk di asgjë çfarë thotë lideri" mendon se ai që i thotë - di gjithçka dhe i di mirë! Dakord, por këta teatralë i kanë bërë keq një populli dhe i kanë bërë keq botës. Edhe sot kur në demokraci kalojnë ca tipa, duke filluar që nga përtej Atlantikut dhe në Europë sigurisht që keq i bëjnë njerëzve. Teatralizmi i tyre është kundër demokracisë. Është mashtrim i karakterit të brendshëm sterrë i zi që mbulohet nga luajtja mirë në teatrin e madh të publikut në politikë. Të tillë teatralë, janë kundër demokracisë. Nuk janë kompatibël me të! Teatralët në politikë janë një siguri për vuajtje në demokraci. Po po, me to sigurisht do të kemi vuajtje të mëdha dhe padyshim botës demokratike i duhet punë që t’i bëjë zap dhe fusi në shinat e vërteta të ligjit dhe demokracisë.