Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Teatri dhe partizanët, si u themelua arti realist shqiptar

Postuar: 21/05/2019 - 07:13

Ishte vendimi i Kongresit të Përmetit, ai që i dha shfaqjes tonë teatrale partizane titullin “themeluesja e artit realist shqiptar”.

Unë partizania e Brigadës së VIII Sulmuese hapa perden e skenës të Kongresit Historik të Përmetit me skeçin "Plaku dhe Lufta".

Ashtu siç është shkruar me shkronja të arta e gjithë historia e Luftës Nacional Çlirimtare; ashtu me shkronja të arta është shkruar e vlerësuar edhe puna e grupeve teatrale që qenë ngritur gjatë luftës në çdo Brigadë dhe ndoshta në çdo Batalion. Skenarët e këtyre skeçeve ishin nga episodet e luftrave reale të partizanëve të këtyre brigadave. Jehonë të madhe kishte bërë grupi teatral i Batalionit Themo Vasi me skeçin "Plaku dhe Lufta".

U dha kjo pjesë teatrale në fshatrat e Zagorisë dhe me shumë sukses u shfaq dhe në Konferencën e gjerë të rinisë të qarkut të Gjirokastrës në Prill të 1944 në Nivan. Çdo ditë dhe më vonë kjo pjesë plotësohej edhe më mirë nga luftrat e përditshme dhe nga heroizmat e partizanëve duke ilustruar bukur dhe me humorin e disfatave të armikut gjermano-ballist.

Shfaqja jonë pati jehonë edhe më të madhe kur u shfaq në inagurimin e formimit të Brigadës së VIII sulmuese në Sheper të Zagorisë, më 24 Maj 1944. Aty menjëherë Shtabi i Brigadës na urdhëroi që aktorët më të mirë si Vjoleta Olite dhe unë Mesareti të shkonim në Kongresin e Përmetit për të konkuruar me grupet e tjera teatrale që shfaqeshin në gjithë Shqipërinë në terren e në Batalione luftarake partizane.

Përmeti mund të quhej pa frikë "Qyteti i luleve të bukura dhe i qershive të kuqe". Veçanërisht ditët e Kongresit, Përmeti ziente nga njerëzit; kongresistë, partizanë të Brigadës së VIII, partizanë të Brigadës së V Sulmuese që ruanin Kongresin, banorë të Përmetit me fytyrat e tyre të gëzuara e të qeshura dhe ajo bukuri festive, trazohej me erën e pastër të Dhëmbelit. Gjithë kjo panoramë dukej si një gëzim i madh popullor.

Pa humbur kohë, na mbledhin ne aktorët e këtyre shfaqjeve dhe na thonë: "Ju jeni në konkurencë me njeri-tjetrin dhe në fund kush do të fitojë, ajo shfaqje do të jepet në Kongres". Dhe më e rëndësishmja që na thanë: "Shtabi i Përgjithshëm është i shqetësuar që kjo pjesë teatrale të dalë në lartësinë e teatrove më të mira për të na nderuar Kongresin. "Për përmirësimin e pjesëve na vunë në dispozicion aktorët dhe personalitetet më të mirë në fushën e artit si: Baki Kongoli, Andon Pano, Hysen Pelingu e Dhora Leka, që na shoqëronin ditë e natë pa u lodhur.

Përgjegjësia jonë ishte edhe më e madhe, donim të dilnim faqebardhë para Kongresit historik e para Komandantit, Komisarit të lavdishëm. Për çdo natë shfaqeshin pjesë në sallën e madhe të teatrit, një kazermë që u bë posaçërisht për shfaqjen e madhe. Në skenën që dukej madhështore konkuruan pjesët një nga një për çdo natë dhe në fund mbetën dy pjesët teatrale më të mira; një e Brigadës së V Sulmuese me në krye Kristo Papajanin dhe pjesa jonë e Brigadës së VIII Sulmuese "Plaku dhe lufta". Si u përsëritën dhe disa herë me rradhë fitoi pjesa jonë që kryesohej nga aktori i madh Andon Pano, i cili luante dhe plakun. Erdhi dita që u mbush salla e teatrit, e zbukuruar si jo më mirë me flamur kombëtar e flamuj të kuq, ku një faqe e murit ishte e pikturuar nga aktori Ilia Shyti, një vajzë partizane me armëngjeshur ku spikaste trimëria e saj luftarake.

Pra isha unë ajo që luaja nënën që hapa perden e trashë të skenës së teatrit të parë në Kongresin historik duke thënë tekstualisht kështu: "Qyqja unë. U err sa mbarova punët. Sa lava shkallët erdhi plaku. Ndërkohë, hyn djali i plakut i veshur partizan që e lozte Pirro Kondi, i bie vajzën plakut, Andon Panos të plagosur në kokë, lidhur me fashë të bardhë dhe në ballë gjaku i saj i kuq, i jepte Vjoleta Alites një bukuri e një hijeshi më të madhe të trimërisë së saj.

Plaku i zakonit që "kishte bërë hasha vajzën" merr armën dhe përqafon vajzën e djalin dhe i shtrëngon në gjoks. Kjo pjesë u shoqërua me brohoritjet e kongresistëve që qenë ngritur të gjithë në këmbë duke duartrokitur të gjithë pa pushim.

Ne, trupa e teatrit, atë çast morëm lajmin e madh që dita e shfaqjes së kësaj pjese do të quhej "Dita e themelimit të Teatrit realist socialist shqiptar popullor" dhe ashtu për vite me radhë u festua në Teatrin Popullor kjo ditë.

Nga Mesaret Imeraj Karagjozi*

*Partizania e Brigadës së VIII Sulmuese

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/09/2019 - 07:17

Sa herë Presidenti del me deklarata ose jep opinione, konferenca shtypi apo shkruan në rrjetet sociale, jemi tërë sy e vesh për të rejat që kumton, idetë që shpalos, paralajmërimet që bën, objektivat që përcakton për

Postuar: 17/09/2019 - 07:15

....Këtë mund ta besojë vetëm ndonjë mendje si ajo e z.

Postuar: 17/09/2019 - 07:14

Më kujtohet se kur erdhi në pushtet qeveria e Edi Ramës mbas zgjedhjeve të 2013-ës, ju desh njëfa

Postuar: 17/09/2019 - 07:12

Ka kohë që flitet për krisje të marrëdhënieve midis presidentit Meta dhe liderit të selisë blu, B

Postuar: 15/09/2019 - 07:43

Gjatë periudhës së pushimeve në qytetin e Vlorës, më ndodhi, ashtu sikurse i ndodh gjithkujt, që

Postuar: 15/09/2019 - 07:42

Bashkimi Evropian e zgjidhi qesen për reformën në drejtësi.

Postuar: 15/09/2019 - 07:40

Nuk është hera e parë që zonja Monika Kryemadhi, Kryetarja e LSI-së, sot bashkëkryetarja e opozit