BREAKING NEWS

Listat e hapura/ Kryeministri Rama del live dhe jep qëndrimin e PS (VIDEO)

Listat e hapura/ Kryeministri Rama del live dhe jep qëndrimin e PS (VIDEO)
x

Opinion / Editorial

Teatri u shemb! Rroftë Teatri!

Teatri u shemb! Rroftë Teatri!

Teatri u shemb megjithë premtimet e Lulit dhe Monikës për moskalimin nga qeveria të vijës së kuqe. E vështirë të besohet se u kapën në flagrancë në momentin e shembjes dhe i lanë vetëm artistët “aleancistë”. Bën mu se qe diçka e mirëllogaritur dhe artistët u përdorën, qoftë edhe pa dashjen e tyre. Opozitës humbëse të çdo beteje elektorale dhe çdo kauze që prej 2013-ës i leverdiste të shkonin punët kësisoj: të shembej teatri që të mund të vazhdonin lojën për teatrin, të krijonte një pakënaqësi të shtuar publike (çka përkthehet me gjasë, vota pro në të ardhmen) dhe të kishte impakt ndërkombëtar. Kjo do delegjitimonte Drejtësinë e Re, në pamundësi për të dhënë një përgjigje të shpejtë dhe ligjore dhe njëkohësisht do frenonte entuziazmin për hapjen e negociatave për në Europë. Dhe me cinizmin më të pashoq premtuan se do ta rindërtonin po në atë vend, me po atë projekt “kur të vinin në pushtet”. Justifikimi i liderëve para gazetarëve për dështimin e radhës: “se ata qenë parti politike dhe jo garda kombëtare” është edhe më fyes. Artistët tani janë të ndarë në dy kampe, anatemohen reciprokisht si “të shitur dhe uzurpatorë”, dhe apriori nuk gjejnë forca ta falin njëri-tjetrin, të mendojnë të ardhmen e përbashkët. Tani kauza për teatrin i ngjan një parodie, luftë me mullinjtë e erës, ku në mënyrë të paarsyeshme kërkohet të ringjallet “i vdekuri”. Vetëdija se kjo nuk “ngjit” dhe nuk mund të sigurojë mbështetje të gjerë publike, i bën organizatorët e protestës të thonë se janë të ftuar edhe partitë politike në shesh, me tagrin e qytetarëve të thjeshtë, për një “çështje madhore”. Kjo, pavarësisht kontekstit, ngjan me sloganin e PD-së dikur: “Të gjithë fajtorë, të gjithë bashkëvuajtës”! Së paku dhe për strategji nuk duhet të ishin në shesh krerët e partive Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Sepse edhe në kohën e tyre politika për teatrin ka qenë zero, demotivuese, gjë që provohet me fakte dhe me dokumenta. Kjo situatë absurde më sjell në mendje një sekuencë nga filmi “Operacioni i zjarrit”, kur banda u shpartallua dhe fshatari i varfër Gjin u shpreh i penduar: “Për një viç më zu nata në rrugë”! Për të qenë i vërtetë: Teatri jo vetëm si godinë, por edhe si funksion në shërbim të publikut kishte kohë që lëngonte. Kishte vetëm pak shfaqje (kryesisht komedi apo drama të huaja pa lidhje me realitetin), pak aktorë në mënyrë preferenciale. Sa për PD-në dhe klasën politike në përgjithësi ajo çka u ndërtua në 40 vite komunizëm (pasuri publike) u shkatërrua në 40 ditë. Një “çek i bardhë” që rezultoi i zi! Dhe askush nuk luajti as gishtin e vogël të dorës për t’i thënë “ndal” barbarisë. Sot përpos të tjerash debatohet akoma për datën e çlirimit nga nazi-fashistët (kush luftoi dhe kundër kujt), nga lukunia e disa rrufjanëve politiko -mediatikë mohohen ngjarje, simbole, personazhe të shquara kombëtare dhe villet vrer pa as më të voglën brerje ndërgjegjeje. Artistët janë në të drejtën e tyre të protestojnë apo të mos protestojnë, kurse politika e ditës duhet të heshtë. Teatri nuk mund të shndërrohet në strumbullarin opozitar, në hapjen apo mbylljen e llogarive, në kompromise të pathemelta dhe nevojën për pushtet. Kursejani ju lutem këtij populli një farsë të panevojshme.