BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Teoria apo praktika? Dorë për dore është më e suksesshmja

Teoria apo praktika? Dorë për dore është më e

Dihet nga të gjithë startimi i jetës mbi tokë: primitivitet i tërë. Më e famshme atëherë ishte gjethja e fikut. Por shkallë - shkallë fillojë përmes përvojës të përmirësohej ajo. Jo vetëm në elementët truporë, por edhe në zgjerimin e veprimtarisë njerëzore. Filloi njerëzimi të vishej më mirë, por edhe të kërkonte rrugë të ndryshme e të kualifikuara për jetesë. Kjo sa vinte e bëhej edhe më me nivel. E filloi me vrapimin, por pastaj erdhi karroca e më vonë makina dhe vetë kjo në një evolucion të pambarimtë deri edhe në ditët e sotme. E filloi me thikën për të kaluar tek harku, pastaj pushka, topi dhe deri tek raketat që edhe sot përpiqen t’i modernizojnë më shumë. Erdhi një moment që edhe përvoja jetësore nuk mund të transmetohej vetëm përmes praktikës, por duhej koncentruar në një mënyrë më modern dhe u shpik edhe libri sepse çdo arritje nuk mund të mbahej mbyllur në korniza të ngushta, por duhej bërë e ditur edhe për të tjerë. Lindi si domosdoshmëri që dija të mos mbetej vetëm në mendjen e një pakice njerëzore, por të përhapej më gjerë. U gjendën forma të ndryshme për të përhapur këto dije dhe si më produktive u pa shëtitja e të mençurve gjithandej. Kudo ku shkonin ata nuk mjaftoheshin vetëm me përvojën vetjake, por linin pas edhe dijet mendore që jepeshin përmes këtyre librave dhe kështu u bënë motër e vëlla praktika dhe teoria. U hapën shkolla fillestare ku njerëzimi në mënyrë të organizuar njihej me këtë teori, pastaj ato u bën më të kualifikuara e deri tek universitetet si shkalla më e lartë ku mësohej teoria. Edhe vetë këta universitete njohën shkallë të ndryshme kualifikimi dhe edhe sot nuk mund të thuash se është gjendur fundi i të mësuarit. Përditë shkenca botërore njeh shpikje nga më të larmishmet dhe një prej matësve më të saktë të këtij vlerësimi janë edhe çmimet Nobel që jepen pikërisht për ata që përmes talenteve të tyre, por edhe vullnetit që i karakterizon i japin njerëzimit produktivitet cilësor. Por përparimi nuk vjen vetëm prej teorisë, por edhe prej përvojës që këta korifenj të shkencës e pasurojnë në çdo hap që hedhin. Në një minikuptim më konkret këtu tek ne dëgjoj të shtrohet pyetja: teoria apo praktika është parësore? Unë mendoj se secila prej tyre ka vendin dhe rëndësinë e saj. Paraprin teoria, por në shumë raste edhe praktika është vendimtare. Ka qenë një periudhë në vendin tonë kur ustallarët e përvojës ishin edhe drejtuesit e universitarëve që kishin lexuar dhe përvetësuar një mal me libra, por në rrugët e jetës nuk dinin si të hidhnin hapat e parë. Kam përjetuar në atë kohë edhe situata nga më absurdet kur një shkencëtar i vërtetë nuk guxonte të dilte mbi një mjeshtër prodhimi, por edhe të vërteta të mëdha kur një mjeshtër ka prodhuar me duart e tij vegla saktësie pune sa edhe profesorë universiteti janë mahnitur me atë arritje. Atëherë më së shumti kjo vinte si domosdoshmëri e zbatimit politik të situatës, kur nuk kishe mundësi të njiheshe me arritjet e shkencës në ato vende që për ne ishin kapitalisto - revizioniste dhe na ndalohej bashkëpunimi me to. Në kapërcyell të dy sistemeve në vendin tonë ndodhën çudira më vete në kalërimin teori – praktikë. Siç treguan vitet më vonë (dhe fatkeqësisht vazhdojnë të tregojnë ende) praktikët e ndjenë më shpejtë atë që po ndryshonte dhe rendën drejt realizimeve. Ishin të paktë intelektualët që rendën anijeve apo kufijve drejt vendeve fqinjë ndërkohë që një masë e pallogaritshme nga njerëzit e thjeshtë vrapuan drejt kapitalizmit dhe njohën rregullat e tij. Por edhe shumë prakticienë që qëndruan këtu i kërkuan dhe i gjetën shtigjet drejt mënyrës së re të jetesës dhe bënë prokopi. Këta u bën me prona dhe vila ndërkohë që intelektualët e vërtetë prisnin të binte molla nga pema. Më ka rastisur të punoj në një media që pronari në atë kohën e parë kishte qënë rrobaqepës dhe kur diskutonim për përparimin e programeve të kësaj medias më shprehej me shumë vendosmëri mua që kisha një përvojë jetësore në këtë zanat: Ik ore p… ku merr vesh ti nga kjo punë (sa shumë kolegë të tjerë janë ndjerë në një situatë të ngjashme?!). Në këtë binom marrëdhëniesh kishte fituar përvoja. Por në këtë 30-vjeçar pas ‘90 më prodhimtar prakticien kanë qenë dhe mbeten ata që u futën dhe u morën me politikë, sidomos deputetët. I kapën si i kapën ata kolltukë, ata i molën dhe vazhdojnë t’i mjelin mirë. Jo vetëm në aspektin praktik ekonomik, por edhe në dhënien e mendve. Njoh personalisht, por si unë edhe ju besoj, deputetë që nuk e dinë që alfabeti shqiptar ka 36 shkronja si numër jo më pastaj t’i radhisin ato pa gabime, por ne që gjoja mbahemi intelektualë as telefonin nuk na e hapin ndonjëherë. Nja dy aktualët i kam provuar edhe vetë që nuk e dinë tabelën e shumëzimit, por janë shumë të saktë në mbledhjen e përqindjeve që u takon nga transaksionet që bëjnë, në shumë raste edhe duke shkelur ligjin. Në dilemën teoria apo praktika do t’ju tregoj një të vërtetë shqiptare që ngjan me anekdotë, por është realitet në fillimtranzicioni. Jetonin një major dhe një kapter pranë e pranë, nënat e të cilëve kishin një shoqëri të ngrohtë. Dikur e pyet nëna e majorit të birin se kur ai do të bëhej kapter. Ia shpjegon i biri se gradat janë larg njëra-tjetrës dhe se kapteri nuk mund të bëhej kurrë major, ngaqë i mungonte gjithë ajo shkollë që ai e kishte bërë vetë. Bëhu kapter të keqen nëna të na mbushet edhe ne shtëpia plot siç e ka kapteri se po na dhëmbin brinjët duke fjetur në divanet e asaj kohe dhe po na shtrembërohen kockat e bythës me ato karriget me dërrasa, i thotë e ëma majorit. Edhe në këtë rast padrejtësisht praktika kishte triumfuar mbi teorinë, por po e theksoj, padrejtësisht dhe në një Shqipëri tranzicioni. Vërtet që teoria dhe praktika duhet të ecin dorë për dore, por gjithsesi teoria është ku e ku më lartë se praktika. Ndaj arritjet më të mëdha në shkencë dhe praktikë janë realizuar prej shkencëtarëve të vërtetë dhe janë ata me shumicë që kanë skalitur emrin e tyre në historinë njerëzore. Midis 100 shpikësve më të njohur në botë janë a s’janë 7 apo 8 autodidaktë si midis 100 shkrimtarëve më të shquar janë apo s’janë 10 apo 11 shkrimtarë që kanë bërë “universitetet e mia”, si Maksim Gorki, por të tjerët kanë dalë nga auditorët e dijes dhe më pas i kanë bashkuar asaj praktikën. Që do të thotë që teoria e para dhe më pas praktika të ecin dorë për dore.