BREAKING NEWS

La Stampa fut në sherr Italinë me Rusinë, kërcënohet gazetari nga zëdhënësi rus i mbrojtjes

La Stampa fut në sherr Italinë me Rusinë, kërcënohet
x

Opinion / Editorial

Teoria e ndërhyrjes për “stabilizim”... nëpërmjet “destabilizimit”

Teoria e ndërhyrjes për “stabilizim”...

Para se të merremi me këtë çështje duhet theksuar se Amerika nuk ka asnjë mik në glob, ajo ka thjesht interesa ekonomike globale. Kjo është deviza e saj dhe mbi këtë bazë, është ndërtuar e gjithë politika e këtij vendi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Po pse ndodh kjo? Mos vallë është karakteristikë e gjithë shoqërisë amerikane? Nëse do ta përgjithësonim do të bënim gabim, por duhet theksuar se është karakteristikë e qarqeve të mëdha ekonomike e koorporatave multinacionale e konglomerateve, që kanë shtrirë veprimtarinë e tyre në gjithë rruzullin dhe që me zgjerimin e prodhimit të tyre kërkojnë dhe zgjerimin e tregjeve nëpërmjet shtrirjeve gjeografike dhe kjo s’ka aspak të bëjë me popullin e këtyre shteteve. Ky është tipar i imperializmit amerikan, i cili ka arritur në fazën e tij më të lartë dhe ka kohë, që është shndërruar në një superfuqi botërore në konkurrencë me superfuqitë e tjera, sikurse janë Rusia, Kina madje dhe me vet Evropën që e rigjallëroi duke e nxjerrë nga “koma” dhe gërmadhat shkatërrimtare të Luftës së Dytë Botërore. Më parë duhet të nënvizojmë se një vend për të qenë “superfuqi” duhet të plotësojë tre kushte kryesore: E para - Vendi duhet të ketë një shkallë të lartë zhvillimit, që tu imponohet vendeve të tjera ku ato kanë interesa, pra tu imponohen me anën e forcës ekonomike (dhe kur haset rezistencë me forcën ushtarake).

E dyta – Duhet të ketë një hapësirë të gjerë gjeografike, e cila e bën të mundshëm këtë zhvillim, në të gjitha fushat dhe sektorët. Dhe e treta - Duhet të ketë dhe një popullatë të madhe, e cila shërben edhe si bazë e forcave prodhuese në rritjen e lartë ekonomike, por dhe të një ushtri të madhe numerike në raport me vendet e tjera. Të tre këto kushte aktualisht Amerika i ka plotësuar me kohë, që kur kapërceu fazën e zhvillimit kapitalist monopolist dhe ka kaluar në imperializëm. (Psh dhe India i plotëson dy kushte, por i mungon kushti i parë, pra zhvillimi i lartë ekonomik e ushtarak). Po cili është dallimi midis kapitalizmit dhe imperializmit? Nëse në fazën e parë (kapitalizëm), USA nuk paraqiti rrezik ekspansioni dhe në krizën e superprodhimit, produktet ngaqë nuk kishin treg i shkatërronin; në fazën dytë, pra atë të imperializmit, nuk mendohet për shkatërrimin e superprodhimit, por për eksportimin e këtij kapitali ekonomik, i cili mund të jetë dhe kapital financiar, për ta çuar atë, në vendet e pazhvilluara ose më pak të zhvilluara. Shkatërrimi i superprodhimit, shoqërohet paralelisht dhe me shkatërrimin e forcave prodhuese. Kjo do të thotë, se në radhë të parë hidhen në rrugën e papunësisë punëtorët, por njëkohësisht, gjendja e papunësisë sjell dhe mbylljen e fabrikave, uzinave, ndërmarrjeve pra paralizohen dhe veglat e punës e të prodhimit.

Kjo situatë sjell zemërimin e masave të gjera punonjëse dhe si shembull më sintetik kemi krizën e viteve 1929-1933 që tronditi nga themelet Amerikën dhe gjithë sistemin kapitalist botëror. Situatë e tillë, është e pakëndshme për bossët dhe manjatët e prodhimit, jo vetëm se humbasin fitimet e tyre, por ajo që i rrezikon më shumë është fakti se masat e gjëra kërkojnë tjetër mënyrë jetese, kërkojnë një shoqëri që tu sigurojë punë, mirëqenie, liri dhe barazi shoqërore. Në kushte të tilla, elita sunduese e gjithë shoqërisë kapitaliste, mendon për jetën e saj dhe jo atë të proletariatit të zemëruar. Për të zgjidhur këtë kontradiktë, që prodhimi të mos u ngelet “stok”, por dhe fabrikat, uzinat, korporatat të punojnë, duhet që kapitalin ta eksportojnë. Eksporti i kapitalit, nuk është vetëm prodhimi, por edhe vet ndërmarrjet e tyre të instaluara, këto, në vendet më pak të zhvilluara. Kjo ka arsyet e veta, sepse në ato vende duke qenë se krahu i punës së punëtorit, blihet fare lirë e me çmim të ulët, bossëve kapitalistë u leverdis investimi për fitime edhe më të mëdha. Veçse këtë investim, ata, për të qenë të sigurtë kërkojnë që edhe ta ruajnë me anë të forcës, kur ajo u kërcënohet. (Kështu ndodhi në Shqipëri më 1997 ku 100 impreditorë italianë, të cilët operonin me ndërmarrjet e tyre në Shqipëri i kërkuan senatit italian, të ndërhynte me trupa, për të ruajtur interesat e tyre dhe Italia dërgoi misionin ushtarak “Alba”, gjoja për të zgjidhur krizën).

Në këtë pikë fillon imperializmi. Në ato vende ku ai ka shkuar nën maskën e “zhvillimit” dhe “prosperitetit”, në fakt ka bërë një pushtim ekonomik paqësor dhe po qe se ndodh, që i atakohen interesat, atëherë e mbron atë me forcën ushtarake të instaluara atje, ose ne afërsi të atyre rajoneve. Strategjia e imperializmit amerikan me qëllim që të përjetësojë sundimin e vet politik, është pikërisht pushtimi ekonomik i botës. Këtë strategji e nisi fill mbas Luftës së Dytë Botërore, duke marrë përsipër rolin e xhandarit ndërkombëtar. Por fundi i Luftës së Dytë Botërore, përkoi dhe me shthurjen e sistemit kolonial, nga ku më shumë prej këtyre vendeve koloniale kishte përfituar Evropa, por që tashmë e lodhur nga lufta e djegur dhe e shkatërruar, nuk e kishte më atë fuqi për të mbajtur vendet koloniale nën vartësinë e vet. Këtë boshllëk e zuri Amerika, pavarësisht se ndikimi evropian në këto vende ende ruhet. Pikë së pari ajo, fill mbas Luftës së Dytë Botërore, ndihmoi vet Evropën me “Planin Marshall”, i cili arriti vlerën e ndihmës në shifrën prej 13 miliardë dollarësh.

Ky plan i cili nisi me 1947, kishte si qëllim ruajtjen e sistemit kapitalist në të gjithë Evropën. Amerikanët e kuptuan, se një Evropë e cila nëse nuk ndihmohej për rimëkëmbjen e saj, ajo do të rrezikonte të përfshihej nga flakët e revolucionit proletar, sepse dhe Partitë Komuniste në këto vende ishin kalitur dhe forcuar, duke patur njëkohësisht dhe një influencë shumë të madhe në vendet e tyre. Në rrafshin ndërkombëtar, një pasqyrë për to, por dhe frymëzim për barazi shoqërore, ishte bërë ndërtimi i socializmit në BRSS e sidomos lufta heroike patriotike e popujve sovjetikë të udhëhequr nga Stalini, që i çuan popujt evropianë në fitore. Prandaj, në këto kushte USA, jo vetëm që ndihmoi Evropën, por plotësoi dhe “vakuumin kolonial” me një formë të re pushtimi. Fillimisht ajo u bë padrone e “Zonës së Paqësorit”, duke dashur të trembë e të nënshtrojë popujt e botës me efektet e armëve atomike (Hedhjen e bombave ne Nagasaki e Hiroshima për të gjunjëzuar Japoninë) dhe në të pastajmen filloi ndërhyrjet ushtarake në Kore (1950), në Azinë Juglindore, në Indokinë, Vietnam, Laos, Kamboxhia, Nepal teksa Malajzinë e përdorte si një “placdarm” në kërcënimin e popujve të këtij rajoni. Mbas viteve ‘60-‘70, të shekullit të kaluar e sidomos me disfatat e njëpasnjëshme që pësoi në Vietnam e në të gjithë Indokinën, vëmendja amerikane u spostua në “Lindjen e Mesme” dhe në “Gjirin Persik”, si zona me interes të madh ekonomik dhe strategjik.

Ky pellg i madh naftëmbajtës, është burimi i cili vë në lëvizje jo vetëm ingranazhet e ekonomisë amerikane, por dhe makinën ushtarake të vetë Pentagonit. Nga ky këndvështrim e gjithë politika ekonomike, por dhe kërcënimi ushtarak amerikan ka si objektiv dominimin e kësaj zone, shkurt, rritjen e influencës së saj për interesat e veta. Hera herës ajo i nxit dhe i ndërsen këto vende në luftë me njëra-tjetrën duke i destabilizuar ato, sikurse konfliktet Irak-Kuvajt, Irak- Iran, Kuvajt-Arabi Saudite, nxit me urrejtjen ndaj sekteve të ndryshme fetare “në emër të Allahut”, kultivon terrorizmin fetar midis islamizmit e kristianizmit, krijon organizata terroriste dhe së fundi futet në luftë me to, me qëllim që të marrë në dorë luftën në emër “të paqes e të stabilitetit”. Mbas çdo lufte në Lindjen e Mesme e në gjirin Persik, ka qëndruar dhe qëndron SHBA. Por popujt e këtij rajoni, tashmë e kuptojnë lojën amerikane. Të parët ishin iranianët, të cilët me anë të revolucionit e shporrën regjimin monarkik pro amerikan, të Shahut Pahlevi, duke sjellë një regjim më demokratik, i cili ishte kundër pranisë amerikane në rajon. Mbas pushtimit të Irakut nga USA dhe luftës së vazhdueshme që vazhdon të bëhet atje, kohët e fundit Parlamenti iraken (9 vjet mbas pushtimit amerikan) për herë të parë, mori vendim që të largojë të gjitha trupat e huaja ushtarake nga vendi, përfshi dhe ato 5 mijë trupa amerikane të vendosura atje, gjë që Trumpi dhe Pentagoni aspak nuk e mirëpriti.

Deklarata e Trump se “ne kemi në Irak një aero bazë ushtarake që na ka kushtuar miliarda $ dhe se atë ne nuk e lëshojmë pa ne e paguar shtrenjtë” do të thotë dhe flet qartë për interesat ekonomike të amerikanëve në Irak dhe në gjithë Lindjen e Mesme. Vendet e këtij rajoni po zgjohen dhe kërkojnë largimin e kapitalit të huaj dhe formave të reja të neokolonializmit, të përfaqësuara nga USA, sigurisht dhe ujqërve të tjerë imperialistë evropiane, rusë e kinezë deri diku dhe turq, të cilët kanë interesat tyre në këtë zonë. Irani është një shembull i mirë për vendet e këtij rajoni, kundër prezencës amerikane, e cila kërcënon lirinë e popujve. Në këtë situatë, Komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, gjenerali Kasem Suleimani, ndërmori vizitën e tij për normalizimin e marrëdhënieve Iran-Irak dhe që u godit për vdekje nga një raketë e telekomanduar prej droneve ushtarakë amerikanë (nga të dhënat e shërbimit sekret inteligjent të Izraelit, por dhe agjentët irakenë, të cilët kishin dijeni për vizitën dhe lëvizjet e K.Suleimanit). Vrasja e udhëheqësit ushtarak u motivua me preteksin se Suleimani na qenkësh me mision, mobilizimin e organizatave terroriste të ISIS-it, kundër USA, dmth krijimin e një shteti islamik të bashkuar. Kjo vrasje e rriti dhe më shumë zemërimin e gjithë popujve të këtij rajoni....veçse funerali popullor që ju bë këtij udhëheqësi ushtarak iranian i kalon funeralet e gjithë presidentëve amerikanë të marrë sëbashku për dy shekuj.

Që ka organizata terroriste në botën arabe, kjo nuk diskutohet, ashtu sikurse ishte dhe “Ku-Klus-Klani” në USA, por terrorizmi shtetëror, magallomania e shtetit militar e sundimtar në botë, gjendet te USA dhe jo te Irani, i cili mbron lirinë dhe pavarësinë e tij. Ka shkuar Amerika te Irani e jo Irani te Amerika. Irani nuk ka as edhe një bazë ushtarake në botë, teksa, USA sipas vetë Pentagonit ka 686 të tilla me një efektiv gati 300 mijë ushtarë dhe mbulon 174 vende të globit, ose 75% të shteteve të botës. Buxheti i shtetit për shpenzimet militare, arrin deri në një shumë marramendëse më se 650 miliardë $ dhe të gjitha këto baza, USA i ka dhe i përdor për të mbrojtur interesat e veta strategjike. Arroganca dhe bullizmi amerikan, u duk dhe në takimin e vendeve anëtare të NATO-s në vitin 2017, ku presidenti Trump shtyu në mënyrën më të paturpshme e më të egër presidentin e Malit të Zi Markoviç. Gjesti i presidentit amerikan ishte gjest i demonstrimit të forcës dhe brutalitetit amerikan. USA nuk e duron dot as për etikë mirësjellje, që dikush të jetë një hap më përpara saj.

Kjo s’ka të bëjë aspak me aspiratat e popullit amerikan dhe as me vetë Amerikën, por me natyrën agresive të kësaj superfuqie imperialiste që rrezikon botën për një Luftë të Tretë Botërore. Irani, mbas atentatit kundër gjeneralit Suleiman, iu përgjigj me sulm raketash mbi bazat amerikane në Irak. Në këtë situatë, askush nuk duhet të mendojë se USA do sulmojë Iranin. Këtë gjë, Amerika nuk e bën. Ajo vetëm kërkon prej Iranit që të mos pengojë hegjemoninë amerikane në pellgun naftëmbajtës të Lindjes së Mesme, e në Gjirin Persik, gji ky, që e kontrollon Irani. Duke fshehur qëllimin e vërtetë, amerikanët deklarojnë se janë kundër “atomizmit ushtarak” të Iranit dhe shkojnë në Lindjen e Mesme “për të luftuar terrorizmin”. Por me kundërpërgjigjen iraniane, të cilët goditën me raketa bazat amerikane në Irak, ata, nga kërcënimet luftarake, kur e panë që nuk u shkoi, kaluan përsëri në rritje sanksionesh ndaj Iranit. USA nuk e sulmon ushtarakisht Iranin, nuk e sulmon sepse e di mirë, që nëse do ta ndërmerrte këtë hap, do të përfshiheshin në konflikt dhe vetë Rusia apo dhe Kina, që mbështesin Iranin dhe konflikti nga përmasa lokale, do t’i përafrohej një konflikti ndërkombëtar e për rrjedhojë, do të ndodhte po ai fenomen i mbas Luftës së Dytë Botërore.

Kështu që kur i mendon këto pasoja, Amerikës i shkojnë të dridhura, sepse popujt e gjithë botës mund t’i marrin në dorë vetë fatet për të ardhmen e tyre. Gjithashtu duhet theksuar se në këtë konflikt Rusia dhe Kina, ku hapur e ku në heshtje, mbështesin Iranin për qëllimet hegjemoniste të tyre (kontradiktat ndër imperialiste, të vetë superfuqive me njëra-tjetrën) dhe jo se u digjet barku për popullin iranian dhe popujt e tjerë të këtij rajoni. USA, madje dhe Korenë e Veriut mund ta sulmonte, paçka se Kim Jongu, një “pseudokomunist” që s’ka asgjë të përbashkët me komunizmin, e për më tepër Korenë e ka kthyer si një monarki, duke marrë pushtetin nga i ati, madje dhe ky i fundit e kishte trashëguar nga Kim Ir Seni (gjyshi i Kim Jongut). Pra dhe Korenë mund ta sulmonte, por USA e di mirë që mbas Koresë qëndron Kina, pse jo dhe vetë Rusia, e cila është e interesuar për dobësimin dhe rënien e influencës amerikane kudo në botë e veçanërisht në atë rajon ku vet Rusia i ka gjeografikisht më afër se USA. Po Evropa? Evropa është e ngelet e përçarë. Ajo përherë si puna e rruspive dhe do dhe nuk do!

Gjermania dihet se nuk e ka për zemër Amerikën, ashtu sikurse dhe Franca, por ja që janë në “Aleancën e shenjtë të Atlantikut Verior” ku ligjin e bën Amerika. Evropa këtë gjë nuk e dëshiron (përveç Anglisë e cila kërkon dobësimin e rolit hegjemon të Gjermanisë në BE), por për ta, do të ishte më mirë një Amerikë agresive, që tu kundërvihet Rusisë e Kinës, se sa një Amerikë e dobët, e cila me dobësinë e saj do favorizonte Rusinë dhe Kinën. Ç’ti bësh, kjo është natyra e ujqërve imperialistë dhe me njëri-tjetrin. Një situatë dhe prag-luftë botërore do prishte tërësisht balancat, e në kushte të tilla, shtete dhe bashkësi shtetesh në federata të ndryshme anë e kënd globit, do të pozicionoheshin në aleanca të ndryshme ushtarake.

Një Luftë e Tretë Botërore, me siguri do të fillonte si një luftë grabitqare e ndër-imperialiste dhe po qe se popujt nuk do ta parandalonin dot, po me aq siguri, ata do ta kthenin atë në luftë të madhe e të përbotshme çlirimtare dhe kjo do të vinte në pikëpyetje dhe vetë ekzistencën e imperializmit, të cilit shpejt a vonë, në fund të fundit dialektika ia ka përcaktuar fundin e tij të pashmangshëm. Kështu që, lemeria e Ramës përkundrejt Iranit me poturet të mbushura plot nga frika, është e kotë. Ai në mënyrën më të pabesë dëboi dhe dy diplomatët iranianë, (u dashkësh pritur sulmi me raketa mbi Irak?!) mbase për servilizëm ndaj amerikanëve, sepse Irani, as nuk e pushton, por as e ka ndërmend të pushtojë, apo dhe të sulmojë një vend si Shqipëria, i cili “de facto” është i pushtuar nga NATO, nën emrin e “partneritetit për paqe”, (nënkuptoni luftën) pavarësisht deklaratës servile të Ramës, i cili thekson para ekraneve se: “Ne na mbron NATO me 100% OTAN”, teksa këputet në mes e u bie në gjunjë amerikanëve megalomanë.