Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Tërbimi” i opozitës, “tregues” i dhimbjeve nga reformat

Postuar: 16/05/2018 - 07:28

Më në fund, tërbimi opozitar na bindi se deri ku është “vrima” e fundit e “rripit” reformë. Është thënë shpesh nga politikanët e të gjitha krahëve se: “Demokracia kërkon reforma të thella dhe rrënjësore”, “Do të ndërmarrim reforma për konsolidimin e demokracisë, për shtetin ligjor etj., etj. Po kalojnë afro tre dekada dhe këto “përralla” do të mbeten si vargjet tek “Epopeja e Ballit Kombëtar” të Shevqet Musarajt: Do bëjmë luftë/ Do tundim malet/ Dhe bota qeshet/ Dhe fshati tallet... Është e vërtetë që reformat në demokraci, kanë dhimbje sepse nuk është e lehtë të thyesh mentalitete të rrënjosura prej kohësh që dhe t’i përshtatesh mentaliteteve të reja. Edhe më e dhimbshme bëhet ajo ç’ka është themelore, reforma në drejtësi. Sistemi i drejtësisë është shkaktare për këtë deformim të demokracisë ku nuk mund të gjesh as edhe një “grimë” drejtësi. Shikoni se kush kanë qenë në “kokën” e Sistemit të drejtësisë, antarët e Gjykatës Kushtetuese, për të vazhduar më pas deri tek gjyqtari dhe prokurori më i thjeshtë. Kush më shumë e kush më pak, shumicën e tyre e ka “pushtuar” babëzia, korrupsioni dhe lidhja me qindra fije të padukshme me krimin. Të bësh reformë të thellë, do të thotë të bësh “qilizmë” në këtë sistem ku e “pavarura” drejtësi “ngjitet” pas politikës dhe politikanëve të veçantë për të shpëtuar nga reforma.

Politika është ajo që ka diktuar dhe dikton në ç’do qelizë të drejtësisë. Është kjo shkaktare që po mban peng demokracinë në vend. Dhjetra e qindra justifikime janë nxjerrë nga krerët e politikës, nga krerët e drejtësisë apo unionet e gjyqtarëve apo prokurorëve, për të penguar sa të jetë e mundur këtë reformë, duke mbajtur peng vendin për t’u integruar në Europë, apo për të “minuar” demokracinë. Këtu dhe vetëm këtu duhet kërkuar shkaku përse nuk janë bërë reforma të thella . Reformat e thella, më shumë se kujtdo u dhëmbin politikanëve, të cilët janë përgjegjës për deformimin e demokracisë, pasoja e së cilës, është që metodologjia komuniste të vazhdojë deri në ditët e sotme.. Ka afro tre vjet që flitet shumë por nuk bëhet asgjë për reformën në drejtësi. Pavarësisht që të gjithë krerët e politikës apo gjyqësorit e quajnë atë si një ‘domosdoshmëri”, nën rrogoz, punojnë për sabotimin e saj. Të kuptohemi. Reformën në Drejtësi e kanë ndërmarrë ndërkombëtarët, sepse po të ishte për politikanët tanë këtë reformë, do ta kishin bërë në vitin 2099!. Këtë, e dinë opozitarët, por meqë nuk kanë ç’ti bëjnë “gomarit” i bien “samarit” duke e bërë fajtor vetëm Ramën, të cilit i janë turrur të gjithë për ta rrëzuar. Sikur t’ja arrijnë qëllimit e ta rrëzojnë, asgjë tjetër nuk kërkojnë sepse ky është qëllimi i tyre final, që i hap rrugën për të marrë pushtetin. Por, ajo ç’ka nuk kuptojnë është ajo që “Lisi” nuk mund të rrëzohet dike llomotitur sikur edhe miliona llomotitës të mblidhen rreth tij. “Lisi”, qoftë ky edhe me “rrënjë” mbi sipërfaqe të tokës kërkon “sëpatën”, atë që “druvarët” e opozitës, nuk e kanë! Miopia e tyre, deri atje shkon, që nuk mund të kuptojnë që elektorati, midis dy të këqijave do të zgjedhë të keqen më të vogël dhe për të zgjedhur midis “budallenjve” dhe “të marrëve” të pangopur, ai do të zgjedhë të parët! Klasa politike i ka krijuar të gjitha kushtet kësaj “mavrie demokraci” që në thelb të saj është diktaturë! Kështu filloi qysh në fillimet e ndërrimit të sistemit, kur opozitarët e sotëm hodhën themelet e Diktaturës nëpërmjet miratimit të Ligjit 7501. Reformat e përcipta që janë ndërmarrë qysh atëherë kanë bërë sikur e kanë “krehur” dhe larguar të kaluarën, por në fakt, “morrat” e diktaturës shëtitin “të lirë” dhe pa asnjë pengesë në sistemin e ri. Këta “morra” nuk janë prezentë vetëm fizikisht, por edhe imponojnë metodologjinë botëkuptimin dhe stilin e tyre komunist në rrugën që ndjek opozita. Metodat e tyre janë shpifjet, akuzat, baltosja, bojkoti, marrëzitë! Reformat e thella, si ajo në drejtësi apo ajo e Lustracionit, opozitarët nuk i gëlltisin dot! Asnjë argument, asnjë grimë logjike për një punë në interes të vendit që e kanë katandisur si “plaçkë tregu”, që e shesin dhe e blejnë si të duan e kur të duan. Është për të qeshur e për të qarë, që këta farë opozitarësh që kemi sot, ditë për ditë luftojnë me “fantazmat” komuniste, të cilat këto i “zbulojnë” tek ata që ata i quajnë nostalgjikë të komunizmit dhe u turren atyre me shkop! Rast i paprecedent ky në historinë shumëvjeçare të demokracisë në Europë, mbasi tek ne, presim që ajo të vijë! Më të zellshëm për këtë janë ca tipikë huliganë që kanë uzurpuar kreun e opozitës, që ditë e natë merren me luftën kundër fantazmave komuniste dhe midis tyre mbajnë të gjallë komunistët e vërtetë, apo më mirë zbatojnë metodologjinë komuniste në tërë jetën dhe aktivitetin e tyre. I vetmi ndryshim është që në vend të Enverit kanë një “fosile” të tij, të quajtur Sali. Të mos e kuptosh këtë, duhet të jesh Bashë, Ristan, Palokë, Gridë apo Alibej, Spaho, Strazimir... Herëpashere, për të bindur simpatizantët e tyre rrëmbejnë nga një shkop dhe u futen veteranëve të shkretë që rininë e tyre e sakrifikuan për një jetë më të mirë dhe dëshmorët e Atdheut, dhanë jetën e derdhën gjakun e tyre jo për t’u trashur qafa e banditëve që mbajnë peng këtë vend dhe që “buburrecët” e tyre rreth e qark i mbajnë për antikomunistë! Pse i tremb këta “palo opozitarë” portreti i Enverit, përderisa nuk kanë nxjerrë një ligj ku të ndalohen simbolet e komunizmit? Në mungesë të këtij ligji, mos vallë sipas “mendimtarëve” të opozitës, duhet të zëvendësohet me goditjet me shkop ndaj veteranëve të nderuar që kanë luftuar e kanë derdhur gjakun e tyre kurse “Palokat” dhe Ristanët e opozitës rrinë gjithë ditën xurxull! A ka krim më të madh që bëjnë këta palaço kur ngrenë shkopin mbi kurrizin e këtyre të vuajturve? Veteranët e nderuar, sot janë më të persekutuarit nga ç’do shtresë tjetër. Ata nuk kanë pritur dhe nuk presin të marrin ndonjë këst as nga të djathtët, as nga të majtët për sakrificat e tyre, përkundrazi po të ishin radhitur në krahun e atyre që sabotuan luftën, do të kishin marrë ndonjë këst për të mbijetuar, sepse deri sot kanë jetuar me “gjakun që i kanë pirë popullit”! Ata sot jetojnë me një pension qesharak dhe për këtë u duhet të durojnë edhe shkopinjtë e Saliut e të Bashës mbi kurriz! Një tjetër tregues i “antikomunizmit” të tyre, është edhe ajo që kur “Komunistët” Ilir Meta, Edi Rama etj., vendosën kurora me lule në shenjë nderimi për ata që kanë dhënë jetën “demokratët” i flakin tutje. Nuk besoj të ketë skandal më të madh në këtë Shtet “rrumpallë” që qëndron sehirxhi përballë këtyre monstrave “antikomuniste”! Opozitarët luftojnë “fantazmat” e komunizmit që të fshihen prapa komunistëve të vërtetë që kanë pranë. Ata luftojnë “fantazmat” e komunizmit me “injorantë” të “kooptuar” siç bënte Enveri dikur, që kur fliste ai, askush të mos i kundërshtonte dhe të qëndronin “sus’! Edhe Basha ecën në gjurmët e tij bashkë me Saliun.

Pse nuk u zbatua Ligji aq shumë i përfolur i Lustracionit? Nuk u zbatua sepse të gjithëve u “djeg” e kaluara e tyre dhe e mbajnë atë si “shpatë” për të goditur kundërshtarët. Në kohën që po kryhet apo nuk do të kryhet reforma në drejtësi, demokratikasve “antikomunistë” u qëlloi që të jenë në opozitë. Dhimbja për këtë u ka vajtur deri atje ku nuk rrëfehet. Por, a kanë arsye për këtë? Kanë dhe bile shumë. Arsyeja është sepse ata, si zbatuesit më të zellshëm të metodologjisë komuniste, nuk mund të kuptohen pa patur nën kontroll edhe Gjykatat, edhe prokuroritë, edhe SHISH-in, edhe Kreun e Akuzës... Bazat e sistemit të drejtësisë i ka hedhur Saliu i Parë qysh në kohën e “Plepave”! Por sot nuk kanë nën kontroll, as SHISH-in, as gjykatësit as Kreun e Akuzës dhe kjo i ka “lajthitur” fare e i ka nxjerrë jashtë shinave! Gjykatës të veçantë janë, ose në anën e njërit krah të politikës ose në atë të tjetrit. Kjo varet se kush krah i politikës i ka emëruar ata në detyra. Shkelin procedurat, thyejnë ligjet me të dy këmbët gjykatës e prokurorë të vecantë dhe KLD-ja bën sehir, bën avokatin e tyre sepse “nuk kanë ç’ti bëjnë”. Edhe Ilir Meta, që bën sikur ngre duart lart, është në unison me ta sepse ai vepron nën rrogoz! Atëherë përse janë ligjet? Mjerë ne për këtë drejtësi që kemi. Si gjykatësi dhe prokurorët, kështu janë ndarë edhe mediat alla të “pavarura”! Kështu janë ndarë edhe “analollomotitësit” kush e kush të hiqet “avokati”, “gjykatësi”, “prokurori” më i zgjuar edhe nga ata që janë profesionistë. Na “mbinë” në sy e në veshë llomotitjet e opozitarëve dhe sekserëve të tyre. Të gjithë ata, me Bashën dhe “Kompetentin për gjithçka” kanë marrë rolin edhe të gjykatësit, edhe të prokurorit, edhe të hetuesit, aq sa nuk shprehemi gabim sikur të themi që gjykatat e prokuroritë kanë mbetur “pa bukë” sepse “racionet” ua kanë marrë opozitarët. Edhe ai që është më “elifimatraku”, edhe ai bëhet “gjykatësi” më i mirë! Por, nuk kanë “armë” tjetër përveç asaj të llomotitjes. Të presësh të të bëjë edhe gjykatësin, edhe prokurorin, edhe hetuesin Salianji, merret me mend se në ç’ pozitë gjendet opozita. U takuan një ditë ballë përballë, një Luan dhe një Gomar. Të dy vështronin njëri tjetrin për të parë se kush ishte më i fuqishëm. “Gomari” u tregua më i shkathët dhe pëlliti me sa fuqi që kishte sepse nga mbrapa, kishte edhe një “ushtri” me kërriça. Luani nga frika ja mbathi me vrap, për t’u fshehur sepse nuk ja dinte akoma se ku e kishin fuqinë këta “trima”! Mbasi i vëzhgoi mirë e mirë u bind që ata nuk kishin “armë” tjetër përveç asaj që pëllisnin orë e çast. Po pret tani momentin që të afrohet avash avash për t’i mbërthyer për fyti. Tashmë “Luani” nuk trembet më nga pëllitjet e tyre!/ Nga Pandeli BARDHI       

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/05/2018 - 07:33

Në parashtresën e z. Elmaz Ahmetaj, të botuar në gazetën "Sot", të dt 17 maj 2018, në lidhje me arsimin se a është më cilësor se sa para viteve '90, trajtohen me objektivitet dhe elegancë disa probleme që janë shqetësuese për sistemin arsimor aktual.

Postuar: 20/05/2018 - 07:31

Në fakt nuk dalim dot kaq lehtë nga regjimi i marrëzisë dhe kolektivizmit në përkrahje të marrëzisë!

Postuar: 20/05/2018 - 07:29

Duke pasur frymëzim për traditat e shkëlqyera të arsimit shqiptar por njëkohësisht edhe të futbollit shqiptar, në këtë nostalgji, i prekur nga vitet hyjnore dhe rinore, në lagje

Postuar: 19/05/2018 - 12:26

Lajmet më të bujshme të ditëve të fundit kanë qenë fyerjet me fjalor banal të analistëve të njohur për njëri-tjetrin, siç kanë qenë rastet e Gazmend Bardhit dhe Mustafa Nanos, t

Postuar: 19/05/2018 - 08:08

Janë të vogla përpjekjet e pushtet humburve në Tiranë (të cilët sigurisht janë kaq të zgjuar sa të kuptojnë se kur era është në velat e tyre) në krahasim me ndarjet dhe stërmund

Postuar: 19/05/2018 - 08:05

Duket sikur njerëzit në këtë vend kanë hequr dorë me kohë nga librat, nga teatrot, nga kinematë, nga disa prej gjërave më sinjifikative dhe me kuptim të kësaj bote, që të përsos

Postuar: 19/05/2018 - 07:40

Edhe lufta politike ka një moral. Edhe pse shpesh thuhet se kjo nuk është e vërtetë. Sillen shembuj qëkurse ka lindur profesioni i politikanit.