BREAKING NEWS

“Ka njerëz më të mençur se presidenti i republikës”, Frrok Çupi del sërish me deklaratën e fortë: Në Shqipëri fundërrinat...

“Ka njerëz më të mençur se presidenti i
x

Opinion / Editorial

Tërheqja nga vendimmarrjet e kontestuara nuk është si: Muri luan, burri nuk luan!

Tërheqja nga vendimmarrjet e kontestuara nuk është si: Muri luan,

U shoqërua me shumë zhurmë, vendimi i qeverisë “Rama” për tërheqjen e ligjit “Antishpifje” dhe dërgimin e tij për opinion më të specializuar në Komisionin e Venecias. Ky ligj ishte rrëzuar më parë me dekret të presidentit Meta, me vërejtje të cilat pasqyronin në tërësi kontestimet e medias, shoqërisë civile, analistëve, opinionistëve dhe së pari të botuesve që zotërojnë portale të deklaruara e anonim. Kuptohet, vërejtjet më të shumta dhe zhurmën më të madhe për këtë ligj e bëri opozita, PD dhe LSI, e cila në sinkron vuri kujën e u mor gjatë me nenet që janë në brendësi të tij, ligj i cili edhe pse kërkon të disiplinojë median, në kuptimin e të pavërtetave të botuara rëndom, shpifjeve pafund, denigrimeve, akuzave ekstreme, fyerjeve, anatemimeve, ngjalljes së panikut, lajmeve të rreme të lëshuara si bomba mbi cilindo me një lehtësi të habitshme, e cila vlen të qortohet, të parandalohet dhe t`i vendosen kufij për të mos vërshuar e përmbytur të vërtetën, përsëri beteja u bë e ashpër. Ashtu si deri dje, në opinionin shqiptar bie rrebeshi i shpifjeve dhe justifikimi e fshehja pas lirisë së fjalës. Për të penguar çoroditjen dhe helmatisjen e mjedisit shoqëror, çoroditjen e mendjeve të qytetarëve, duke krijuar probleme të rënda, jashtëzakonisht shqetësuese për politikat në shkallë vendi, rajoni, individë të zakonshëm, njerëz në pushtet, në familje, qytetarë, të cilët dëshpërohen pafund kur dëgjojnë lajme tronditëse me efekte si valët e tërmetit të 26 nëntorit. Para se ky ligj të kthehej në Parlament, zëra të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht nga institucionet që monitorojnë Shqipërinë në rrugëtimin e demokracisë, i kërkuan qeverisë shqiptare ta rishikonte ligjin, vërtet me ndjeshmëri të lartë, si për ata që bëhen target të shpifjes dhe ata që u lënë akuzave ballinën e lajmeve në shtypin e shkruar apo atë viziv. Ligjit iu bënë shumë ndryshime. U organizuan konsulta. Po kritikat nuk u fashitën. Prodhuesit e shpifjeve e ngritën edhe më lartë stekën. Qeveria e tërhoqi ligjin e debatueshëm dhe dekretin e presidentit nuk e rishqyrtoi. Dhe mirë bëri. Pikërisht në këtë moment, vërshuan akuzat dhe u ngrit mllefi në qiell, duke shpallur fitore të madhe, se u zbyth shteti, u përul qeveria, ra frikacaku Rama, doli fjala e opozitës, u tremb Parlamenti i banditëve. U thirr me zë të lartë: Fitore, fitore! Fitoi opozita si gjithnjë! Se kjo ishte fitorja më e madhe e post 1990-ës, kohë kur në Shqipëri lindi fjala e lirë pas 50 vitesh diktaturë. Se diktatura e kryeministrit dështoi. Nuk bëjmë analizën kush fitoi dhe kush humbi. Kjo do ishte një aritmetikë mizerable. Cili pati argumentat më të fuqishme dhe cili kishte të drejtë dhe kush gaboi? Është vendi të analizojmë veprimin e qeverisë, vendimmarrjen për tërheqje kur duhet, e cila nuk ndodh për herë të parë që, kur gjendet përballë shqetësimeve dhe kontestimeve të shumta edhe kur ato janë subjektive, qëndron, ndalet, analizon, reagon, bën pauzë dhe rishikon tërë praktikat ligjore, studion skemën me ekspertë të fushës, çfarë nuk shkon dhe a duhet t`i referohet një gjykimi më të specializuar, siç është Venecia, si arbitër i pranuar nga të gjithë. Tërheqja nga një ligj, vendimmarrje, projekt, PPP, tender, kthesa për të rishikuar një vendim, qoftë ai edhe nga opozita, është një veprimtari normale, në një shtet demokratik. E kundërta do ishte shkatërrimtare dhe me pasoja. Të ushqyer nga qëndrimet e forta të qeveritarëve në këto tridhjetë vjet, si me Kanunin e Lekë Dukagjinit mbi Kushtetutë, me psikologji mesjetare mbi shpinë, futur thellë në negativitet dhe këtu nuk bën përjashtim asnjëra palë, e majtë e djathtë e qendrës, liderë apo funksionarë partie apo drejtues shteti. Në provë për vendimmarrje të paragjykuar janë vënë: kryeministra, ministra, drejtorë drejtorie, presidentë. Të gjitha qeveritë. Është traditë e keqe që shtetarët tanë nuk lëvizin centimetër, nuk bëjnë pas, edhe kur këshillat e miqve dhe institucioneve, logjika, interesi kombëtar, kërkon një trajtim ndryshe dhe kthim në pikën e nisjes. Tërheqja e qeverisë nga rishqyrtimi i ligjit antishpifje është veprim i duhur që meriton të përgëzohet. Tërheqja nga një vendimmarrje, strategji, deklaratë, skenar, politikë e caktuar, flet për përgjegjshmëri. Duhet të vlerësohet si një akt që i shërben demokracisë, përparimit, mbrojtjes me çdo çmim të fjalës së lirë, progresit dhe interesave të shoqërisë. Pikërisht se nuk u gjykua me mendësinë e kanunit, traditës, mosndryshimit apo kompromisit të ndodhur shumë herë në vendin tonë në këto tri dekada, përgjegjshmëria e marrjes së vendimit dhe tërheqja nga një vendimmarrje që ka krijuar shumë polemika nuk është baras me sentencën popullore: “Muri luan, burri nuk luan”. Aksiomë nga e cila jemi udhëhequr për vite të tëra, ku politikanë të lartë të këtij vendi na kanë shpënë deri në degradim të tmerrshëm të shtetit dhe rënie të sistemit. E vërteta është, se jo njëherë, qeveria e sotme, Edi Rama, kanë bërë prapaktheu në shumë vendimmarrje të kontestuara, ku jo në pak raste kontestuesit, cilëtdo qofshin, kanë pasur të drejtë. Është i freskët korrigjimi që bëri qeveria, menjëherë pas protestës së kuksianëve për taksën e “Rrugës së Kombit”, ku u morën vendime të nxituara alla shqiptare. Shteti u vu në opozicion me qytetarët pasi tarifat ishin të pakonsultuara. Të gjithë kujtojmë tërheqjen e vendimit të qeverisë për armët kimike që do demontoheshin në Shqipëri, ku për pak qeveria Rama ra. Nuk u shkua me gjykimin tradicional: Muri luan, burri nuk luan! Përkundrazi. Rastet e tërheqjes së qeverisë nga vendimmarrje të rëndësishme, janë të panumërta. Shumë prej tyre janë llogaritur si dështim. Pas çdo tërheqje, Rama është etiketuar frikacak, ikanak, pa burrëri, i dobët, i lëkundur. Është paragjykuar si dikur një burrë në malësi që nuk donte të vriste e të merrte hakun e vëllait. “Prilli i thyer” i Kadaresë tregon se si, kafen ia servirnin nën gju për ta poshtëruar. Fiks me Kanun. Ndryshe kanë vepruar burrat e fortë në pushtet. Kujtojmë skemat piramidale, rënien e shtetit në vitin 1996-1997. Thellimi i trazirave, ishte këmbëngulja e presidentit të vendit, Sali Berisha për mos t’u tundur nga istikami. Në kulmin e protestave mbarë popullore deklaroi: “Paratë e shqiptarëve, janë më të pastrat në botë”. Nuk dëgjoi këshillat e miqve. I mbylli derën në fytyrë, zyrtarit të lartë amerikan. Shkurt, bëri burrin që nuk luan. Përfundimi dihet. Shqiptarët shitën edhe delen e fundit dhe i hodhën kursimet në gropën e zezë të mashtrimit. Po sa të tilla vendimmarrje intolerante kemi përjetuar në historinë tonë të afërt e të largët? Kujtojmë këtu, këmbënguljen deri në agresivitet të mos dëgjimit të zërit të opozitës, për hapjen e kutive të votimit pas zgjedhjeve të vitit 1999, ku opozita e kohës akuzonte me fakte vjedhjen dhe deformimin e votës së popullit. Po muret luajtën. Godinat u zhvendosën. Fasadat ndryshuan. Suvatë ranë. Kutitë nuk u hapën. Darka në restorantin e famshëm “Krokodili” nuk zbuti burrin e vendosur Berisha. Ndërkombëtarët dolën huq. Janë të shumta rastet kur shtetarë shqiptarë nuk kanë pranuar të lëvizin nga vendimet e marra në këmbë, të pabazuara. Nuk kanë dëgjuar zërin e qytetarëve. Kanë bërë shurdhmemecin, të palogjikshmin, si të ishin blloqe betoni. Kanë mbyllur sy e veshë. Sot e gjithë ditën, burrat që nuk luajtën dhe qëndruan stoikë kundër reformës zgjedhore, Basha e Kryemadhi, Meta e kompani për reformën në drejtësi, mospjesëmarrjen në zgjedhje, mburren me dorëzimin e mandateve, mos pranimin e Ramës kryeministër, mos uljen në tavolinë. Ashtu siç janë mburrur me pushkatimin e protestuesve në bulevardin para kryeministrisë në janarin e vitit 2011. Janë burrat që nuk lëshojnë milimetër. Shtetarët tanë, fatkeqësisht në psikologjinë e tyre, kanë ngulitur thellë mendësinë e trashëguar se: “Muri luan, burri nuk luan”! Është mendësia e kohës së Baba Qemos, e pafalshme në një shoqëri demokratike që sundon logjikën e shumë politikanëve tanë edhe pse jetojmë shekullin e njëzetë e një, udhëhiqen nga proverbi: “Muri luan burra-liderët nuk luajnë”!