Opinion / Editorial

Tërmetet “diktatorë” dhe tërmetet “demokratë”!

Tërmetet “diktatorë” dhe tërmetet

Tërmeteve, “licencën” ua jep natyra dhe është në dorën e saj të “porositë” ata, të bëjnë apo të mos bëjnë dëme, të jenë të fuqishëm apo të lehtë. Natyra, i dërgon ata në çdo vend, pavarësisht se çfarë sistemi kanë, sistem diktatorial apo demokratik. Edhe tek ne, tërmetet që ranë në sistemin e kaluar, ishin më të fuqishëm nga këta që kanë rënë në sistemin e ri të demokracisë. E megjithatë diktatura e zbuti “egërsinë” e tyre dhe i bëri më të butë për ata që u prekën nga kjo fatkeqësi natyrore. Përkundrazi, tërmetet më të lehtë në demokraci, siç ishte ai i 21 shtatorit dhe i 26 nëntorit të vitit të kaluar, shteti demokratik i bëri edhe më të “egër” e më të “pashpirt” për banorët që u prekën. Po njeriu nga ana e tij, për tërmetet që vijnë nga natyra, a ka gjë në dorë? Ka, bile shumë. Më e rëndësishmja është që njeriu, qysh nga shteti e deri tek çdo person i vetëm, ka shumë për të bërë të pamundurën që t’i dali të keqes përpara, për të qenë në çdo rast të përgatitur. Qysh në fillim më duhet të pranoj atë që të gjithë e dinë që pasojat, nga çdo fatkeqësi natyrore, nuk mund të parandalohen, por, nga ana tjetër, është po kaq e vërtetë që pasojat që vijnë, mund të minimizohen e të lehtësojnë sa të jetë e mundur dhimbjen njerëzore duke marrë masa paraprake dhe jo atëherë kur të na ndodhi e keqja... Do të ishte e pafalshme që fatkeqësitë të na gjejnë të papërgatitur. Ajo ç’ka nuk ka në dorë njeriu, është marrja e masave për “tërmetet” që vijnë nga vetë shteti, nga njerëzit, shkujdesja e tyre sikur e keqja nuk do të ndodhë asnjëherë. Kur fatkeqësitë na gjejnë në befasi, të papërgatitur, dashur pa dashur, kemi bërë atë që të shkaktojmë një “tërmet” edhe më të madh nga ai që na vjen nga natyra. Më e shumta që mund të bëjmë për fatkeqësitë që vijnë nga natyra, është t’i lutemi zotit, që të vërë dorën “në zemër” e të na trajtojë me përparësi, të paktën ne, që më shumë se sa nga fatkeqësitë natyrore të keqen më të madhe e kemi nga “fatkeqësitë” që i sjellim vetë, fatkeqësitë që na vijnë nga “koka”. Kur e them këtë, kam parasysh ato që vijnë edhe nga “Koka” lart, edhe nga kokat e çdo shtetasi apo nga ata shtetas të këtij vendi e të kësaj toke, që kanë në dorë për të bërë diçka që fatkeqësitë të mos na zënë “gafil”! Po e filloj nga tërmetet “diktatorë” siç ishte ai i vitit 1967 në zonën e Dibrës dhe ai i vitit 1979 në zonën e Lezhës dhe Shkodrës. Në të dy këta tërmete, nuk kam ndërmend të flas gjatë sepse ato dihen jo vetëm nga ata që i kanë përjetuar këto ngjarje, por edhe nga ata që i kanë dëgjuar nga të afërmit e nga më të moshuarit. I dinë mirë masat që u morën nga diktatura kundër “diktatorit” tërmet, ku në të dyja këto ngjarje, bashkë me qindra e mijëra të tjerë, nga të katër anët e vendit kemi dhënë kontributin për eliminimin e pasojave shkatërrimtare. U ngrit në këmbë i madh e i vogël e shkuan vullnetarë në ndihmë të vëllezërve të tyre. Fabrikat dhe uzinat e lanë mënjanë planin e prodhimit sipas zërave dhe ju futën punës sipas motos: “Gjithça për t’i ardhur në ndihmë banorëve që u prekën nga tërmeti”! Mirë apo keq, diktatura, si për të treguar “epërsinë e rendit socialist mbi atë kapitalist dhe atë imperialist”, por edhe për të mos e “ulur hundën” përpara të huajve siç neve e kemi zakon, diktatura, nuk pranoi ndihma nga jashtë megjithëse bota humane ishte e gatshme për të na ndihmuar. Nuk e di se sa i përshtatet kësaj egoje shprehja “Edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtin përpjetë”, por në këtë rast edhe faj shumë nuk do t’i vëmë diktaturës, pasi ajo i qëndroi strikt programit që kishte, asaj ç’ka shkruante: “Marrja e ndihmave dhe kredive nga jashtë, nuk janë gjë tjetër përveçse litarë që u hidhen në fyt popujve për t’i skllavëruar”! Edhe në këtë drejtim, ne kaluam nga njëri ekstrem në ekstremin tjetër. Diktatura i kishte mbyllur kufirin ç’do ndihme nga jashtë, ky farë shteti demokratik është kthyer në “lypës” ndaj të huajve, ose për të mbushur xhepat e veta ose për të mbuluar ndonjë boshllëk që janë me shumicë. Por, nejse, këto nuk e cënojnë thelbin e problemit. Rëndësi ka që diktatura, me forcat e saj, brenda një kohë rekord i eliminoi pasojat shkatërrimtare të këtyre tërmeteve, pa pretenduar që të gjithë banorët ishin të kënaqur, por të paktën shumica e tyre ishin të kënaqur nga puna që u bë, nga mobilizimi i të gjithëve dhe preokupacioni i shtetit për t’u ardhur në ndihmë fatkeqëve. Të gjithë, sakrifikuan diçka nga kursimet e tyre me aq sa kishin mundësi sepse, në atë kohë, të gjithë ishin në të njëjtin standard jetese e në të njëjtat kushte ekonomike, në ato të mbijetesës. Në këtë kohë, nga ana e zonave jugore dhe ajo e zonës së Labërisë, iu falën banorëve të prekur nga tërmeti edhe gjashtëmijë krerë bagëti, kryesisht dhen e dhi. Edhe ky ishte një solidarizim me banorët e prekur nga tërmeti, pavarësisht që më shumë se sa e dhanë me shpirt, më shumë e propaganduan. Populli, ka një shprehje: “Bëje të mirën dhe hidhe në det”! Shumë mirë bënë për këtë akt human, por jo këtë të mirë që bënë ta propagandonin me aq bujë duke i thurur edhe këngë, e cila kjo u bë e përditshme në propagandën që bënte partia. “Gjashtë miiii, gjashtë miiiii, gjashtë mijë dhen e dhi e heeej e heeeej, e dambeee, dambeee dambeee dambeee…Dhamë neee, dhamë neeee, dhamë ne për në veri o heeeeeej”. Mirditorët, në këtë rast, nuk mund të themi që e kishin gabim kur thoshin: “Më mirë do të ishte të mos na i jepnin ato bagëti sesa të na e përmendin ditë për ditë”! Nejse… Brenda një kohe të shkurtër u ndërtuan banesat e shkatërruara, objektet social-kulturore e gjithçka tjetër sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Të vijmë tani tek tërmeti “demokrat”. Tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, ishte tërmeti i parë “demokrat” që na ra në këtë periudhë tridhjetë-vjeçare qysh nga ndërrimi i sistemit. Përpara këtij, ra edhe një tjetër më 21 shtator, por askush, as shteti qendror, as “shtetet” vendore, nuk e kthyen kokën pas. “Hë se kaloi, thanë, dhe nuk vjen më”, prandaj edhe tërmeti u “inatos” dhe erdhi përsëri më 26 nëntor. Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga ky tërmet dhe akoma të gjithë vijnë vërdallë. Edhe viktimat që u shkaktuan, edhe dëmet materiale, ta themi troç, nuk janë më shumë për fajin e tërmetit sesa nga ato të “tërmetit” njerëzor. Dëgjojmë një emision “Shqiptarët për shqiptarët” ku një klerik që e drejton atë, na “entuziazmon” me shifra marramendëse sikur nga të katër anët e botës po vërshojnë thasët me dollarë, euro dhe paund nga individë, nga shoqata bamirëse, nga biznesmenë, nga donatorë e qeveri. Rezultati i tërë këtyre ndihmave? Akoma banorët e zonave të prekura, jetojnë në çadra. Edhe për ndihmat nga jashtë, kaluam në ekstremin tjetër. Nga “betonimi” i kufijve në të kaluarën, sot kanatat janë hapur në “të katra”, por ndihmat nuk duken gjëkundi. E keqja më e madhe është që “tërmeti” i shkujdesjes qeveritare, është më shumë “shkallë rihter” nga tërmeti natyror. Për tridhjetë vite kështu kanë punuar “shqiptarët për shqiptarët”, pallate vetëm me rërë për të “kursyer” çimenton, pallate shkel e shko, ndërtime mbi zona ranore, ndërtime mbi ish-këneta, ndërtime më të njëjtin beton si në bregdet edhe në zona malore, që specialistët i dinë më mirë këto punë. Ç’do të thotë të bësh ndërtime shkel e shko? As më shumë e as më pak, për të mbushur xhepat disa hajdutë, nën hundën e shtetit që mungon, të marrësh në qafë jetë njerëzore. Në diktaturë, bëheshin studime për të mos ndërtuar në zona sizmike, kurse sot disa sizmologë me diploma si të mësuesve që blejnë në “pazaret” e shumta me emra universitetesh, kur gazetarja e pyet njërin prej tyre: “Sa ballë ishte tërmeti i fundit i datës 28 janar”, ai i përgjigjet: “Nuk e di, ja të pyes”. Kjo sjell atë që për tre ditë qysh nga rënia e tërmetit kanë përcaktuar jo më pak se gjashtë epiqendra tërmetesh. Kjo nuk është vetëm përgjegjësia e specialistëve, sepse kjo është edhe përgjegjësia e shtetit që pret të ndodhi fatkeqësia dhe më pas të marrë masa, që edhe në këtë rast, më shumë zhurmon sesa merr masa. Nuk është e para herë që shteti punon sipas parimit “Vdis që të të dua”! Kanë kaluar shtatë muaj nga tërmeti në Floq të Korçës, ku u rrëzuan disa “cakëllë” (mure të ndërtuar pa llac, por vetëm gurrë njëri mbi tjetrin) dhe akoma nuk janë ndërtuar që banorët edhe pas shtatë muajve të dalin në protestë para bashkisë! Duket sikur demokracia të gjithëve u jep “të drejtë”! Për të njëjtin objekt, disa thonë “objekt i pabanueshëm” të tjerë thonë “objekt i banueshëm”. Po shteti, a ka ushtruar kontroll? Po ku ka ushtruar kontroll shteti, ku ka treguar ndonjëherë prezencë shteti që të tregojë edhe në rastin e ndërtimeve?! A nuk kemi të drejtë të themi që e vetmja mënyrë është t’i lutemi zotit? Dje në diktaturë, qytetarët i mbanin sytë nga shteti dhe ky, u vinte në ndihmë kurse sot ka mbetur vetëm Zoti sepse shteti as që ekziston. Të dëgjosh pastaj akuzat që këta “mydeberë” politikanë, akuzojnë njëri-tjetrin për fajin e pasojave të tërmetit, të vjen të çash barkun me thonj! O zot i madh! Të tërë kanë “punuar” vetëm për të zhvatur dhe sot na hiqen të pastër, si njëri edhe tjetri. Kjo është fatkeqësia më e madhe që qytetarët i dëgjojnë dhe nuk reagojnë. Po të vazhdoj më pas me fatkeqësitë e tjera, për zjarret, për përmbytjet, për rrëshqitjet e dheut etj. etj. është e njëjta metodë pune pa as më të voglin ndryshim. Zjarret në pyje fiken me degë shkurresh, për përmbytjet shteti nuk ka as çizme llastiku! Përfundimisht qytetarë, lutuni Zotit të mos ju vijë e keqja sepse nuk keni rrugë tjetër. Konkluzioni? Konkluzioni është që diktatura, “mposhtte” edhe tërmetet, kurse “demokracia” mposhtet edhe nga një erë e lehtë, edhe nga një shi i dobët që përmbyt rrugët dhe politikanët hidhen në sulm kundër njëri-tjetrit për të rrëmbyer ndonjë “kockë” pushtet.