BREAKING NEWS

Thellohet bilanci nga tërmeti shkatërrimtar në Turqi, 20 të vdekur dhe 1015 të plagosur. Post-lëkundjet shkaktojnë panik

Thellohet bilanci nga tërmeti shkatërrimtar në Turqi, 20 të
x

Opinion / Editorial

Tërmeti i 1979 dhe situata sot

Tërmeti i 1979 dhe situata sot

Shumë pyesin, përse Enver Hoxha i refuzoi ndihmat e jashtme ofruar për rastet e tërmeteve? "Miq", unë u përkas atyre shqiptarëve që ndjejnë dhimbje për tragjedinë që i shkaktoi popullit tonë tërmeti i 26 nëntorit 2019. As nuk i njoh të interesuarit (qofshin të tillë), të cilët duan të dinë përse Enver Hoxha nuk i pranoi ndihmat nga bota për kapërcimin e pasojave të tërmetit të 15 prillit 1979! Në fakt, nuk kisha ndërmend as të shkruaja tani, po, meqë u bënë disa, vendosa të them shkurt!

1. Tërmetet janë goditje nëntokësore e lëkundje të sipërfaqes së tokës, që shkaktohen nga thyerje e zhvendosje të menjëhershme të shkëmbinjve në brendi të saj dhe që përhapen shpejt në lagësi të mëdha. Çdo tërmet ka një vatër, që është vendi ku ndodh thyerja në nëntokë dhe lind tërmeti. Po ka edhe një epiqendër, e cila është "projektimi" i vatrës në sipërfaqen e tokës. Rikujtoj se tërmetet mund të kenë prejardhje të ndryshme si: tektonike, vullkanike, karstike. Po mund të kenë edhe prejardhje artificiale, për shembull, nga shpërthime të fuqishme nëntokësore etj. Po, vijnë edhe nga këto! Një specialist i çështjeve sizmike do t'i shpjegonte me kompetencë disa prej hollësive të tërmeteve, si: prejardhjen e tyre; përse rreth 90 përqind e tërmeteve në botë janë me prejardhje tektonike; thellësinë e vatrave të tërmeteve; shtrirjen e tërmeteve; brezat e tërmeteve, kohëzgjatjen, paragoditjet e pasgoditjet, etj.

 2. Po le të kthehem tek interesimi i të interesuarve. Kur ndodhi tërmeti i 15 prillit 1979, u tha se pasojat e tij do t'i përballonte shteti shqiptar. Po kështu u tha dhe u bë, po ky vendim nuk është marrë "në këmbë", pa menduar, po është marrë pas një konsultimi të mençur e shtruar, bazuar në llogari ekonomike, financiare e organizative të detajuara saktë, nëse kishte ose jo shteti shqiptar fuqi njerëzore, ekonomike, financiare e organizative, për t'i bërë ballë me forcat e tij situatës së krijuar e shpenzimeve jo pak të kushtueshme për likuidimin e pasojave të një tërmeti aq të rëndë, ndoshta i paparë që nga fillimet e pas lashtësisë! Vendimi i partisë dhe qeverisë shqiptare për të përballuar vetë shpenzimet e pasojave të tërmetit të 15 prillit 1979, ndonëse ishte i menduar e i llogaritur mirë, prapëseprapë, Enver Hoxha, si burrë shteti i madh, i falënderoi vendet që ofruan solidaritet me Shqipërinë e ndihmë konkrete për të kapërcyer pasojat e tërmetit të 15 prillit 1979, dhe s'është si thotë dikush me ligësi që Enveri i përgojoi ndihmat e solidaritetin ndërkombëtar për kapërcimin e fatkeqësisë natyrore që ndodhi.

 3. Tërmeti i 15 prillit 1979, që e kishte epiqendrën e tij në detin Adriatik, diku në afërsi të qytetit Petrovac të Malit të Zi, ishte me magnitudë 7.2 e me intensitet në qendër 9.5 ballë, ndërsa intensiteti i tij më i lartë, 8 ballë, në vendin tonë u vërejt në rrethin e Shkodrës (zona e Nënshkodrës) dhe në rrethin e Lezhës. Nga tërmeti i 15 prillit 1979 gjetën vdekjen 35 vetë, u plagosën 382 vetë, mbetën pa strehë rreth 100 mijë banorë dhe u dëmtuan 17.122 shtëpi banimi e objekte ekonomike dhe social-kulturore. Dëmtimet më të mëdha i patën rrethi i Shkodrës dhe i Lezhës. Në këta dy rrethe u dëmtuan 14.686 objekte, prej të cilave 2413 u shkatërruan krejtësisht. Po dëmtime pati në gjithë Shqipërinë e Veriut e deri në Krujë, mbasi tërmeti i 15 Prillit 1979 goditi edhe rrethin e Pukës, të Tropojës, të Dibrës, të Mirditës, të Matit e të Krujës. Kush do t'u bënte ballë këtyre pasojave, të cilat tregojnë se ai ishte një tërmet i rëndë? Të dëmtuarit?! Sot mund të duket habi, po pasojat e tërmetit të 15 prillit 1979 janë likujduar plotësisht deri më 1 tetor 1979, pra për 5 muaj e gjysmë dhe me shpenzimet e shtetit. Për të eliminuar ato punuan 25 mijë punëtorë, specialistë e kuadro vullnetarë nga i gjithë vendi. S'është e tepërt të kujtojmë se u ndërtuan 2441 shtëpi e apartamente të reja banimi, 165 objekte ekonomiko-shoqërore e social-kulturore dhe u meremetuan 14.552 të tjera. Shumë fshatra e lagje të reja banimi u ndërtuan nga e para si në qytetin e Shkodrës e të Lezhës. S'e shoh të tepërt të kujtoj se tërmetet kanë paragoditje, të dobëta e të forta, le t'i quajmë ato paralajmëruese, që i thonë shtetit e popullit: Ej! Merrni masa, se po vjen tërmet! Paragoditja më e fortë e tërmetit të 15 prillit 1979 ka ndodhur më 9 prill, me magnitudë 5.2 dhe intensitet 7 ballë dhe me epiqendër afër Ulqinit. Pra, edhe ky ka qenë një tërmet, po, për fatmirë, pa pasoja shkatërruese. Po ka pasur edhe disa pasgoditje. Se tërmetet kanë edhe pasgoditje. Prej tyre dy më të fortat ndodhën më 15 prill 1979 (pra, pasi kishte ndodhur tërmeti i madh) me magnitutë 6.0 dhe tjetra me 24 maj 1979 me magnitudë 6.2! Që të dyja tërmete të fortë! Tërmeti i 26 nëntorit 2019 gati kaq ishte, po me saktësi atë do ta përcaktojnë specialistët! Të dhënat që solla janë marrë nga dokumentet zyrtare të kohës dhe mund t'i gjejë e t'i shfletojë gjithkush. Në veçanti janë me interes të shihen të dhënat e materialeve zyrtare të simpoziumit organizuar më 4-5 prill 1980 në Shkodër, në të cilin janë trajtuar aspektet sizmologjike, sizmo-gjeologjike, inxhinierike e sociale të tërmetit të 15 prillit 1979, që asokohe u botuan në një vëllim të veçantë.

 4. Çështja e tërmeteve, përveçse shkencë, është edhe përvojë, diçka që nuk duhet harruar, sepse shërben për të vlerësuar e për t'i dalë përpara së keqes së tërmeteve! Në vendin tonë kanë rënë tërmete dhe më parë (fjala është për tërmete të fuqishëm të rënë pas çlirimit të vendit), si, për shembull, tërmeti i 30 nëntorit 1967, i cili goditi rëndë rrethet e Dibrës e Librazhdit, me magnitudë 6.6 dhe intensitet në epiqendër 9 ballë në një fshat të Dibrës, po atëherë të dhënat e tij nuk u injoruan nga shteti. Siç mund të vërehet dhe tërmeti i 30 nëntorit 1967 ishte i rëndë: pati 12 të vdekur dhe 174 të plagosur, u dëmtuan 6335 ndërtesa banimi dhe objekte social-kulturore, prej të cilave 534 u shkatërruan plotësisht. Por pasojat e tij u likuiduan brenda 25 ditëve me shpenzimet e shtetit. Për likuidimin e atyre pasojave punuan mijëra punëtorë, specialistë e kuadro vullnetarë nga i gjithë vendi. Në këtë kohë nisi edhe aksioni i ndërtimit të shtëpive me ndihmesë a kontribut vullnetar. Tërmeti i 30 nëntorit 1967 u shoqërua me shumë pasgoditje, ndër të cilat më e forta ndodhi më 2 dhjetor 1967 me magnitudë 5.3 dhe intensitet në epiqendër 7 ballë. Pra, ishte tërmet i rëndë. Sipas sizmologëve tërmetet 5 ballë e lart klasifikohen si të rëndë!

Po të krahasohen të dhënat e pasojat shkatërruese të këtyre dy tërmeteve, vihet re se tërmeti i 15 prillit 1979 ishte më i rëndë e me më shumë pasoja. Po sidoqoftë tërmeti i 30 nëntorit 1967 shërbeu si përvojë për të organizuar më mirë punën për eliminimin e pasojave të tërmetit të 15 prillit 1979. Shteti e njerëzit duhet të nxjerrin mësime edhe nga fatkeqësitë natyrore!

 5. Unë nuk them se ato vende që i ofruan Shqipërisë solidaritet e ndihma për kapërcimin e pasojave të tërmetit të 15 prillit 1979 nuk kishin përvojë për kapërcimin e pasojave të tërmeteve. As që u gëzuan, nuk them! Po nëpër mend e shkuan se socializmi e shteti në Shqipëri do të dorëzoheshin dhe Kushtetuta e vendit, që sanksiononte mosmarrjen e kredive, borxheve e ndihmave nga jashtë, do të shkelej! Pra, vendimi i partisë dhe shtetit shqiptar, për të mos pranuar marrjen e ndihmave e sjelljen e ekipeve, shoqëruar me specialistë e qen të stërvitur nga jashtë, nuk ishte çështje kapriçoje, po një çështje parimore. Atëherë i duhej treguar botës se Shqipëria socialiste kishte fuqi ekonomike, forcë morale, solidariteti e aftësi organizative për t'i bërë ballë vetë, me forcat e saj, një tërmeti të rëndë e shkatërrimtar. Në fjalën para popullit të Shkodrës e të gjithë Shqipërisë, që u organizua në Bahçallëk, me rastin e përfundimit të pasojave të tërmetit të 15 prillit 1979, Enver Hoxha deklaroi se tërmeti tund malet, por jo shqiptarin! Pati një solidaritet të madh njerëzor, në gjithë vendin, për të përballuar një tërmet vrastar. Vendi ynë, tha Enveri Hoxha, nuk përfshihet në zonat e veçanta të tërmeteve, por kjo nuk e përjashton atë nga lëkundje të forta tërmetesh, të njohura shkencërisht si fenomene natyrore e të pamundura të parandalohen pasojat e tyre shkatërruese dhe se fajin nuk mund t'ia lëmë tërmetit. Historia e lashtë e vendit tonë flet dhe për tërmete me fuqi të madhe shkatërruese. Po shteti kërkohet të jetë i përgatitur për të shmangur sa të jetë e mundur më shumë pasojat e tërmeteve të tillë. Dhe kjo është e mundur. Populli ynë ka dëshmuar me vepra që përkrahjen në fatkeqësi e ka pasur dhe e ka veti të tij. Për një çast, tha Enver Hoxha, u lëkund toka, u lëkundën fort kodrat e malet tona, shtëpi e fshatra të tëra u rrafshuan, po shqiptari nuk u lëkund. Ai i tha regjimit të Titos se shteti shqiptar ka marrë përsipër t'i përballojë vetë me shpenzimet e tij pasojat e tërmetit, po ju duhet të merrni masa për veten tuaj e të përballoni pasojat shkatërrimtare të tërmetit të 15 prillit 1979, sepse në Mal të Zi ato janë jo më pak vrastare! Nuk është çudi që atje të mos jenë likujduar as sot pasojat e tërmetit të 15 prillit 1979. Plot krenari e besim Enver Hoxha deklaroi se familjet që u futën në shtëpitë e reja moderne, janë sot në festë dhe shteti nuk do të marrë asnjë shpërblim, asnjë taksë, asnjë qira. Ky është socializmi! Po e kaloj me pak fjalë se çfarë solidariteti shpërtheu në gjithë vendin e në mbarë popullin shqiptar; çfarë organizimi socialist kishte e sa me shpirt punohej për likuidimin para kohe të pasojave të tërmetit; çfarë fryme gare e emulacioni zotëronte, që nga punëtori e specialisti më i thjeshtë e deri te kryetari i shtabit për likuidimin e pasojave e kryetari i qeverisë etj., etj. Deri dhe pionierët e shkollave jetonin me problemet e zhdukjes së pasojave te tërmetit. Dimër, borë e acar ishte, po asgjë nuk e pengoi Enver Hoxhën të shkonte në Dibër e Librazhd, pa lëre në Shkodër, për të parë me sy si ishin kryer porositë dhe për të takuar popullim e "vrarë"! Unë e kuptoj mirë se shumë duan të flas për detaje e me detaje për qëndrimin e Enver Hoxhës lidhur me refuzimin e ndihmave humanitare nga jashtë e sidomos për organizimin e punës, po nuk do të zgjatem, jo se nuk di, po se ka të tjerë si Muho Asllani, ish-kryetar i Shtabit të kapërcimit të pasojave të tërmetit të 15 prillit 1979 në Shkodër, që i di mirë problemet e këtij aksioni gjigand kombëtar. E kuptoj qartë se shumëkush dëshiron të flas dhe për epërsitë politike të sistemit e të njeriut socialist, të regjimit socialist të kohës, po nuk dua t'i jap sot këtë ngjyrë problemit. Po, dua të theksoj se kur Enver Hoxha ishte në krye të vendit sistemi ishte socialist dhe shteti ishte i popullit! Asgjë nuk bëhej pa plan, pa studime, pa llogari e në rrëmujë!

 ***

Nesër bëhen 10 ditë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Si të tjerët, kam parë me sy e kam ndjekur deri me hollësi çfarë mediat i kanë përcjellë popullit për tërmetin e 26 nëntorit 2019. Më është krijuar përshtypja se kjo, ndonëse është një fatkeqësi e rëndë kombëtare, "dikush i bie gozhdës e dikush tjetër patkoit" dhe se jo pak qytetarë nuk besojnë që shteti do t'i mbajë premtimet po do të mbështesë mafien e ndërtimit e të tjerë me lloj-lloj marifetesh! Premtimet e shtetit, konkretisht të kryeministrit, meritojnë të pëlqehen, po a do të përmbushen ato? Po t'i referohemi përvojës, borgjezia nuk e ka lejuar shtetin e saj me organet e tij të përmbushen premtimet që i janë bërë popullit për raste fatkeqësish natyrore, siç janë tërmetet, përmbytjet etj. Sepse ato prekin kryesisht popullin, jo borgjezinë! Rama si kryeministër ka shansin të mos ecë në këtë rrugë të turpit! Ndonjë mund të thotë: Ore, ti paske iluzione! Jo, nuk kam asnjë iluzion dhe jam i bindur se borgjezia e shteti i saj nuk punojnë për popullin, po, gjithsesi, nxis që nevojat e popullit të përmbushen! Nëse kryeministri Rama do ta bëjë këtë, ai do të hyjë në histori si i pari kryeministër borgjez në botë, që, në një fatkeqësi si kjo e tërmetit të 26 nëntorit 2019, mbështeti popullin! A do të ndodhë kështu? Ishalla! 

Nga Muharrem XHAFA