BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

Termi “ grumbullimet fetare” nuk është i gabuar

Termi “ grumbullimet fetare” nuk është i gabuar

Posteri i OBSH, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik është me të drejtë një paralajmërim dhe përkujdesje për qytetarët dhe institucionet shqiptare, në mënyrë që të bëhet i mundur kalimi me sukses i kësaj pandemie globale shumë të rrezikshme, me sa më pak humbje jetësh njerëzore. Aty apelohej për t’ju shmangur edhe “grumbullimeve me karakter fetar” si masë e domosdoshme në luftën kundër coronavirusit të rrezikshëm. Por reagimi ka ardhur nga kleriku katolik Dom Gjergj Meta, për termin e përdorur në këtë poster: “Grumbullimet fetare”, sipas tij si një “term i pagjetur” dhe një “lapsus”, apo si një “poster problematik”. Kleriku i njohur ngre pretendimin, se në konceptin religjioz katolik nuk është i përshtatshëm përdorimi i termit “grumbullime fetare”, pasi sipas tij: grumbullimi ka të bëjë me masa amorfe dhe me gjëra lëndore. Sipas tij kjo shprehje i dha atij një ndjesi të pakëndshme dhe është një damkë, që po u vendoset atyre në një poster institucional. Në fakt fjala “grumbullim” ka shumë shtrirje dhe përdoret gjerësisht në fjalorin tonë si për njerëzit, ashtu edhe për sendet. Po të shfletosh Fjalorin e Gjuhës Shqipe, fjala “grumbullohem” përdoret për rastet kur bashkohemi me të tjerët, psh shkurtimisht: grumbullohemi rreth zjarrit, apo grumbullohemi tek sheshi, apo janë grumbulluar shumë njerëz. Pra kjo fjalë është shumë e përdorshme për “grumbullimet njerëzore” dhe nuk të jep ndonjë ndjesi negative. Nuk e kuptoj për “grumbullimet fetare” marka kuptim negativ, sa për të provokuar një indinjatë dhe një reaksion jo të pakët nga ky klerik dhe nga politika! Nuk mendoj se Ministria e Arsimit ka dashur të injorojë grupimet fetare, kur shprehet kështu,duke ditur edhe kontributin e madh të komuniteteve fetare, në përkrahje të vendimeve të qeverisë ndaj kufizimeve, apo në ndihmat e mëdha materiale të dhëna nga këto komunitete ndaj familjeve të varfra. Ministria e Arsimit apo çdo lloj tjetër institucioni shtetëror, nuk mund të shprehet me terma “biblike” apo “kuranore”, sepse është një institucion shtetëror dhe nuk u lejohet të flasin sipas “termave fetarë”, ashtu siç zotëria dëshiron, por vetëm termave gjuhësorë dhe shkencorë. Por zotëria i mëshon fort këtij fakti, sa ka nxitur edhe reagimin e disa personave opozitarë, të cilët po e shfrytëzojnë këtë gjë, për të sulmuar qeverinë në këtë moment epidemie globale, të cilët duke mos e menduar dhe ditur se për çfarë bëhet fjalë. Z. Gjergj Meta duhet ta kuptojë, se ky reagim mendoj i padrejtë për mua, mund të krijojë një acarim midis institucioneve fetare dhe atyre shtetërore, i cili deri tani është i qëndrueshëm dhe i pa cënuar, por që mund të cënohet lehtë me kontributin e tij. Jam i bindur, që as në Ministrinë e Shëndetësisë, as kudo në Shqipëri nuk mendon njeri se: “grumbullimet fetare” janë turma njerëzish “keqbërësish”, “pa formë”, që grumbullohen me forcë, për t’iu drejtuar institucioneve fetare! Por është për t’u çuditur se vetë ky zotëri nuk na thotë se si duhej të shprehej ministria në postim në këtë rast, por vetë e quajnë si një “lapsus” apo si një term i padrejtë, që po i vendosej klerit. Në terminologjinë fetare biblike, shpesh përdoret termi “turma”, për njerëz që mblidhen apo grumbullohen. Atëherë sipas zotit Gjergj nqs do të përdornim terminologjinë fetare do të thonim: “Turma fetare”. Fjala “turmë” do të interpretohej si term “fyes” gjithsesi. Mendoj se fjala “grumbullime” është më e pranueshme se termi “turma” në këtë rast. Zoti Berisha e quan si një term “fyes” dhe trakt ateisto-marksist. Ai qëllimisht analizon vetëm termin “grumbullime” të shkëputur nga fjala “fetare” dhe i cilëson si tubime njerëzish keqbërësish, apo protestuesish që grumbullohen dhe shkojnë për t’u falur, apo lutur në kishë apo xhami dhe jo që këta njerëz janë besimtarë, që drejtohen qetësish në institucionet e tyre. Jam i bindur që Ministria e Shëndetësisë e përdor termin “grumbullimet fetare”, me kuptimin e të “mbledhurit bashkë”, të disa apo shumë personave që besojnë në Bibël apo Kuran dhe që shkojnë në institucione fetare, për të kryer atje ritet e tyre fetare. Ne shpesh e përdorin të mbledhurin bashkë si një “grumbullim njerëzish”. Po pse kur z Sali grumbullonte njerëzit e partisë së tij para Parlamentit, apo ndonjë institucioni tjetër, këta persona të grumbulluar nuk ishin turmë protestuesish, keqbërësish, por vetëm njerëz që luftonin për idealet e ture? Po pse besimtarët nuk “mblidhen” apo “grumbullohen” nëpër institucionet e tyre fetare? Në fakt administrata nuk pretendon se i njeh termat biblike apo kuranore dhe me fjalën “fetare”, besoj se ata kanë dashur të përmbledhin të dyja këto besime. Unë do të shqetësohesha vetëm atëherë, nqs Ministria e Shëndetësisë nuk do ta bënte fare këtë përkujdesjeve ndaj besimtarëve të të gjitha besimeve në Shqipëri. Më tepër më shqetësoi fyerja artificiale e këtij “problemi”, deri gjoja në një “shqetësim të madh”! Dihet që të gjitha qeveritë në Shqipëri, kanë respektuar rigorozisht institucionet fetare dhe kanë zbatuar me seriozitet të drejtat e institucioneve dhe besimtarëve të tyre. Nuk më duket se është bërë ndonjë gabim i madh “lemeritës” sa për tu “alarmuar”. Ndoshta mund të gjendet një “shprehje tjetër” që as vetë këta zotërinj klerikë nuk e dinë, përderisa nuk e thonë. E “bërtitura” e z. Gjergj ndaj këtij problemi të paqenë, duket si një abuzim ndaj respektit të institucioneve shtetërore për klerin në Shqipëri.

Mendoj se termi “grumbullimet fetare” mund të thuhet edhe në forma të tjera. Ky i përdoruri nuk është aspak term “fyes”. Mund të thuhej që: të shmangni shkuarjet në kisha apo xhami, apo në institucionet fetare. Qëllimi i këtij interpretimi negativ, i shërben vetëm dëmtimit të marrëdhënieve midis institucioneve fetare dhe shtetit dhe del si një problem shtesë, krahas atij që po kalojmë, të Covid-19.