BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Opinion / Editorial

Terroristi ka emër të përveçëm, ai nuk përfaqëson kombin!

Terroristi ka emër të përveçëm, ai nuk

Ngjarja e rëndë në kryeqytetin e kulturës, artit, shkencës, muzikës,valseve mahnitëse me të cilat çel siparin çdo vit i ri, u trondit nga akti terrorist që u mori jetën qytetarëve të pafajshëm vjenezë. Akt i dënueshëm që meriton përbuzje. Veprim frikacakësh të brumosur me militantizmin më të egër fetar, larg të qenit misionarë të fesë dhe që nuk i përkasin as ideologjisë së Kuranit as Biblës. Veprim që ka ngjallur pezm dhe trishtim në gjithë botën e qytetëruar. Vjena e qetë, vendi, ku gjenden përkrenarja dhe shpata origjinale e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, është për shqiptarët kryeqendra, ku është vlerësuar në shekuj çështja shqiptare dhe historia e saj. Është mbrojtur shqiptarizmi dhe Shqipëria nga udhëheqësit austriakë në gjithë rrjedhën e viteve. Ushtarët austriakë që Lufta e Parë Botërore, i hodhi në këto troje, ishin mbrojtësit më të zjarrtë të integritetit territorial shqiptar. Ishin forcat austriake të cilat ndalën aneksimin e Shkodrës nga forcat serbe, të cilat marshuan me zjarr e hekur për ta copëtuar pikërisht në kryeqendrën e veriut, atje ku ka lulëzuar ndër shekuj kultura letërsia, ekonomia, arkitektura, tregtia me viset më të largëta të shteteve në Europë e më gjerë. Austriakët, mbrojtën integritetin territorial të vendit tonë me jetën e tyre. Jo pak ushtarë mbetën në jugun e Shqipërisë dhe ishin jo luftëtarë për të pushtuar, po projektuesit dhe ndërtuesit e rrugës më të vështirë të atdheut tonë atë të bregdetit, që nis nga Nivica dhe përfundon në Vlorë. Rruga që gjarpëron mbi Llogara. Një rrugë e cila u ndërtua nga ushtarët austriakë, shumica prej të cilëve e kishin vendqëndrimin e tyre në një fshat të vogël, vetëm dhjetë km larg qytetit të Sarandës. Ata ishin banorë si gjithë të tjerët dhe në kampingun e tyre, fshatarët e Shënvasisë hynin e dilnin si të ishin pjesë e tyre. Me fshatarët, shkëmbenin drithëra dhe produkte blegtorale, qumësht, djathë, vaj, vezë, rroba, fruta, portokalle e ullinj. Ushtarët austriakë, ishin modeli i disiplinës dhe harmonisë. Ata në vend të pushkës, mbanin kazmat e lopatat, qysqitë dhe çekiçët me të cilët gdhendnin gurët dhe ndërtonin urat me dy, tre e katër harqe nëpër shtigjet e vështira, ura që edhe sot janë funksionale. Ushtarët austriakë në emër të detyrës së marrë, qëndruan në Shënvasil deri në fund të jetës së tyre që fatkeqësisht ishte e shkurtër pasi u sëmurën nga tifoja dhe ndërruan jetë njëri pas tjetrit, aty në ullishtën e fshatit, duke u shuar në lule të rinisë me idealin në zemër dhe miqësisë për vendasit. Asnjë incident nuk ndodhi në gjithë vitet që jetuan në këtë fshat piktoresk. Të moshuarit i kujtonin deri vonë dhe i nderonin për disiplinën, njerzillëkun, sinqeritetin, qetësinë dhe egzigjenën që shfaqnin gjatë tërë qëndrimit të tyre mes fshatarëve. Kur ikte njëri prej ushtarëve edhe pse të drobitur dhe mpakur nga malaria, rreshtoheshin të gjithë para flamurit ushtarakisht në drejtqëndrim. Me ta bashkoheshin edhe bashkëfshatarët e Shënvasisë dhe i përcillnin shokët me rregullore ushtarake, me nderime e me himnin austriak. Varret e tyre ishin përbri fshatit me medalionet në arkmortet e tyre. Kaluan vite deri sa një murator, gurgdhendës, një djalë i zakonshëm, Minella Roshi, bir i këtij fshati me iniciativën e vet, pa asnjë financim mori përsipër të ndërtojë një varrezë për ushtarët e vdekur, duke ndërtuar për secilin një var të gdhendur mbi të cilët u shkruan emrat dhe viti i lindjes dhe vdekjes sipas medalionëve që mbanin secili prej tyre. Akti i shqiptarit, fshatarit gurgdhendës nga Shënvasili u vlerësua me superlativa nga qeveria dhe parlamenti austriak. Dhe për këtë u ftua në Parlament, ku foli shqip dhe në fjalët e tij preku zemrat e miliona austriakëve që u shprehën me nderime dhe respekt. Austriakët e lartësuan gurgdhendësin shqiptar, si një misionar të paqes dhe lirisë. Sot, varrezat e austriakëve në Shënvasil, janë modeli i dashurisë dhe respektit që bashkon popujt dhe veçanërisht austriakët dhe shqiptarët, të cilët historikisht nuk kanë pasur asnjë të çarë mes tyre. Nuk ka udhëheqës të Austrisë që të mos ketë mbrojtur interesat e shqiptarëve, mos të ketë përkrahur rrugën europiane të vendit tonë edhe pse jo pak të tjerë kanë qenë skeptikë dhe keqdashës. Këto janë marrëdhëniet që gdhendin mes tyre popujt e civilizuar dhe paqedashës. Mos të harrojmë se në Austri janë shkolluar qindra korifenj të dijes dhe shkencës, Në Vjenë janë titulluar profesorë, shkencëtarë të shquar të mjekësisë dhe veterinarisë, inxhinierisë dhe diplomacisë. Austria, ka qenë gjithnjë në krah të shqiptarëve dhe e tillë do të mbetet. Nuk ka koncert në pallatet tona të kulturës, ku mos të luhet valsi i lumturisë dhe muzika vjeneze. I thamë të gjitha këto për të treguar rrënjët e thella që na lidhin me popullin e madh dhe të kulturuar austriak. Me atë që na bashkon dhe na bën të jemi krenar. Austria është vendi që ka nderuar më së miri heronjtë tanë dhe është bërë avokati i Shqipërisë sa herë është dashur të mbrohet çështja shqiptare. Dje, sot, nesër, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë. I kujtojmë të gjitha këto sot dy ditë pas tragjedisë që ngjau në Vjenë edhe për faktin se njëri prej të dyshuarve është me prejardhje shqiptare. Një shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i cili i joshur dhe nxitur nga ekstremizmi fetar, kreu një akt të paprecedent dhe që nuk i shkon aspak shpirtit human të shqiptarit. Edhe pse shqiptar nga Maqedonia e Veriut ai nëse do ta njihte sado pak historinë e Austrisë dhe marrëdhëniet brilante mes austriakëve dhe shqiptarëve, duhet ta vinte veten jo në krah të atentatorëve dhe terroristëve, po përballë tyre për t`i pritur me gjoksin e vet plumbat për t`i shpëtuar jetët e pafajshme. Ne ia kemi borxh historik austriakëve. U jemi borxhlinj për atë që kanë bërë në rrjedhat e shekujve. Është akt i rëndë. Po terroristët nuk kanë atdhe, fe e origjinë. ADN-ja e tyre është indoktrinuar nga pasioni dhe propaganda ekstremiste fetare. Ata nuk janë as myslimanë as ortodoksë apo katolikë. Feja vetë nuk duhet dhe nuk i pranon ekstremistët që nxjerrin armët në mes të bulevardeve dhe shesheve të qyteteve që gjenden në zemër të qytetërimit dhe vrasin në emër të fesë apo zotit, Muhamedit apo Krishtit. Asnjëri prej tyre nuk ka predikuar vrasjet. Ata do t`i dënonin njëlloj si gjithë popujt e qytetëruar akte të tilla barbare. Shqiptarët janë ata që dinë të vlerësojnë miqësinë. Mikut i lënë kreun e vendit. Shtëpia e tyre është e mikut. Besa e shqiptarit është e shenjtë dhe nuk kanë asnjë lidhje me të lajthiturit. Mund të ishte në vend të shqiptarit nga Maqedonia e Veriut një shtetas tjetër, i një vendi të largët. Po edhe ai nuk do përfaqësonte një komb. Nuk është njeriu që mund të personifikohet me një popull të tërë. Kohë më pare, dy turistë çekë, u masakruan nga një delirant, diku në veriun e vendit. Po prindërit e të vrarëve, i kërkuan tërë botës që shqiptarët të mos identifikohen me vrasësit. Kështu edhe për shqiptarin që terrorizoi kryeqytetin e Austrisë. Ai përfaqëson vetveten. As familjen e tij jo. Ai është masha e terroristëve dhe indoktrinuarve pa kufi që në emër të vdekjes dhe jo jetës kërkon të vrasë dhe ngjallë terror. Bashkëkombas të mi! Mos e merrnin vrasësin si një etalon që na përfaqëson. Ai nuk është flamuri ynë! Nuk është ngjyra jonë! Ne, shqiptarët, jemi paqësorë. Asnjë terrorist nuk ka atdhe e kombësi. Populli nuk është baras me një individ edhe kur është hero edhe kur bëhet vrasës apo atentator. Marrëdhëniet mes popujve nuk i përçajnë dot plumbat e shkrehur edhe kur kjo ndodh në Vjenën e mahnitshme të kulturës dhe qytetërimit europian. Kudo që mund të ndodhë. Popujt gjithnjë ia dalin të fitojnë mbi individët edhe kur ata bëjnë atentatorin. Kështu ka për të ndodhur gjithmonë!