BREAKING NEWS

“Do të nisë së shpejti”, Spartak Ngjela paralajmëron lëvizjen që do të luftojë korrupsionin politik në nivele të larta: Do jetë fundi i...

“Do të nisë së shpejti”, Spartak Ngjela
x

Opinion / Editorial

"Topi i zgjidhur" ku Hygo tregon si veprohet drejtësisht!

"Topi i zgjidhur" ku Hygo tregon si veprohet drejtësisht!

Vazhdon të rezultojë si një pyetje e rëndësishme ajo që tundon të gjithë: A mund të riparojnë dëmin ata që e kanë shkaktuar? Mirëpo që të japësh përgjigje, nuk të lë një nga njerëzit që i ka bërë keq Shqipërisë dhe vazhdon të mbajë leksione të mbrapshta demokracie! Ai e quan vrasje shtetërore vdekjen e shumë personave në Thumanë! Duke bërë kështu njeriun më të ulët që ka nxjerrë historia e politikës shqiptare këto 39-të vite, sepse ka harruar (ai nuk harron kurrë në fakt) se vrau 26-të persona me Gërdecin e tij dhe aferën e turpshme të armëve kineze! Tani kërkon të quajë "vrasje" pikërisht ato në Thumanë, për të cilat sikundër kanë përgjegjësi këta sot ka edhe ai dje! E kam fjalën jo vetëm ato në Thumanë, por në të gjithë Shqipërinë si ndërtime! Është pikërisht ai që ka lejuar ndërtimet e dobëta, firmat e poshtra ndërtuese si furnizuese të partisë së tij, por dhe zaptimet e tokave! Pastaj të tjerët pushtetarë vijnë të gjithë në distancë mbas tij! Si Durrësi, Golemi, Kavaja dhe gjithë vija bregdetare e Shqipërisë, është prishur, degraduar dhe betonuar, me pjesëmarrjen e tij dhe padyshim të politikave të tij të kapitalizmit më të poshtër dhe më injorant e delirant që ka parë ndonjëherë jo Ballkani dhe Europa, por "bidonville" më të këqija në botë! Po po sigurisht që po - nuk ka Brazil dhe Meksiko City apo Bombei që na e kalojnë dhe ne jemi në mes të Europës! Ideatori i kapitalizmit të tillë dhe njeriu që ka shprishur keqas parimet më universale dhe primare të urbanitetit, është Sali Berisha dhe sot thotë është vrasje shtetërore ajo e Thumanës. Po pse kemi ardhur në këtë ditë? Sepse asnjëherë nuk është zbatuar drejtësia dhe mbajtur përgjegjësia në këtë vend. Si për Gërdecin dhe për të gjitha marrëzitë të ndodhura me pushtetin e Berishës dhe pastaj të tjerëve. Tragjeditë me pronën dhe degradimin e demokracisë, e cila duhej të zbatohej mbi ligje dhe pikërisht mbi pronën si vetjake dhe publike! Mbi degradimin e administratës publike, e cila nuk është më e ideologjizuar si në kohën e partisë së parë të Berishës ose PPSH, por e politizuar dhe super korruptuar si në kohën e partisë së dytë të tij dhe pastaj të tjerat në vazhdim! Sepse kështu ndodh kur një vend nuk ka drejtësi dhe kur shoqëria bashkëjeton me krimin dhe kriminelët politikë dhe rrufjanët mbas tyre. Kështu është kur të fërkohen shpatullat kur ke bërë krim si në Gërdec! Po po në shenjë "solidariteti" dhe marrje me të mirë në fatkeqësi! E rrezikojmë dhe sot të bëjmë po të njëjtën gafë, me ato që duke ndërtuar keq dhe duke mos zbatuar ligje dhe duke vënë firma dhe vula korruptive shkaktojnë viktima! E mbase ju kërkojmë dhe që të rindërtojnë prapë në sy të atyre që ju kanë bërë keq duke ju marrë miliona! E dini pse? Sepse me një tragjizëm sarkastik them se "nuk kanë lexuar romanin e Viktor Hugoit-Viti 93”. Dikush dhe e ka lexuar, por nuk ka nxjerrë konkluzion! Në fakt, është pjesë e "Topit të Zgjidhur" te Claymore, ose konventa e kundër revolucionarëve monarkikë e komanduar nga markezi admiral De Lantenac! Është i vetmi vend në roman, që Hugo ka respekt për të tillë kundërrevolucionarë! Nejse, historia është shkurt kjo: Një topçi nuk ka zbatuar detyrën e lidhjes së topit dhe ai fillon të lëvizë në kuvertë, por bën dëme duke rrezikuar mbytjen dhe vrasjen e njerëzve! Më në fund, topi me një heroizëm të madh nga një individ frenohet dhe lidhet! Në këtë kohë markezi Lantenac pyet se kush i shpëtoi dhe oficerët ja treguan njeriun i cili u nderua me një medalja nga markezi i famshëm. Por aty për aty, Lantenac pyet se kush kishte harruar pa lidhur topin dhe po të njëjtët oficerë i thonë- pikërisht ai që sapo ka dekoruar! Në këtë moment De Lantenac jep urdhër dhe pa gjyq fare, ju thotë ta varrin në direkun e madh të anijes! Konkluzioni është i qartë! Në kohë të rrezikshme dhe kur bëhet dëm i madh, dënimi dhe kur t’i ke bërë heroizëm jepet i rëndë! Nuk tolerohet dhe sigurisht, as dëmet e shkaktuara nga ndërtimet e këqija dhe pa zbatim të ligjeve, nuk duhet të tolerohen në Shqipëri! Por në radhë të parë nuk duhet të tolerohet ai ose ajo - vulë dhe firmë njerëzore, e hedhur për të legalizuar, regjistruar dhe lejuar këto ndërtime! Sepse kështu vjen një ditë, që një kapadai që ka bërë krim shtetëror në Gërdec të të akuzojë se ti ke bërë krim, se ke toleruar pallatet në Thumanë. Pallate që dhe në kohën e akuzuesit ishin për faqe të zezë! Biles pësuan dhe shtesa e ndërhyrje akoma dhe më të rrezikshme! Prandaj De Lantenac ka vepruar qartë dhe shumë mirë në kohë lufte e në det të hapur! Ne (shoqëria dhe pushtetet) sot me ligje të qarta dhe me parime demokracie, kemi toleruar dhe lejuar jo vetëm ndërtimet e qelbura dhe të rrezikshme, por dhe njerëzit që nga ai që përmenda më sipër dhe më poshtë tij, të bëjnë namin me ndërtimet si pa leje, si pa standarde dhe që janë çarë, duke marrë jetë njerëzish dhe duke lënë pa shtëpi mijëra të tjerë! Po lejuam "topin e zgjidhur" do të kemi gjithmonë viktima dhe po nuk dënuam atë që e la zgjidhur, do të kemi sërish viktima por dhe tragjedi të tjera! Ky është dhe morali dhe këtë gjë nuk e kemi mësuar akoma. Le të riparojnë sa të duan (akoma më keq kur i thërret ti vetë) dhe le të marrin përsipër sa të duan të bëjnë sikur ndreqin. Nuk vlen pa dhënë llogari pse e lejuan, pse e bënë dhe pse nuk u nxorën përpara drejtësisë fajtorët. Kaq, asgjë më shumë dhe pikërisht në këtë moment demokracia ka bërë punën e saj! Përndryshe gjithmonë do të kemi fatkeqësi dhe gjithmonë firma dhe vula, që shkojnë deri aty sa na marrin jetën ose shkaktojnë më shumë fatkeqësi se sa natyra!

Nga Besi BEKTESHI