BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Opinion / Editorial

Torta u nda, partitë u bënë të gjitha të mëdha!

Torta u nda, partitë u bënë të gjitha të mëdha!

 Më në fund koalicionistët në opozitë, pas presioneve të shumta dhe lojës, u regjistruam, u ç’regjistruam, do të hymë të vetëm në të gjitha qarqet, llogarisni peshën tonë elektorale, numrin e shqiptarëve, që na voton! Mos na neglizhoni! Mos na spostoni! Mos i lini votat të rrjedhin. Të gjithë kundër Ramës! Në fund PD dhe kryetari Basha, pranoi ujdinë për garantimin e kryetarëve të partive të vogla, disa fare minore në renditjen preferenciale në listat e kandidatëve të PD-së. E gjitha e trumbetuar në emër të strategjisë së fitores dhe maksimizimit të votave. Asgjë të keqe nuk ka në këtë skemë aq më tepër që edhe Kodi Zgjedhor, është imponues për të dalë në koalicione të përbashkëta. Ajo që të bën përshtypje dhe të ngatërron logjikën, është loja me ngriva-shkriva me koalicionin dhe lënien e pozicioneve të sigurta për kryetarët e partive, që kanë qënë bashkë gjatë tetë viteve dhe kanë ndjekur gjithë strategjinë dhe skemat që ka imponuar PD. Kështu sa herë binte bilbili nga selia e të mëdhenjve, rreshtimi bëhej si me urdhër rrufe. Kërkoi Basha të dorëzoheshin mandatet e deputetëve, të dilnin nga Parlamenti pa asnjë debat apo marrje mendimi nga baza, menjëherë u dorëzuan mandatet dhe nga deputetë, të gjithë përfaqësuesit e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, u bënë ish-deputetë. Nisën bojkotin e gjatë. U endën rrugëve dhe rrugicave, u armatosën, jo me mandate të votuara nga populli, po me dinamit, molotovë, gurë e drurë dhe ndezën flakë fasadat e godinave më të rëndësishme të shtetit, Kryeministrisë e Kuvendit, që konsiderohen tempujt e shtetit dhe që u shërbejnë, jo vetëm qeverisë dhe Kuvendit të radhës, po të gjitha mazhorancave, që alternohet njëra pas tjetrës. Nga parti institucionale me përfaqësim të gjerë në legjislativ dhe në pushtetin vendor, braktisën rolin e opozitës, si kontrolluese e qeverisë dhe oponencë e saj dhe u bënë të gjithë isha, sikur mos të kishin ekzistuar kurrë. Ky largim demonstrativ nga pozicioni i deputetit dhe braktisja e zgjedhjeve të pushtetit vendor, ishte atentati më i rëndë në këto tri dekada kundër demokracisë në Shqipëri. Këtë nuk e themi ne, po vetë institucionet vendimmarrëse të BE-së deri në SHBA. Me këto skenarë nga parti institucionale u shndërruan në parti jashtë tyre. Selia u ngrit në bulevardin e Tiranës, sheshet e qyteteve anembanë Shqipërisë. Në këto kushte, detyrimi për t`i mbajtur të bashkuara partitë e opozitës, ishte jo vetëm shah-mat, po edhe rrjedhojë logjike e mbështetjes në aventurat e dhunës, aksionet e protestat e njëpasnjëshme me të cilat u përball e tërë shoqëria për vite me radhë dhe në mënyrë permanente gjatë vitit 2019. Ndaj presioni për një vend të sigurtë për kryetarët e partive minore, pjesë e spektrit politik në Shqipëri, meritojnë të respektohen e detyruan Bashën më në fund të dorëzohet, të hapë portën dykanatëshe dhe të listojë në vende të sigurta të gjithë kryetarët e partive minore. Po të dëgjosh argumentat e kryetarëve të partive në koalicionin e opozitës, njihesh me shifra e objektiva, që të habisin dhe njëherësh të bëjnë të qeshësh pasi janë jo vetëm jashtë realitetit, po edhe pa asnjë objektivitet. Fjalë të hedhura në erë, vetëm për të karikuar militantët dhe për të bindur Lulzim Bashën se ata janë fuqi e madhe, ndryshimi, progresi dhe pa ta asnjëherë PD nuk mund të arrijë të fitojë zgjedhjet. Në realitet partitë e vogla në opozitë me numrat që kanë mbështetje, asnjëherë nuk mund të prodhojnë deputetë të drejtpërdrejtë. Nuk është se u mungojnë votat, nuk mund të thuhet se nuk i voton askush, po në kushtet kur votimet bëhen në rajone e qarqe, atëherë asnjëra prej tyre nuk mund të prodhojë ndonjë mandat dhe në këtë mënyrë kryetarët e partive mbeten jashtë Kuvendit të Shqipërisë. Dhe magjisë së koalicionit të madh i bie kallaji. Është kjo arsyeja që edhe këmbëngulja e kryetarëve të partive të vogla opozitare kanë ushtruar presion të vazhdueshëm, kanë bërë deklarata bombastike gjatë tërë kësaj periudhe për ta vënë Bashën para përgjegjësisë dhe detyrimit, ose të hapë listat me vende të sigurta për Mediun, Idrizin, Dulen, Shehin, Ndokën, Dukën, ose ata të mos kenë asnjë mundësi matematikore për të hyrë në Parlamentin e Shqipërisë. Është kjo arsyeja që presioni i kryetarëve të partive opozitare, ka qenë aq i fortë, sa e detyroi Bashën pas një rezistence disa ditore, sa për t’u thënë edhe të tijëve se jam i gozhduar dhe po humbas aleatët, të hapë portat dhe të miratojë pranimin e kërkesës së kryetarëve për t`u bërë pjesë e listave në pozicione preferenciale për të fituar një mandat deputeti. Po nuk është vetëm presoni i kryetarëve të partive të vogla, që insistuan për ndarjen e tortës së elektoratit opozitar, që e detyruan Lulzim Bashën të pranojë t`u japë garanci kryetarëve për të qenë deputetë. Është edhe skenari për t’u dukur koalicion i madh me shumë vagonë. Po edhe hapja e portave për bujtësit shoqërohet me mbetjen e pretendentëve nga radhët e PD-së jashtë, aq më tepër që secili që spostohet nga emrat e partive të opozitës është i detyruar të qëndrojë jashtë Parlamentit. Kështu ka ndodhur në tërë këto vite edhe katër vite më parë ku për hatër të Vangjel Dules u zhvendos Sekretari  i Përgjithshëm, Arben Ristani nga një vend i sigurt, çka solli edhe pakënaqësinë e tij ndaj Bashës dhe tërë atyre që kishin futur duart në listat e kandidatëve për deputetë për t’u lënë vend të sigurtë të vegjëlve. E njëjta skemë është duke u praktikuar edhe në këto zgjedhje. Pas një maratone të gjatë, hidh e prit, debate në distancë, deklarata bombastike nga ekranet e televizioneve, kërcënimeve për mëvetësi dhe në emër të frymës së re me burra të vjetër, që realisht kanë tridhjetë vite në politikë dhe jo pak edhe kaq deputetë, u ftuan të gjithë në tavolinën e ndarjes së pushtetit pasi deputetët bëjnë qeverinë dhe torta u nda. Pasi u bënë llogaritë teorikisht dhe jo realisht pasi kjo është pjesa më e vështirë dhe askush nuk mund të thotë se opozita ka të garantuar më shumë se katër-pesë deputetë në qarkun e Vlorës apo më shumë se gjashtëmbëdhjetë në Tiranë dhe me radhë në të gjitha qarqet, i bie që më shumë se dhjetë vende në Parlamentin e ardhshëm, që del pas zgjedhjeve të 25 prillit, të jenë kryetarët e partive të vogla. Dhe për këtë nder, deputetët, sa herë të jetë nevoja për t`u dukur si shumë parti do flasin në emrin e tyre, të partisë dhe elektoratit, që në realitet nuk janë ata që i kanë deleguar në Kuvend. Secili prej deputetëve të partive minore do të kapardiset me mandatin e votuesve demokratë, të cilat do t’i konvertojnë si mbështetje për partitë që përfaqësojnë. Ashtu si një kryetar partie këto ditë deklaroi pa asnjë mëdyshje se në Bashkinë e Konispolit, rilindja nuk ka asnjë peshë elektorale! Mjafton të njohësh këtë zonë dhe e kupton sa bosh dhe subjektiv është ky kryetar që e shet krahinën e Konispolit si një zonë që nuk e do PS apo të majtën në një kohë kur për tri dekada atje ka fituar vetëm e majta. Po nuk është vetëm kjo zonë. Të tilla ka në tërë Shqipërinë dhe nëse i bën llogaritë me seriozitet dhe u referohej treguesve ndër vite, atëherë e kupton sa jashtë loje janë pretendentët për një mandat, të cilën ua siguron PD me votat e mbështetësve të saj, po që e konvertojnë në emër të partisë që përfaqësojnë. Më në fund koalicioni ra në qetësi. U gjet çelësi magjik. Të gjithë bashkë për të maksimalizuar votat. Torta u copëtua. Dhe në përfundim nga racioni që morën të gjithë, partitë e vogla u konvertuan në të mëdha. Nesër në Kuvend do dëgjojmë këngën e këtyre tridhjetë viteve se jemi parti me shumë fuqi dhe na takon ky mandat deputeti! Dhe kështu do të vijojmë ndër vite me deputetët e dhënë hua, se demokracia jonë kështu e ka, njëri fiton, tjetri e ha!