Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Transparenca është syri i demokracisë

Transparenca është syri i demokracisë

Mos harro se asgjë nuk është e qëndrueshme në marrëdhëniet njerëzore, prandaj shmang ngazëllimin e pavend që vjen nga begatia ose brengën e pavend që vjen nga mjerimi, shkruan Sokrati. Kombi po braktiset çdo ditë e më shumë. Shqiptarët po shkojnë drejt Perëndimit, drejt parajsës që në vendlindjen e tyre nuk po e gjejnë dot, prandaj ndalojeni këtë plagë të hershme për shqiptarët. Askush nuk është më i mirë se unë, por as unë nuk jam më i mirë se të tjerët. Ky postulat i hershëm i popullit, mbetet kryekëput në jetën e tyre politike, si e përcakton populli tash një dekadë, po më rrugë të shtrembër. Pasi u dha lajmi zyrtarisht nga mbledhja e vendeve anëtare të BE ku një pjese e tyre nuk ishin dakord per hapjen e negociatave, duam te shprehim opinionin në lidhje me këtë qëndrim, duke u bërë me dije këtyre vendeve që nuk ishin dakord se mos dhënia e dakordësisë për hapjen e këtyre negociatave i ka dhënë një goditje direkt popullit shqiptar dhe jo politikës. Presioni mbi politikën dhe qeverinë e këtij vendi do të bëhej më shumë po të hapej kjo rrugë e re, si pasojë e zbatimit të rregullave të lojës për të qëndruar në këtë organizëm te lartë europian, se edhe ndeshjet sportive kanë nga një arbitër kryesor që në shumë raste nuk e shikon aksionin dhe merr mendimin apo ndihmën e anësorëve që janë më afër aksionit për të qenë sa më i drejtë në dhënien e vendimeve. Kështu që këto vende që nuk ishin dakord do mendojnë se detyrat do të realizohen duke ndëshkuar popullin e pafajshëm dhe të pafuqishëm ndaj kësaj klase politike që ka privatizuar këtë vend prej shumë vitesh dhe ndoshta me mbështetjen e po këtyre vendeve gjoja dashamirëse, por që nuk e duan stabilitetin në Shqipëri dhe në Ballkan e më gjerë. Etja për pasuri është një ndjenje cytëse, e vjetër sa vetë njerëzimi. Kjo etje shtohet në progresion gjeometrik tek të pasurit. Ekziston një lidhje korrelative mes pasurisë e shpirtgjerësisë. A nuk duket kjo ditë për ditë? Të pasurit mendojnë pak ose aspak për të varfrit. Të mbushur me pasuri e të zbrazët në shpirt, kështu janë disa prej më të pasurve. Në anën tjetër, të zhveshur nga pasuria, por me shpirt të pasur. Po kështu ndodh dhe me pushtetin. Njerëzit e pushtetshëm nuk ngopen me pushtet. Të varfrit ëndërrojnë në një mënyrë, por në forma të ndryshme, ëndërrojnë për të pasur më shumë, për të jetuar normalisht dhe për të ndihmuar dikë që është më i varfër. Të pasurit gjithashtu ëndërrojnë në variante të ndryshme, por me një qëllim, për të patur më shumë. Të pushtetshmit ëndërrojnë njësoj në të gjithë botën për të patur më shumë pushtet, mbi të vetët, të tjerët, shtetet, kombet, e deri mbi planet. Përfundimisht secili, ndoshta, mund të ketë vetëm dy metra katrore tokë, dhe këto jo përjetësisht. Këtë, nëse nuk e dinë, duhet ta mësojnë edhe të pasurit edhe të pushtetshmit, pasi të varfrit e të papërkrahurit e kanë mësuar prej shekujsh. Kjo nuk është misticizëm, teologji as fantazi, por realitet i vjetër sa vetë njerëzimi. Në këtë aspekt është themelore të heqim informalitetin politik që nxjerr qeverisjen dhe opozitarizmin, pra në partitë politike. Askund nuk ka aq informalitet, aq falsitet, aq megalomani, aq mungesë demokracie, aq luftë bërrylash, aq servilizëm, e braktisje të identitetit sa në partitë politike. Nëse partitë politike nuk e bëjnë këtë, e për të qenë të ndershëm me sovranin, duhet doemos të kesh një moral, së pari njerëzor, por dhe politik, duke përfaqësuar me dinjitet atë forcë që përfaqëson në drejtim apo në ligjvënie. Shumë është shkruar e thënë këto kohë për moralin në përgjithësi, por veçmas për moralin në politikë. Politikani i suksesshëm duhet të udhëhiqet sipas parimeve morale. Skena jonë politike më tepër u përngjan telenovelave turke që kanë mbushur ekranet shqiptare, sesa politikëbërjes serioze. Intrigat, dredhitë, përbaltja e kundërshtarit politik kanë përparësi ndaj analizave politike dhe strategjive zhvillimore serioze. Në sistemet demokratike grupet e caktuar shoqërore e kryesisht ato të përcaktuara politike, programet që shpalosin në zgjedhjet elektorale, përcaktojnë ndryshimet pozitive të elektoratit, e ata sigurisht i besojnë katërcipërisht se fushatat zhvillohen në kahjen pozitive të mirëqenies së sovranit, për të qenë një shoqëri e civilizuar po se po, por veçanërisht në nivelet ekonomike të Europës, ku synojmë të arrijmë. Duam që ky popull i shumëvuajtur dhe i sfilitur ta shijojë vërtet lirinë demokratike, duke u bërë ballkon frymëzimi për Ballkanin e më gjerë. Mendojmë se forcat politike në pushtet duhet të përcaktojnë dualitetin shtet-pushtet, në zbatim të ligjeve kushtetuese. Demokracia të mos prodhojë konflikte të panevojshme mes politikanëve, pushtetarëve dhe partive, por me vizionin përcaktues të hartojnë strategji të reja për zbutjen e varfërisë, që kurba e papunësisë të ulet, dëshirojmë që të ketë energji elektrike dhe ujë për çdo ditë, të ketë sa më pak sharje në Parlament e sa më shumë të ardhura për të varfrit, drejtësi për të gjithë, të mos ketë vrasje, vetëvrasje, kërcënime, përdhunime as keqpërdorime dhe bindjet politike të mos përdoren për interesa të ngushta vetjake siç ka ndodhur dhe ndodh rëndom. Morali i politikës dhe jetës publike nga njëra anë dhe morali i njeriut të thjeshtë nga ana tjetër. Morali i njeriut të thjeshtë synon të arrijë idealet në infinit, duke zbatuar porositë, detyrat dhe obligimet që ia përcakton shteti, kurse përfaqësuesi i këtij shteti, në kontrast krejt të ndryshëm dhe të përçudnuar, vepron kundër interesave të tij dhe shtetasit. Shoqëria shqiptare në mbarë hapësirën e saj duhet detyrimisht t’i çrrënjosë tashmë kulisat e ndërthurura të lidershipit dhe politikanëve që të zhvishen nga dozat e tepruara të moralit politike të jenë të barasvlershëm me shoqërinë, se ajo është tepër përpara, shumë e shumë më përpara udhëheqësve partiakë dhe kuvendarëve dhe të ecim në rrugën europiane. Jo vetëm vitet e fundit, por vazhdimisht gjatë këtyre dy dekadave pluralizëm politik, ka ndodhur, e në fakt më së shumti se në çdo vend të Europës Lindore apo botës së qytetëruar demokratike, korrupsioni është ulur këmbëkryq në zyrat e institucioneve publike. Pikërisht personat, të cilët kanë bërë më së shumti keqpërdorime, në vend që të merreshin masa ndëshkuese ndaj tyre sipas ligjit, në fakt, ata veçse janë majmur më shumë në po ata vende pune që ishin më parë, e jo vetëm në dogana,tatime që janë edhe institucionet më të përfolura, po deri në bazë në institucionet vendore. Siç ka thënë një politikan i njohur, transparenca është syri i demokracisë.