BREAKING NEWS

“Kam të dhëna se...”, Spartak Ngjela bën deklaratën ‘bombë’ për atë që fshihet pas pandemisë së COVID-19: Ky krim nuk del me armë në dorë, është i nivelit të lartë!

“Kam të dhëna se...”, Spartak Ngjela bën
x

Opinion / Editorial

Tre kupat e fundit të Vironit

Tre kupat e fundit të Vironit

Edhe pse kanë kaluar vetëm disa ditë, që është ndarë nga jeta një figurë plot rrezatim dhe dritë e qytetit të Vlorës, përsëri çdokush e ndjen për detyrë vlerësimin, respektin qytetar dhe mirënjohjen e lartë për ish-trajnerin Viron Toska. Ai e lidhi jetën vetëm me sportin dhe i shërbeu sportit. Njerëz të tillë në çdo moment duket se bëjnë apel e i thërrasin memories për të thënë diçka më shumë për ta, për jetën e tyre të gjatë sportive, për vlerat dhe kontributin shumë vjeçar, për respektin qytetar që ata mbartin. Shënjohen me dhjetëra sportistët e shquar dhe ekipet kampione të klubit sportiv Flamurtari në historinë e sportit kombëtar, por sukseset e Flamurtarit të viteve 1980-1991 në futboll dhe të ekipeve të basketbollit të femrave të Flamurtarit të fillim mijëvjecarit të ri, në kornizën e viteve 2000-2020 janë një krenari më vete. Në çdo bisedë sportive, ne vlonjatët sjellim dhe risjellim si kryefjalë ekipin e futbollit të Flamurtarit të ‘80-‘90, kur Vlora me futbollin e saj trondiste Europën dhe ekipin e basketbollit të Flamurtarit të drejtuar nga Mjeshtri i Madh Viron Toska. Emra të shumtë na krenojnë si Vasil Ruci, Zijai, Çipi, Taho, Gjondeda, Bubeqi, Kushta, Lushaj, Birce, Memushi dhe e gjithë ajo "brigadë" e jashtëzakonshme sportive që shkroi historinë e saj më të mirë ndaj Barcelonës së madhe, Partizanit të Beogradit e shumë skuadrave të njohura europiane. Por më i bukur, më i plotë dhe i shtrirë ndër vite është portreti i Flamurtarit në basketboll për femra nga fundi i viteve 1970-të e deri më sot.

Tradita e bukur e formuar nga trajneri i shquar Petrit Stefa, në vitet 1977-1990 me basketbollistet Pjereta Çika, Muhina Kuqi, Ariana Birçe, Eleni Beli, Violeta Çala, Afërdita Laçaj u shumëfishua dhe u ngrit në shkallën më të lartë në vitet 2000-2020, kohë kur shkolla e basketbollit vlonjat me trajnerin e përkushtuar dhe të apasionuar Viron Toska bëri epokë. E nuk janë pak, por plot 45 trofe të fituara nga ana e këtij trajneri që për nga grinta, dëshira dhe ambicia për sukses, pak kush mund t’i përqaset atij. Çdo lloj krahasim apo përqasje e ndryshme kërkon të thotë se Flamurtari i shekullit të ri i drejtuar nga Viron Toska ka një pod më shumë se në çdo periudhë të historisë së vet. Janë 62 trofe të ngarkuara me tituj kampionë, Kupa të Shqipërisë dhe Kupa të Federatës, të cilat shumë natyrshëm ndalen dhe shikojnë plot kërshëri periudhën e viteve 2003-2020. Në këta vite Flamurtari i Viron Toskës është krenaria e Vlorës dhe dominuesi absolut i basketbollit në vend. 14 tituj kampionë të fituar, 11 kupa republike të arkivuara në hipotekën e sukseseve, 12 superkupa që stolisin gjoksin kuq e zi të kësaj skuadre si dhe 8 kupa të federatës janë thesari i vlerave që kësaj skuadre i japin më shumë vlera, më shumë potencë sportive dhe më shumë sukses.

Duke lëvizur moshën dhe kujtesën nga vendi, parakalojnë në paradën e sukseseve në këto 17 vite ndeshje të shumta plot sukses e triumf, të arritura nga basketbolliste të kalibrit të lartë me në krye dy kapitenet e shkëlqyera Elona Merkaj (Hasanaj) dhe Migena Plasa, basketbolliste cilësore si Valbona Brinja, Enkela Aliko, Artemida Myrto, Elektra Zykaj, Olta Rapaj, Aida Çani, Adela Aliaj, Parashqevi Kasaj, Tea Memushi, Malvina Baxhaj, Anxhela Demiraj, etj, që me punë dhe talentin e tyre, si dhe me kujdesin e trajnerit të paharruar Viron Toska arritën suksese që rrëmbyen respektin e publikut të zjarrtë vlonjat e të atij mbarëshqiptar. E tillë ishte kjo skuadër dhe të tillë e la pas, plot dritë e suksese trajneri i madh Viron Toska.

 

xxx

Më mirë se sa unë dhe shumë më me profesionalizëm se ky shkrim modest (i përgatitur me konsulencën e gazetarit të mirënjohur sportiv Moisi Dalipi) kanë shkruar dhe do të shkruajnë ekspertët e sportit dhe gazetarët sportivë, por qëllimi i këtij shkrimi është të evidentojë tre kupa të munguara që Federata e Basketbollit i ka detyrim trajnerit të madh Viron Toska. E para, duke dashur t’i kthehemi sezonit të shkuar të basketbollit të femrave, ku muaji mars i vitit 2020 ndërpreu gjithçka për shkak të Covid-19, Flamurtarit në apelin e sukseseve të veta i mungojnë dy trofetë e këtij sezoni të mbetur pa fitues. Pak kush e beson se përse ky sezon mbeti pa kurorën e skuadrës kampione dhe pa fituesen e kupës e të superkupës. E ka ndodhur kështu në një nga vitet e vargut të gjatë të sukseseve dhe "sundimit" shumëvjeçar të ekipit të basketbollit të femrave Flamurtari. Duke iu drejtuar shifrave të sezonit të kaluar, deri në momentin që gjithçka u ndërpre nuk mund të harrohen lehtë rekordet europiane që po shënonte Flamurtari në gara dhe ndeshje përballë kundërshtarëve. Në 14 ndeshje të kampionatit, 9 janë fitore me rezultate treshifrore mbi 100 pikë. Statistikat thonë se pikërisht në këto 9 ndeshje, përballë çdo kundërshtari Flamurtari i Viron Toskës shënoi 1041 pikë dhe pësoi vetëm 520. E pra, ky është Flamurtari i rekordeve europiane. Ky është Flamurtari që përgatiti dhe latoi me sukses trajneri i paharruar Viron Toska. Ai ishte një Flamurtar që ecte drejt suksesit dhe lavdia i vinte nga pas. Pavarësisht se kampionati u ndërpre për arsye objektive në fazën e fundit të tij, për vetë këto rezultate dhe faktin që Flamurtari i ka mundur të gjitha ekipet në garë duhet ëe Federata e Basketbollit të marrë vendimin e duhur për ta deklaruar Flamurtarin e Vlorës dhe trajnerin e madh Viron Toska fitues të sezonit 2019-2020. Kujtojmë se të njëjtën gjë kanë bërë dhe simotrat europiane. E dyta, Covid-19 pamundësoi zhvillimin e ndeshjes se Superkupës, e cila zhvillohet ndërmjet ekipit të shpallur kampion (i cili është Flamurtari) dhe ekipit që ka fituar Kupën e Republikës (në janar ekipi i Flamurtarit fitoi këtë kupë). Pra, Flamurtari duhet të ndeshet me vetveten. Edhe këtë kupë të dytë Federata e Basketbollit duhet t’ia dorëzojë ekipit të Flamurtarit dhe të deklarojë kampion trajnerin e tij, derisa u nda nga jeta, përpara një jave, të madhin Viron Toska. E treta, figura e kompletuar sportive e trajnerit Viron Toska edhe pse ndan me opinionin sportiv dhe respektin e qytetarëve vlonjatë vlerësimet morale që i kanë dhënë si "Qytetar nderi i Vlorës" dhe Mjeshtër i Madh, dhënë nga Presidenti i Republikës, i nderuari Bujar Nishani, meriton kupën e tretë dhe të fundit në karrierën e tij si basketbollist, si trajneri më i mirë, fituesi absolut në basketbollin për femra në këto 20 vitet e fundit. Federatat sportive në botë i njohin këto vlerësime dhe kupa dhe besoj se edhe Federata jonë e Basketbollit, si një strukturë e drejtuar nga njerëz me integritet dhe profesionistë, do ta përcjelle këtë vlerësim të merituar për Mjeshtrin e Madh Viron Toska.

Vlonjatët, por jo vetëm sa herë që do të mblidhen bashkë e do të flasin për sportin dhe historinë e tij nuk do të lënë pa bërë të pranishëm Flamurtarin e Viron Toskës, "Ferrarin" e Vlorës të cilin e la me plot suksese, plot trofe dhe gjithnjë të bukur, ai i paharruari Viron Toska. Për këtë Flamurtar të këtyre viteve krenohen figurat më të shquara të sportit të këtij qyteti si legjendat Viktor Papavangjeli, Todi Driza, Mexhit Haxhiu, gjithë Flamurtari europian i futbollit, Muharrem Ahmeti në çiklizëm, Skerdilajd Shyti dhe Edlira Xhindi në not e shumë e shumë të tjerë të cilët me krenari i bashkohen zërit mbarëqytetar kur thonë: "Flamurtari i Viron Toskës mbetet epokal për nga emri, për nga sukseset, për nga respekti që formoi në tërë opinionin sportiv brenda dhe jashtë Shqipërisë".

PS. 1: Titulli i shkrimit nuk është gabim. Unë jam i bindur që këto janë tre kupa të Vironit dhe jo tre kupa për Vironin.

P.S.2: Vlerësimet per trajnerin e madh Viron Toska do të vazhdojne nga të gjitha institucionet dhe, mbi të gjitha, nga institucioni i qytetarisë vlonjate dhe botës së basketbollit, të cilave ai u përkushtoi jetën e tij.

(www.bujarleskaj.com )