BREAKING NEWS

Mjekësia shqiptare në zi, ndahet nga jeta mjeku i njohur (EMRI+FOTO)

Mjekësia shqiptare në zi, ndahet nga jeta mjeku i njohur (EMRI+FOTO)
x

Opinion / Editorial

Tre provokacione për të matur "burrninë" e atyre përballë!

Tre provokacione për të matur "burrninë" e atyre

Sigurisht nga një fshat si Surreli nuk del vetëm modë "folk post moderniste" me anën e kryeministrit Rama. Nuk është kaq pak, një fshat i tillë. Unë sëpaku këtë lloj mode e respektoj shumë. Është një mbështetje e respektueshme për traditën. Problemi është se prej atje dalin dhe provokacione që duan të masin jo vetëm pulsin e një shoqërie retro politike dhe kulturore, por dhe të atyre që qëndrojnë politikisht dhe ekonomikisht mbi këtë shoqëri dhe që e quajnë tashmë veten – oligarki. Kaq shumë e kanë përmendur këtë term dhe sigurisht pa e njohur mirë, sa tani të pasurit e këtij vendi pyesin veten para pasqyrës: A jam unë një oligark, apo nuk jam!? E pastaj për të qënë apo jo një "oligark" - duhet një si certifikim. Po pra, besoj me numrin e tenderave të marrë apo fituar me investimet e mëdha, në sajë të parave të publikut që i gëzon privati dhe që pasurinë e ka kryesisht nga ky model. Ky me sa duket duhet të jetë dhe certifikimi real i një titulli oligark. E që pastaj bën pjesë dhe në politikat e mëdha zhvilluese ekonomike e financiare dhe si pasojë edhe politike të këtij vendi. Normalisht që Surreli është ai vend që ka të drejta certifikuese dhe kjo është realisht për tu gëzuar, se si një fshat i vogël, bën një mrekulli të tillë të madhe në politikë dhe ekonomi. Por ai fshat, ka aftësinë dhe për provokacione që shkojnë në dy drejtime. Drejt shoqërisë sa për t’i mbajtur gjallë në puls dhe nerv politik e kulturor dhe oligarkët që do t’i mbajë në ton synues për një politikë të madhe ekonomike për nesër. Nuk e konsideroj më provokacion ligjin për burg të shqiptarëve kur janë të sëmurë dhe dalin pa leje, sepse është e qartë se kur të fillojnë të dënohen kështu o ka filluar junta ose dikush ka luajtur mendsh. Por ka tre provokacione që realisht janë në kohë dhe sigurisht vazhdojnë të bëjnë rol parësor në kohë pandemie si debat. Provokacioni i parë i "fjetur" është ai i ligjit për "gazetarët" në burg dhe gjoba për shpifje, kur kanë një ligj për shpifjen. U hodh në momente kur duhej një diskutim tjetër dhe mund të riaktivizohet sërish po u desh shtyrje tjetër emergjence pandemie. Por meqë ka një si ide që të "rritet kurba" e infektimit, e cila pastaj kthen urdhërat për mbyllje brenda të shqiptarëve dhe kërkimin nga socialistët e rilindjes shtyrjen mbas 23 qershorit dhe për disa muaj të qëndrimit në shtëpi (tonën) deri sa të mbarojë hashashi dhe prishet teatri. E sigurisht Kuvendi aprovon dhe besoj dhe presidenti nuk mund të jetë kaq kundër. Por të shikojmë nëse do të jenë kaq të guximshëm. Provokacioni i dytë është teatri i akredituar i Erion Veliajt, si njeriu tashmë në mungesë të plotë të qetësisë dhe ngritjes eksponenciale së arrogancës politike dhe materiale! Nga Surreli kjo gjë është projektuar shumë bukur, duke shkarkuar rreth 50% nga vetja, të ngarkesës së sharjeve dhe zemërimit, por dhe duke devijuar veprimet nga shteti te bashkia në mënyrë të përllogaritur shumë mirë dhe si diversion, por dhe si një "shashkë" aty larg, që të plasë një bombë diku shumë afër. Teatri është modeli më i qartë jo thjesht i kreativitetit të Surrelit, por kryesisht i një arrivizmi që bashkon paranë me frymën post moderniste të një Tirane, e cila duhet të jetë treshe si model. Po pra e Zogut, Enverit dhe Ramës plus "lali Erit"! Si projekt provokacioni ka të bëjë me masën dhe ata që duan ta mbrojnë teatrin dhe dikur me oligarkët që humbin dhe fitojnë sipas interesave të një "sage" të jashtëzakonshme me miliona pas në ekonomi. Kurse kanabisi farmaceutik si provokacion i tretë i menduar perfekt në Surrel është një mrekulli gjetjeje, e cila plotëson saktësisht diversitetin absolut të politikës së sotme në koronavirus shtetëror me vetëm 31 të vdekur (paqe shpirti tyre), të cilët janë (kështu thotë propaganda) meritë e një njeriu! Po pra, për mirë e kam fjalën si teori, sepse pastaj si praktikë duhet besuar fort se shqiptarët nuk para vdesin se ju bie gripi - kaq kollaj. E nuk është se nuk e kanë përhapur te njëri tjetri, por thjesht nuk duan të vdesin pse koronës ju rrit mendja në Kinë, Itali dhe Spanjë apo Amerikë e Britani. Ne dhe ishim vetë trima, por kishin sigurisht dhe Surrelin. Kanabisi për ilaçe ka mundësinë që të mbajë kurbën e politikës lart dhe mendjen aty, sepse ky është dhe diversivi dhe projekti tij. Që bashkohet me projektin e tenderimit se kush do të bëjë këtë punë e cila pastaj si në Shqipëri do të profilizohet si një tender mes dy tre oligarkëve që merren me ilaçet dhe farmaceutikën dhe të tjerëve që e duan prej kohësh. E si gjithmonë popullit poshtë që do tërbohet sepse është mësuar të punojë dhe ai, opo të mbjellë dhe ai në mënyrë personale dhe duke rrezikuar qartësisht vetë. E kështu sa nga "teatri te kanabisi", sa te një diversiv dhe te tjetri, kështu pandemia politike dhe ekonomike jona do të shkojë drejt fundit apo zgjatjeve deri në fund. Por talenti aty në Surrel nuk është se e ka menduar kaq shumë keq! Jo përkundrazi! Në fund të fundit, emergjencën e drejton task forca dhe komiteti teknik apo Manastirliu, Rakaçolli dhe Pipero "and company"! Po të shtosh dhe Ballën e Rilindjes, Ballën në TV apo dhe Spiropalen e Skënderbeut, kuptohet qartë se si kanabis dhe teatri, janë një Surrelizëm fantastik mjaft i bukur jo vetëm si histori, por dhe si film me metrazh të gjatë nesër! Po dhe ka mundësi që nuk mbaron dot vetëm me një seri. E fundit është dhe mënyra më e bukur e Surrelit fantastik për të matur dhe burrninë e tyre përballë. Në dy drejtime në kohë pandemie! Për burrninë që tregon drejtësinë e parimeve dhe burrninë nëse mbajnë llogoret e tyre të thella, po kaq të thella realisht, sa nuk dalin dot në sulm. E kjo sigurisht është dhe pjesa më e bukur e menduar mirë nga një vend kaq i mrekullueshëm sa fshati sipër Tiranës, që ka fatin të drejtojë sot Shqipërinë!