BREAKING NEWS

Aksidenti tragjik në aksin Levan-Vlorë/ Viktima është një 18-vjeçar, 4 të rinj në gjendje të rëndë, Policia jep detajet e para  

Aksidenti tragjik në aksin Levan-Vlorë/ Viktima është
x

Opinion / Editorial

Tridhjetë e katër “betejat” e fituara nga doktoreshë Violeta!

Tridhjetë e katër “betejat” e fituara nga doktoreshë

.... Por, fatkeqësisht, “betejën e fundit, atë të tridhjetë e pestën, e humbi, në muajin Nëntor të vitit të kaluar. Do t’i quaj “beteja” vitet e punës së mjekes së njohur laborante të Spitalit “Shefqet Ndroqi”, Violeta Koka (Alizoti). Do t’i quaj kështu mbasi e meriton plotësisht, sepse me te vërtetë për tridhjetë e pesë vite ka punuar dhe ka luftuar sikur të ishte në betejë. As më shumë e as më pak tridhjetë e pesë vite punoi në këtë Spital, qysh prej vitit 1972, kur filloi punë si mjeke e sapodiplomuar. Do t’i quaj “beteja” edhe për një arsye tjetër. Janë këto “beteja” jo me “armiq” të dukshëm, që i sheh dhe merr masa për t’i “vrarë”, por luftoi me “armiq” të padukshëm, e rrethuar nga të katër anët, të egër e të pabesë siç janë mikrobet vdekjeprurës. Nuk e fitoi dot “betejën” me armikun “modern” të kohës siç është Covid-19 që mos qoftë, i cili ka marrë e po merr jetë njerëzish të shumtë, nga i cili, nuk shpëtoi as Dr. Violeta. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është që Dr. Violeta, luftoi me një përkushtim të jashtëzakonshëm, si askush tjetër, brenda një “pozicioni zjarri” të ngushtë, me atë “armë” që gjeti atje, që me kalimin e kohës do ta “modernizonte” dhe do ta “perfeksiononte” si jo më mirë. Midis shumë faktorëve të tjerë që vendosin fatin e betejës në çdo luftë, dy janë më kryesoret. Këta janë njeriu dhe arma. Si njeri, Dr Violeta, ishte si askush tjetër, të cilën e kam njohur qysh në vitet e para të martesës me kolegun tim të klasës në shkollën ushtarake “Skënderbej” dhe jo vetëm kaq, por Tekiun, e kisha edhe më të afërt mbasi e kisha shok të bankës dhe jo se e kisha unë më shumë se shok, por sepse është një shok për të cilin, po të flasim me gjuhën e moçme, të gjithë ata që e kanë njohur, kur bëhej fjalë për Tekiun, të gjithë vinin “duart në zjarr”! E them këtë për të dalë në atë që të dy me Violetën plotësonin “një të tërë”, të themi një çift ideal që shumë kush i kishte zili. Njeriu, Violeta është pak të thuash i kishte të gjitha cilësitë e atij njeriu që asnjëherë nuk tërhiqej nga beteja, derisa të arrinte fitoren duke bërë të pamundurën e duke sakrifikuar gjithçka që kërkohej. Kolegët e saj të punës, qysh nga drejtori z. Kapisyzi, e deri tek shoqet e koleget e saj të punës dhe e të gjithë atyre që e kanë njohur dhe kanë punuar së bashku flasin me superlativa dhe disa prej tyre, nuk i përmbajnë lotët, për këtë kolege që kishte bërë emër dhe ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me punën e saj në shërbim të qytetarëve. Ja ç’thotë drejtori i spitalit, Dr Kapisyzi: “Gjithçka vlerësim pozitiv e meriton doktoreshë Violeta. Ajo ishte mjeke model e Sanatoriumit, shumë korrekte, shumë e përkushtuar dhe shembullore, gjithmonë në vijën e parë të luftës kundër sëmundjeve të rrezikshme në laboratorin klinik biokimik të analizave, gjithmonë e guximshme dhe e sakrificës, bashkëpunuese me të gjithë kolegët. Prof. Eli Foto, mjeke pediatre shprehet: “Është shumë e trishtueshme ndarja e parakohshme dhe e papritur e një mikeshe, aq sa akoma nuk më besohet. Violeta, nuk ishte vetëm për mua shoqja më e mirë, ajo ishte shoqe e të gjithëve dhe të gjithë flisnin për Violetën me fjalët më të mira. Shoqëria jonë filloi qysh në Fakultetin e Mjekësisë dhe vazhdoi deri në fund. Në vetvete, Violeta, i mblidhte të gjitha edhe urtësinë edhe thjeshtësinë edhe mençurinë edhe vendosmërinë edhe buzëqeshjen. Ishte shumë skrupuloze në kryerjen e analizave, e qetë, e palodhur, ka diagnostikuar dhe u ka shpëtuar jetën mijëra njerëzve. Të gjitha nga sa thanë kolegët e saj, përshtypjet e tyre përputhen në një pikë. Jo se të tjerët nuk i bënin atë që bënte Violeta, por ajo, i përjetonte dhe shqetësohej për çdo rast kur e lajmëronin të paraqitej edhe jashtë orarit të punës në çdo orë të natës sa herë që kërkohej ndihma e saj. Në këtë kuptim, laboratori i analizave, ishte bërë shtëpia e saj e parë dhe në plan të dytë ishte familja, bashkëshorti dhe fëmijët, që edhe ata ishin mësuar të kalonin shumë netë pa Violetën në shtëpi. E thërrisnin urgjent për të bërë analizat e të sëmurëve dhe ajo vinte në çdo orë. Ndodhte që analizat e pacientit nuk i dilnin mirë. Violeta do t’i përsëriste përsëri. Edhe kur ishte e bindur që analizat nuk dilnin mirë, Violeta do të shqetësohej si për njeriun e saj. Në të kundërt, kur ato dilnin mirë Dr Violeta, gëzohej ndoshta më shumë se pacienti dhe kur ata dilnin të shëruar nga spitali, e shëruar ishte edhe Dr Violeta. Tridhjetë e pesë vitet e punës së saj, janë me të vërtetë “beteja” jo vetëm me armiqtë e “padukshëm” siç ishin viruset vdekjeprurëse, por edhe jetë plot ankth dhe shqetësime që përveç këtyre, vinin edhe nga “armiqtë” e dukshëm, që si me “komandë” dolën nga “kaçubet” ku qëndronin të strukur për vite të tëra. Tregon shumë raste kolegia e saj e ngushtë A. K. të cilën e kishte edhe fqinjë dhe Violeta i shprehej për gjithçka i ndodhte. “Ishin të shumta rastet e urgjencës, kur ambulanca e Spitalit do të shkonte të merrte të sëmurët rëndë. Gjatë kthimit, jo rrallë herë ambulanca, bashkë me të sëmurin do të merrte dhe Violetën. Ajo ishte e gatshme, sepse siç më shprehej “Unë edhe natën kur fle, njërin sy e mbaj hapur”! Nisej dhe do të kthehej të nesërmen në përfundim të orarit të punës. Ndodhitë, janë nga më të ndryshmet. Nuk më kujtohet muaji, vazhdon ajo, nëntor apo dhjetor i vitit 1991, por orën e mbaj mend, ishte 23:00. Tek Filologjiku, nga një makinë i dalin ambulancës tre apo katër kapuçzinj me një fjalor banal dhe nën kërcënimin e thikave, dhe britmave, “Kthehuni mbrapsht, akoma vazhdoni t’i shërbeni juve atij kriminelit” i detyrojnë të zbresin nga ambulanca duke i marrë të gjitha ç’kishin me vete. Zbritën dhe shkuan nga një tjetër drejtim për ku ishin nisur, në Spital”! U bënë të “modës” këto kërcënime nga elementët “antikomunistë” edhe ndaj ambulancës “komuniste” që u shërbente të sëmurëve të cilat ishin të vazhdueshme, thotë fqinja e saj A.K. duke ardhur në vitin 1997, kur persona të paidentifikuar i dolën ambulancës përpara në Sauk, këtë radhë me armë më të sofistikuara, armë zjarri. I zbritën nga ambulanca, si zakonisht, mbasi i grabitën, i detyruan të shkojnë në një tjetër drejtim për të shkuar rrugë pa rrugë derisa të mbërrinin në Spital”. “Shpeshherë, thotë bashkëshorti i saj Tekiu, do të përpiqesha ta ndaloja në ndonjë rast për t’u justifikuar me ndonjë mënyrë për të mos shkuar natën në Spital as me ambulancë, por ishte e kotë. Jo, jo, më thoshte ndryshe është kur jemi me ambulancë dhe nuk na ngacmojnë”. Por, faktet treguan që as ambulancën nuk e kursenin! “Deri këtu, bëmë fjalë për njërin nga faktorët që vendos fitoren në betejë, siç është njeriu, në këtë rast, Dr. Violeta, e cila si mjeke i plotësonte të gjitha sa duheshin si njeri i vendosur për t’i shkuar betejës deri në arritjen e fitores, dashurisë për punën, e cila kjo presupozonte dashurinë për atdheun, përkushtimin ndaj detyrës dhe dashurinë me të gjithë kolegët e saj e në mënyrë të veçantë për “të plagosurit” siç ishin pacientët që ata të shëroheshin e të dilnin shëndoshë e mirë nga spitali. Faktori i dytë, për arritjen e fitores është arma, përdorimi në perfeksion i saj, ku në rastin konkret ishin pajisjet laboratorike ku kryheshin analizat e gjakut.. Do t‘i duhej Dr. Violetës që të mbronte jo vetëm vetveten, por të mbronte edhe aparaturat e laboratorit të analizave, të cilat edhe ato ishin bërë objekt kërcënimi nga elementë të ndryshëm në ngjarjet e vitit 1997. E filloi punën e saj si mjeke laborante me ato aparatura që gjeti atje. Është merita e saj, që ngulte këmbë që ato t’i përgjigjeshin kohës dhe këtë e realizoi me sukses, duke e modernizuar laboratorin me aparatura të kohës, duke rritur kështu gamën dhe cilësinë e analizave. Dr. Violeta, nuk ishte nga ato që “sekretet” në njohjen dhe përdorimin deri në “perfeksion” të armës, t’i mbante për vete. Përkundrazi, ajo ishte edhe një mësuese e mirë për t’ia mësuar këto edhe kolegeve të saj më të reja e cila kjo, ishte një arsye më shumë që atë e deshën dhe e respektonin aq shumë. Virusi vdekjeprurës, nuk e kurseu as D. Violetën, ashtu si shumë mjekë të tjerë të përkushtuar për arritjen e fitores mbi këtë armik të padukshëm”. “Armik” ky që më shumë nga të tjerët, këta “luftëtarë” heronj, i kishte vënë prej kohësh në shënjestër. Dr. Violeta, mbylli sytë më 14 Nëntor të vitit 2020, duke lënë në hidhërim dy vajzat, djalin e saj dhe bashkëshortin. Të gjithë këta, mjekë, bashkë me Violetën meritojnë nderime që nuk kursyen as jetën e tyre në këtë luftë për jetë a vdekje. Të gjithë këta mjekë, të cilët po bëhen afërsisht tridhjetë, janë heronj të vërtetë duke qenë në vijën e parë të frontit në luftën dhe përpjekjet me këtë “armik” që ka “pushtuar” mbarë planetin. Këta janë heronj të vërtetë, ashtu si ata të luftës, ndoshta edhe më vështirë nga lufta sepse luftonin me një “armik” që kërcënon akoma nga të katër anët e aq më tepër që është i padukshëm Dr Violeta, ishte bija e Petref Alizotit, patriot dhe luftëtar aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare, si Komandant i Batalionit të Parë të BR 16 S, krijuar në Therepel të Skraparit dhe më vonë, kuadër i lartë në ushtri, derisa doli në pension. Nuk u vlerësua asnjëherë Dr. Violeta në sistemin e kaluar për tetëmbëdhjetë vitet e punës së saj, punë me përkushtim dhe pasion. Ndoshta për “inat” që nuk pranoi të bëhej anëtare e partisë? “Partia për mua është puna, i ishte shprehur Violeta, kur asaj i kërkuan të pranohej në radhët e saj, po i shërbeva mirë punës, i kam shërbyer edhe partisë e mbi të gjitha, atdheut”. Pra në sistemin e kaluar, “nuk kishte merita”, në sistemin aktual, ndoshta justifikimi do të jetë që “ka shërbyer në sistemin e kaluar”! Ajo që ka rëndësi, është që Dr. Violeta ka punuar si heroinë e mbi të gjitha, këtë “titull” asaj ia ka dhënë shoqëria, ia ka dhënë djersa e saj, dhe si e tillë, vepra e saj do të mbetet “e gjallë” në mendjet e zemrat e fëmijëve bashkëshortit dhe të gjithë atyre që e kanë njohur. Së fundi, mund të themi që Dr. Violeta, mbylli sytë me nder e lavdi dhe për këtë do të kujtohet gjithmonë e gjithmonë do të jetë e vlerësuar. Shembulli i saj, udhëheq për “beteja” të tjera. I paharruar kujtimi i saj...