BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

T’u lësh në dorë çelësat e taksave të Shqipërisë, bukurosheve të partisë!

T’u lësh në dorë çelësat e taksave të

Promovimi i të rinjve dhe të rejave në fushat jetike të vendit, ato që konsiderohen gjymtyrë natyrore të shtetit, financave apo sektorë me peshë të ekonomisë kombëtare, janë një risi nga e cila nuk duhet pasur frikë pasi të rinjtë me formim dhe kulturë të gjerë janë e ardhmja që do marri në dorë stafetën për ta çuar Shqipërinë drejt integrimit europian dhe zhvillimit të gjithanshëm. Në strategjinë e partive shqiptare, është traditë evidentimi i të rinjve me perspektivë, të cilët sjellin bashkë me freskinë e moshës dhe energjitë që zotërojnë, aplikimin e teknologjive të reja, si dhe përvojën më të mirë të përfituar nga shkollimi në vendet e zhvilluara. Njohës të dy e më shumë gjuhëve të huaja, të specializuar, me dije të thelluara shkencore, prakticienë, ndryshe nga brezat që zotëronin vetëm rusishten, i kanë mundësitë të studiojnë përvojat më të mira dhe t`i zbatojnë në praktikën e përditshme, duke siguruar rendiment më të lartë, produkt më të mirë, tregues të matshëm e të kontrolluar. Për hir të moshës, specialistët e rinj, janë aktivë, ambiciozë, të përkushtuar për të bërë më të mirën në interes të vendit. Parti të reja, si LSI ka një numër jo të vogël të rinjsh, i ka promovuar në pozicione, i ka zgjedhur deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Partia Socialiste ka si vijë sjelljeje, normë të shkruar, objektiv parësor promovimin e të rinjëv, evidentuar për aftësi profesionale, kulturë dhe energji për t`i shërbyer shoqërisë. Në këtë aspekt nuk kanë munguar prurjet e të rinjve që kanë një begraund ekselent, fituar në universitetet më prestigjoze të botës Harvard në SHBA, Oksford në Angli, në universitetet më cilësore të Gjermanisë, Francës, Austrisë, Italisë apo Zvicrës. Në jo pak raste, prurje të tilla, kanë ndeshur në xhelozinë e brezave më të vjetër, përsëri ata i kanë bërë vend vetes me përkushtimin dhe aftësitë e tyre profesionale. Janë shquar për erudicion, zbatim të teknologjive të zhvilluara, aplikacione të tilla që i kanë dhënë ritëm përparimit. Në këtë kuadër kur Partia Socialiste erdhi në pushtet në vitin 2013 në koalicion me LSI dhe pse ndarja e tortës u bë dyshe, jo pak të rinj u emëruan në administratën e lartë shtetërore. Emra pak të njohur, të padëgjuar, u emëruan në poste delikate, tek burimi i të ardhurave që mbushin buxhetin e shtetit. Dihet, se tatimet e taksat, janë burimi më i madh i të ardhurave. Si të punojnë drejtuesit dhe personeli i këtij institucioni të rëndësishëm ashtu do të funksionojë mbledhja e të ardhurave për të mbushur arkën e shtetit. Taksa e tatimet, si në çdo ekonomi tregu, janë pagesa që nuk mund të shmangen. Dy detyrime janë taksative, të sigurta. Taksat dhe vdekja. Pra pagesa e taksave është e paevitueshme. Kush i bën bisht detyrimeve të tilla është objekt i ligjit dhe drejtësisë. Në kuadër të promovimit të femrave, veçanërisht të rejave e të rinjëv, kryeministri i sapo zgjedhur, Edi Rama, promovoi dy të reja që vinin nga fusha të ndryshme të formimit profesional. Brisida Shehaj dhe Elisa Spiropali. E para Drejtore e Përgjithshme e Tatim Taksave dhe e dyta Drejtore e Përgjithshme e Doganave të Shqipërisë. Poste të mbajtura deri në këtë moment nga burra të fortë! Dy drejtoritë më me peshë të vendit. Majat e sistemit financiar. Dy drejtoritë nga të cilat varen sigurimi i të ardhurave. Dihet se doganat janë porta e parë hyrëse me të cilat kontaktojnë bizneset vendase e të huaja, kanalet nga hynë e dalin miliona euro, pajisje, mallra, teknologji dhe gjithçka që vjen në një shtet nga vendet e tjera apo del prej tij për përmbushjen e nevojave të ekonomisë tonë kombëtare. Po nëse zonja Spiropali pasi kreu për dy vite detyrën e drejtores së Doganave të Shqipërisë, vijoi në detyra të tjera, Brisida Shehaj pas largimit nga posti i rëndësishëm u largua nga jeta publike dhe nga fusha e ekonomisë. U përfshi në atë të medias. Është normale që secili të eci në rrugën që ka për zemër dhe të ndjekë pasionin në ato fusha ku i jepet mundësia dhe ndjehet më komode apo më e motivuar. Kur flasim për punën dhe menaxhimin e sektorëve jetikë të ekonomisë, siç janë taksat e tatimet që përbëjnë bazën ekonomike të sistemit të ekonomisë së tregut, çelësin që hap portat nga burojnë ta ardhurat është përcaktuese si do të shtohen të ardhurat dhe zbatohen politikat fiskale të vendit. Veç anës ekonomike dhe të ardhurave, tatim-taksat, janë fytyra e shtetit. Sjellja me taksat e tatimet është treguesi i emancipimit të shtetit, funksionimit të tij, sa human është shteti me kontribuesit e ekonomisë kombëtare, sa i arsyeshëm, i kujdesshëm, i balancuar, apo një shtet që lëshon taksidarët që vërshojnë nëpër biznese, jo për të kontrolluar dhe ndihmuar, po për të zhvatur në emër të detyrës dhe funksionit. Raste të tilla ka pasur me shumicë edhe në kohën e Brisidës dhe janë bërë të njohura gjatë auditimeve apo konsultave me bizneset. Janë evidentuar në denoncimet e bizneseve ku janë përmendur me emra dhe funksione ata që kanë shkuar për kontroll dhe kanë mbushur xhepin e janë larguar, duke minuar politikat e shtetit e pasuruar duke vjedhur në mënyrën më të paturpshme. Pikërisht në krye të Drejtorisë të menaxhimit të sistemit të tatim-taksave, politikat fiskale të shtetit dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, u emërua Brisida që vinte nga sektori bankar me formim ekonomik e përzgjedhur mes mijëra specialistëve më në zë që njohin në perfeksion sistemin financiar, marrëdhëniet e shtetit me tatimpaguesit dhe taksapaguesit në të gjitha hallkat e ekonomisë nga bizneset skajore deri tek bizneset e mëdha që i japin oksigjen ekonomisë tonë kombëtare. Si kanë funksionuar tatim-taskat nga qendra në bazë vitet e drejtimit të Brisidës nuk është qëllimi i kësaj analize as duam të futemi në oborrin e financave dhe drejtuesve më të lartë të tyre. Kjo është në tagrin e Ministrisë së Financave dhe le ta bëjnë këto institucione analizën e punës së kryer dhe efikasitetin e zbatimit të politikave fiskale të kohës së Brisidës. E përzgjedhura nga qeveria socialiste që ditët e para të ardhjes në pushtet në krye të sektorit më delikat të ekonomisë me ndjeshmëri të jashtëzakonshme për të gjithë, së pari për buxhetin e shtetit dhe marrëdhëniet me biznesin vendas dhe të huaj. Brisida ia arriti që të pagëzohej simbolikisht “bleta punëtore”. Dhe kjo bleta punëtore, bashkë me tërë kosheren e bletëve nuk është se nuk grumbulloi të ardhura dhe nuk kontribuoi në buxhetin e shtetit. Sepse të ishte ndryshe askush nuk e mbante asnjë minutë. Po gjatë drejtimit të saj nuk është se shkëlqeu ky sektor jetik dhe nuk u perfeksionua për të prekur nivelet më të larta. Vijoi tradita. Pati skandale. Rrjedhje të taksave dhe tatimeve. Mospagesë të tyre. Mungesa të theksuara në kasat fiskale. Mosdhënia e kuponit tatimor dhe mos bërjes së tij normë e detyrueshme në të gjitha njësitë e shitjes. Po kështu punonjësit në varësi të Brisidës nuk është se dalluan në performancë e korrektesë. Përkundrazi çeduan në shumë raste. Të gjitha këto kanë qenë dhe arsyet që “bleta punëtore” u largua nga kosherja pasi nuk është se prodhoi mjaltin që parashikonte Edi Rama që e përzgjodhi. Nëse kryerjen e detyrës dhe notën që meriton Brisida për atë që bëri me tatimet e taksat e analizojnë institucionet përgjegjëse pasi nuk është në mundësinë tonë aq më pak se nuk e kemi fare këtë qëllim, ajo që të bën përshtypje dhe të çudit është mënyra e sjelljes së “bletës Brisida” me ata që e promovuan dhe e dërguan në majë të drejtorisë më të fuqishme financiare të vendit. Besim që cilido do ta vlerësonte si një nder e obligim, jo për t`ia shpërblyer emërtesës dhe autorit të promovimit as ndonjë borxh për të mbetur rob i nderit për këtë emërim surprizë, po së paku me forcën politike që e promovoi dhe sakrifikoi individ shumë herë më të specializuar dhe të kualifikuar të mos i kthente shpinën dhe të bëjë sikur i kanë ngrënë hakun dhe nuk e paskan vlerësuar. Këto ditë “bleta punëtore” u shfaq me ambicie të mëdha për t’u futur në politikë pasi iu largua një force politike që e promovoi. Kosherja e “bletës punëtore” u bë partia që lindi si fraksion nga socialistët. Asgjë të keqe nuk ka këtu që Brisida la socialistët për lsi-stët. Kjo ikje nuk është ndonjë hata dhe është normale në politikën shqiptare. Po motivi me të cilën përpiqet të justifikojë ikjen, largimin, braktisjen, është vërtet qesharak. Iki, deklaroi Brisida, se në atë parti, rilindësit po hanë socialistët. Unë nuk e di dhe nuk kam mësuar kurrë sa socialiste dhe sa e angazhuar si e tillë ka qenë Brisida me socialistët. Bile dimë se ajo nuk u promovua si partiake në kryer të tatimeve. Përkundrazi u emërua në atë detyrë si e re dhe femër në qeverisje që ka qenë një risi për qeverinë e socialistëve. Ikja e Brisidës nuk është ndonjë hata e madhe. Largimi i saj është thjesht një numër më pak. Promovimi dhe gradimi në vitin 2013 ka qenë i pavend. Një emërim i një emri të panjohur në fushën fiskale. Emërim i një peshe pupël në një detyrë që kërkon jo vetëm aftësi të profesionale po dhe sakrifica të mëdha pasi je pasqyra e sistemit fiskal të shtetit. Ikja e Brisidës është rrugëtimi i zakonshëm i të promovuarve pa asnjë bonus si individ i kualifikuar i vendosur. Promovimi është i çuditshëm, si dhe jo pak promovime të njëllojta dhe sot duket nga distanca e viteve i panatyrshëm dhe i papeshuar mirë. Brisidës i urojmë udhëtim të mbarë dhe të bëhet deputete në partinë e re që zgjodhi. Është në të drejtën e vet të strehohet atje ku ndihet më e vlerësuar. Promovuesit, kryeministri Rama. PS duhet të gjykojë paksa vetveten kur emëron figura që nuk dallojnë as për vendosmëri as për profesionalizëm e formim politik e kulturor. Aq më pak që në rastin më të parë ta dredhin dhe të lënë vetëm namin. Të fitosh një post të rëndësishëm publik nuk mjafton të peshkohet në oqeanin e bukurosheve të partisë aq më pak t`u jepen me tepricë çelësat e financave të Shqipërisë! Emërimet duhet të kalojnë në filtra të profesionalizmit, aftësive, kualiteteve profesionale, vendosmërisë për të justifikuar besimin e dhënë! Bukuroshet le të fitojnë në pasarelat e bukurisë dhe modës!