Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Tufat” dhe “Tufëzinjtë” e kryeministrit Rama

Postuar: 14/11/2019 - 07:21

Sikur kryeministër i vendit të ishte Tufa i Institutit të Krimeve të Komunizmit, jam i sigurt se nuk do të kishte guxuar t’ia hiqte stadiumit kombëtar emrin e Heroit të Popullit, Qemal Stafa. Emrin e këtij heroi, Tufa i Institutit nuk e kishte as në listat e tij të zeza për “kriminelët” e LANÇ. Por, ja që vendi ynë nuk ka vetëm një “Tufë”. Nëse renegatët e socializmit me në krye Ramizin, na lanë trashëgim “Tufëzat dhe Arëzat” e ekonomisë, renegatët e sotëm të të ashtuquajturës “demokraci”, me në krye Ramën, (çudi, të dy emrat e përveçëm kanë të njëjtën rrënjë) na e mbushën vendin me “Tufëza” e “Tufëzeza”, tashmë në fushën e historisë, të letërsisë, të trashëgimisë dhe gjithë atyre që përmblidhen në pasuritë shpirtërore, me të cilat shqiptari është ushqyer e ka mbijetuar më shumë se me gjithë pasuritë e tjera dhuruar nga natyra.

Këto “Tufa”, “Tufëza” e “Tufëzinj”” neofashistë, mbjellë e rritur gjatë tranzicionit antidemokratik e antikombëtar, kanë shpërthyer tashmë në të gjitha qoshet e shtëpisë sonë, duke arritur gjer në krye të oxhakut me “mandatin” e zotit të Konakut, ose modernisht, të kryeministrit. Përfaqësuesit e Veteranëve, të Familjeve të Dëshmorëve, ish-luftëtarë të LANÇ, historianë e intelektualë të të gjitha formateve, prej disa muajsh nga “sinjali i parë“ për mundësinë e “këmbimit” të emrit të Qemal Stafës me letrat e “ndritura e të vlerta” të Euros, nuk kanë munguar të ngrenë zërin kundër këtij veprimi monstruoz. Por duke menduar se kjo do të ishte një lajthitje e përkohshme e kryeministrit dhe duke shpresuar se shumë shpejt do t’i dalë “droga” borgjeze, që mund të kishte gëlltitur, reagimin e tyre të lartpërmendurit e kanë ngjitur gjer në “zërin e dytë” të “korit” dhe asnjëherë tek “baritoni”, e aq më pak tek “basi”. Madje edhe tani që veprimi kontravers e antikombëtar është realizuar dhe në vend të emrit të Heroit Qemal Stafa, mbi stadiumin e transformuar në pamje si arenë cirku është vendosur “Air Albania” 650 mijë euroshe, iluzionet se kryeministri do të zgjohet nga “droga”, vijojnë të jenë të pranishme në reagimet e atyre që nuk e kanë provuar drogën në fjalë! Për të konkretizuar këtë “handikap” tek ata që nuk po shkëputen dot nga “iluzionisti” Rama, me rrënjë të përbashkët me Ramizin e djeshëm në emër, po sjell për lexuesin një episod të vogël, por domethënës, huazuar nga një skeç i Estradës së dikurshme të Shkodrës: “Punëtori mekanik del para Komisionit të Ndërmarrjes për të marrë një kategori më lart në profesionin e tij. Ndonëse ishte nga mekanikët më të mirë të ndërmarrjes, në pyetjet teorike që i drejtoi komisioni, u përgjigj dobët. Për të mos rrezikuar kategorinë, njëri nga komisioni mendoi ta ndihmonte punëtorin në fjalë me një pyetje shtesë: - Dëgjo, shoku mekanik... Po të bëj një pyetje, por kujdes se nga përgjigja varet edhe kategoria... Do të më thuash se “sa dhëmbë ka ingranazhi 76 dhëmbësh?” Punëtori, kaloi pështymën poshtë mollës së Adamit dhe iu përgjigj: 82! -Kujdes, pse shpejtohesh? Mendohu pastaj thuaje përgjigjen,- ndërhyri anëtari i komisionit. - Po e përsëris pyetjen: Sa dhëmbë ka ingranazhi 76 dhëmbësh? Punëtori mekanik, pasi u tendos mirë mbi të dy këmbët, kthen këtë përgjigje: - 78 dhëmbë”! Ishte e pamundur që mekaniku të kuptonte se pyetja shoqërohej edhe me përgjigjen.

Qysh në ditët e para të “demokracisë” kryeministri i ardhshëm, Rama, e ka treguar vetë se sa “dhëmbë ka ingranazhi”, por asnjë socialist nuk e ka kuptuar. “Komunistët në litar, veteranët në hanxhar”, thirri e shkroi ai në nëntëdhjetë e dyshin, por socialistët, nuk ia vunë veshin, përkundrazi e thirrën në krye të Ministrisë së Kulturës, pastaj në krye të Bashkisë së Kryeqytetit dhe duke vijuar me “pastaj” të shpejta, i dhamë kreun e partisë më të madhe në numër me inicialet PS, për ta kurorëzuar në krye të oxhakut tonë qeverisës në vitin 2013. Personazhi në fjalë, jo vetëm njëherë e ka thënë se “sa dhëmbë ka ingranazhi 76 dhëmbësh”. Sapo mori kreun e PS, të cilën e ktheu në “Rilindje”, deklaroi pa iu sëkëlldisur fytyra se “ai ishte përtej të majtës e të djathtës”, një variant modern ky i pyetjes “për dhëmbët e ingranazhit”. Kushdo që i kishte sytë në ballë dhe trutë në kokë, duhej ta kuptonte se “përtej të majtës e të djathtës”, nuk ka asgjë tjetër, veçse fashizëm. Por fatkeqësisht socialistët dhe elektorati i shumtë që ka pas kjo parti, ishin trullosur dhe nuk mund të shihnin më larg se hunda e tyre. Trullosjen ua kishte shkaktuar regjimi kontravers e antikombëtar Berishian, ndaj siç pati thënë gazetari i “Provokacies” Muç Nano, ishin gati të merrnin (dhe morën) në gjirin e tyre të gjitha “qelbësirat” kundër “qelbësirës” së madhe me emrin Sali Berisha. Dhe pasojat e kësaj taktike, sot duken ashiqare. Por çudia më e madhe ndodhi pasi Rama mori pushtetin në vitin 2013, pushtet që e ristartoi edhe më 2017. Tashmë ai kaloi nga sloganet në veprime konkrete. Dhe veprimi më i dukshëm, ishte rehabilitimi i kryeballistit Mit’hat Frashëri, alias “Lumo Skëndo”, shoqëruar me paralajmërimin që veteranët të ulnin kokën e të mos ndjeheshin. Për të arritur tek veprimi më i fundit neofashist i heqjes së emrit të Heroit Qemal Stafa nga stadiumi 75-vjeçar, ku motivi për fitimin e 650 mijë eurove në vit, është një alibi e shëmtuar, që u afrohet ta gëlltisin adhuruesve të heroit me emër të madh, të cilët po të numërohen, kalojnë dyfish numrin e votave me të cilat kryeministri Rama mbërtheu postin e kryeministrit. Tashmë, falë Ramës, në krye të pushtetit e të shtetit nuk është Partia Socialiste, as Rilindja e shumë trumbetuar. Në krye të oxhakut sot kemi “Ballin Kombëtar”, ku kryeministri i vetëquajtur socialist ka marrë postin e dikurshëm të Mit’hat Frashërit. Dhe jo vetëm në krye të qeverisë, por “celulat” e Ballit janë shtrirë në të gjitha zyrat e pushteteve vendore, që zotërohen nga socialistët, të cilat sëbashku me ato të Saliut e të Monikës (sot disa, e nesër shumë disa), kanë formuar një “trio” violinistësh, me një tel të vetëm, atë të neofashistëve. Për të saktësuar këtë që thashë për “celulat balliste” të “akredituara” nga kryeministri socialist, po sjell dy shembuj sinjifikativë: Në datën 7 gusht 2019, në qytetin e Rrëshenit, përkujtohej 70 vjetori i rënies së Heroit të Popullit Bardhok Biba. Unë, autori i këtij shkrimi, i ftuar në këtë aktivitet, u kërkova organizatorëve që në mbledhjen solemne organizuar në Pallatin e Kulturës, të më jepnin fjalën për të përshëndetur. Përshëndetjen time e bazova në tri arsye: Së pari, si bir dëshmori; Së dyti, si ish-nxënës për plot 7 vjet (shtatëvjeçare plus gjimnaz në vitet 1957 – 1964) në shkollën dhe konviktin që mbante emrin e Bardhok Bibës; Së treti, si përfaqësues i Partisë Komuniste, ku Heroi i Popullit ishte ndër komunistët e parë të Mirditës, komisar i çetës partizane Pukë - Mirditë dhe së fundi Sekretar Politik i PKSH (PPSH). Kërkesa ime u kundërshtua nga kryetari i bashkisë, që mban siglën e përbashkët me Ramën. Kërkesës sime ai iu përgjigj:

“Zotni, ne Bardhok Bibën nuk e njohim si komunist”, përgjigje që vulosi fatin e përshëndetjes sime. Ai kishte të drejtë, ndërsa unë isha gabim. Ceremonia në fjalë organizohej nga “celula” ballisto – bajraktariste, që Rama ka ngritur si në të gjitha bashkitë e vendit edhe në atë të Mirditës. Dhe kuptohet që unë, anëtari i Partisë Komuniste, nuk mund të kisha akses në ceremonitë balliste. Episodi i dytë për ringjalljen e celulave të Ballit Kombëtar na vjen nga Librazhdi. Shoku im i idealeve, Haxhi Allko, shkon në veprimtarinë e organizuar me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit të Librazhdit, duke mbajtur në dorë portretin e Komandantit të Përgjithshëm të LANÇ, por policët e bashkisë socialisto-balliste të Ramës, e godasin dhe e dhunojnë me urdhër të kryetarit të kësaj bashkie, që ka ardhur në pushtet edhe me votat e komunistëve. Në mbyllje të shkrimit, dua të rikthehem edhe njëherë në veprimin më të fundit të Ramës, atë të afishimit të heronjve e dëshmorëve të LANÇ në bulevardin që mban emrin e tyre. Në dukje një veprim i mirë, që i ka dhënë “shpirt” iluzionit tridhjetë vjeçar socialisto–ramist. Madje edhe analistë të hollë të shtypit dhe intelektualë vipa, e kanë quajtur nje reagim pozitiv të kryeministrit dhe kabinetit të tij qeveritar. Unë mendoj të kundërtën. Afishimi i fotografive të heronjve të LANÇ në Bulevard është një hipokrizi e një djallëzi mefistofeliane ndaj veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe gjithë atyre që mbrojnë LANÇ, e që përbëjnë shumicën e shqiptarëve. Dhe kjo, jo vetëm për mungesën e fotografisë së Komandantit Enver Hoxha që i udhëhoqi këta heronj e dëshmorë në luftë, por për diçka tjetër më perverse. Argumentet e mia për këtë konkluzion:

Së pari: Fotografitë e heronjve dhe personaliteteve të tjera, madje edhe fotografitë e njerëzve të thjeshtë, nuk mund të varen nëpër shtylla, apo nëpër litarë, që kalojnë nga njëra anë në tjetrën të bulevardit. Estetikisht kjo është e papranueshme. Ato duheshin afishuar në pavijonet e muzeumeve, por edhe në mjedise të hapura që nuk i mungojnë kryeqytetit. Varja në shtylla, a nuk ngjan si varjet që fashizmi u bënte komunistëve dhe luftëtarëve të LANÇ?! Së dyti: Unë nuk besoj se heronjtë e LANÇ nderohen duke u vendosur në të njëjtin vend dhe me të njëjtën skenografi me portretet e klerikëve të “martirizuar”, që u vendosën kur Papa Françesku pelegrinoi në vendin tonë. Përndryshe emri i bulevardit në fjalë, duhet të dublohet dhe krahas “Bulevardi i Dëshmorëve”, duhet të shtohet edhe “Bulevardi Martirëve”, duke e ndarë kështu atë në dy pjesë, siç ne shqiptarët ndajmë edhe shumë gjëra të tjera të pandashme. Po, cili ishte qëllimi i vendosjes së fotove të heronjve të LANÇ po në atë vend e po me atë skenografi si “martirët e klerit”? Kujtoni Pilatin, si veproi me Barabën dhe Jezu Krishtin, të kuptoni dhe lojën e kryeministrit tonë, e të “sozisë” së tij atje në bashkinë e madhe. Personazhet tona, i vendosën portretet në fjalë aty ku patën afishuar të kundërtën e tyre, për të realizuar dy qëllime: Së pari: T’u thonin veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve, kontigjentit kryesor të votave, se ja “ne po punojmë dhe po e vlerësojmë LANÇ dhe 75-vjetorin e saj”, ndonëse që nga janari kur ka nisur ky jubile i madh, e deri më sot që jemi 15-16 ditë para datës jubilare, as komisioni i kësaj feste nuk njihet nga qytetarët. Së dyti: Ata e dinin se afishimi i fotografive, pikërisht aty ku u afishuan “martirët” e klerikëve, do të nxisnin “Tufët”” dhe Tufëzinjtë” që vetë kanë krijuar, për të nisur një luftë verbale midis fitimtarëve dhe të mundurve në prag të përvjetorit të madh të Çlirimit të Atdheut. Nga kjo ndeshje, “Pilatët” do t’u thonin dhe po u thonë, veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve se “ne e bëmë punën tonë, por ja, se ç’na bëjnë ish-ballistët dhe pinjollët e tyre prandaj merruni vetë me ta”. Nga ana tjetër, kjo grindje midis fitimtarëve dhe të mundurve, e cila ka nisur e vijon prej tri dekadash, si gjithnjë u shërben qeveritarëve për të mbuluar sado pak gjynahet që kanë bërë dhe krizën e thellë politike, ekonomike e shoqërore që i kanë “dhuruar” vendit. Në mbyllje pyes publikisht përfaqësuesit e Veteranëve të LANÇ; ata të Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve; të Organizatave dhe Shoqatave Atdhetare; ish-ushtarakët e Ushtrisë Popullore; ish-komunistët e dikurshëm të PKSH (PPSH); intelektualët e ndershëm, të urtë apo flegmatikë qofshin; gjithë qytetarët që janë në krahun e në mbrojtje të LANÇ dhe që përbëjnë shumicën dërmuese të popullit: Edhe tani pas shembjes së piedestalit të kuq të Heroit të Popullit Qemal Stafa dhe ngritjes së piedestalit të zi të kryeballistit Mit’hat Frashëri, ne do të vijojmë të lexojmë romancën “Edhe yjet rrinë e vështrojnë”!

Nga Gjon BRUÇI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 07/12/2019 - 07:15

Është praktika më normale që një kryeministër dhe çdo qeveritar të takohet me qytetarët nga më i zakonshmi në një cep të Shqipërisë deri tek njerëzit e shquar, ata që kanë bërë emër me personalitetin, punën, idetë, zg

Postuar: 07/12/2019 - 07:14

Kaluam një tragjedi të madhe, me humbje jetësh e materialesh, që nuk përshkruhen dhe as nuk harro

Postuar: 07/12/2019 - 07:12

Sipas vlerësimit nga shkencëtarët, në botë për çdo ditë ndodhin mijëra tërmete të intensiteteve t

Postuar: 07/12/2019 - 07:08

Vazhdon të rezultojë si një pyetje e rëndësishme ajo që tundon të gjithë: A mund të riparojnë dëm

Postuar: 06/12/2019 - 07:13

Nuk e njoh së afërmi dhe nuk kam patur asnjë rast të vetëm për t’u takuar ballë për ballë m

Postuar: 06/12/2019 - 07:11

Tërmeti i fuqishëm i 26 Nëntorit që goditi Shqipërinë, me qendër në qytetin e Durrësit, mori shum

Postuar: 06/12/2019 - 07:09

Me thënë të drejtën sapo lexova lajmin “bombë” se Agron Tufa na qenkësh arratisur dhe