BREAKING NEWS

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi
x

Opinion / Editorial

Tundu, tundu o flamur, bota hiq e ne prapë vur!

Tundu, tundu o flamur, bota hiq e ne prapë vur!

Po kush na nëpërkëmb ne dhe a është e vërtetë kjo? Sigurisht që na nëpërkëmbin dhe është shumë e vërtetë. Këtë mos e mendoni si mllef të një nacionalisti të sëmurë, as të një kozmopoliti të çoroditur, i cili bëhet mik i të gjithëve, si me miqtë ashtu dhe me armiqtë. Në ditën e rënies së heroit legjendë Adem Jashari, duke medituar për të, nuk ka se si akti i tij heroik, të mos më rrëmbente shpirtin dhe zemrën, (si të çdo atdhetari tjetër shqiptar), sepse te shpirti i tij, nuk shohim simbolin heroik të një individi, as të fisit “Jasharaj”, por të të gjithë shqiptarëve të cilët shekuj mbas shekujsh u mëkuan në djep me ndjenjën e madhe të atdhedashurisë, me shpirtin luftarak e të sakrificës, se lufta për liri e pavarësi është ideali më i lartë i vendit të shqiponjave. Falë këtyre cilësive, jemi popull që kemi mbijetuar madje dhe po mbijetojmë edhe pse armiqtë tanë si ata për-rreth, por dhe Europa reaksionare, asnjë herë nuk na e ka dashur, madje dhe nuk na e do të mirën. Historia e ka dëshmuar, por dhe e dëshmon, se në momentet më kulmore, por dhe në krizat që kanë kaluar perandori të ndryshme të Europës, apo dhe Azisë, popuj të vegjël e sidomos Shqipëria, ka qenë një plaçkë tregu, e cila shërbente për të rregulluar“gramaturat” e shitblerjeve europiane. Konferencat, kongreset, takimet e lordëve e ambasadorëve londinezë, traktatet që nga Shën Stefani e deri në Berlin, prej Rome, Londre, Parisi e deri në Rambuje, matrapazllëqet e tyre në periudha të ndryshme historike janë maskuar e na janë ofruar, si “dashamirëse” të çështjes shqiptare. Ato, në më të shumtat e rasteve kënaqnin fqinjët tanë, si Serbinë, Italinë, Greqinë e Malin e zi me qëllim që perandoritë europiane të ruanin ekuilibrat. Krahas kësaj, duhet theksuar se si asnjë vend tjetër, që nga Shpallja e Pavarësisë e deri më sot, kemi qenë i vetmi vend në Ballkan i cili përherë dhe si asnjë tjetër, jemi çuar në këmbë për “Çështjen tonë të madhe Kombëtare”. Pikërisht, kjo luftë e shqiptarëve i ka tmerruar qarqet e Europës, ngaqë ajo ka qenë dhe ngelet armikja më e egër e luftërave që bëjnë popujt për liri e pavarësi kombëtare. Nëse ajo “përkrahu” shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe luftën e popujve të kësaj federate, nuk kishte hallin e këtyre popujve dhe as të popujve sllavë që vuanin sundimin e Rusisë dhe carëve të rinj, përkundrazi, këtë luftë dhe këtë shpërbërje e shthurje të sistemit socialist, ata (Europa) e shikonin si një shans të madh për të dobësuar kundërshtarin e vet, Perandorinë Ruse. Europa, deri në rënien e ”Murit të Berlinit”, deri sa u sigurua se të gjitha vendet e ish-bllokut komunist (socialist) bënë një hap të madh mbrapa, ajo i përkrahu, në të pastajmen, çdo lëvizje të popujve me karakter nacional e çlirimtar ajo ka ndërhyrë, për ta shuar atë. Në pamundësi të shuarjes së tyre, ajo ka ndërhyrë për të orientuar çdo lëvizje të këtij karakteri sipas dëshirave të saj. Europën e trembin dy faktorë: Së pari - e tremb çdo luftë nacional çlirimtare dhe fitore e saj, sepse luftra të tilla janë edhe shembull për popujt e tjerë. Së dyti Europën e tremb shumë Perandoria Ruse dhe për këtë qëllim, ku heshtur e ku hapur ajo bie në një mendje me të, sikurse ka ndodhur me çështjen e Kosovës, Krimesë, Sirisë, me çështjen e Katalonjës së Spanjës etj. etj. Në luftën e Kosovës, Europa e mbështeti në heshtje luftën, sepse nuk donte ta prishte me Jugosllavinë dhe Rusinë, por nga ana tjetër e donte luftën për interesa të saj, që vendet e këtij rajoni të shkëputeshin nga ndikimi gjenetik sllav, duke kaluar nga ana e Europës, veçse këto vende, nëse donin dhe aspironin për tu futur në “Bashkësinë Europiane”, duhej me doemos të zbatonin ato çka do tu diktonte Europa. Dhe më së fundi, lufta në Kosovë përfundoi me fitoren e saj. Kur shprehem “e saj” e kam fjalën për Europën, sepse populli shqiptar i Dardanisë vërtet e hoqi zgjedhën shekullore të shovinizmit më të egër në Ballkan, por ai fitoi një liri të kushtëzuar, një liri dhe sovranitet të kufizuar. Po pse kjo? Mos vallë Europa nuk e di se dardanët nuk janë të kënaqur prej saj?! Sigurisht që e di, por ajo do që të kënaqi dhe Serbinë dhe Rusinë. Ajo nga ana tjetër ka dhe hallin e Greqisë, e cila nuk dakordësohet me Maqedoninë. Po vetë populli shqiptar si nga kjo anë e kufirit dhe matanë tij a nuk e dinë se në shekuj ne kemi kërkuar lirinë dhe pavarësinë tonë, sikurse dhe zgjidhjen drejt të çështjes shqiptare? Në luftën për çlirim, populli shqiptar dhe bijtë e tij të krahinës së Dardanisë, u ngritën dhe në beteja valonte flamuri kombëtar. Në kullën e Jasharajve plumbat e shovinizmit nuk goditnin thjesht mbi luftëtarët, por dhe mbi flamurin tonë. Ideali i Jasharajve, Gërvallajve, Zekajve, Zhitajve, Rekajve, e qindra mijëra të tjerëve heronj e heroina që vaditën tokën me gjakun e tyre, në themel të idealit kishin jo vetëm pavarësinë, por dhe bashkimin me trungun amë. Në betimin e UÇK-së shprehimisht në mënyrën më të qartë shkruhet: “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftojë për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre se do të luftojë për t’i mbrojtur interesat e shenjta të ATDHEUT. Betohem”. Pra, betimi e shpreh qartë se lufta për çlirim nuk ishte thjesht një çështje kosovare, por një çështje e madhe shqiptare. Kjo u harrua si nga tradhtarët e Shqipërisë që i shisnin armë e naftë Serbisë, duke ndenjur sehirxhinj, madje nuk dërguan asnjë batalion në luftë (teksa në vitet 40, ndërsyen dy batalione, në mbështetje të fashistëve italianë për pushtimin e Greqisë), por dhe nga vetë udhëheqësit shqiptarë të Dardanisë, të cilët rendën dhe pritën në luftë me flamurin e shqipes, nga ku mbase morën dhe vetë plagë, apo tërhiqnin mbi supet e tyre dëshmorët e vrarë. Pra flamuri ynë i kuq u skuq edhe një herë me gjakun e dëshmorëve. Unë nuk besoj në mrekullitë e natyrës, por ja që dhe vetë natyra, jo rastësisht Shqipërinë e ke vendin e parë në Ballkan për lulëkuqet. Jemi popull që jo vetëm tokën, por dhe lulet i kemi lyer me gjak, jemi popull që flamurin e kemi jo simbol lufte sepse ne jemi paqësorë gjer në univers, por e kemi simbol që na ka prirë e na prin në betejat për ekzistencën tonë, ekzistencë kjo e cila nuk mund të kuptohet pa kryengritjen e armatosur dhe në ballë na ka prirë flamuri kombëtar. Po si ndodhi që Europa na fali një flamur tjetër? Kush ishte ai shqiptar i cili e pranoi i pari atë leckë turpëruese?! Flamur të tillë, kurrë nuk ka patur në histori që të vendosin të tjerët të ta bëjnë dhuratë. Flamur, që nuk ka asnjë pikë gjaku, flamur i ftohtë (bluja në artin e pikturës i përket ngjyrave të ftohta) dhe për më tepër, flamur i cili e tregon në mënyrën më kategorike madje dhe injoruese sepse nuk ka dhe as nuk ka për të patur bashkim me Shqipërinë. Këtë gjë e kanë shprehur rrufjanët e Europës, sepse duke konturuar e vizatuar kufijtë e saj në flamur (pra dhe kufijtë na i vendoska Europa), le të kuptojë që është shtet më vete, i cili nuk ka aspak të bëjë me Shqipërinë, madje jo vetëm kaq, por për ta bërë sa më bindëse kanë vendosur në flamur dhe 6 yje si simbol të vëllazërimit të etnive, ndërsa dihet se etnitë atje përfaqësojnë një sasi thuajse të pallogaritshme. Po pse e bën Europa këtë? Mos vallë lë shteg të hapur që në rast të “një lëvizje pro serbe” brenda Dardanisë, i rezervon dhe i jep të drejtën Serbisë të ndërhyjë në mbrojtje të vëllezërve të tyre serbë që po “masakrohen” dhe “keqtrajtohen” nga shqiptarët? Po kasta drejtuese e Shqipërisë, a nuk e konsideron si fyerje kombëtare, praninë e një flamuri, i cili nuk ka aspak lidhje dhe asnjë element që të përfaqësojë historinë e këtij populli. Pranimi i flamurit tjetër, është akt i madh tradhtie, sepse pranon tezen e shovinizmit serb, se Dardania nuk është shqiptare, është tradhëti, sepse braktiset dhe nga vetë qarqet tona drejtuese direkt apo dhe indirekt pavarësia reale e gjithë shqiptarëve. Kjo duhej bërë qysh sa fitoi luftën populli ynë dhe bijtë heroikë të Dardanisë, jo vetëm të mos pranohej flamuri por të bëhej menjëherë bashkimi pa pyetur Evropën. Mos vallë kur e filluam luftën e pyetëm atë? Në luftë vendosëm ne, pse në paqe dashka të vendosë Evropa? Po tani që Albin Kurti, printe nëpër demostrata madje dhe në podiumet e Kuvendit të Kosovës, ai vendoste flamurin kombëtar dhe gjithë deputetët e tij në jakën e xhaketave mbanin distiktivin me flamurin kombëtar, e që nuk pajtohej me flamurin e falur prej Evrope si do të veprojë? Do vendos flamurin e shqipes apo do ulin kokën poshtë kolltukut të butë, në emër të kërkesave të Evropës, për integrim në bashkësinë Evropine? Të jetë vallë se bashkësia evropiane mohon çdo çështje kombëtare? Unë mendoj e Evropa është kundër çdo lloj iniciative me rëndësi kombëtare... pa pyetur më parë vet Evropën Le të mendojnë si të duan unë nuk e njoh aspak Kosovën shtet, sikurse nuk i’a njoh as flamurin. Unë njoh Shqipërinë dhe Dardaninë pjesë të patjetërsueshme të Mëmëdheut. Teksa po përfundoja këtë shkrim, mu kujtuan ca vargje... Tundu tundu or flamur / përmbi shkëmb e përmbi gur / Bota hiq se nuk e dashka / Ata hiq- e ne prapë vur!