Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Toka nuk gjen qetësi/ Dy lëkundje të forta tërmeti godasin gjatë natës Shqipërinë, ja ku ishte epiqendra dhe sa ballë

Toka nuk gjen qetësi/ Dy lëkundje të forta tërmeti godasin
x

Opinion / Editorial

Turisti i huaj në dy orë zbulon si në Ksamil me natyrën bëhet horror!

Turisti i huaj në dy orë zbulon si në Ksamil me natyrën

Ksamili është një nga perlat e bregdetit shqiptar. Janë të shumtë të huajt që nisnin rrugëtimin qindra kilometër për të mbërritur në këtë oaz kaltërsie, atje ku deti përmbyt bregun me kaltërsinë e tij mahnitëse dhe ku pastërtia e ujit është nga më cilësoret në glob. Numri i turistëve që lënë plazhe fantastike në vende të ndryshme të botës dhe vijnë në këtë qytezë për njëmijë arsye është mjaft i lartë. Njëra prej të cilave dhe kryesorja është pastërtia e ujit dhe bukuria mahnitëse e ekosistemit që krijojnë, jo vetëm ishujt si të pikturuar në telajo nga mjeshtra të mëdhenj të penelit, por mbi të gjitha për klimën, qetësinë, kulinarinë, diellin që lind dhe nuk perëndon. Për mëngjeset që ndriçohen nga tejdukshmëria e kupolës qiellore dhe valët që përkëdhelin e latojnë shkëmbinjtë shekullorë, ku gjallesat dalin nga guvat e gurëve e rrëshqasin drejt e në ujin e tejdukshëm në disa metër thellësi. Vijnë edhe për të vizituar një nga mrekullitë e lashtësisë, qytetin antik të Butrintit, vepër e mbrojtur nga UNESKO, si një nga mrekullitë e njerëzimit. Janë të shumtë të huajt që më parë se takimin me detin ta nisin me vizitën në Butrint. Ksamili nga një qytezë, ku para vitit 1990 kishte vetëm pesë pallate, sot numëron qindra hotele luksoze të areduara më së miri me arkitekturë elegante, të bukur dhe komoditete që të lënë mbresa e të ftojnë t’i përjetosh. Dalëngadalë ksamiliotët po ia marrin dorën turizmit dhe përshtatin mjediset për të pritur gjithnjë e më shumë turistë nga e gjithë bota. Po mbi gjithçka, ajo që të fton në Ksamil është natyra e virgjër, deti blu me plazhet e vegjël buzë pyjeve dhe shkurreve që të mundësojnë të kesh kokën në hije e trupin nën rrezet e diellit. Askush nuk i di shifrat ekzakte që popullojnë Ksamilin në pikun e plazhit. Bujtësit, vijnë nga i tërë globi. Nëpër rrugët e Ksamilit, gjatë mbrëmjeve të verës, dëgjon të gjitha gjuhët e globit. Dhe mëson se në këtë qytezë mahnitëse, pranë e pranë, qëndrojnë nën yjet që pikojnë nga kupa e ndezur e qiellit, anglezë, polakë, francezë, spanjollë, amerikanë, rusë, ukrainas, italianë, belgë, holandezë e shumë nacionalitete që vijnë këtu dhe pushojnë me ditë të tëra, duke i dhënë gadishullit përmasat e një qyteti me kufij të stërmëdhenj. Turizmi ka nxitur ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturën në përgjithësi pasi edhe nevojat janë shumë më të mëdha pasi Ksamili dhjetëfishohet në muajt e verës dhe të gjithë kanë nevojë për shërbime. Kështu lindën njëri pas tjetrit, hotelet, motelet, resortet, bankat, postat e shpejta, u shtuan autobuzët urbanë, mjetet e komunikimit dhe të udhëtimit. Verës Ksamili kthehet në një park gjigand makinash të të gjitha llojeve dhe ngjyrave. E njëjta edhe me jahtet e anijet me vela, skafet e motorët e ujit. Shërbimet shëndetësore, janë të pranishme për t`u ardhur në kohë rekord në ndihmë atyre që kanë nevojë. Të gjitha këto e kanë bërë të njohur Ksamilin dhe janë ana e ndriçuar e tij. Ksamili është kthyer edhe në një burim i madh fitimi i gjithë atyre që merren me turizëm. Shumë prej banorëve janë në fund të ndërtimit të hotelit të dytë apo të tretë. Dhe kjo ka shtuar qytetarët që synojnë të kenë në këtë qytezë një aktivitet hotelerie apo thjesht shërbimesh. Pikërisht, kjo ka sjellë edhe etjen për të pushtuar territore e për të zaptuar troje edhe në vende që shkatërrojnë natyrën e cënojnë vet zhvillimin e turizmit. Raste të shumta kanë qenë ato që kanë sakatosur mjediset rreth rezidencës së shtetasve francezë, të cilët me kontributet e tyre personale kanë ndërtuar një godinë solide me rreth njëzetë apartamente me të gjitha mjediset që nevojiten. Rreth territorit të rezidencës, dhjetëra herë individ të etur për fitime, kanë pushtuar territore e kanë dëmtuar mjedisin përreth, duke sjellë shqetësime dhe ankesa tek shtetasit francezë, të cilët i janë drejtuar Bashkisë Sarandë për zgjidhje. Jo pak makina parkohen në mjediset pranë, ku piqen qofte e ushqim i shpejtë, era e të cilave ka bërë që të mbyllin dritaret pasi aroma e rëndë ndot tërë mjedisin. Po zëri i tyre është mbytur me tymin që del nga makinat kuzhina dhe askush nuk e vë ujin në zjarr për t`i spostuar në mjedise të tjera, për të mos cënuar askënd që ka zgjedhur këtë qytezë dhe ka derdhur miliona për ta shijuar. E njëjta histori edhe me plehrat. Janë jo të pakta ndërtimet pa kriter në vende të ndryshme të qytezës. Në jo pak raste në mes të pyllit me shkurre, dikush i panjohur, gërmon dhe ngre me shpejtësi një ndërtesë apo lokal shërbimi. Jo pak raste pa asnjë dokument apo leje ndërtimi, duke shkelur çdo kriter urbanistik. Pikërisht, këto ndërtime e kanë bërë qytezën paska amebë, të ngatërruar dhe në vende të veçanta e kanë kthyer qytezën në xhungël, ku shtëpitë qëndrojnë ngjitur me njëra- tjetrën, si të ishin sardele në kuti konservash. Rasti më i fundit i shkatërrimit horror të natyrës në gadishull ishte ai i ndërtimit të dy lokaleve buzë detit në sy të gjithë qytetarëve dhe nën hundën e dhjetëra inspektorateve, pa pyetur për ligj dhe rregull. Dhe më e keqja, duke vënë dorë mbi natyrën e virgjër të Ksamilit, si e vetmja pasuri e gjelbër që rrethon gadishullin. Shqetësimin për këtë grabitje të natyrës nuk e ngriti asnjë nga mijëra banorët që e shkojnë mëngjes -mbrëmje atë që bëhet në Ksamil. Të mos harrojmë se lakmia për fitime vite më parë bëri që individ të papërgjegjshëm të presin si me sharrë një pjesë të njërit prej ishujve më të bukur, duke e kthyer atë një zgavër që pikon lot kaf balte. Një sakatim që në asnjë vend të botës nuk tolerohet. Pikërisht për shkatërrimin e natyrës dhe ndërtimet pa kriter, këtë herë u desh të na e tregonte një çift i huaj që ishte në qytezë për turizëm. Kur pa godinat e ndërtuara në vendin më të pazakontë ai nuk priti po foli me forcë. Denoncoi në mediat lokale. Qytetarët e Ksamilit e Sarandës pas kësaj revolte, u njohën me njoftimin se: “Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ka shembur dy ndërtesa pa leje në Ksamil, gjatë ditës së sotme pas denoncimit që bëri një shtetas i huaj. Dy objektet e shembura për të liruar hapësirat publike në plazhe, janë lokale private, të cilat ishin ndërtuar pa leje për aktivitet gjatë sezonit veror”. Sa e trishtë! Dhe më tej turisti i huaj shfaq habinë se si mundet që dikush të vërë dorë mbi natyrën që u takon të gjithëve. “Unë isha këtë fundjavë, duke lundruar rreth ishujve të Ksamilit dhe më pas qëndrova atje për dy orë me familjen time dhe pashë këtë situatë. Kjo ndërtesë mbiu brenda dy orëve nga asgjëja, turp për institucionet që janë përgjegjëse për të mbrojtur këtë vend të bukur. Nuk e di nëse është e ligjshme apo jo, por shkatërrimi i natyrës është një mënyrë e gabuar për të ardhmen e vendit tuaj”, denoncoi i huaji. Ky denoncim kurajoz është një mësim i madh për ne që bëhemi njësh me të keqen. Pajtohemi me të. Së pari për shurdh-memecërinë e institucioneve. Këto ndërtime janë bërë në sytë e të gjithëve. Atje sigurisht, kanë kaluar inxhinierë të njësisë administrative, të bashkisë, ata të mbrojtjes së territorit. Të gjithë i kanë parë, po asnjëri nuk vuri ujin në zjarr të lëvizte as gishtin për t`i thënë ndal grabitjes së territorit dhe shkatërrimit të natyrës. Indiferenca e institucioneve, qytetarëve, mbyllja e syve, është pasaporta që u jepet të gjithë atyre që duan të shkatërrojnë dhe përfitojnë pa djersë, duke cënuar natyrën dhe të bukurën. U desh thirrja e turistit të huaj që ksamiliotët dhe institucionet të zgjoheshin dhe të shihnin si rrëmbehet toka dhe i vihet kazma pyjeve dhe bregut të detit. Shteti duhet të qëndrojë në këmbë në ruajtje të Ksamilit ashtu si tërë bregdetit shqiptar. Nuk duhet pritur që të huajt të na zgjojnë për të mbrojtur natyrën tonë. Po mbyllëm sytë para të keqes, vetëm do kujtojmë me nostalgji: Na ishte njëherë, një Ksamil i bukur, ishujt fantastikë, pylli buzë detit, ku vërshonin mijëra turistë. Po tani, ah tani, si na iku nga duart pa pritur kjo bukuri?