Opinion / Editorial

Turpërimi Machiavelli-t në "akshihanet" e Tiranës!

Turpërimi Machiavelli-t në "akshihanet" e Tiranës!

Dikur në diktaturë Machiavelli-n ose babain e shkencës moderne politike, na e "shpjegonin" si pikërisht degradimin dhe imoralitetin politik "borgjez, kapitalist, feudalist dhe biles praktikuar nga revizionistët". E baza e këtij "programimi urrejtjeje" ndaj një nga mendjeve më të zgjuara të kohës si Rilindjes Europiane dhe Italiane ishte shprehja "qëllimi justifikon mjetin".

Po pra, pa shpjeguar asgjë, pa lexuar asgjë dhe pa ju dhënë të drejtën njerëzve të lexojnë mbi të gjithë filozofinë e krijuar, apo bazat e saj të hedhura në shkencën politike nga Nicolo Machiavelli. Asnjëherë e shkruajtur fraza e famshme "qëllimi justifikon mjetin" nga pikërisht Machiavelli, për politikën idiote që kishim dhe për fat të keq që kemi edhe sot e ka bërë gjeniun e politikës moderne njeriun që dje "shante Enveri" dhe sot këta të korruptuarit që ai (Enveri) ka lënë pas, të përdorin pikërisht Machiavellin si "demokratë dhe modernistë" duke mos lexuar dy radhë dhe duke e turpëruar atë në mënyrë të qartë dhe idiote.

Kurse Machiavelli është njeriu i paradoksit sigurisht dhe shpikës i shkencës moderne politike krejtësisht pa paragjykime, por absolutisht i gjithi i pakorruptueshëm, si shtetar që ka qënë. I pakorruptueshëm dhe kjo është thelbësorja pavarësisht momentit modern pasues në politikën e kohës. Interpretimi i gabuar deri idiot i filozofisë së tij, dikujt i ka bërë "punë". Në fakt, "machiaveli-zmi" përfaqëson te raporti i diktaturave dhe regjimeve më vonë, një sjellje pa skrupuj, ku ajo që vlen është fundi i favorshëm për vete, personal, pikërisht i adaptuar nga regjimet. Kurse në të kundërtën te veprat e Machiavell-it lind ideja e përgjithshme e fundit që justifikon mjetet, por që autori e propozon si fund autentikisht moral dhe jo tipikisht individual kur marrin frymë diktatorët dhe sundimtarët, por i adoptuar nga kush qeveris për të shpëtuar dhe ruajtur të mirën e shtetit dhe të mirën e popullit.

Kaq dhe asgjë më shumë se sa kaq! Por në "kuzhinat" e Tiranës apo më mirë të them "akshihanet" e saj politike, ka dalë që me mbarimin e regjimit të Hoxhës, praktika e ideve të tij, por duke bërë atë që ju kishte "shpjeguar" ai (Enveri) dhe që në fakt nuk ishte realisht - Machiavelli! Sot ma ktheu në ide shkrimi, një koleg imi në gazetën SOT, në mënyrë të qartë dhe mjaft mirë, por dje këtë marrëzi ma kishte thënë jo vetëm një politikan, por dhe "filozof" i madh i joni në ditët e sotme. Ai dhe një pjesë e modelit si ai në "akshihanet" e Tiranës, të cilat pastaj shpërndahen nëpër rrethe akoma më keq, praktikojnë me sukses (sipas tyre) "machiaveli-izmin" sepse ky është dhe suksesi i kohës, ky është modeli që duhet ndjekur sipas tyre gjithmonë. E çfarë bëjnë për të qenë "machiaveli-stë"? E qartë fare - vjedhin, korruptojnë, korruptohen, grabisin, mashtrojnë dhe në fund fare, përfitojnë nga të gjitha poshtërsitë që bëjnë, sepse kjo është modernia te thënia e Machiavelit: “Fundi justifikon mjetet”. Tani këta tipa, këta monstra korrupsioni dhe krimi elektoral, shoqëror dhe politik justifikohen se janë machiavelistë të "shquar" në politikën moderne të Tiranës.

E para, nuk kanë lexuar asgjë dhe janë injorantë të plotë, por e dyta, janë një dorë të pagdhendurish, sepse sigurisht janë pasuruar, por tashmë gjithkush i ka kuptuar se janë hajdutë dhe asgjë tjetër e nuk kanë lidhje me asnjë lloj filozofie në botë, sepse nuk ka të tilla që të thonë - vidh, sepse mund të justifikohen të gjitha në fund. Machiavelli shkruan: Duhet gjithsesi të dini se ka dy mënyra për të luftuar dhe njëra është me ligje dhe e dyta është me forcë! Të parën e bëjnë njerëzit kurse të dytën e bëjnë shtazët. Të dy partitë kryesore (edhe e treta) në Shqipëri, gjatë demokracisë kanë provuar të dytën si rrugë pra forcën, por PD-ja dhe lidershipi i saj është "par exelance" partia e rrugës së dytë për të cilën - Machiavelli flet qartë dhe mirë si rruga shtazarake. E këta thonë ne jemi machiavel-istë. E kanë fjalën - modernë pra. Po ta kishin lexuar mirë Machiavellin do të dinin qartë çfarë thotë ai për ofendimin, i cili është pjesë organike e fjalorit të politikës në "akshihanet" e saj në Tiranë. Machiavelli thotë: “Njerëzit ofendojnë ose për frikë ose për urrejtje”.

E të dyja teorikisht janë pjesë e çmoralizimit individual në politikanët sot në akshihanet e Tiranës! Por e bukur është kur ish-ministra dhe ish-deputetë dhe ish-qeveritarë të lartë, por dhe ata në pushtet të pasuruar dhe të rritur financiarisht në pushtetërim, mendojnë se nuk janë asgjë më shumë, por vetëm një "lojë machiaveliste e politikës moderne". Po po, ma ka shprehur njëri prej tyre në mënyrë të qartë dhe sinqertë! Por Machiavelli thotë kështu: “Ministri duhet të vdesë më i pasur nga fama e mirë dhe mirësia, se sa nga pasuria”! Më falni, po unë nuk njoh një të tillë në Shqipëri apo të prodhuar në "akshihanet" e politikës shqiptare. Po të ekzistojë, atij i duhet bërë një lapidar (përmendore) si i vdekur dhe i gjallë, që të shikohet me kilometra larg. Po e them me bindje se kështu e meriton. Por ka shumë të ngjarë që të mos jetë asnjë. Sepse, kanë "ndjekur" Machiavell-in që ju thoshte dikur Enveri. Po pra njeriun që bën çdo gjë si borgjez, feudal, aristokrat, i keq plotësisht dhe që shtypte masat e që kur erdhi demokracia e interpretuan për mirë në atë të kundërtën e shpejtë "aty për aty" që ju kishte thënë- diktatori. Prandaj o burra të vjedhim të plaçkitim, sepse kjo është mënyrë machiaveliste dhe kështu duhet. Ky është kapitalizmi dhe kjo është demokracia. Më e bukura është kur thonë ky është "pragmatizëm machiavel-ist". Tipike e "akshihanes" së madhe politike në Tiranë.

Nuk e di kush kryeqytet e ka më shumë në Ballkan këtë retro-kulturorë se sa Tirana, që sigurisht është modeli më i arrirë dhe kulturor i joni apo më kozmopoliti. Nuk e di kush. Imagjinoni se çfarë gatuhet në "akshihanet" e periferisë, rretheve dhe qendrave suburbane në Shqipëri. Në sajë të Machiavelit ata nuk ndalen para asnjë krimi ekonomik dhe financiar, por dhe ordiner, mjafton të bëhet jeta e tyre më e pasur dhe më e bukur në fund. Megjithatë po e mbyll me një frazë tjetër të Machiavellit që thotë: “Duhet çmuar pak të jetosh në një qytet (vend) ku kalojnë më pak ligje, se sa njerëz”. E kjo është përgjigja më e mirë që mund të kuptosh nga Machiavelli dhe për të sotmen në Shqipëri. Aty ku "kalon më pak ligji se njeriu" është vend ku nuk duhet të çmosh si i mirë për të jetuar. Prandaj njerëzit ikin nga Shqipëria, duke ditur se "akshihanet" e Tiranës pikërisht këtë marrëzi politike gatuajnë dhe thonë se është e Machiavellit.