Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Fillon procesi gjyqësor ndaj Izet Haxhisë, nisin telashet për Sali Berishën, Prokuroria kërkon thirrjen e dëshmitarëve përfshirë ish-kryeministrin, Ylli Rakipin...

Fillon procesi gjyqësor ndaj Izet Haxhisë, nisin telashet për
x

Opinion / Editorial

U humb aq shumë, ta lëmë kauzën të humbë

U humb aq shumë, ta lëmë kauzën të humbë

Hidhërimi i madh i pafjalë që la pas dridhja e tokës, pse-të e pafundme që do na mundojnë gjatë, shtangia e momentit dhe vëllazërimi e të gjendurit e menjëhershëm me fatkeqët mbetet sprovë për mbarë shoqërinë, që hidhërimi të lehtësohet sadopak dhe në respekt të jetëve të humbura të mos lëmë të humbasë kauza për drejtësi dhe ajo për të vënë gjërat në vend. U shkua deri atje ku nuk mban më, ndaj dhe diçka sublime, e paimagjinueshme deri dje dhe që duhet të na shkundë të tërën si shoqëri duhet të ndodhë tani si ndjesa dhe respekti më i thellë për ato jetë. Tërmeti shkundi tokën dhe bashkë me të edhe shpirtin e ndjesinë e shoqërisë. Zemrat e vrara që humbën të dashurit, shtëpi e katandi, vetë shpresa tek jeta, lypin një orë e më parë drejtësi. Bamirësia, vëllazërimi, solidariteti dhe vëmendja njerëzore janë virtyt dhe dashuri që na bëjnë nder të gjithëve si shoqëri, miq dhe partnerë ndërkombëtarë. Bashkë me drejtësinë, këto vlera do të jenë fytyra e re e shoqërisë që ngjalli kjo fatkeqësi. Fatkeqësia nuk ishte thjesht pabesi e natyrës. Ishte dhe pamundësia e dështimi jonë si shoqëri për të bashkëjetuar me të, teksa në 30 vjet kemi sfiduar natyrë dhe territor. Në plan të gjerë, përgjegjësia fillon me politikat e mbrapshta që spekuluan për qëllime politike apo abuzive me lëvizjen qytetare dhe aspiratën për strehë e jetesë më të mirë. Nga mungesa e një strategjie urbane që do të shmangte ndërtime vend e pa vend duke mos kursyer këtu dhe bregdetin, që do shmangte presionin në qendrat e lagjet historike dhe do nxiste krijimin e lagjeve-unazë, me banesa që do ruanin traditën e kahershme, por dhe atë pozitive të kohës së monizmit, nëpërkëmbja e zbatimit të rregullave të shtetit ligjor me legjislacionet e mbetura në letër, anarkinë urbane, ndjekja e kritereve në ndërtim, fati i kontrolleve e verifikimeve në vijimësi, larja e duarve me ligjin e privatizimit të banesave dhe legalizimin e shtesave, administrimin e banesave etj. që lanë hapësirë për abuzime e ndërhyrje vend e pa vend që ndikojnë në sigurinë e objekteve, trajtimi i fondeve prej privatizimit të banesave apo legalizimit të atyre që hynë në toka të pronarëve apo ish-ferma shtetërore në funksion të ndërtimit të banesave dhe mirëmbajtjes etj. Dhe jo pak përgjegjësi kemi dhe ne të gjithë si shoqëri, që gjetëm rrugën më të shkurtër për të fituar kohën e “humbur” deri dje duke votuar, besuar dhe deri pajtuar me politikën e mbrapshtë që me alibinë e ekonomisë së tregut promovoi në heshtje një “garë” të ethshme materialiste, me dhe pa rregulla, që iu kundërvu vlerave morale tradicionale të të parëve tanë nga bashkëjetesa mes njerëzve dhe harmonia me natyrën, solidariteti urban, ndjenja e pronës së përbashkët dhe kujdesi për të etj.

“Tërmet” ligjor kurdo e kudo

Solidariteti mbarëpopullor nuk do mungojë, por sot nga ligji, shteti, specialistët, politika e përgjegjshme, OJQ-të presim të bëjnë të tyren dhe sa më parë. Shoqëria ka nevojë urgjente për drejtësi dhe qetësim. Shumë gjëra të shtrenjta humbën dhe nuk kthehen më, por në një moment ekzistencial dhe profil-formues për një komb si kjo fatkeqësi dhe pasojat e saj, duhet të ngushëllohen shpirtrat e lënduar, qetësohen zemrat gjakngrira dhe ushqyer sa më shpejt shpresa për më mirë. Mbarë shoqëria në gjendje shoku ka nevojë për llafin e gjestin e ngrohtë dhe e para gjë që nuk honepset në këto rrethana është sherri i sajuar politik, të cilin politika bën mirë t’ia kursejë situatës së rënduar në vend. Krahas nxjerrjes së përgjegjësive dhe ndëshkimit të abuzimit, mbështetja ndaj të mbijetuarve dhe siguria dhe qetësimi i qytetarëve është parësor. Vetë puna për vlerësimin e dëmeve dhe garantimin e cilësisë së ndërtimeve është voluminoze sepse nuk bëhet fjalë vetëm për banesat në zonat e prekura, por në mbarë territorin e Republikës ku makutëria ka lënë gjurmë. Ndërtimet ekzistuese duhet të rivlerësohen nga pikëpamja e sigurisë dhe në rast ndërhyrjesh të nevojshme diktuar nga mangësitë e ndërtimit, fatura duhet të përballohet prej ndërtuesve. Ndërtimet e reja duhet të respektojnë standarde “japoneze” dhe po ashtu duhen verifikuar dhe forcuar rregullat për zgjerime apo shtesa katesh duke ndërhyrë e korrigjuar modifikimet që cënojnë sigurinë e ndërtesave. Duhet të rikthehet tradita e ndërtimeve nga ajo 3-5 katëshe si në kohën e Enverit, qytezave-lagje me shtëpi private 1-2 katëshe me hyrje të veçantë për më shumë se një familje, në zona periferike që ngrihen mbi një plan infrastrukturor të plotë etj. Duhet të ligjërohet sigurimi shtetëror ndaj pronës për fatkeqësitë natyrore si tërmete, përmbytje, erozion etj., që do të garantojë fondin e duhur shtetëror (sikundër shteti monist dikur) që duhet të hiqet mënjanë dhe përdoret për ndërhyrje në raste fatkeqësish duke shmangur pozicionin e vështirë financiar nga ana e shtetit sikundër po ndodh sot. Po ashtu duhet të rikthehet praktika e administrimit shtetëror të banesave me kuotat shtetërore përkatëse (si dikur Komunalja dhe Pasuria e Shtetit) se privati, sado sado, i bie shkurt dhe problemet madhore në blloqet e apartamenteve duhet të përballohen nga vetë shteti duke filluar nga mjediset e përbashkëta, shtesat apo zgjerimet, ashensorët, tarracat, fasadat, trotuaret, kanalizimet, ndërhyrjet nga jashtë etj. masa që specialistët i gjykojnë më mirë. Privati nuk ka shkop magjik dhe mania e privatizimit të gjithçkaje duhet të marrë fund. Shteti ta fillojë me kaq dhe atëherë po, mund t’ia lëmë kusuret e tjera natyrës dhe të fajësojmë atë. Deri tani nuk është pabesi e natyrës, por e palo-shtetit të tranzicionit, politikës zullumqare dhe shoqërisë që qoftë nga halli i mbijetesës, mungesa e përvojës në demokraci apo edhe indiferenca e perëndimit ndaj politikës abuzive, u familjarizua dashje pa dashje me të keqen 30 vjet. Ndoshta do vëmë mend tani dhe paqtimi e solidarizimi në hidhërim do të lërë gjurmë për më tej. Tërmeti i “verbër” dhe fatkeqësia që la pas mbolli makth gjithandej duke na rikujtuar se jeta nuk duhet të jetë “o Mete për vete”, por duhet të jetojmë edhe për njëri-tjetrin si dikur, se askush nuk është ishull më vete dhe se përpara partive, duhet të na bashkojë respektimi i ligjit dhe rregullave si premisë për një shoqëri që nuk gërryhet nga sfilitja për mbijetesë, materializmi stresues dhe egoizmi i pafre, por rehaton dhe qetëson mendjen e qytetarit që punon më me besim për të ardhmen kur e ndjen se askush e asnjëherë nuk braktiset në fatin e tij. Rutina ditore, lajmet non-stop të politikës, efektet e reformave të mëdha në vend etj. nuk duhet kurrsesi të zbehin sadopak kauzën e çmuar të drejtësisë që humbja e madhe la si amanet pas. U humb aq shumë që të lëmë të humbi dhe kauza. E kemi detyrim ndaj jetëve që ikën. Ndryshe do humbim çdo vlerë si shoqëri.

Nga Artan Xh. DUKA