BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Opinion / Editorial

U trembën rilindasit nga Charli i presidentit, apo...?

U trembën rilindasit nga Charli i presidentit, apo...?

Çudirat këtu nuk kanë fund. Ato bëhen pa tregohen. Para disa ditësh Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit, u mblodh për të disatën herë dhe dukej sikur arriti në fundin e tij duke dalë në konkluzion që presidenti, “e ka mbushur kupën plot” duke bërë shkelje të rënda ligjore dhe për këtë ai duhet të shkarkohet. Kjo do t’i paraqitej Kuvendit në mbledhjen më të afërt. Afërsisht në dhjetëditëshin e fundi të muajit Korrik. Ka më shumë se një vit që Grupi Parlamentar i Rilindjes që heton shkeljet kushtetuese nga Presidenti e kishte bërë mendjen “top” që “opozitari” president, po bën shumë “xhible” dhe si i tillë, ai, nuk mund të jetë “simboli i unitetit” përderisa ka më shumë se dy vjet në këtë post dhe e ka justifikuar për të qënë “simboli i përçarjes së unitetit”! Deri këtu, nuk ka asgjë të keqe, mbasi kështu ja “preu” Rilindjes dhe kështu vendosi mbasi janë brenda kuadrit ligjor. Por më pas, ç’ndodh? Po atë ditë që Komisioni Hetimor i kishte mbledhur të gjitha faktet, presidenti zgjodhi një mënyrë tjetër duke qënë në vazhdim të asaj që kishte deklaruar gjithmonë, që “Mua, këtu do të më keni “pilaf”, deri në muajin Korrik të vitit 2022 bile edhe me dorën mbi Kushtetutë”. Edhe në mbledhjen e fundit, kur “shejtani” hidhej, “xhamajeti”, përsëri qeshte me një qeshje të shtirur sikur donte të thoshte: Shiko shiko, kush kërkon të më shkarkojë mua, këta që unë as i kam patur dhe as i kam në “refene”. Për këtë, kishte edhe shumë të tjerë që mendonin atë që rilindasit, nuk kishin “këllqe” të shkarkonin presidentin, jo se tek ai nuk gjenin shkelje të rënda të Kushtetutës, por sepse, siç do të shohim më poshtë, këtu bëhen pazare, bile pazare të ndyra dhe të gjitha këto, jo për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, por për interesat e veta. Nejse... Siç e thamë, në mbrëmjen e asaj ditë të mbledhjes së fundit të Komisionit Hetimor, Presidenti u shfaq bashkë me qenin e tij “Charli” me gojën e hapur dhe i gatshëm për të kafshuar. Pranë tij, presidenti dukej sikur thoshte: “E shihni këtë që kam pranë? Ky, një sinjal kërkon nga unë dhe turret dhe se cili do ta pësojë, unë nuk e di, por di këtë, që ai në radhë të parë do të “shqyejë” ata që kërkojnë të më shkarkojnë mua nga posti i Presidentit”! Të jetë e vërtetë kjo që rilindasit u trembën nga qeni Charli apo diçka tjetër ndikoi që të ndërrojnë mendje? Edhe unë nuk besoj që ata u trembën nga qeni, por ka diçka më tepër se kaq, por problemi është që, pse u bë tërë ajo zhurmë për të shkarkuar presidentin dhe tërë kjo “zallamahi”, ishte një “tullumbace” që sa të hapësh e të mbyllësh sytë, u shfry. Nuk është mendojmë, as ajo që tani i erdhën “mendtë” Komisionit Hetimor dhe menjëherë u “zbythën”! Midis asaj ç’ka ishte parashikuar, pra për ta shkarkuar dhe këtij vendimi të papritur që: “Presidenti, me të vërtetë ka bërë shkelje por këto shkelje, nuk e justifikojnë shkarkimin e tij” dhe tërheqja nga e menjëhershme, kjo e dyta është shumë herë më e rëndë për rilindasit. Të paktën, të kishin çuar deri në fund vendimin që kishin marrë dhe më pas Parlamenti ishte ai që do të vendoste nëse shkarkohej ose jo. Beniamin Franklin, thotë: “Sa shpejt plakemi, por sa vonë na vijnë mendtë, apo bëhemi të zgjuar”. Rasti në fjalë a nuk tregon që rilindasve, u kanë ardhur mendtë në fund të mandatit? Kush i detyroi ata që do të merrnin vendimin për shkarkimin e presidentit? Askush! Vetë e vendosën këtë dhe mirë apo keq, kështu ja mori “mideja” dhe kjo është edhe njëfarë “burrërie”. Në të kundërtën, duke i “lëpirë ato që pështynë” më parë, kjo “pabythësia” e kompromenton rëndë imazhin e Rilindjes. Dhe kjo sikur të ishte një rast i vetëm edhe shumë rëndësi nuk do të kishte, por kjo, është në vazhdën e shumë angazhimeve të tjera që ka marrë përsipër rilindja dhe ose nuk i ka çuar deri në fund, ose i ka bërë sa për “show” dhe më pas i ka hedhur pas krahëve. Për hir të së vërtetës, duhet të pranojmë që krahasuar me opozitën e sotme, e përsëris, krahasuar me opozitën që nuk është asgjёkundi, Rilindja, është një hap përpara, mbasi në fillimet e marrjes së pushtetit diçka bëri për të bërë shtet, e filloi me bujë, por shumë shpejt u tërhoq mbase e kuptoi, kushedi që e kishte marrë me “tërsëllëm” dhe duhej të ulej pak ritmi. Edhe që po vepronte me pjekuri edhe kjo nuk justifikohet, sepse u lanë në mes të rrugës, duke rënë në pozitat e opozitës, e cila kjo ka qëndruar gjithmonë në anën e kundërt të të bërit shtet. Janë, as më shumë e as më pak, tridhjetë vite që në këtë vend bëhen vetëm pazare, por jo pazare nga ato që bëjnë njerëzit e ndershëm, por pazare nga më të pistat. Këto, nuk janë vetëm këto afro afro tre vite që Ilir Meta është President, por gjatë tërë periudhës së tranzicionit, tranzicion që nuk ka të mbaruar kurrë. Kemi njohur në këta tridhjetë vite tranzicion pazare të tilla si: “Më jep këtë antar të Gjykatës Kushtetuese, të të miratoj këtë ligj”; “Më jepni kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, t’iu bëj këtë lëshim”; “Miratojeni këtë ministër sipas propozimit që bëj unë që ligjin tuaj ta shtrojmë për miratim”; “Ky antar i Gjykatës së Lartë më takon mua dhe jo juve”. E ç’të thuash më parë? Ja kështu ka vazhduar e do të vazhdojë edhe në të ardhmen, bllokime, ngërçe, ngecje, kriza, krizë për reformën zgjedhore, krizë për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, krizë për kodin e zgjedhjeve, krizë për emërimet, krizë për anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, krizë për Avokatin e Popullit, krizë për listat e hapura apo të mbyllura, krizë, krizë, krizë në pafundësi. Sikur t’i marrim të gjitha krizat me radhë, përsëri ato nuk bëjnë aq sa bën ajo më kryesorja, kriza e besimit tek kjo klasë politike. Ja të marrim një shembull. Ka më shumë se tre vite që thuhet: “Së shpejti do të bien në rrjetën e drejtësisë “peshqit e mëdhenj”” dhe “tiganët” vendosen në zjarr! Kjo është më shumë se për të qeshur. A e dini pse? Sepse “peshqit e mëdhenj”aty në breg të detit, lëvizin pak bishtin dhe spërklat e ujit shkojnë në “tiganin” që është venë në zjarr, “vaji” merr flakë dhe “të zotin” që e ka vendosur e përvëlon. Ditë për ditë thuhet që “OFL, shkon e troket në derën e një trafikanti, M.Z për t’i sekuestruar pasurinë. Ky M.Z., mund të jetë ndonjë që mbledh kanoçe dhe “prit gomar të mbijë bar”! Po pse xhanëm të shkojë OFL-ja si lypsar, përderisa ata “peshqit e mëdhenj” kanë dalë në rërë në Gjirin e Lalëzit apo kudo në bregdet dhe shullëhen? Pse OFL-ja nuk i kap këta “peshq” e t’u marri pasurinë, por endet në kërkim të “parajsës së humbur”? Sikur t’u sekuestrohet pasuria tërë oligarkëve që kanë tridhjetë vite që bëjnë pasuri do të shlyhet edhe borxhi prej 80 % që ka shkuar e do të teprojë edhe për qytetarët fakirë... Nëqoftëse kjo klasë politike nuk do të bëjë këtë, nuk ka për të krijuar kurrë besimin e qytetarëve. Të tjerat, janë “pordhë me rigon”! Populli tashmë është i ngopur dhe tek askush nuk ka besim për të përmirësuar apo për të sjellë ndonjë përparim, Kjo është e para. E dyta, është që në demokraci, koalicionet, nuk janë gjë e keqe, përkundrazi, le të paraqesin alternativat e tyre për të bërë diçka për këtë vend. Kohët e fundit, dy janë ato për të cilat bëhet “sherr”. Koalicionet, të ndalohen apo të lejohen dhe listat e hapura. Kur Partia Socialiste ishte për listat e hapura, opozita kërkonte listat e mbyllura. Kur PS-ja ishte për listat e mbyllura, opozita kërkonte të kundërtën, pra “pse i dhatë ujë të ftohtë gomarit, ma keni ftohur”, “pse i dhatë ujë të ngrohtë, ma keni përvëluar”! Listat e mbyllura, bënë atë që në Parlament të depërtonin edhe njerëz të dyshimtë dhe të pleksur me lloj lloj pisllëqesh. Nga ana tjetër, sa më shumë koalicione, aq më mirë është, por problemi është mbas fitores në zgjedhje. Ta zëmë sikur koalicioni i Bashës do të fitojë “kulaçin”. Në këtë “kulaç” kërkon “racionin” e tij edhe Nard Ndoka, që kacavirret pas Bashës edhe Fatmir Mediu që nuk i ka mbetur asnjë “ushtar, edhe “Xhuvelistët” që nuk kanë “shkrepur një pushkë”, duan pjesë! Atëherë, si do të bëjë Basha, kujt t’ia prishi dhe kujt t’ia ndreqi? Këtu, pastaj fillon e kriset koalicioni, fillon ndarja dhe përsëri herën tjetër fillon nga zeroja. Hidhen sa andej këtej partitë, lëpijnë atë që “pështyjnë” pa iu skuqur faqja fare. Bëhen e ç’bëhen, koalicione, “mbarsen” apo “pjellin” gjithçka bëhet për politikanët, që ata të fitojnë zgjedhjet e të vijnë në pushtet dhe nga ana tjetër se çfarë do të përfitojnë qytetarët, kjo, as që diskutohet fare, sepse ata, për tridhjetë vite kanë qënë: “Ç’la dimri, gjeti behari”. Ashtu si kanë qënë ashtu janë përsëri bile edhe më keq akoma se në fillimet e demokracisë. Qytetarët kërkojnë ujë, atë që natyra e jep pa shpenzime, kërkojnë rrugë, kërkojnë mirëqenie, kërkojnë punë, por për këto “qiqra në hell” as ka menduar dhe as që mendon kush. Jo vetëm bizneset ngrejnë çmimet, por edhe shëndetësia, bile krerët e saj shesin gjoja dezinfektantë, por jo për të shëruar, por për të vdekur qytetarët, siç është metanoli. Dikur, edhe presidenti dhe LSI-ja e tij ishin për Bashën “streha e fundit e maskarenjve” kurse Basha për presidentin ishte “Njeriu që të gënjen edhe kur e pyet për orën”. Sot, janë në “muajin e mjaltit” sepse i lidh opozitarizmi. Presidenti, ky “simbol i unitetit” sot është bërë opozitar, më opozitar se vetë opozita. Ai nuk thërret apo nuk shkon në zyrën e kryeministrit për të bërë diçka për këtë popull, por thërret atë që i lidh “halli” i njëjtë, që të vijnë në pushtet apo të mbajnë pushtetin përballë “gogolit” Rama. “Kryeopozitari” president pret e përcjell në zyrën e tij kreun e opozitës, sot dhe “kryeministrin” e ardhshëm. “Kryeministri” që pret radhën, tund kokën dhe miraton çdo gjë që i kërkon presidenti. Këto ditë Basha i shkoi në shtëpi presidentit pa u gdhirë mirë, duke mbajtur dy gishtat përpjetë. A thua që edhe Basha edhe presidenti, kërkojnë liri e demokraci? Kujt ja kërkojnë këtë këta “burra shteti”? Mos ja kërkojnë qytetarëve? Çfarë “dashurie” në kohë “kolere”. Sot që presidenti me “ndihmën” e Charlit të tij e siguroi qëndrimin në detyrë deri në Korrik të vitit 2022, ndihet komod si asnjëherë tjetër pavarësisht shumë zhgënjimeve që ka sjellë në këta vite dhe kontributit që ka dhënë bashkë me Rilindjen për të mos patur as Gjykatë Kushtetuese, as Gjykatë të Lartë, as integrim në BE. Gjithçka tjetër është hipokrizi... Populli në krizë, ekonomia në ngërç, drejtësia e bllokuar, integrimi në BE, kur të plotësohen kushtet që kanë mbetur në letër...