BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Udhë të mbarë HEC-i Skavicë

Udhë të mbarë HEC-i Skavicë

Sihariq! Sihariq i madh që duhet të ngazëllejë çdo shqiptar anembanë Ballkanit, Europës dhe Botës. Nuk ka më të rëndësishëm lajm se ky për shqiptarët në këto 30 vite. Një vepër që do t’i gjenerojë vendit 100 milionë euro në vit! Zotat na mblodhën dhe vendosën: Të hidhen themelet e digës së HEC-it më unikal në botë! Aty në Skavicë. Dhe menjëherë kryeministri ynë shkoi e firmosi me avionin e posaçëm. Do të fillojë urgjent ndërtimi i HEC Skavicë-443 (lartësia e digës mbi nivelin e detit). Është sivëllai i vogël i gjigantit S-485, vepër kjo me rëndësi të madhe strategjike. Edhe pse me një rezervuar uji 3 herë më të vogël, S-443 do i zgjidhë bindshëm detyrat e të madhit. Rëndësi ka që diga do të ngrihet në Skavicë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Talenti i inxhinierëve tanë P. Radovica e Nesti Lubonja u rishfaqën dhe vunë në vend autoritetin shqiptar! S-443, është varianti II më i pranuar se ai pakrahasueshmi S-485. Ka shpenzime mjaft të ulëta në zhvendosje popullate dhe shpronësimi. Shumë mirë! Në kushtet që po jetojmë edhe intelektualët, inxhinierët e elektroenergjitikës e miratojnë këtë vendim, këtë zgjidhje, por me 1 kusht: Luginës së Drinit të Zi të mos i humbasë perspektiva, që do të thotë: të shfrytëzohet në maksimum lugina e Drinit të Zi, duke riplotësuar digën S-443, pra për të kaluar në S-485. Gjatë shfrytëzimit të S-443, duke kaluar edhe 10-15 vjet, do të gjenden mënyra më të lehta për zhvendosjen dhe shpronësimin. Pse? Sepse:

-Popullata në luginën që zhvendoset nuk ka ngelur as 15 për qind të asaj të vitit 1988 të regjistrimit të fundit;

-Zhvendosja do të udhëhiqet nga politika e mbipopullimit të luginës mbi izoipsin h=485 m, duke këmbyer sipërfaqet e tokës;

-Do të jetë synimi i riardhjes dibrane në luginë dhe jo si tani që janë të shpërndarë si zogjtë e korbit! Rivazhdimi i jetës së gjallë dhe të plotë;

-Themelimi i traditës shekullore të shqiptarisë në njohje të plotë, moderne dhe mbresëlënëse të historisë. Ajo e sotmja është pothuajse asgjë, zero me bisht, ku disa ideologji ngjajnë me lugën bosh;

-Për perspektivën e Skavicës së Madhe S-485, janë garantuar edhe aeroporti i Kukësit, prej nga do të vijë bota jashtë. Dhe Rruga e Arbrit që do të dynden nga gjithë Ballkani.

Përfitimet kryesore të HEC Skavicës janë:

1.      Nga prodhimi direkt elektrik i vetë HEC-it, rreth 50 milionë euro

2.      Nga optimizmi i HEC-eve të Skavicës, Vaut të Dejës, Komanit, Fierzës, etj => 24 milionë euro

3.      Nga obsesioni i çmimit maksimal, me një studim të mirëfilltë dixhital të tregut për mosblerje në pikë=> 6 mln euro

 

80 mln euro fitime total nga energjia elektrike

4.      Përfitim fondesh nga mirëangazhimi i tyre në investime për argjinatura për mospërmbytje (gjithsej 300 mln euro), shpërndarë në 20 vite i takon => 15 mln euro

5.      Të ardhurat nga turizmi malor, liqenor, peshkimi etj., => 5-10 mln euro

TOTALI i fitimeve 110 milionë euro

Vëreni me kujdes, çdo vit HEC Skavicë do të derdhë në arkën e shtetit vetëm nga energjia elektrike 80 milionë euro. Ky është një argument se Shqipëria dhe dibranët do i thonë jo varfërisë. Por çfarë i kërkohet Dibrës? Vetëm 1 për ind e pellgut ujë mbledhës të të gjithë luginës prej afro 6000 km² (më saktë 5885 km²). Rreth 40 km² do zënë sipërfaqe toke që referuar sipërfaqes totale i takon as 1 për qind. A s’kanë me i fal dibranët kaq tokë duke i shpërblyer me 80 mln euro në vit!?

 

Shoqata Skavica -443 (ose S-485)

Në mars 2016 në Tiranë u mblodh kryesia e Shoqatës Dibrane, me kryetar B. Kapexhiu, ku relatori foli mbi një orë për avantazhet e HEC-it, duke u ndalur veçanërisht në dobitë e basenit, të turizmit elitar. Autori A.Bunguri, e përshkruan luginën e Drinit të Zi si një nga luginat më të bukura në botë. Nuk i luhet as presja. Por po t’i shtosh kësaj lugine me dhjetë degë malore dhe një liqen, që nuk kap asnjë për qind të sipërfaqes tokësore, çfarë vlerësimi do të marrë? Përgjigja: Lugina në vendin e parë në botë! Pa asnjë eufori, mbivlerësim, apo patetizëm mburravec, e tillë do të bëhet kjo luginë. Gjatë relatimit u theksua se Shoqata Dibrane duhet të shpalosë një vlerësim në popull, njohje të problemeve. Të mos dilet me sloganin anakronik dhe në rastin e S-443, si një investim strategjik për kombin e dibranët, që: - nuk duam HEC, por të shfaqet parulla: Duam HEC Skavica dhe jo Katund i Ri. Kam rilexuar disa herë materialet e profesor A.Bungurit. Ndjehet dhembje e madhe për luginën 8 mijë vjeçare me njerëz. Profesioni i tij e shkakton këtë gjë. Edhe unë po të isha në vend të tij do të bëja të njëjtën gjë. Por duhet theksuar se, epopeja Skënderbeniane me 18 betejat e luginës, nuk do përmbyten të gjitha, vetëm disa. Edhe vendet prehistorike të evidentuara tek artikulli i datës 6 Mars 2016, do të përmbyten shumë pak.

I dashur profesor A. Bunguri, po të them mendimin e fundit: Tradita, historia, veprimtaritë shekullore, etnografia e jetës nuk mbahen më aty ku kanë lindur e jetuar. Ato trajtohen, ruhen, ekspozohen për të mos humbur nëpër muzeume të specializuara, guida pelegrinazhesh, e domosdo në shkolla e libra. Në muzeume janë futur risi moderne me shfaqje dokumentarësh me zë e figurë, modelime të vendosura mbi tavolina etj. Në të do të vinë gjithë shqiptarët, mijërat e milionat Europës e të botës, të shohin të madhin Skënderbe. Në Los Angeles, kur një teatër modern i veshur i tëri me vela të mëdha inoksi, përveç sallës së madhe të koncerteve, kishte mjaft dhoma që bashkëngjiteshin me shumë eksponentë të historisë muzikore të qytetit, por mbi të gjitha: në hyrje të teatrit të jepet telekomanda e duke shkuar në çdo dhomë shikoje e dëgjoje historitë. Sot shumë pak njerëz kanë dijeni, për sa ke shkruajtur në dy artikujt. Mund të dijë një pakicë e vogël dibrane. HEC Skavica me të ardhurat që do të japë nuk e ka për gjë të investojë në një, dy, tre muze të mëdhenj bashkëkohorë. I pari ai i Skënderbeut. Rruga e Arbrit është në përfundim. Të gjithë shqiptarët do ta vizitojnë. Aeroporti i Kukësit do të sjellë turistë nga e gjithë bota. Edhe aktorët Budina këtë do ta kërkojnë nga teatri serioz. Jo 15 korniza fotografish të aktorëve më të mirë, por 3-5 salla të mëdha, ku rreth sallës shfaqen me stil muzeal dokumentarë e relike, qysh nga angazhimet e para të teatrit. Porosi e fundit! Të krijohet Shoqata e vërtetë dibrane, me një nëndegë të quajtur Skavica- 443. Të ketë platforma të plota për ngritjen e ekonomisë, njohjes së plotë të traditës mijëravjeçare, duke propozuar investime të mirëfillta. Bosi Skavicë, nuk do të tregohet dorështrënguar. Të rrojmë e të shohim një krahinë shqiptare të rilindur, zonjë të kohës sonë. Po bëhet Trinia e shenjtë, aeroporti Kukës, autostrada e Arbrit dhe HEC Skavicë, me basenin kuptimplotë. Edhe njëherë, udhë të mbarë HEC-i Skavicë. U ndërtofsh me sa më pak dhimbje dhe sa më shpejt në shfrytëzim!