BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Opinion / Editorial

"Çudia malinje" e politikës, pse shqiptarët nuk reagojnë për demokraci?!

"Çudia malinje" e politikës, pse shqiptarët nuk

Dy "pankarta" të mrekullueshme përcaktuese të mendimeve të sotme prezantuese politike, kishin një të përbashkët të madhe dhe pse ishin krah të ndryshëm politikë. Një parullë pankartë në tubimin e minator-studentëve të një amalgame më tepër të stisur ideore se sa me përmbajtje fikse pavarësisht shumë të drejtave që trajtojnë në monopolin mineral, gjithmonë problem i madh në Shqipëri dhe tjetra ishte e Dashamir Shehit si modeli "babaxhan" bisede, te Ilva Tare. Të parët shkruanin: “Sa më e madhe heshtja aq më e madhe shtypja” dhe i dyti thoshte në studio "Shqiptarët nuk është se ngrihen për demokraci" duke sqaruar se mund të reagojnë për gërvishtjen e makinës. Por kjo ide përvijuese është pothuaj në një shumicë të njerëzve që merren ose luajnë në politikën shqiptare sidomos këto vitet e fundit.

Pra përafrohet ideja se "shqiptari nuk reagon" për të drejta, për demokraci - për pikërisht demokraci. Kemi të bëjmë me idenë se kjo shoqëri ka përfunduar së qeni një protestuese për lirinë dhe demokracinë dhe merret vetëm me vogëlsirat e saj, pa reaguar për të përgjithshmen dhe sidomos padrejtësinë qeverisëse dhe shtypjen e ardhur si pasojë e pikërisht pushtetit. Po pra cilido qoftë ai. Biles Shehi thoshte se "shqiptarët nuk janë francezë". Janë gjaknxehtë pra, por jo francezë, që të ngrihen për të drejta. E në qoftë se Shehi është sigurisht më i ndikuari për të pasur të drejtë, për të mos u paragjykuar në të drejtpërdrejtën e tij folkloriko-politike, të tjerë tipa, ish-pushtetarë, pushtetarë dhe "magazinierë të demokracisë" (SB, ER, LB, IM, MK, FM etj) në Shqipëri, modele të qelbjes së plotë të sistemit pluralist dhe demokratik - e kanë malinjitet (profesionalizëm në zbatim) këtë konstatim ku shqiptarët tashmë janë të pafajshëm. Ne si shoqëri kemi faje të retros tonë kulturore në raport me Europën, por nuk ka faj pikërisht kjo për "arsyen" e heshtjes dhe mos ngritjes.

Ti shkarkosh fajin shqiptarëve për marrëzinë e ushtruar drejt tyre për tre dekada, për tashmë plakjen e një brezi me përrallat e një establishmenti mashtrues dhe kriminal në shpërdorim të demokracisë dhe lirisë, së pronës së shqiptarëve - është një "çudi", e cila ka përgjigje që fillon me pyetjen: Pse të ngrihen? Po pra pse të ngrihen? Sepse janë çuar sa herë ju është bërë thirrje nga partitë, dhe kanë dalë në të ftohët dhe të nxehtë, në shi dhe në erë. Kanë ardhur me furgona dhe autobuza dhe janë ngritur nga buka apo kanë ngrënë byrekë në trotuare, sepse partia i ka thirrur. Kur është ngritur vetë, partia sërish i ka kërcyer përsipër dhe ja ka marrë kauzën për të bërë pazarin e fundit vetë. E ka pësuar në ‘96-tën, në ‘97-tën dhe në ‘98-tën. E ka pësuar në 2017-tën dhe po e pëson dhe sot dhe do ta pësojë gjithmonë, sepse sa herë të futet kjo lloj politike dhe ky lloj mentaliteti dhe sikur të jetë një "popull francez" nuk ka se çfarë bën përballë një marrëzie të tillë elitokratike të korruptuar dhe deviacion filozofik që "josh dhe pastaj të sundon". Shoqëria dhe populli nuk çohen jo se nuk janë francezë (që sigurisht nuk janë, sepse janë shqiptarë), por se edhe kur është çuar është tradhëtuar, është përdorur dhe është dëmtuar në besimin e tij, akoma më keq se kur po qëndronte në qoshen e tij. Jam i qartë se Shehi dhe Qorri i pankartës (besoj se është e tij) mbase janë më të pafajshmit, por e vërteta qëndron te klasa politike e shëmtuar, e cila ka zbehur dhe ka vrarë si alternativën dhe më 21 Janar ka vrarë përfundimisht protestën!

Me 21 janar Sali Berisha ishte aty kur u vranë jo vetëm në bulevard, por u vra dhe protesta e shqiptarëve. Por dhe socialistët me "pararojën" e tyre me hunj dhe makina kundër blloqeve të betonit, treguan vrasjen e protestës demokratike ashtu sikundër vranë demokratët protestën demokratike kur dolën nga Kuvendi. Jo vetëm e vranë protestën, por i mbushëm "top mendjen" pjesës më të madhe të popullit, të mos i shoqërojë askund. Mundësisht as në zgjedhje! Të mos ju bëjë qejfin asnjërës palë, sepse e di se është lojë e ndyrë, e pa besë pushteti dhe jo lojë demokracie! Njerëzit (shqiptarët) nuk çohen për demokraci në Shqipëri, sepse përballë tyre nuk kanë parti demokratike e si pasojë as shtet real demokratik. Këtë duhet ta marrë vesh si Shehi dhe Qorri i protestës së minatorëve dhe pankartave. Por në fakt të dy janë besoj të qartë, kurse ata që janë të paqartë janë malinjët e politikës ish-pushtetërore dhe sot opozitare në PD dhe LSI, por dhe në PS-në e sunduar nga Rilindja!

Njerëzit në Shqipëri nuk ngrihen më, sepse e dinë që demokracia është iluzore dhe nuk bën pjesë në statutet e praktikuara të PS, PD dhe LSI, por dhe të gjitha partive deri te LZHK-ja e Shehit. Për demokraci mund të çohet një shoqëri që bën ndryshimin e madh, por në Shqipëri nuk ke se çfarë ndryshon - janë njësoj të gjitha. Po pra asgjë të përbashkët me demokracinë dhe kjo është realisht e përbashkëta e tyre. Ky është malinjitet, nuk shërohet, mbase mund të kurohet, por vetëm përfundimi i një sëmundje të tillë shëron dhe shoqërinë nga kjo "dëshirë" për të mos u ngritur për demokraci. Deri atëherë shpresoj të ngrihen për para, për makinat, për karburantet dhe për pagat e punën, por dhe kjo është shumë e vështirë me të tilla malinjitete politike dhe ekonomike në Shqipëri. Gati gati e pamundur.