BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Ukë Blakaj, ndihma për nevojtarët, ushqim i shpirtit, bekim prej Zotit!

Ukë Blakaj, ndihma për nevojtarët, ushqim i shpirtit, bekim prej

Me të drejtë, për banorët e Istogut në Kosovë, thonë që janë njerëz që flasin pak dhe punojnë shumë. Njëri prej këtyre banorëve është edhe Ukë Blakaj, i cili ka zbatuar në jetë dy parimet e tij. E para, është që “ndihma për nevojtarët, është ushqimi i shpirtit” dhe së dyti, qytetarët e këtij vendi kanë një shprehje: “Të të kem pranë kur jam në hall, kur kam nevojë mbasi në gëzime është në dorën e secilit”. Të dyja këto parime, t’i themi Uka i zbatuar me përpikmëri sepse përpara se të jetë biznesmen, është njeri me zemër të madhe dhe njerëz të tillë bëjnë edhe vepra të mëdha. Këto bindje të patundura të tij, kanë bërë të mundur që pasurinë më të madhe, të ketë lumturinë. Unë, nuk mund të them që nuk ka të tjerë si Uka, por kur vjen puna për këtë atdhetar, i qëndroj asaj që shprehin të gjithë: “Shqiptar Kosove, si Ukë Blakaj është vetëm një”! Atë pasuri që e ka vënë me shumë mundime, as që e llogarit fare përpara jetës që i japin bashkëkombësit e tij me urimet e tyre, me falënderimet që i japin e që të gjitha siç thotë ai “shkojnë në vesh të Perëndisë”. Këto janë “shpërblimi” që ata i japin atij ashtu si e meriton zemra e tij e madhe. “Lumturinë, ma japin qytetarët në çdo urim, në çdo falenderim që më bëjnë. Këto janë për mua gjithçka, këto janë ato për të cilat unë kam nevojë. Edhe unë kam ikur nga vendlindja për një jetë më të mirë. Kam kohë që punoj në qytetin Fulda të Gjermanisë dhe me punë arrita të bëhem dikush duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës. Kjo, nuk më dha ndonjë kënaqësi të veçantë. Por, të them të drejtën, kënaqësinë që më kanë dhënë qytetarët, me urimet dhe falënderimet e tyre, jo vetëm në rastet kur unë kam bërë ndonjë bamirësi, por gjithmonë në punë e në jetën time e në mënyrë të veçantë nga ata që janë në nevojë, që t’i gjendem pranë, sidomos fëmijë dhe të moshuar më kanë shkaktuar emocione dhe më kanë detyruar që unë asnjëherë të mos ndalem në këtë rrugë, sa të kem mundësitë e mija. Një “bravo”, një falenderim nga qytetarët për Shoqatën “Kosova” e për Firmën, për mua janë “pasuritë” më të mëdha”! Është disi i veçantë nga të tjerët, Uka. Secili, ka synimet e veta, ka qëllimet e veta për të rritur mirëqenien e tij të e të familjes së vet, për të përmirësuar kushtet e jetesës nëpërmjet punës së ndershme. Kjo është ajo ç’ka synojnë të gjithë, të cilët gjejnë rrugët dhe mënyrën për arritjen e qëllimit që i kanë vënë vetes. Por, ja që Uka, ndryshon nga shumë të tjerë. Atë, nuk e gëzon shumë pasuria, aq sa e gëzojnë urimet që merr nga njerëzit në nevojë, nga ata që nuk kanë një shtëpi për të futur kokën, nga ata që mbajnë sytë për të marrë një asistencë me të cilën nuk mund të plotësojnë asnjë nevojë. Këtë, Uka e shprehur qartë: “Çdo vështrim njerëzor që më hedhin njerëzit për bamirësinë që bëj, është për mua njësoj sikur takoj Zotin, i cili më bekon e më jep forca që unë të vazhdoj në këtë rrugë. Nga fjalët e tij, le të shkojmë e të shohim veprat. Tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, ishte një fatkeqësi e madhe natyrore, i cili shkaktoi shumë viktima, shumë të pastrehë e shumë të tjerë të jetonin nën ankthin e frikës. Ukë Blakaj, në këtë kohë kishte ardhur në vendlindjen e tij për të festuar ditën e Pavarësisë e të Çlirimit të Shqipërisë. Askush nuk e nxiti, askush nuk e detyroi që t’i hipte avionit qysh të nesërmen e të shkonte atje ku ai punon në qytetin Fulda të Gjermanisë. I kishte marrë të gjitha masat, që komuniteti shqiptar atje, të festonte me madhështi këtë ditë të shënuar për Shqipërinë. Duhej të arrinte atje, në ditën e Çlirimit, në koncertin e madh që do të bëhej siç i kishte marrë vetë të gjitha masat para se të largohej për në vendlindjen e tij. E ndërsa kolegët do të festonin, Uka nuk do të festonte, por do të shfrytëzonte rastin për të mbledhur fondeve për vëllezërit dhe motrat e tyre që kishin humbur jetën nën rrënojat, që kishin mbetur të pastrehë në të ftohtë e që jetonin nën ankthin e frikës në banesat e tyre që nuk kishin siguri... Thirrjes së tij, iu përgjigjën të gjithë, jo vetëm nga komuniteti shqiptar të organizuar në Shoqatën “Kosova” në këtë qytet, por edhe nga firma e biznesmenë shqiptarë e gjermanë bashkë edhe jashtë qytetit Fulda. Ndihmat e para nga larg, erdhën në Mamurras, Thumanë, Kurbin e gjetkë nga Ukë Blakaj. Por edhe më vonë, Uka, nuk do të gjente qetësi, kur vendin e “pushtoi” infeksioni “Covid-19”! Përsëri kur në muajt e pranverës së vitit të kaluar qytetarët do të karantinoheshin, ndihmat e para do të dërgoheshin nga Gjermania me ndihmën e Ukës. Do të vinte edhe vetë në këtë kohë. Përpara se të mësojmë qëllimin e ardhjes së tij për të mos na zënë në “befasi” le ta prezantojmë edhe në Shqipëri se cili është Ukë Blakaj, në vija të përgjithshme pavarësisht që jemi një komb, por që nuk njihet aq sa njihet në Kosovë. Ka lindur në Istog të Kosovës. Fill mbas fitores së Pavarësisë së Kosovës, për një jetë më të mirë e për plotësimin më mirë të kushteve të jetesës vendosi të emigrojë në Gjermani atje ku kishte edhe shumë bashkëkombës të tij. Kishte shkuar disa herë atje si punëtor sezonal më tepër për t’u prezantuar që ai bënte çdo lloj pune... Do të fitonte shumë shpejt dashurinë dhe respektin jo vetëm të bashkëkombësve të tij, por edhe të vendasve dhe këtë e fitoi me punë, me korrektësi me sjellje shembullore ku në plan të parë kishte atë që të ndihmonte shokët e tij e të fitonte dashurinë e tyre. Duke patur si zanat ndërtimtarinë e brendshme të objekteve, këtë synim do të kishte edhe firma e tij që do të krijonte. Mbas dy vitesh mund e përpjekje, por mbi të gjitha edhe me përkrahjen e kolegëve të tij të cilët e njihnin mirë, arriti të krijojë firmën me emrin “Wolf GmbH” për suvatime objektesh, ndërtime skelash, rregullimi i hapësirave të brendshme punë këto me të cilat do të merrej firma në fjalë. Mbas dy vjetësh në vitin 2010, firma “Wolf GmbH” arriti të funksionojë duke ofruar punë dhe shërbime jo vetëm klientëve të saj në qytetin Fulda, por edhe në qytete të tjera duke filluar që hap pas hapi të shtrijë aktivitetin e saj. Disa nga “armët” kryesore, por jo të gjitha të Ukës, ishin po ato që kishin qenë gjatë tërë jetës së tij, korrektësia, sinqeriteti, profesionalizmi dhe efikasiteti. Megjithatë këtyre “armëve” kryesore, po t’u shtosh edhe eksperiencën, punën e palodhur dhe seriozitetin e Ukës, brenda pak kohësh, Firma, “Wolf GmbH” arriti që të punësojë më shumë se njëqind e njëzet punonjës me numrin më të madh të tyre, shqiptarë nga të dy trojet, Kosova dhe Shqipëria. Kulmin e suksesit, Firma arriti në vitin 2017, kur Uka, themeloi edhe kompaninë e tij të dytë “Wolf Montogebau GmbH”. Objekti kryesor i kësaj firme të dytë, ishte ndërtimi i shtëpive prej druri, e cila fitoi një reputacion besim dhe siguri tek të gjithë jo vetëm në qytetin e Fludit, por edhe më gjerë. Edhe numri i punonjësve, u shtua ndjeshëm. Por përsëri Uka ishte i “pakënaqur” edhe me këtë. Sytë dhe mendja e tij, ishin kthyer nga vendlindja, nga Kosova dhe Shqipëria. Përpara se të vinte në Shqipëri, shkoi në Kosovë, ku krijoi Firmën “Maler Kroni”, e cila me punën e saj është bërë ndër më të preferuarat jo vetëm në Istog, por edhe më gjerë. Uka është edhe anëtar PREMIUM i bizneseve shqiptaro – gjermane dhe si i tillë mban titullin e koordinatorit për regjionin e qytetit Fulda. “Të qënit pjesëtar i këtij unioni, thotë Uka, është një mundësi e mirë jo vetëm për një bashkëpunim më të ngushtë me firmat e tjera, por edhe për përsosmërinë dhe rritjen e efikasitetit përsosmërisë dhe cilësisë së punës të firmës. Për Ukë Blakajn, Shqipëri dhe Kosovë, janë një. Por, populli thotë “Oreksi vjen duke ngrënë”! Këtë ka parasysh Uka, i cili kërkon të shtrijë biznesin e tij edhe më gjerë. Ai, ka në plan që të bëjë një Zonë Turistike në Shëngjin ku ka blerë edhe rreth 5 ha tokë. Do të jetë ky një sukses tjetër i madh për Ukën, apo më mirë të themi për njerëzit me zemër të madhe. Mbasi u njohëm se cili është Ukë Blakaj, ai tani, vjen e zbret në fshatin Gjorm të Kurbinit. Atje, njihet me fatkeqësinë e natyrës të 26 nëntorit dhe ai më i dëmtuari nga kjo fatkeqësi prej tyre ishte familja Xhixha, banesa e të cilëve ishte shkatërruar krejt. Investoi Uka për ndërtimin dhe kompletimin e kësaj shtëpi qysh nga fillimi e deri në përfundim të saj, deri sa t’i dorëzojë çelësat të zotit të shtëpisë, Shpëtimit dhe Mimozës. Pavarësisht se sa para ai investoi për ndërtimin e kësaj shtëpie, që janë afro pesëdhjetë mijë euro, kjo nuk ka rëndësi përpara “pasurisë” që ai mori jo vetëm prej familjarëve, por edhe nga banorët e zonës. Islam Rryci si përgjegjës, i qëndroi mbi kokë punës për ndërtimin e shtëpisë që ajo të përfundonte në kohë dhe me të gjitha parametrat. Uka shprehu kënaqësinë e tij për falënderimet që mori dhe këtë e shpreh “Urimet e tyre, ishin për mua ushqimi i shpirtit dhe mu duk sikur takova Zotin dhe mora prej tij bekimin, që me jep forca që edhe në të ardhmen të eci në këtë rrugë”! Dhe më tej vazhdon: “Zgjodha këtë banesë, jo vetëm për faktin që kjo familje ishte më shumë në nevojë, por edhe për faktin që kjo banesë, është larg rrugës kryesore dhe duke qenë e tillë, duheshin më shumë shpenzime për familjarët për të sjellë materialet dhe këtë e konsultova me shokët e tjerë të shoqatës dhe të zonës këtu, që këto shpenzime, t’i përballoja unë”. Sa shumë kemi nevojë për të tillë njerëz si Ukë Blakaj, që e duan më shpirt Shqipërinë në të dy anët e kufirit e rrjedhimisht nëpërmjet ndihmës në raste fatkeqësish, japin edhe kontribut të çmuar në forcimin e unitetit mes nesh për të cilin kemi aq shumë nevojë sidomos në këto situata që po kalojmë.