Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ultimatumet e mos lëshimit të bashkive, si magazinierët që s’dorëzonin çelësat

Postuar: 11/07/2019 - 07:17

Post 30 qershori është moment për reflektim. Të gjithë kanë ç`të ndryshojnë. Politika shqiptare, ka nevojë për një refresh total dhe një rikonceptim të godinës politike. Çdo kapardisje, se fituam thellë nga mazhoranca, duke u matur me fitoren e 61 bashkive nga Konispoli deri në Pukë dhe entuziazmi i tepruar që mund të shfaqet në disa kategori, veçanërisht tek ata që siguruan një karrige për katër vite në qeverisje të pushtetit lokal, duke i vlerësuar si atribute personale, është vetëvrasje politike. Jo thjeshtë për individët që fituan në një garë pa alternativë për vet bojkotin e opozitës që i ka braktisur të tëra, do ishte një kosto e pariparueshme për mazhorancën dhe një numërim mbrapsht i saj për të ardhmen. Në këtë këndvështrim, të gjitha palët që evidentohen gjithsej katër si faktor dominues politik, si: Mazhoranca, opozita në rrugë, kryebashkiakët dhe Presidenti që ka zbritur së fundi në tapetin e blu të politikës, duke u shpallur si lojtar i njëanshëm i dorës së parë dhe jo arbitër për të kontrolluar lojën, kanë çfarë të korrigjojnë dhe ndryshojnë në themel të punës së tyre. Fjala e Kryeministrit, Edi Rama pas mbylljes së zgjedhjeve, ishte një analizë që i shkonte në tërësi dimensionit të përthyer të politikës në vendin tonë. Ajo që dalloi në fjalën e tij, ishte sjellja, jo si triumfator, arrogant, burracak, po si realist dhe i përulur, thellësisht modest dhe paksa si i zënë në faj. Situata e provokuar në këto gjashtë muajt e fundit në skenën politike dhe vetë shtetin shqiptar, ka shformuar thellësisht demokracinë. Pikërisht, duke lexuar realitetin e ri, ai iu largua llogarive dhe shifrave, përqindjeve, grafikëve se kjo ishte e panevojëshme. Në një fushë, ku portat janë pa portier, mund të bësh gola sa të duash, po gëzimi i fitores mungon. Se cilin munde tek e fundit dhe ndaj kujt fitove në finale? Pikërisht këtë mesazh, Rama e dha me qetësi dhe përulësi, duke folur mes rreshtave se çfarë ngjau, është një përthyerje e sistemit dhe vet demokacisë. Edhe pse, jo të gjitha i ka në dorë pushteti. Vullneti i palëve përcaktohet nga vet ata. Kështu edhe për opozitën, e cila prej kohësh ka zbritur në rrugë dhe po përdor të gjitha format e metodat për të imponuar një politik dhe axhendë personale. Po opozita si po vepron dhe a ka sadopak reflektim post 30 qershorit? Opozita po mbanë qëndrimin më të pashpjegueshëm. Nga njëra anë thërret, fitore dhe mburret që populli mbështeti frontin e bashkuar opozitarë e në anën tjetër anatemon tërë faktorët kombëtar dhe ndërkombëtar që lejuan një precedent të tillë, ku u zhvilluan zgjedhje pa opozitën duke kërcënuar se nuk do ta njohin rezultatin e 30 qershorit. Të fshehur pas dekretit dhe çdekretit të Presidentit të Republikës, i cili e thelloi edhe më shumë hendekun mes palëve politike edhe pse u përpoq të sqaroi se e bëri për të mënjanuar përplasjen dhe luftën civile?! Një argument që populli shqiptar e flaku dhe e grisi si të paqenë dhe tregoi se është shumë vite para vet politikanëve që mendojnë se bëjnë në këtë vend edhe diellin edhe shiun, ditën dhe natën, verën e dimrin. Nga opozita jonë, PD dhe LSI dhe partitë me kryetarë e pa anëtarë, çuditërisht nuk ndryshoi asgjë në sjelljen politike edhe pas 30 qershorit. Vetëm tek opozita nuk arritën valët tronditëse të tërmetit të këtij fundqershori. Asnjë reagim i arsyeshëm. Asnjë ndryshim qoftë edhe minimal. Në ballë të luftës politike, flamur të saj vijojnë të mbeten protestat e kërcënimet, tundja e prangave, kërcënimet, shpifjet, loja me shifra fiktive, mjetet e dhunës. Kjo sjellje, flet për atë se opozita jonë nuk ka bërë asnjë ndryshim në strategjinë e vet, nuk i la asnjë minutë kohë vetes për reflektim. Pa u tharë boja e tabelave të rezultateve i ftoi militantët për protestë kombëtare me shpresën për të trembur shqiptarët dhe për të joshur mbështetësit se qëndresa është e pamposhtur. Si deri sot, vijon t’i ushqejë militantët me iluzionet e fitoreve boshe. Shqiptarët u mësuan me protestat e opozitës. E njohin mirë këtë strategji politike e cila deri sot nuk e nxori për asnjë moment opozitën në bregun e shpresës dhe fitores siç do donte çdo formacion politik. Përkundrazi, kopmpaktësoi edhe më shumë mazhorancën. Mbështetësit e saj lanë në plan të dytë problematikat, qejfmbetjet, pakënaqësitë, inatet që kanë në gjirin e tyre. Kur mazhoranca pa, betejat pa fillim e fund të opozitës, kur anëtarët e simpantizantët e PS-së dhe partive të tjera në koalicion, kur vunë re se opozita ka rrëmbyer të gjitha armët për të ardhur në pushtet me dhunë, kur u dogj Tirana dhe u sulmuan egërsisht institucionet, kur u shkulën pllakat e bulevardeve dhe u zunë pusitë në çdo kryqëzim rrugësh e qendër qytetesh, kur revolucioni imagjinar, se populli, sovrani, kishte marrë në dorë fatet e tij dhe në emër të këtyre aksionve sulmet opozitare nuk kursyen askënd edhe padrejtësisht, atëherë kompaktësimi i militantëve dhe qytetarëve të zakonshëm erdhi duke u forcuar e ngjeshur radhët, duke hartuar mosrealizimet e kërkesave të qytetarëve nga pushteti i mazhorancës që drejton vendin. Në 30 qershor, PS mori më shumë vota se 2015, 2017-ën dhe shumë prej kryebashkiakëve tejkaluan paraardhësit në zgjedhjet e mëparshme. Loja me 85 e 80 përqindsha që shitet si mbështetje e popullit ndaj opozitës, ngjan si një lojë kukullash fëminore, të cilën e përqeshin të gjithë kur e dëgjojnë. Po opozita nuk na zhgënjeu përsëri. Arma e saj mbeti protesta dhe deviza asnjë hap pas në një kohë kur ka shkuar mijëra km larg në drejtimin e kundërt dhe jo në atë që i siguron premisa për të ardhur në pushtet. Është slogan i dal bojë ai i ndonjë analisti apo opinionisti aq më shumë i politikanëve të karrierës, se zgjedhjet ishin fitore për opozitën apo më tej se Basha është i dënuar të jetë kryeministri i Shqipërisë në të ardhmen!? Në tërsinë e çmendurive në këtë pisk vape, dielli në kokë nuk ka rënë vetëm në Presidencë që prodhon nga dy- tre letra në ditë as në shpalljen luftë tërë faktorit ndërkombëtar. Më qesharake dhe tragjikomike kjo çmenduri shprehet në deklaratat e shumë prej krybashkiakëve në detyrë të cilëve u mbaroi mandati dhe nuk janë më përfaqësues të popullit në juridiksionin që mbulonin bashkitë e tyre. Të gjithë betohen se do qëndrojnë në kështjellat e pushtetit. Nuk do lëvizin. Nuk do i lëshojnë. Për ta duket se sundon mendimi. Jetën e japim, bashkinë jo! E para në radhë që u betua se nuk do ta lëshonte zyrën, ishte Voltana Ademi e Shkodërs. Pas udhëtoi në labirinte lufte dhe shpalli betejë për jetë a vdekje para zgjedhjeve, duke kyçur portat e mjediseve ku ishin caktuar vendvotimet, Ademi pas 30-ës, u betua se nuk do ta lëshoj zyrën. Dhe këtë do ta bëjë në respekt të Dekretit të Presidentit I cili dekreton 13 tetorin për zgjedhje edhe pse kjo datë u hodh poshte nga lideri I PD-së Lulzim Basha pasi ai ka kauzë, jo zgjedhjet as datat çfarëdo, po largimin e Kryeministrit Rama, me të cilin nuk hynë në zgjedhje, duke hedhur në kosh tërë përpjekjet e Presidentit. Zonja Ademi nuk i njeh zgjedhjet. Ajo bën sikur në Shqipëri të mos kishte fare 30 qershor, ku mijëra qytetarë votuan edhe pse nën presion, duke i penguar përdhunshëm. Po Ademi nuk është e vetme. Një tjetër kryetar që kërcënon me rezistencë është Mziu i Kamzës. Ai ngre zërin dhe betohet se nuk del nga kështjella, sikur të fliste për një pronë të lënë me tapi nga të parët e tij. Për një akt noterial që e klasifikon si të përjetshëm në krye të bashkisë së Kamzës. Kështu edhe Rira në Përrenjas, kryetari i Pogradecit, Beratit në të gjitha bashkitë ku deri në fundqershor drejtonin përfaqësuesit e PD dhe LSI-së. Edhe kryebashkiakët që u shpallën fitues në 2015 me votat e socialistëve nën një presion të jashtëzakonshëm të forumeve e PS që këmbëngulnin për të votuar aleatët edhe pse e njohin shumë mirë peshën reale dhe numrin e votave që morën nga partia e tyre, përsëri edhe ata bëjnë gangsterin dhe shfaqin karshillëk ndaj ligjit e shtetit. Sjellja si të jenë, jo të zgjedhur dhe të kontraktuar për të shërbyer me votën e qytetarëve, po si bejlerë e agallarë që u duket se u takon qeverisja sa të jenë gjallë, flet për një psikologji mesatare dhe bajraktarizëm ekstrem. Flet për mungesë të etikës, flakje të traditës së rotacionit, shkelje flagrante të ligjit dhe njerëzillëkut. Të duket sikur je në një mbretëri, ku shërbehet nga robotët e telekomanduar sipas një programi fiks dhe jo mes individëve që duhet të kuptojnë se karrigia nuk është pronë e tyre as e atyre që presin të vijnë. Janë ata ish kryebashkiakë që mburreshin dhe tundnin gishtin tregues, betoheshin dhe hakërreheshin me të madhe se kurrë nuk do lejonin zgjedhje. Se do bënin hatanë. Se do kishte gjakderdhje. Se ata do dilnin në ballë të aksionit antizgjdhor. Janë ata që do udhëhiqnin revolucionin në mbrojtje të demokracisë. Po kjo e betimit e mos lënies të bashkive është vërtetë një sjellje pa sens, pa logjikë, mungesë e dinjiteti dhe formimit të shtetarëve tanë. Dëgjon dhe thua: Vërtet këta burra dhe gra na kanë drejtuar? Këta na kanë shërbyer? Këta i kanë komanduar fondet tona? Këta kanë mbikëqyrur zhvillimin dhe shpenzimet? Këta ishin kryeqytetarët dhe qytetarët e parë në katër vite? Betimi për mos të lëshuar zyrat e kryebashkiakëve që nuk u paraqitën në zgjedhje është një kërcënim që nuk buron vetëm nga formimi i tyre. Nuk është veprim individual, po një strategji e politikës opozitare e cila fshihet pas individëve, siç veproi me aleancat qytetare dhe shtabet e bashkive. Kryebashkiakët që betohen se nuk do dalin nga zyrat dhe do i mbajnë pengë bashkitë, veçse duken qesharak, përngjajnë shumë me magazinierët e kohës së komunizmit që jetën dhe shpirtin e jepnin, po çelësat e magazinave nuk i dorëzonin kurrë. Është magazina ime! Kam shërbyer me ndershmëri. Kurrë nuk e dorëzoj, betoheshin magazinierët e kooperativave dhe tundnin nëpër duar çelësat magjikë. Krybashkiakët që deklarojnë moslëshimin e bashkive na sjellin ndërmend betimin dhe vendosmërinë e aktorit të famshëm të humorit, Roland Trebicka me Vanin e pavdekshëm kur betohej në komedinë e njohur “Pallati 176”. Ku deklaronte me mburrje: -O bëhem magazinier unë Vani, o vdes! Dihen marifetet dhe peripecitë e Vanit të komedisë. Njihen edhe arsyet. Magazina ishte plotë të mira material. Ishte streha e bollëkut. Dhe këta, Vanët tanë, i duan bashkitë-magazina për të mbajtur të magazinuar popullin, paratë, fondet, privilegjet. Po edhe këta, si Vani, me hir a me pahir do mbeten pa bashki-magazinat pas 12 gushtit. Edhe pas deklaratave të tyre për mos dorëzim të bashkive do mbeten me gisht në gojë, siç mbeti Vani i famshëm që edhe pse ëndërroi nuk e mori që se mori magazinën sa jetoj dhe nuk u bë dot kryetar-magazinier. Kështu edhe bashkiakët tanë, vetëm me ëndrra do mbeten në bashki, se në realitet kolltukët u përkasin kryetarëve të ri që konfirmoi 30 qershori!

Nga Bardhyl Bejko

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/09/2019 - 07:22

Struktura Speciale Kundër Korrupsionit, Byroja Kombëtare e Hetimit, janë kthyer gati tunduese për drejtësinë shqiptare.

Postuar: 18/09/2019 - 07:18

Dukuria e korrupsionit, kjo gangrenë e shoqërisë shqiptare i ka përfshirë të gjitha shtresat.

Postuar: 18/09/2019 - 07:16

Po ikin mjekët, inxhinierët, mësuesit…, po ikin të gjithë.

Postuar: 18/09/2019 - 07:14

Në Shkodër, Lulzim Basha nuk ju përgjigjej dot gazetarëve "se nga do të vinte zgjidhja e kri

Postuar: 17/09/2019 - 07:17

Sa herë Presidenti del me deklarata ose jep opinione, konferenca shtypi apo shkruan në rrjetet so

Postuar: 17/09/2019 - 07:15

....Këtë mund ta besojë vetëm ndonjë mendje si ajo e z.

Postuar: 17/09/2019 - 07:14

Më kujtohet se kur erdhi në pushtet qeveria e Edi Ramës mbas zgjedhjeve të 2013-ës, ju desh njëfa