BREAKING NEWS

Edi Rama jep sinjale për ndryshime në qeveri, zbardhen paralajmërimet në takimet me deputetët e krerët e bashkive, ja ministrat që pritet të lëvizin

Edi Rama jep sinjale për ndryshime në qeveri, zbardhen
x

Opinion / Editorial

“Ultimatumi” i Kim, Kushtetuesja dhe BE!

“Ultimatumi” i Kim, Kushtetuesja dhe BE!

Politika amerikane në vite dhe përfaqësuesja e zotit Donald Trump, ambasadorja Kim, janë shumë të interesuar për reformën në drejtësi. Për realizimin e “procesit spektër”, spektrit të institucioneve bazë të reformës në drejtësi, Zonja Kim u shpreh edhe për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Yuri Kim iu ka kërkuar publikisht drejtuesve të shtetit shqiptar të mos ndikojnë në emërimet në këtë institucion, siç kanë bërë në këta vitet e fundit. Para disa ditësh në intervistën e saj shumë të veçantë, zonja Yuri Kim i bëri përsëri thirrje klasës politike në Shqipëri, që të mos “duartrokasin” dhe hedhin valle për vendimin e Venecias për Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk është institucion, për të mbrojtur “hordhëqet” e klasë sonë politike në vite, por është institucion i rëndësishëm për shqiptarët dhe Shqipërinë. Amerikanët e kanë të çmuar Kushtetutën si “Zotin” dhe betohen me dorë mbi Kushtetutë. Gjykata Kushtetuese në Amerikë është një institucion në mbrojtje të Kushtetutës së vendit dhe të gjithë amerikanëve, pa dallime dhe ndikime politike. Edhe tek neve politikanët, e venë dorën mbi Kushtetutë kur betohen, por më pas, bëjnë “dhjetëra të zeza” në kurriz të saj, dmth të shqiptarëve, të Shqipërisë dhe kanë patur ndikim në Gjykatën Kushtetuese. Zonja Kim kthehet për së dyti në shekuj mbrapa, përmend Skënderbeu, kur në Arbëri kishte burra arbër të pastër, për bashkim të klasës politike për të përfunduar reformën në drejtësi për brezat e ardhshëm. “Populli i Shqipërisë duhet të bashkohet dhe udhëheqësit duhet të përgjigjen për detyrimin e tyre për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale”.(U.S. Embassy-Tirana 25.6.2020). Zonja Kim, nuk e ka fjalën për të mbrojtur fëmijët e “politikanëve” me vila dhe makina të shtrenjta! Zonja Kim e ka fjalën të gjithë brezin e ardhshëm, që kërkon shpëtim nga kjo klasë politike që në 30 vite ia ka mbyllur shtigjet dhe po i bën të marrin rrugët e mërgimit. Pastaj shqiptarët anatemohen nga parlamentarë europianë të painformuar, që nëse do të pranohen shqiptarët në BE, do të emigrojnë të gjithë drejt Europës. Zonja Kim kërkon që me punë, me vendosjen e rendit kushtetues në Shqipëri, t’iu mbylli gojën këtyre europianëve të “painformuar” dhe Shqipëria të bëhet vend i jetueshëm, duke iu treguar vendin me ligj, Kushtetutë edhe politikanëve! Dikush mendon të bëjë me Kushtetutë emërime politike, dikush kërkon ndryshime për betimin! Por Zonja Kim, kërkon përmbajtje institucionale, respekt midis institucioneve të shtetit. Shteti ligjor është kundër të gjithë “politikanëve”, që nuk e duan shtetin në Shqipëri! Zonja Kim kërcënon sërish sabotatorët e reformës, të lënë lojërat me Venecian, për të mbajtur peng Kushtetuesen! Zonja Kim bën thirrje të mos hidhet valle dhe të ndalohen fyerjet, pastaj të “infiltrohet” me forma të caktuara në kurriz të shtetit të së drejtës. Emërimi i gjyqtarëve pa ndikime politike dhe klanore, çel dritën jeshile për në BE, dhe përshpejton daljen nga kriza që ka vite që ka filluar për shqiptarët, kryesisht për të rinjtë. E ardhmja do të jetë më e mirë për ta! Ka vend për të jetuar në Shqipëri, por gjithmonë nëse do të kemi drejtësi të pavarur, Kushtetutë dhe punë për të gjithë! “Politikanët sherrxhinj” në Shqipëri, i largon vetëm Kushtetuta dhe sistemi i drejtësisë i barabartë për të gjithë dhe jep shpresë për brezin e ardhshëm!