BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Unë dhe Ju, Ne të gjithë dhe skema!

Unë dhe Ju, Ne të gjithë dhe skema!

To be or not to be, thënia e vjetër që endet në kokën time dite e natë e ma bën të vështirë ditën dhe jo vetëm. Dhe u bë kohë, u bë shumë kohë.

Nuk është se s’u morëm me këtë dreq skeme, apo s’u bëmë bashkë dhe të revoltuar u ngritëm, hartuam ca pika, arritëm konsensus në grup të madh, hartuam peticione online, i nisëm atje lart tek i pari i vendit dhe ngecëm. Ngecëm se s’u duhemi, s’u hyjmë në punë, përkundrazi, u duhemi sa herë u duhet të shfajësohen përpara popullit, si tani rëndom na bien në qafë me lloj lloj epitetesh, por iu deshëm, iu duhemi dhe do u duhemi si taksapagues të rregullt të mirëmonitoruar, si ofrues shërbimi farmaceutik me orare të stërzgjatura, por dhe si blerës pafundësisht debitore ndaj depove. Kjo është Skema! Ne jemi skllevërit dhe Ata zotërinjtë! Tashme ç’është më e keqja e kemi pranuar fatin tonë dhe heshtim, heshtim se s’kemi as kokë që na përfaqëson e na mbron karshi sulmeve e goditjeve të pavend. Sikundër jetuam dhe epokën e Task Forcës, absurditet më të madh s’kishim përjetuar! Të vijnë papritur me një listë me 35 pika e të bëjnë hatanë, ndërkohë që s’u kujtuan t’u bënin një e-mail farmacive e t’u caktonin një afat, qoftë dhe 24 orësh për t’i plotësuar këto pika e pastaj të bënin verifikimin. Le të na çonin dhe në Hagë pastaj, tek e fundit e kishim bërë hak. Ata na njoftuan dhe ne që as u morëm fare me këto gjëra që duheshin bërë! Absurditeti shkon dhe më tej, palë me Task Forcën u bë dhe UFSH, i mirëpaguari dhe i krijuari prej nesh prej vitesh, institucioni që me statut duhet të na mbrojë e përfaqësojë atje ku duhet sa herë cënohen interesat tona. Përkundrazi, kuptuan ç’ndodhte dhe panë veten, interesat e tyre të ngushta materiale për shkak të të cilave arritën dhe manipuluan dhe zgjedhjet e radhës në UFSH... Po,po, i manipuluan. Kaq e vertetë është kjo sa në gjyq nuk denjuan të mbrohen nga juristi i UFSH, por pajtuan tjetër jurist, me emër! Më thoni, ç’kuptim ka të kesh jurist të punësuar në organikë e të përfaqësohesh në gjyq karshi anëtarit tënd taksapagues të rregullt, për më tepër dhe shoqe kursi në fakultet me jurist të marrë nga jashtë institucionit e karshi pagesës?! Ka vetëm një kuptim, për sa kohë nuk e merr vesh i pari të dytin dhe rrumpalla ka kapur e prekur çdo fushe dhe ne në zyra po shohim xhepat tanë se s’ia vlen për asgjë. As të ngremë zërin për hallet e problematikat e farmacistëve dhe rrjetit farmaceutik, as për barnat që janë medet o zot këtu e vite dhe të gjithë e dimë dhe e shohim sepse është realitet i përditshëm i prekshëm etj. etj. etj. etj. Sikundër dihej, dihet dhe shihet ku jemi sot, të nëpërkëmbur, të hapërdarë, përballë,anash, pas, nga të gjitha anët mes rrjeteve dhe njëri-tjetrit, si askund tjetër në këtë glob e në këtë galaktikë! E kjo si pasojë e Skemës! Ç’ është skema,do pyesni ju?! Skema është ajo që të merr frymën, ajo që të nënshtron me kontrata të hartuara sipas qejfeve e tekave të saj, ajo që të robëton e të shndërron në punëtor me meditje në aktivitetin tënd! Ajo arrin deri aty sa të bën të heshtësh, të mos flasësh, të atrofizon mendërisht pasi të ka sfilitur fizikisht, të mban lidhur mes borxhesh pafund e të zë sytë e ti s’shikon dot më tutje, aq më tepër të të bëjë të ngrihesh, të bëhesh vetë i dytë, i tretë, i pesëmbëdhjetë, i njëmijtë e të shndërrohesh në një zë të fuqishëm e të flasësh me të madhe e të të dëgjojnë, po po të të dëgjojnë! Boll më me heshtje! Boll më!

Boll heshtëm për penalitetet që mbajmë më kot në kurriz, ishte absurde të penalizoheshe pse paskëshim dhënë 5 mil lekë të vjetra barna pacientëve brenda kontratës së nënshkruar, ndërkohë që dëmi i shkaktuar Fondit ishte 0 lekë! Sikundër është absurditet të paguash penalitet dyfish aktualisht për çdo njësi të dalë tepër gjendjes në inventar. Sikundër është fare pa sens që të pranojmë sot të nënshkruajmë kontratë me Fondin në përmbajtje të të cilave janë 20 m dhe 150 m distancë, largësi mes farmacive me kontratë dhe farmacisë më të afërt me poliklinikën a spitalin. Pika që as u zbatuan, e as zbatohen, përveçse ishin e mbeten karrem zyrtarësh të lartë të radhës në Fond për përfitime materiale! Po,po, për përfitime materiale! Më thoni, sa farmaci u mbyllën e sa farmacive iu mbyll apo s’iu lidh kontrata me Fondin se s’plotësonin kriteret!

Ndodhi me një farmaci në Lezhë, iu zgjidh kontrata asaj dhe direkt iu lidh një farmacie tjetër po në të njëjtin pozicion aty dhe ajo farmaci asokohe përflitej se ishte në administrim të një ish-drejtori të radhës në FSDKSH Lezhë! E pse u dashka të penalizohen dyfish farmacitë në rast suficiti barnash me inventar përveçse për të mbuluar në njëfarë mënyre gropën financiare të krijuar në Fond si rezultat i mirëfunksionimit sot e kësaj dite të Big-Farmacive!!! Big-Farmacitë sot janë farmacitë me rimbursimin më të madh krahasimisht me shumicën absolute të farmacive të Shqipërisë, janë koleget e kolegët tanë, të skeduara deri në prokurori që prej vitit 2015. Nën hetim një pjesë e pastaj të mbetura pezull në dosje e ç’është më e keqja objekt kontrolli vetëm nga Fondi, patjetër dhe subjekte që kohë pas kohe i kane vjelë e i kanë zhvatur, jo punonjësit e Fondit, por krerët e Kontrollit në Fond që ndërrohen kohë pas kohe sipas grafikut që përcakton Skema! Nga ana tjetër atje brenda Fondit dhe nëpër degët rajonale anembanë Shqipërisë Skema ushtron presion ndaj punonjësve dhe kushdo nëpunës i thjeshtë nëpër zyra ndihet prej vitesh nën trysni! Pakkush është dakord apo e dëshiron këtë lloj frustrimi nën Skemë, por patjetër që njerëzit do punojnë se do jetojnë e ata të gjithë janë të detyruar të ulin kokën e jo se u pëlqen ta bëjnë! Ndërkohë që Skema penalizon me shifra disa milionëshe edhe Depot Farmaceutike për kundravajtje administrative si e si të mbyllë me sa mundet gropën që hap po vetë në Fond, gropë që as do mbyllet për sa kohë Skema funksionon qetësisht!

Në Prokurorinë e Tiranës bashkë me farmacitë nën hetim denoncuar nga BIRN dhe gazetarë të tjerë në shtypin e shkruar të disa viteve më parë, ekziston dhe Raporti i Njësisë Antikorrupsion pranë kryeministrit, i cili pas një hetimi të hollësishëm nga ana e tij, vë në dukje një tjetër skandal. Superskandal biles, sipas të cilit blerësi më i madh i barnave nga ana e Fondit është QSUT dhe shuma e paguar nga Fondi per blerjen e barnave për llogari të QSUT është diku rreth 176 milionë lekë të reja. Shifra e sakte është e shkruar në raport dhe megjithëse është i parashikuar kontrolli vjetor me audit nga Ministria e Shëndetësisë mbi qarkullimin vjetor të barnave, ai audit as u bë fare. Bëhet fjalë për vitin kalendarik 2014. E ministër Shëndetësie në ato vite ishte z. Ilir Beqja! Me këtë zotëri e me këtë emër na lidhin shumë gjëra që prej asaj kohe. Ky emër na kujton TVSH-në e mbetur peng në zyrat e Tatimeve, Uljen e marzhit të tregtimit të barnave, Ikjen e përfaqësive të firmave patentë nga tregu ynë farmaceutik, orientimin e tregut tonë të shumicës drejt tregjeve fqinje e atij turk më së shumti. Gjyqin dhe dënimin me gjobë prej 150 milionë lekë të vjetra të ish-kreut të UFSH, kolegut tonë Arian Jaupllari pse guxoi e foli për këto probleme, ndërkohë që kryeministri heshti dhe hesht, shikon dhe s’kupton, kupton dhe s’i intereson as cilësia e barnave, as amullia në tregun farmaceutik, as farmacistët si grup interesi. Përkundrazi, ata, farmacistet, dmth ju dhe unë, ne të gjithë jemi individë që dendim njerëzit me ilaçe të panevojshme! Po more zotëri kështu është kur të duhet ty të gjesh çader të mos të të lagë shiu, e kur s’të intereson të vësh gishtin mbi plagë! Normale! Normale kur hesht, normale kur shikon si gërryen ekonominë, shëndetësinë, farmaceutikën dhe gjithë Shqipërinë Skema!

E për të vënë pikat mbi i... Ilir Beqja përflitet prej vitesh e sot e gjithë ditën si ortak i rrjetit të Spitaleve Amerikane, si Ortak i rrjetit farmaceutik Ditë e Natë. As Edit dhe as Dorit,djem që i njohim prej vitesh, koleget tanë nga më të mirët, as u ka interesuar dhe as iu intereson e as iu duhet konflikti me farmacistët që i kanë kolegë prej vitesh, por i detyroi Skema, si pronar në hije i depos Evita shpk deri si bashkëortak në hije i rrjetit të laboratorëve Intermedica! E të gjitha këto që përfliten nën zë duhet të zbardhen sa më shpejt të jetë e mundur! E për këtë duhet të mos rrijë mbyllur në sirtar Raporti i Njësisë Antikorrupsion pranë Kryeministrit, dosje të cilën e ka patur nën hetim një nga prokurorët e Tiranës. Raport që e ka pare e lexuar patjetër dhe vetë z. Kryeministër dhe çuditërisht nuk reagoi! Aty gjen shpjegim gjithçka që ndodhi më pas, aty janë paratë që vërshuan në shëndetësi në të zezë për t’u shpëlarë, larë dhe pastruar në rrjete spitalesh private, rrjete farmaceutike dhe depo farmaceutike të krijuara rishtas. Aty e kanë burimin shtëpitë dhe vilat luksoze ku jetojnë, paratë e bursave dhjetëra mijëra dollarëshe të fëmijëve që shkollohen jashtë në shkolla nga më të shtrenjtat e planetit dhe burimi i të ardhurave në rritje vit pas viti të deklaruara në ILKPD nga zotëria në fjale dhe rrethi i ngushtë pas tij në vite.

Dhe diçka tjetër... Vetëm nga mosfutja në listën e barnave në vitin zgjedhor 2017, listë e cila u mbajt peng për të paktën 1 vit, por mbajtja në listën e re të barnave të produkteve të Profarmes e 3 preparateve konkurruese të Alkaloidit furosemid, digoksine dhe hidroklortiazid Fondi pagoi me tepër se 1,2 milionë euro në vit dhe përsëri Z.Ilir Beqja asokohe ishte titullar i Ministrisë së Shëndetësisë! E këto janë probleme që na kanë rënduar e na rëndojnë të gjithëve nga i pari te i fundit prej nesh, sikundër janë gjëra që i dimë të gjithë ose shumica prej nesh! E në mos qoftë asnjëra prej tyre e vërtetë e mira është të zbardhen të gjitha një e nga një. E gjithë kjo histori do shkojë në SPAK me patjetër sikundër do i bëhet e ditur dhe ambasadës amerikane në Tiranë dhe Kryeministrit!

Ky popull dhe ne të gjithë nuk mundet të durojmë më Skemat që na marrin frymën dhe na nëpërkëmbin... Dhe skema shtrihet ngado, në të gjithë ekonominë, jo vetëm në shëndetësi e sistemin farmaceutik! Në ekonomi shikoni tenderat prej dhjetëra e qindra milionë eurosh. Janë të gjithë nga i pari e tek i fundit me fatura të tejfryra nga Skema e patjetër që një ditë do zbardhen se dhe ata, të ashtuquajturit oligarkë janë individë me iniciativë, njerëz me ambicie e të suksesshëm, por që Skema i ka vënë nën zap dhe u zhvat pjesën që i ka paracaktuar vetes! Ka ardhur Dita më në fund që të shembim Skemat e të marrim frymë lirisht!

Ju ftoj ta lexoni me vëmendje dhe të shpresojmë të gjithë, nga i pari tek i fundit tek një ditë dhe një jetë ndryshe, më e mirë dhe pa skema mbi krye!

-Marrë nga faqja e rrjetit social Farmacistë, kolegë dhe shokë, për dijeni

-Kryetarit të SPAK Z. Arben Kraja

Në vëmendje të:

1. Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama

 

2. Ambasadores së SHBA në Tiranë Znj. Yuri Kim

 

 *Farmacist