BREAKING NEWS

Propozimet e kandidaturave në PD/ Besnik Mustafaj reagon pas përfundimit të takimit me Bashën: Ka prurje jashtëzakonisht të pasura. Detyra më e vështirë që kam marrë përsipër

Propozimet e kandidaturave në PD/ Besnik Mustafaj reagon pas
x

Opinion / Editorial

Unë do t’i ha veshin Edi Ramës...

Unë do t’i ha veshin Edi Ramës...

...Kështu u shpreh Monika Kryemadhi para qytetarëve që kishin mbetur të mahnitur nga prishja e godinës së teatrit. Më tej ajo vazhdoi: “Po të mos e bëj këtë, të më varni tek kali i Skënderbeut”. Askush, nuk ka as dyshimin më të vogël që Monika këtë do ta bëjë, sepse ajo çdo gjë që ka thënë e ka bërë realitet, por gjetkë e kam hallin. Në pamje të parë, kjo shprehje, nuk ka ndonjë gjë të keqe përveçse shpreh një indinjatë për kundërshtarin politik. Por, po të mendosh thellë thellë, një masë e tillë ndëshkuese ndaj Edi Ramës, sikur nuk është shumë e mjaftueshme apo më mirë të themi sa për të “larë gojën”! E them këtë mbasi kam parasysh shumë “bëma” që ka bërë Edi Rama ndaj LSI-së dhe kryetarëve të saj, “de juro” dhe “de facto”. Të gjitha ato që i ka bërë Edi Rama lsi-stëve dhe të merresh me një “masë” të tillë duke i kafshuar veshin, kjo shumë shumë është sa për t’u tallur. Një shprehje popullore thotë: “Nuk çalon gomari nga veshët”! Kjo do të thotë që ndaj një kafshe të tillë kaq “budalla”, jo vetëm t’i kafshosh veshin, por edhe sikur edhe të dy veshët t’ia presësh është njësoj sikur gomarin ta përkëdhelësh, sepse ai përsëri ha bar, ecën, pëllet edhe kërcen sikur të mos i ketë ndodhur asgjë. Por ç’rëndësi ka dhe çfarë pune i prishin veshët e prerë? Edhe në rastin konkret për masën që merr Monika ndaj kryeministrit, është një masë e tillë ndëshkuese sa për të thënë! Kjo masë që merr Monika, është kthimi nga ana e saj me të njëjtën monedhë ndaj atyre ç’ka ka thënë Edi Rama në adresë të saj si “doktoreshë” apo “fallxhore”. Tjetër punë është çfarë mase ndëshkimore do të merrte Monika ndaj atyre që do të guxonin t’i hiqnin asaj këtë titull të cilin e ka plagjiaturë. As më shumë e as më pak, këto janë akuza që nuk ngrenë asnjë farë peshe, apo më mirë të themi është njëfarë kompromisi apo marrëveshje e heshtur midis këtyre të dyve që përfaqësojnë këto dy forca politike, pavarësisht që në fakt LSI-ja është shumë më mbrapa “bishtit” për peshën që ajo ka në skenën politike. Por të mos ndahemi nga ajo që thamë më lart. Ja ta zëmë sikur Edi Ramës i kafshove veshin apo të marrim rastin ekstrem sikur edhe t’ia presësh atë. Në këtë rast edhe Rama si personazhi i mësipërm, edhe me vesh të prerë, përsëri ai do të qeverisë, do të ecë, e nuk do ta pengojë aspak që ai të bëjë edhe batuta me të gjithë. Ndryshon puna sikur atij t’i kafshoje ndonjë organ apo ndonjë shqisë tjetër që mund ta lije “noksan” për tërë jetën, si fjala vjen t’i kafshoje syrin, apo këmbën, që ose ta lije “qorr” ose ta bëje që të mos kishte mundësi të ecte që të çalonte pra rrjedhimisht edhe nuk do të mund të qeveriste dot. Krahasuar me të gjitha ato “bëma” që ka bërë Edi Rama ndaj “aktorëve” lsi-stë që u prishi teatrin, është shumë pak që ajo të mjaftohet vetëm duke i kafshuar veshin Edi Ramës. A mund të krahasohet një vesh i kafshuar me një ndërtesë teatri? Kurrë! Kjo masë, është e njëjtë me të gjitha masat e tjera që ka marrë Monika ndaj qeverisë së Edi Ramës, të cilën e ka “rrëzuar” me dhjetra e qindra herë. Por, vetëm me gojë ama, sepse realisht, Edi Rama, edhe qesh edhe qeveris edhe gjykon njësoj edhe duke qenë i “rrëzuar” nga Monika edhe kur është në krye të qeverisë. Edhe kjo, është pjesë e një skenari të fshehtë midis tyre. Monika, nuk merr të njëjtën masë ndëshkuese edhe ndaj Edi Ramës edhe ndaj efektives së policisë që përdori “forcën” ndaj Silva Cakës. Për këtë të fundit, Monika thotë që Silva, “t’i nguli thonjtë punonjëses së policisë që e dhunoi dhe e dërgoi në Komisariat”! Se ku ajo t’ia nguli thonjtë, sa për ta përkëdhelur apo për ta bërë të paaftë për në rdhët e policisë, këtë ajo nuk e shpjegon, por mendja ku nuk të shkon. Të vijmë tani tek teatri që sot është bërë kryefjala e ditës. Dëgjojmë disa qytetarë lsi-stë që akoma janë të habitur se si u prish teatri. Disa prej tyre thonë që “Edi Rama, veproi pabesisht, ai nuk u tregua burrë”! Ja edhe këtu na del që atij së pari i duhet hequr “burrëria” për ta bërë të paaftë për të... qeverisur! Këtë mendim kanë edhe ata të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Kjo Aleancë tani ka marrë përsipër një mision më të madh duke u quajtur Aleanca për Mbrojtjen e Shqipërisë. Kjo është e kuptueshme, përderisa ata arritën një “sukses” të madh duke bërë realitet atë që “edhe sikur fadromat të ecin mbi trupat tanë, ne nuk do të lejojmë teatrin të prishet. Mbas këtij “suksesi” që arritën, është e kuptueshme që këtej e tutje, e kemi të “sigurt” mbrojtjen e Shqipërisë dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur atë e merr në mbrojtje një aleancë e tillë e “fuqishme”! Pra të vijmë tek ajo që ata thonë, që Edi Rama u tregua i pabesë dhe se kjo nuk ishte burrëri nga ana e tij që erdhi e prishi pikërisht në orën 04:30 duke u gdhirë. Këtë mendim kanë edhe aleatët e lsi-stëve me Alibejtë dhe Salianjët. Këtu po mësojmë që duhet të ketë kundërshtar të besës. Mazhoranca dhe opozita, vërtet që janë kundërshtarë opozitarë, por përsa i përket teatrit janë ekstremistë sepse njëra forcë është për prishjen dhe tjetra për të mos u prishur pra janë qëndrime antagoniste dhe si e tillë nuk bëhet fjalë për pabesi apo për besë. Historia shumëshekullore e njerëzimit, deri më sot, nuk njeh ndonjë “armik” qoftë ky edhe një kundërshtar politik që kur ka një synim për të realizuar një qëllim të tij, të lajmërojë kundërshtarin e t’i tregojë vendin dhe orën se kur do të kryejë “mësymjen”! Ata që kanë qenë në ushtri e dinë fare mirë që “armiku” është i pabesë dhe ai, për të realizuar qëllimet e tij, do të veprojë natën e ditën, në dimër apo behar, në kohë me diell apo me shi e borë. Ai gjithmonë do të gjejë orën më të përshtatshme që kundërshtarin ta gjejë në gjumë. Për këtë, qindra e mijëra kuadro e ushtarë në periudhën e Luftës së Ftohtë qëndruan në pozicionet e zjarrit ditën e natën në çdo kohë të stinës e motit për të qenë gjithmonë të gatshëm e me gishtin në këmbëz. Detyra e tyre, ishte vetëm të qëndronin në gatishmëri. Tani të vijmë tek “vigjilentët” lsi-stë që me Monikën në krye, deklaronin: “Një pikë gjak sikur të derdhet, do ta bëjmë tym e flakë”! “Teatri, do të prishet kur të kalojnë më parë mbi trupat tanë”! Problemi është i thjeshtë: Kush e kishte radhën e shërbimit kur u krye “mësymja” mbi teatrin? Radhën e shërbimit e kishin Lulzimi dhe Monika, pra të dy krerët e forcave opozitare. Lulzimi ja mbathi i pari. Monika, nga ana e saj u tha mbështetësve : “Ikni flini edhe ju, do të qëndroj unë dhe mos kini merak sepse sa të jem unë asgjë nuk ndodh”! Pse Monika e dërgoi në shtëpi Lulzimin, apo mos vallë nga ajo që e di që Lulzimi fle edhe në mes të ditës? Për t’i bërë nder Lulzimit e dërgoi atë në shtëpi apo për t’i bërë nder Edi Ramës, që të sillte fadromat në atë orë që jo vetëm Lulzimi fle, por të gjithë të tjerët përveç Monikës. Të gjitha këto, janë të qëllimshme nga ana e Monikës vetëm e vetëm që të prishej teatri. Të gjitha të tjerat, përfshi edhe paralajmërimin e saj të frikshëm për Edi Ramën, sikur ai “do të heqi organet e fëmijëve tuaj për t’i shitur në Europë” janë fjalë havadan sepse e dinë kush i thotë prandaj edhe ata bëjnë sikur i besojnë. Problemi është që sot, ka ikur koha e llafeve boshe, sot duhen vepra dhe Monika nuk bën dot vepra, këtë e dinë të gjithë që ajo, as më shumë e as më pak është në mbështetje të veprimeve të tij të mbrapshta. Monika e ulur këmbëkryq në mes të bulevardit, u drejtohet qytetarëve. “Ju bëj thirrje qytetarëve të mos paguajnë asnjë kilovat energji elektrike të Edi Ramës, asnjë metër kub ujë të Lali Erit, asnjë taksë për bashkinë dhe Edi Ramën” Ja, këto po, më shumë se kaq për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve fukarenj, Monika nuk ka se ç’të bëjë. Ajo ç’ka solli “gjëmën” është kur Monika, të gjithë “luftëtarët” e saj i dërgoi në shtëpi, një orë përpara se të ndodhte “hataja”. E tha këtë ditën që u prish teatri, kur një ditë më parë, kishte deklaruar: “Po të mos isha unë sot, teatri do të ishte prishur”. Pse kjo zonjë një ditë më parë ishte vigjilente dhe në ditën e “tmerrshme” e uli vigjilencën? Në këto “strategji” të saj, hyn edhe ajo që “do t’i kafshoj veshin Edi Ramës kur të vij në pushtet”, ku synimin e saj kryesor, e ka për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve që i ka gjetur “belaja” me Edi Ramën. A nuk flet kjo për një marrëveshje të fshehtë midis kësaj zonje dhe kryeministrit? Pse Luli gjumashi e la në baltë Monikën? Pse kjo lejoi fadromat e Ramës të prishin teatrin dhe tani kërcënon me burg fadromistin? Të gjitha këto, nuk janë pak argumenta që vërtetojnë që të dy këta krerë të forcave politike, janë në unison midis tyre dhe kanë bërë një marrëveshje. Ka edhe shumë fakte të tjera që vërtetojnë këtë marrëveshje...