BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

“Urime” Lulzim Basha, për mandatin e tretë të merituar në opozitë!

“Urime” Lulzim Basha, për mandatin e tretë të

Të gjitha ato fjalë apo opinione dhe të vërteta që i duheshin thënë Lulzim Bashës mbi lidershipin e tij në “ambiguitet dhe opak”, por dhe virtual kundër të vërtetës, ia kam thënë dhe shkruar prej kohësh. Tanimë nuk kam më asnjë vërejtje dhe asnjë akuzë për të. Tanimë kam vetëm një urim që është ky: Urime Lulzim Basha për mandatin e tretë të merituar në opozitë. Sigurisht që ky urim nuk është për të vetëm, por në fakt ai duhet t’i marrë përsipër (urimet) sepse kështu ka pranuar të “luajë në demokraci”. Shqiptarët kanë bërë një të mirë të madhe më 25 prill. Ata kanë rivendosur demokracinë në vendin e tyre. Kanë bërë të mundur kthimin e atyre që i lanë në baltë dikur, duke dalë nga Kuvendi i Shqipërisë paturpësisht. Qytetarët shqiptarë, kanë votuar me shumicë dhe me qetësi, duke mos pasur dallim as me qytetarë të Europës së kulturuar pavarësisht cinizmit të ndërkombëtarëve që fajin e sjelljes folklorike dhe anti qytetërim të politikanëve, ua veshin shqiptarëve. Por unë sot do të “uroj” Lulzim Bashën. Në cinizmin dhe ironinë e urimit akuzë, unë po e “uroj” kryetarin e PD-së së pari kështu: Urime Lulzim Basha për mandatin e tretë të merituar në opozitë. Po, të përfitimit të mandatit opozitar për të tretën herë, që nga viti 2013. Përfitimin e mandatit opozitar të rehatshëm dhe komod, për një karakter si ai i Lulzim Bashës që përfiton më mirë, më shumë dhe më qartë në opozitë, se sa të marrë përsipër alternativën mandat qeverisëse përballë shqiptarëve dhe të mbajë përgjegjësi për atë mandat. E uroj Lulzim Bashën për ambiguitetin si “lider europian” për të qënë udhëheqësi që shqiptarët kuptojnë dhe besojnë si të tillë. Për dyzimin lidership, mes tij dhe doktorit dhe “këngës së kanarinës shpeshherë shurdhuese” të propagandës së tij, në krahasim me thirrmën - ulërimë e madhe të felinëve Edi Rama sot dhe Sali Berisha dje. Po për t’i qartësuar shqiptarëve se ai cicëron kur udhëheqësit e shqiptarëve duhet të kenë piskamën e felinit luan apo tigër ose ujk, sepse vetëm kështu iu mbushin mendjen shumicës së shqiptarëve. Por e di se ai nuk është felin. E “uroj” se ka sabotuar me urdhër nga “lart” dhe veprim të tij si kryetar i PD-së, katër herë demokracinë në Shqipëri. Të parën “reformën territoriale” duke lënë në mëshirë të fatit dhe pushtetin qendror, fondet dhe varësinë absurde nga zyrat e pushtetit qendror të miliona banorëve dhe shumë qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë. Krijimit të korrupsionit akoma më të madh dhe kompromentuar kriminal se në kohë të doktorit. “Urime” Lulzim Bashës se la në dorë të PS dhe ndërkombëtarëve reformën në drejtësi, duke larguar PD nga vendimmarrja dhe përpunimi demokratik të pikërisht reformës më të rëndësishme në këtë kohë. Tani ajo është meritë e Ramës dhe ndërkombëtarëve dhe jo e PD dhe Bashës. Urime Bashës për largimin absurd, me urdhër dhe keqan nga Kuvendi i Shqipërisë, duke deformuar demokracinë në Shqipëri me perversitetin si ide që “Rama të bënte mullar pushtetin e keq të tij”. Duke lënë shoqërinë shqiptare pa opozitë demokratike dhe përballë shtimit të arrogancës së pushtetit. Urime për marrëzinë dhe perversitetin më të madh politik të Bashës dhe lidershipit politik në PD, që lanë dhe pushtetin vendor plotësisht në dorë të maxhorancës, Ramës dhe Rilindjes së tij. Duke kujtuar se “ndërkombëtarët nuk do ta lejonin Ramën të hyjë i vetëm në zgjedhje” dhe duke bërë tragjizmin idiot për t’i bindur ato për marrëzinë në themel si sëmundje të PD dhe opozitës shqiptare. E kështu ndodhi - ndërkombëtarët certifikuan që Rama të sundonte jo vetëm pushtetin qendror, por dhe atë vendor. Abuzimi tashmë në sajë të kësaj bravure të Bashës u bë dyfish nga kryeministri i Shqipërisë Rama. Ai mori të gjitha administratat e mundshme shqiptare dhe absolutisht të gjitha fondet dhe tenderat si në pushtetet model Lukashenko apo si lider të republikave ish-sovjetike sot në koncepte demokraturash pa shërim. Një “urim” për Bashën vlen për faktin që kujtoi se është lider i merituar si Berisha, duke qenë i katapultuar nga ai. Një “urim” për Bashën, duhet të shkojë në drejtimin e mos mbajtjes përgjegjësi asnjëherë për pakte (Ramën) dhe kauza të humbura përgjatë opozitarizmi kundër Ramës. “Urim” të madh për Bashën që nuk dëgjoi dhe largoi në periferi të partisë dhe besimit të individëve që nuk e përkëdhelnin, por po i tregonin se është lideri i humbjeve dhe që nuk kthen opozitën dhe PD-në me erën në shpinë, vela shpalosura drejt marrjes së shumicës së shqiptarëve me vete. Një “urim” të veçantë për Bashën për vazhdimin e “luftës së klasave” idiote, kundër demokratëve që nuk mund të pranojnë më as marrëzinë e Berishës dhe as ambiguitetin dhe pabesinë e Bashës për ngritjen e një PD-je forcë demokratike pa reminishencat e PD-së së dikurshme dhe as asaj të këtyre dy mandateve humbëse përballë Ramës. “Urime” për vazhdimin e shpalljes së armiqve dhe të mbajtjes idiote të frymës anti demokraci të brendshme në PD. “Urime” që në bashkëpunim me Ramën, kryetari i opozitës krijoi Shqipërinë blu në veri dhe vjollcë nga Shqipëria e Mesme në jug. Të një përçarje të poshtër mes shqiptarëve. “Urime” zoti Basha që nuk i binde “vlonjatët, fierakët, beratasit” të të pranonin, t’iu mbushej mendja, se je lider me ide dhe staturë drejtimi të shtetit me seriozitet dhe mbajtje fjale të dhënë. “Urime” që nuk iu mbushe mendjen dhe Tiranës kozmopolite të votonte ty, përballë një deliranti përfitues dhe Tiranë betonues si Veliaj. “Urime zoti Basha” që votohesh më pak, se sa një djalë i zoti dhe demokrat si Shehaj në Tiranë. “Urime” që sillesh si “europian” zoti Basha në Shqipërinë e felinëve të pushtetit, që nuk kanë asnjë lidhje me Europën dhe që i ke detyruar “europianët dhe amerikanët” t’i çojnë dorën një personi si Edi Rama, që iu demonstron forcë dhe folklorizëm politik, i cili i bind pikërisht ata se – ky lider iu duhet sot shqiptarëve. Se është ai që mund t’i kontrollojë dhe sundojë shqiptarët. E fundit: “urime” për Lulzim Bashën se (nuk) ka kuptuar Shkodrën. Se ka kujtuar se ajo voton Bashën. Kur në fakt ajo (Shkodra) është mobilizuar të dalë akoma me shumicë për të mos votuar për arrogancën, gishtin e mesit ngritur lart kundër tyre dhe barsoletat që kujton se tregon bukur në Shirokë kryeministri Rama. Kur në fakt, nuk ka kuptuar se Shkodra e di si është një politikan i llojit të dobët, pa kapacitete politike dhe njerëzore, për të qënë udhëheqës si militantësh dhe intelektualësh njëkohësisht dhe padyshim që e dinë se nuk është as i djathtë, as njeri iniciator e me rekorde të qarta “burrnie” në përballje me kundërshtarin politik. Që e dinë se i pëlqen më shumë kur dhe në ditë numërimi PS dhe Rama e ftojnë për bashkëpunim dhe sigurisht atij i bëhet qejfi, pse është i “dobishëm” për maxhorancën e Rilindjes mbi Partinë Socialiste. “Urime” Bashës për marrjen sërish padrejtësisht në kotecin e PD-së të njerëzve që nuk mbledhin një elektorat dhe janë kryetarë partie. “Urime” për dashurinë dhe urrejtjen tinzare në marrëdhënie me LSI-në. “Urime” për futjen në Kuvend zoti Basha atë që le me faj për të krijuar një “sundimtar pushteti” të vetëm si Rama. Jo, unë nuk kam më akuzë sepse ato i kam bërë përherë me shkrime, por kam “urime” të një ironie të pafund për këtë mandat të tretë opozitar, të humbësit më të madh politik dhe të pamerituar si lider mbi PD-në që është Lulzim Basha. E tashmë nuk mund të kem asnjë akuzë për mjeshtrin e tij – Sali Berisha. Urime Lulzim Basha, për mandatin e tretë të merituar në opozitë.