BREAKING NEWS

Fundoset Meta, Kuvendi rrëzon dekretin për Kodin Zgjedhor dhe vulos heqjen e koalicioneve, Basha dhe amerikanët lënë në baltë presidentin

Fundoset Meta, Kuvendi rrëzon dekretin për Kodin Zgjedhor dhe vulos
x

Opinion / Editorial

Ushtri për mbrojtjen e sovranitetit territorial apo për mbrojtjen shtetërore civile të vendit

Ushtri për mbrojtjen e sovranitetit territorial apo për mbrojtjen

Dihet se Lufta e Dytë Botërore përfundoi më 9 Maj 1945 dhe Shqipëria u çlirua më 29 Nëntor 1944, Ushtria Mbretërore greke e ndihmuar nga ushtria amerikane dhe angleze, pas 8 muaj provokacione të njëpasnjëshme në kufi, më 2 Gusht 1949 vërsuli drejt Shqipërisë mbi 70 mijë forca të armatosura, mbi 50 avionë të cilët shkaktuan dëme të pallogaritshme në ekonominë e vendit, mbi 80 tanke dhe një divizion artilerie me afro 400 gryka zjarri me pretekstin se po ndiqte forcat komuniste greke, pasi sipas tyre Shqipëria ndihmonte forcat demokratike partizane greke. Ndërsa qëllimi i vërtetë i qeverisë greke ishte realizimi i Megalo-Idesë për aneksimin e Jugut të Shqipërisë (Vorio-Epirit) për të cilën nuk heq dorë. Natyrisht në këtë periudhë shteti shqiptar megjithëse i porsa dalë nga Lufta e Dytë Botërore, disi i organizuar me të gjitha institucionet e nevojshme përfshi edhe Ushtrinë Popullore Shqiptare, e cila edhe në ato kushte bëri të mundur e mobilizoi e futi në luftë për mbrojtjen me çdo kusht të integritetit territorial të vendit nga monarko-fashistët grekë rreth 10 mijë ushtarë të organizuar që nga postat kufitare, reparte e njësi të skalonuara në disa skalone si dhe mbante në gadishmëri për t’i hedhur në luftim kur të ishte e nevojshme edhe rreth 30 mijë trupa të tjera pranë zonës së luftimit. Pra, duke patur një ushtri të organizuar u bë e mundur që të mbrohej me dinjitet e krenari çdo pëllëmbë tokë e truallit shqiptar dhe grekëve t’u tregohej vendi e se Shqipëria ka zot. Për këtë është kuptimplotë deponimi në kujtimet e ish-komandantit të postës kufitare në Vidohovë, Xhafer Matuka (Vidohova 2 gusht 1949, Tiranë 1968 faqe 84), ku nder të tjera thuhet se trupat greke lanë të varë në tokën shqiptare rreth 300 ushtarë e oficerë, rreth 590 të plagosur dhe 270 robër, ndërsa nga forcat tona për 10-12 ditë luftime të përgjakshme deri në bajonetë me bajonetë, mbetën të vrarë 29 ushtarë e oficerë dhe 127 vetë të plagosur si dhe dëme të ndjeshme materiale.

Duke sjellë në kujtesë sulmin ushtark grek të 2 gushtit 1949 dhe kërkesat e viteve të fundit të qeverisë greke si për varrezat e ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke, si dhe ajo për detin e gjirit të Sarandës e të tjera pretendime nuk është e vështirë të kuptohet se Greqia nuk ka hequr dorë e nuk heq as në të ardhmen për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Natyrshëm shtrohet pyetja: A është Shqipëria e përgatitur ushtarakisht për ta përballuar një agresion të mundshëm nga Greqia apo ndonjë vend tjetër? Në kushtet e reja politike-ushtarake që ka hyrë edhe vendi ynë pas viteve 1990 e këtej si dhe anëtarësimi me të drejta të plota në NATO është një hap më shumë për rritjen e sigurisë dhe sovranitetit të vendit tonë. Kjo buron nga objekti themelor që ka patur dhe ka kjo organizatë, i cili është garantimi dhe sigurimi i të gjithë anëtarëve të saj me mjete politike dhe ushtarake, sipas parimeve të kartës të Kombeve të Bashkuara. Bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor, Aleanca ka punuar e punon për vendosjen e një rendi të drejtë e të zgjeruar paqësor në Europë e më gjerë. Bazuar në këtë objektiv themelor, mundëson krijimin e kushteve për çdo anëtar për rritjen e bashkëpunimit, si midis pjesëtarëve të Aleancës, ashtu edhe me vendet e tjera për rritjen dhe zhvillimin e strukturave organizative për rritjen e sigurisë individuale të çdo shteti dhe në tërësi të shteteve pjesëmarrësve në këtë aleancë. Dihet se Aleanca në strategjinë e saj zbaton politikat e sigurimit, duke mbajtur e konsoliduar një arsenal ushtarak, të mjaftueshme për të parandaluar luftën e për të siguruar mbrojtje të efektshme, ajo ka aftësi të përgjithshme për të ballafaquar me sukses shmangien e krizave që lidhen me sigurimin e anëtarëve të saj si nëpërmjet përpjekjeve politike, dialogut, midis palëve në konflikt dhe veprimeve bashkëpunuese për sigurimin, parandalimin dhe mbrojtjen ndaj çdo agresioni kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të çdo shteti anëtar në këtë aleancë. Pra parë me këtë këndvështrim, qenia anëtar i kësaj Aleance rritet besimi për ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit territorial të vendit nga çdo agresion i mundshëm ndaj vendit tonë. Mirëpo, duke referuar faktet se Aleanca angazhohet në tërësi në veprime të përbashkëta e me bashkëpunim të ndërsjelltë midis shtetesh pjesëmarrëse e sovrane të bazuar në pandashmërinë e sigurimit të secilit anëtar. Kjo ndërvarje kërkon që çdo anëtar të mos detyrohet të mbështetet vetëm në potencialet e veta kombëtare, karshi sfidave themelore të sigurisë. E megjithatë politika dhe strategjia e Aleancës nuk u heq shteteve anëtare të drejtat e detyrat për të realizuar përgjegjësitë e tyre sovrane në fushën e mbrojtjes të vendit e kombit të tyre që do të thotë se çdo shtet pavarësisht se edhe anëtar i Aleancës, duhet të marrë masa që në çdo rrethanë politiko-ushtarake të jetë në gjendje për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit të vet. Pra duke vlerësuar rolin e pamohueshëm të Aleancës në rritjen e sigurisë së mbrojtjes së vendit është e domosdoshme që të merren masa për organizimin e ushtrisë shqiptare me tërë tiparet e mbrojtjes së vendit ashtu si edhe vendet që ndonëse janë anëtare të Aleancës, por që kanë të organizuar ushtrinë e tyre. Fakte për këtë janë ngjarjet e fundit midis Greqisë e Turqisë të cilat janë anëtare të Aleancës, por kur u prekën sadopak interesat e tyre në Egje, ato bazuar në arsenalin ushtarak të tyre treguan dhëmbët njëra-tjetrës për të mbrojtur sipas tyre sovranitetin respektiv. Natyrshëm del pyetja po vendi ynë që ka kufi shtetin grek i cili nga viti 1941 mban në fuqi ligjin e famshëm të luftës dhe pretendon për territore në Jugun e Shqipërisë në raste nevoje si mund të përballohet një agresion apo provokim i mundshëm si ai i 2 Gushtit 1949 kur nuk kemi ushtri të organizuar me batalione, brigadë, e divizione dhe me përcaktim të detyrave luftarake për situate të veçanta duke mos përjashtuar bashkëpunimin e bashkëveprimin me forcat e aleancës. Duke e quajtur e vlerësuar si detyrë të rëndësishme për mbrojtjen e sovranitetit të vendit, mendoj e sugjeroj që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare të organizojë punën e të kryejë studim për organizimin dhe funksionimin e ushtrisë shqiptare në përshtatje me konjukturat politike e ushtarake të kohës me qëllim që të sigurohet sovraniteti e mbrojtja e vendit në çdo rrethanë e situatë politiko-ushtarake që mund të krijohet dhe jo thjesht të mbahet ushtria vetëm e vetëm për të kryer detyra ndonëse janë të domosdoshme për mbrojtjen shtetërore civile të vendit që është e aftë dhe e kryen aktualisht mirë këtë detyrë.