Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Ushtria” e LSI për ndryshimin e Shqipërisë

Postuar: 29/08/2018 - 07:12

Të rinjtë kanë gjithë të drejtën të jenë pjesë e politikës, kjo është e padiskutueshme. E garanton kushtetuta. E pranon logjika. E ka treguar tradita ndër vite. Dihet se brezi  ri është fuqia e ndryshimit, jo vetëm këtu tek ne, as thjeshtë në sistemin e ekonomisë së tregut, po në tërë sistemet shoqërore që nga krijimi i botës. Ndryshimi është brenda shpirtit rinor , e cila është e etur për një jetë më të mirë. Për një shoqëri më të drejtë e të moralshme. Të përparuar, me ekonomi të zhvilluar. Për një mirëqenie më të mirë, për vende pune e paga më të larta, për zhvillim të gjithanshëm të kulturës, shkollim, teknologji dhe informacion në kohë reale.

Rinia është  lokomotiva e ndryshimit. Jo më kot ishte ajo që përmbysi sistemin e kalbur gjysëm feudal në vitin 1944 dhe atë komunist në vitin 1990. Të gjithë e kujtojmë me respekt se si të rinjtë u ngujuan deri sa fituan pluralizmin politik dhe rrëzimin e mitit të të paprekshmëve. Ishte rinia që përmbysi  hap pas hapi tërë shtyllat e sistemit socialist në dukje të pamposhtura që në mendjen e shumë  militantëve mund të arrihej vetëm me grykën  e pushkës, siç trumbetohej gjatë më shumë se një gjysëm shekulli. Të rinjtë ndryshuan rregullat e lojës. Bindën  edhe më skeptikët, të cilët e gjykonin sistemin të përjetshëm. Dimri 1990, provoi të kundërtën e asaj me të cilën ishim edukuar, brumosur e  përtypur ndër vite, se ishte populli ai që do ta mbronte socializmin po  realisht vetë ai e rrëzoi. I bindur se aspiratat e tij nuk kishin gjetur vend  dhe ishte i sakrifikuari i parë. Rinia u bë promotor i ndryshimit të madh. Shtylla e revolucionit paqësor, e cila mbushi sheshet me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe luftoi ta drejtonte energjinë popullore drejt një demokracie funksionale me ekonomi rentable tregu. A u përmbushën aspiratat e rinisë me përmbysjen e madhe?  Fakti që inisiativa rinore u përvetësua nga “profesorët” e regjur të komunizmit, pasi ishin ata që volën frytet e revoltës së gjerë, periudha post përmbysje tregoi qartë saktësinë  e aksiomës: - Revolucionet i bëjnë masat, frytet i vjelin të tjerët. Në krye dalin të shkathëtit, ata që dinë të manovrojnë dhe të përfitojnë në çdo situatë.

Tek ne, “Revolucioni ’90-të” tregoi qartë se si ata që sakrifikuan, ikën nga sytë këmbët dhe fitoren e përvetësuan dhe noterizuan të tjerët. Shumica prej të rinjve të përfshirë në ndryshimin e madh sot nuk dihet ku i kanë adresat. Po përfituesit i kemi mes nesh. Të ndryshuar. Pozantë. Drejtues të lartë. Në krye të mazhorancës dhe opozitës. Emrat e njohur të asaj lëvizjeje  morën ofiqe. U shpërblyen me prona. U bënë vendimmarrës. Fituan pasuri. Shtuan shtëpitë. Ndërtuan vila. Resorte e gjithçka kishin në ëndrrat e tyre. Ata shkruan emrat në radhën e liderëve të përjetshëm, duke u shndërruar në fotokopje të paraardhësve, atyre që erdhën në pushtet në 1944 dhe ikën me përmbysje. Në ngjashmëri absolute, asnjëra palë nuk hoqi dorë nga pushteti. Kryesimi i piramidës së pushtetit mbeti pronë e atyre që manovruan dhe fituan nga lëvizja mbarëpopullore. Kështu, 30 vjet qëndruan vetëm në krye. I provuan të gjitha postet. Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Monika Kryemadhi. Dhe radha e dytë e revolucionarëve, Paloka, Bode, Manjani, Noka, Ndoka, Alibeaj, Vasili dhe vargu pa fund i tyre. Të rinjve iu mbeti vetëm distiktivi “Pishtar i demokracisë”. E vetmja relike e fituar. Në poste erdhën “partizanët” e rinj  të vilave luksoze,  edhe pse fundshekulli i 20-të. Pa përvojë. Pa motivimin si shtetndërtues. Me kualifikim profesional e administrativ zero.

Po sot, cili është roli i të rinjve? Partitë politike luajnë me vullnetet dhe  vrullin e rinisë. I përdorin në “revolucionin e radhës”. Liderët opozitarë deklarojnë se shtatori do jetë muaji i ngjarjeve të mëdha. Do përsëritet cikli i vitit 1990-të. Avaz i vjetër. Të rinjtë sipas tyre do jenë në këmbë për të përmbysur narkoshtetin. Për këtë bëhen përgatitjet. Vendbazimi i  “ushtrisë rinore” në drejtimin e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi u zgjodh kampi i Jalës. Fotot e botuara në tërë mediat shqiptare  në një sfond të kaltër për koincidencë fare pranë fshatit të kryeministrit aktual të  Shqipërisë në Vuno, disa dhjetra të rinj nga mosha 12-40 vjeç, pozojnë të rreshtuar në kuadrate në një mënyrë të çuditshme, si të jenë një detashment i gatshëm për të sulmuar kështjellën që quhet pushtet. Kjo foto ngazëlleu edhe Sali Berishën, i cili e pompoi atë si një fuqi e madhe e ndryshimit, si forcë e gatshme për betejat e shtatorit. Rreshtimi si të ishim në prag të një përmbysjeje të re. Këtë herë, jo kundër sistemit komunist po atij demokratik. Në vështrimin opozitar në logjikën e saj, shtetit të narkotrafikëve. Pushtetit të Noriegës. “Të rrëzojmë Noriegën e krimit”, ulërasin  liderët opozitarë! Të përmbysim shtetin e korruptuar!  Në deklaratën e Berishës nuk të çudit entuziazmi, se ai e ka me tepri para çdo demostrimi. Ajo që të habit më shumë është rreshtimi dhe nderimi me pëllëmbën shtrirë e gishtat drejt si të jenë efektivë të një armate luftarake. Mungonin vetëm kasketat. Natyrisht edhe armët. Po ato janë në armaturë me iluzione në pritje të urdhërit për ti ngjeshur në trup edhe armët. Po para saj kërkohet pak stërvitje. Si për çdo forcë ushtarake fillestare! Si pionierë dhe të rinj të kohës që lamë pas. Dhe në vend që t`i harrojmë këto simbolika, i gjallërojmë dhe i konkretizojnë për të na thënë se revolucioni është rruga jonë. Pas promovimit të disa të rinjve në radhët e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, djem e vajza që përvojë kanë vetëm auditoret e universitetit që nuk kanë punuar asnjë ditë dhe nuk kanë asnjë eksperiencë jetësore, veç bëmave të tyre në luftën opozitare, LSI na shfaqi një pamje tjetër. Tablo luftarake, pozante. Të rinjtë nuk ishin si gjithnjë në qejf të vet. Të ulur sipas dëshirës apo para një koncerti të madh me entuziazmin që e ka tipar rinia. Nuk janë në kuvend me partinë, duke dëgjuar ndonjë leksion demokracie nga ata që vijnë prej 1990-ës. Janë fiks në një paradë, ku shprehet gatishmëria për të qenë në këmbë. Duken sikur mezi presin të nisin sulmin për të realizuar pritshmëritë  e shtatorit që aq shumë trumbetohen si fundi i botës, si prag përmbysjeje.  Të rinjtë janë të lirë të grumbullohen. Të demostrojnë. Të bashkohen. Të kërkojnë. Të përcjellin dëshirat dhe objektivat e tyre. Po natyrisht, ata kanë formimin demokratik se pushteti nuk përmbyset me dhunë. Dhe dhuna është armiku më i madh i lirisë dhe rinisë. Ata, edhe pse të rreshtuar gati në sulm ndaj një mazhorance të zgjedhur me votën e  popullit në zgjedhje të njohura ndërkombëtarisht  në këto vite të gjata tranzicioni e kanë mësuar se është vota që të sjell ose të largon nga pushteti. Se pa votë nuk ka pushtet. Se vullneti i popullit nuk mund të imponohet as manipulohet. Në këtë kuptim, këshilltarët që rreshtojnë të rinjtë në një demostrim force si të ishin të gjithë bij  të revolucionit dhe u kërkojnë besën për një lëvizje të ashpër, janë duke bërë një gabim fatal. Nuk është normale të miklohet brezi i ri me idenë se mjafton të mbushim një shesh. Të dalim me parulla. Të denigrojmë kundërshtarët. Të bërtasim. Të shajmë e ulërijmë. Miklimi i të rinjve dhe ushqimi me iluzionin se erdhi koha për ndryshim, pa marrë parasysh se është vota që vendos,  bëjnë gabim  të shumëfishtë. Dhe këto iluzione, të cilat i djeg vetë demokracia, pasi përfundojnë në flluska sapuni dhe tam-tame  në vend që të vënë vetullat nxjerrin edhe sytë. Dhe këtë të parët e dinë kryetarët e partive që duan të na demostrojnë repartet me të rinj  në poza butaforike që të përngjajnë me pikturat surealiste të mbushura me ngjyra pa shije dhe ide. E mira do ishte që kryetarja e LSI-së, Monika  Kryemadhi të bënte përpjekje që të rinjtë të shkollohen më mirë. Të dëfrehen me kulturë. Të bëhen njohës të shquar të informatikës dhe teknologjisë. Të zotërojnë gjuhë të huaja. Të bëhen profesorë të së ardhmes. Të edukohen me dashurinë për lirinë e demokracinë, popullin dhe atdheun. Se  nxitja për të marrë pushtet me beteja tinzare, me rrëmujë dhe pengim të reformave nuk është e denjë as për partinë, as për rininë.  Përpjekja e LSI-së për të treguar  se është parti e të rinjve është një nonsens që ia njeh si privilegj vetes kjo parti. Se të rinjtë nuk janë ekskluzivitet i LSI-së. Të rinjtë janë  në gjirin e tërë forcave: Të rinjtë ballistë, Legalistë. Pëdëistë. Agraristë. Erkologjistë. Kristiandemokratë, eurosocialistë.  Kuptohet të rinjtë e paparcelizuar janë shumica dërrmuese dhe në këtë aspekt  të gjithë kanë nga pak tharm rinor brenda partisë. Mburrja se jemi partia e të rinjve është subjektivizëm ekstrem dhe pretendim pa bazë.

Para LRI-së, në Jalë ishin eurosocialistët. Pas tyre mund të shkojnë FRPD. E kështu me radhë. Po socialistët nuk i pamë as të rreshtuar, aq më pak të irrituar. As të ngrefosur. Kurrsesi të armatosur. Nuk i pamë në një nderim alla LSI-të. Të rreshtuarit atje në Jalë janë bij të shqiptarëve. Janë fëmijët tanë para se të jenë të partisë “x”. Djem e vajza që  vijojnë shkollimin që nga shkollat fillore deri në mastera. Janë shqiptarë në të gjitha drejtimet. Dhe para se të jenë të LSI-së, janë djem e vajza të Shqipërisë. Partia e tyre është atdheu, është vendi ynë. Ndaj çdo përpjekje për ti instrumentalizuar, duhet përbuzur së pari nga vetë të rinjtë. Të mos  pranojnë të bëjnë betimin në një rreshtim absurd. Të mos ushqehen me sindromën se e keqja është grumbulluar në njërën palë. Dhe atyre u ka rënë barra e shpëtimtarit të shpëtojnë Shqipërinë nga rënia në greminë. Po të jetë se këtë vend do ta mbrojnë disa djem dhe vajza ende në moshën e adoleshencës që kanë shumë për të mësuar, atëherë në dreq të vejë edhe ky ndryshim. Ta instrumentalizosh rininë, ta paraqesësh atë si një fuqi përmbysjesh  të mëdha, ta interpretosh vullnetin e saj si mekanizëm për të arritur realizimin  e kauzave partiake është më e pakta një iluzion se sa një taktikë e aq më pak strategji ndryshimi. Në fotot që na dërgon LSI nga Jala, lexojmë shumë detaje. E para kombinimi moshor nga 12 vjeçarët deri tek më të rriturit. Veshja është një tjetër element pozant. Nderimi është specifika më kulmore dhe ajo që të vë në mendime. Është një imitim? Janë origjinal? Nderim demokratik?  Nderim perëndimor apo lindor? Kombëtar apo internacional? Simbolika e këtij nderimi të vë në mendime. Kuptohet, regjisura ka bërë kujdes të na shfaqë një gatishmëri ekstreme sikur të jemi në emergjencë kombëtare. Sikur diku në kufij, ushtritë pushtuese janë gati të  rrëmbejnë trojet tona, lirinë dhe demokracinë. Po nuk jemi në këto kushte dhe  përpjekja duket e sforcuar. Nuk mund të biem dakord me disa opinionistë që duan ta paraqesin këtë organizim si imitim i betimit të sistemeve të përmbysura. Si një eksperiment i huazuar nga nazizmi apo fashizmi. Kurrsesi jo. Nuk ka vend për një përngjasim të tillë. Shqiptarët i kanë përbuzur dhe larguar ndër vite këto imitime e simbole. I kanë shpallur të papranueshme për konstitucionin shpirtëror të popullit shqiptar. Ndaj edhe nuk duam ti  përmendim.  Organizatorët e këtij rreshtimi  kanë diçka të përbashkët me grupet e të rinjve demokratë para protestave të bëra ndër vite, ku grupe të rinjsh  të organizuar në rreshtime pozante me simbole të stampuara në shpinë, janë gati identike me rreshtimin e të rinjve lësëistë në Jalën e bukur. Jala është vendi, ku bashkohet harmonia me bukurinë. Natyra i ka falur kësaj zone pa kursim gjithçka. Blunë e detit. Qiellin e pastër. Mrekullinë. Pyjet e malet. Peisazhin. Vendi i pangjashëm me askënd tjetër. Ndaj grumbullime të tipit “Gjithmonë gati”, “Të qëndrojmë në pritje”, “Të japim gjithçka në interes të partisë”, “Të nderojmë si ushtarët para frontit të luftës” kontraston fuqimisht me këtë peisazh përrallor. Dhe është kjo natyrë e ky vend i rrallë edhe në Ballkan, që e bën këtë organizim dhe deklaratat që kumtohen, të duket edhe më agresive.

Opozita është në të drejtën e vet të organizohet. Ti kundërvihet pushtetit. Të kërkojë ta bllokojë. T’i imponohet me aksione, revolta. Pa shkelur vijat e kuqe. Pa cënuar parimet e shenjta të demokracisë dhe mbi të gjitha atë që në pushet nuk të sjellin revoltat, pozimet, rreshtimet, imitimet, as protesta, frikësimi dhe imponimi. Dhe në këtë drejtim edhe rreshtimet e betimet, nderimet  dhe qëndrimi gatitu me pëllëmbë të hapura apo grusht bashkuar, as imitimet e batalioneve të gatshme për betejat që na presin. Kundër kujt do t’i bëjnë këto beteja? Cili është armiku përballë? A nuk jemi të gjithë shqiptarë? Apo përmes rreshtimeve të tilla, alla LSI-ste e PD-iste mund të frikësohet një popull i tërë.  Pse kjo këmbëngulje e LSI-së që kërkon të na demostrojë muskujt rinorë, nofullat e  shtrënguara nga Jala fantastike?! / Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 3. Total votes: 16

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/09/2018 - 07:28

Shqiptarët e kanë provuar gjysmë shekulli tmerrin e regjimit diktatorial. Duke qenë të traumatizuar shqiptarët zgjodhën sistemin shoqëror demokratik për të provuar shijen e paqes, lirisë.

Postuar: 25/09/2018 - 07:26

Po diskutohet ethshëm mbi një ligj të ri që tenton të vendosë një rregull mbi ndalimin e importit

Postuar: 25/09/2018 - 07:24

“Stani” apo koalicioni i Bashës, nuk e di pse më kujtoi Hanin e Stavros në qytetin e

Postuar: 25/09/2018 - 07:22

Uji është një ndër elementët kryesorë të jetës.

Postuar: 23/09/2018 - 07:43

Gjurmët e jetës, punës dhe sakrificës së Qazim Demit janë të gdhendura fort në qytetin e Sarandës

Postuar: 23/09/2018 - 07:40

 “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, tashmë është një ëndërr që për shqiptarët ësht

Postuar: 23/09/2018 - 07:38

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry