BREAKING NEWS

Ja se si nobelisti Montagnier po hedh në erë Big Farmën dhe po zbardh veprimet kriminale me covid 19

Ja se si nobelisti Montagnier  po hedh në erë Big Farmën dhe  po
x

Opinion / Editorial

Vaksina që duam

Vaksina që duam

Një javë më parë, më 10 janar 2021 u vaksinuan për herë të parë tek ne 60 mjekë, së bashku me kryeministrin. Fakti që po vaksinohemi, pavarësisht se “me pikatore”, është zemërdhënës për të gjithë dhe i bën mirë psikologjikisht vendimmarrjes në ekonomi. Si kohë (vetëm dy javë pasi e filloi njëherësh i gjithë Bashkimi Europian), është nisja më e mirë e mundshme dhe na jep shpresë. “Shopping-u (në anglisht, blerja)” i parë i kryeministrit në SHBA, ku porositi dhe nënshkroi kontratën me Pfizer për 500 mijë doza vaksinash, nuk kishte ku të bëhej më i mbarë. Po tani? Tani jemi në mes të një pandemie me shifra të frikshme të infektuarish dhe vdekjesh në SHBA dhe kudo në Evropë. Të gjesh vaksina në treg të lirë është praktikisht e pamundur. Shtetet më të fuqishme të botës, si SHBA, Gjermania, Franca, Kanadaja etj., kanë bllokuar tregun për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Vetëm Kanadaja ka porositur vaksina pranë kompanive kryesore që e prodhojnë (Pfizer, Moderna, AstraNovavax, etj.) në sasi gjashtë herë më shumë se popullsinë e saj. Tani varet vetëm nga aftësia gjetëse e vaksinave në treg nga qeveria jonë. Si dhe nga organizimi ynë. Infrastruktura jonë e vaksinimit (qendrat e specializuara ku njerëzit do të vaksinohen, personeli vaksinues, ruajtja në kushte optimale temperature e vaksinave, etj.) duhet të na funksionojë si një sahat zviceran. Ministria jonë e Shëndetësisë duhet të bëjë publik planin kombëtar të vaksinimit sa më shpejt. Duhet ta ketë në faqen e saj në internet. Ta shohin dhe ta lexojnë të gjithë qytetarët. Si dhe strukturat dhe njerëzit përgjegjës. Çdo vonesë në vaksinim, në furnizimin e qendrave vaksinuese në kohë dhe me sasinë e planifikuar të vaksinave, duhet parë si dezertim nga një luftë! Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të ketë audituesit e tij në strukturat përkatëse të shëndetësisë, për të mos lejuar asnjë abuzim me këtë pasuri kombëtare, që përbëhet nga stoku i vaksinave dhe nga shpërndarja e tyre në kohë reale dhe vaksinimi sa më i shpejtë i popullsisë. Asgjë nuk i duhet lënë vetëm dëshirës së mirë të një personeli të paktë shëndetësor që kemi. Infrastruktura e vaksinimit kërkon shumë më tepër sforco dhe njerëz e struktura, për t’u realizuar si duhet. Dhe kryesorja e kryesoreve: sigurimi i vaksinave në sasinë e duhur. Një javë më parë erdhën tek ne 2 mijë dozat e para të vaksinës nga dy vende mike, njëra anëtare e BE-së (emri i tyre mbahet sekret, pasi vaksinat sigurohen për qytetarët e tyre dhe jo për vendet e tjera). Falas! Ndihma që na u dha, pavarësisht sa e vogël në doza, është e një bujarie të pazakontë, në këto kohë pandemie. Në momente kur të gjithë edhe shtetet më të zhvilluara e të pasura të Evropës, po struken në hallin e tyre. Madje edhe i gjithë Bashkimi Europian i stërmadh u tkurr, kur u bë fjalë për të dhënë dozat e para të vaksinave edhe për vendet kandidate dhe aspirante për kandidate të tij. Ne na duhet të sigurojmë të paktën edhe 1.5 milionë vaksina të tjera në këto 6 muajt e parë të këtij viti dhe këtë objektiv ta kemi të qartë përpara vetes. Ja përse na duhet plani kombëtar i vaksinimit. Vaksinat falin jetë dhe biseda për vlerën monetare të tyre (sa do të blihen) duhet realisht lënë për një kohë të dytë. Tani duhen siguruar sa më shumë vaksina për gjysmën e parë të vitit dhe duhen vaksinuar sa më shumë prej nesh. Sigurisht, duke ndjekur radhën e atyre që duhet të vaksinohen të parët. Gjysmë milioni dozat e vaksinës të kompanisë Pfizer, të kontraktuara nga kryeministri më 30 dhjetor 2020 në Nju Jork, duhen dhënë vetëm si doza të para. Duke dalë sërish që tani në tregun ndërkombëtar të vaksinave, për të blerë me çdo çmim vaksina të tjera. Është një garë me kohën, pasi duhet të vaksinojmë sa më shumë prej nesh. E kemi të domosdoshme të arrijmë të vaksinojmë deri në qershor 2021, të paktën mbi 1 milion qytetarë! Ose 36 për qind të popullsisë së sotme tonën prej 2.8 milionë vetash. Në mënyrë që të kemi gjasa të arrijmë gradualisht imunitetin e tufës që po kërkojmë (si e gjithë bota) në fund të këtij viti. Për këtë, na duhen 2 milionë vaksina. Pra, na mungojnë edhe 1.5 milionë të tjera, të cilat duhet t’i sigurojmë, t’i blejmë sa më shpejt. Ky proces duhet të shndërrohet në një përparësi kombëtare. Le të themi se jemi me fat dhe siguruam edhe 1.5 milionë dozat që na mungojnë. Mirëpo që të arrijmë të vaksinojmë 1 milion qytetarë për 5 muaj e gjysmë (janar-qershor 2021), duhet që në muaj të arrijmë të vaksinojmë të paktën 150-200 mijë vetë. Ose 5-7 mijë qytetarë të vaksinuar në ditë. Me ritmin e tanishëm, kapacitetet dhe ndjeshmëritë që kemi për dobinë dhe domosdoshmërinë e vaksinës, jemi ende shumë mbrapa. Nuk mendoj se në javën e parë të vaksinimit arritëm të vaksinojmë më shumë se një mijë vetë. Pra, dyzet herë më pak se minimumi javor që na duhet. Kjo varet edhe nga stoku i vaksinave që kemi. Por në javët e ardhshme, kur ndoshta kompania Pfizer do të fillojë të na japë sasitë e kontraktuara pak e nga pak, qasja duhet të ndryshojë rrënjësisht. Nëse duam që të përdorim të gjitha vaksinat që arrijmë të sigurojmë brenda një kohe të shkurtër. Ky problem është sot i të gjitha shteteve kudo në botë. Por ne duhet të tregojmë përgatitje, përgjegjshmëri dhe seriozitet. Opozita jonë do të ndihmonte jo duke e demonizuar procesin, por duke u munduar të ndikonte me kontaktet që ka në partitë popullore të Europës, që përfaqësues të tyre të ndikojnë në qeveritë përkatëse europiane të na japin ndihmë sa më shpejt sasi vaksinash. Sikur nga 10 shtete të fuqishme të Europës së Bashkuar të arrijmë të marrim nga 50 mijë doza vaksinash, ja ku bëmë stokun e parë 1 milion vaksina që na duhet. Ky duhet të jetë objektivi ynë, krahas kërkimit të ethshëm për vaksina që të blejmë në treg. Jemi në garë me kohën dhe me dashamirësinë dhe bujarinë e aleatëve tanë në BE, bujari e cila në këto kohë është më e rrallë se platini.