Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Varfëria përballohet me dinjitet e solidaritet njerëzor

Postuar: 13/10/2019 - 07:48

Duhet të pranojmë se në vendin tonë ka ende mjaft njerëz që jetojnë në varfëri, të cilët nuk arrijnë dot të sigurojnë as nevojat jetike më minimale. Është e natyrshme që në një ekonomi tregu për vetë ligjet e funksionimit të saj, nuk mund të ketë kurrë barazi. Këtë e theksoi kohët e fundit edhe kryeministri Rama në takimin me 200 biznesmenë të njohur, duke u kërkuar atyre që në bashkëpunim me qeverinë të ngrinin fondin për Shqipërinë solidare. Gjatë prezantimit të kësaj nisme, kryeministri Edi Rama tha: “Bashkëpunimi mes qeverisë dhe bizneseve të mëdha synon tu vijë në ndihmë familjeve në gjendje të keqe ekonomike, apo në kushte ekstreme varfërie”, duke kërkuar kështu që ndjesia e biznesit të madh ndaj fitimit në rritje, “të mos kthehet në një egërsi shoqërore”. Vendi ynë ka shumë pasuri materiale dhe financiare, por kjo është ndarë në mënyrë të pabarabartë, pasi njerëzit nuk janë të gjithë njësoj nga aftësitë intelektuale, mundësitë fizike dhe gjendjen e zhvillimit të infrastrukturës. Ndaj duhet më shumë solidaritet e mundësi bashkëpunimi midis atyre që zotërojnë kapitale të shumta dhe atyre që u mungon buka dhe uji në familje. Sa e sa biznesmenë humanë kanë dhënë kontributet e tyre për zbutjen e varfërisë në njerëz e familje të veçanta, duke i ndihmuar ata financiarisht dhe materialisht. Bëhen thirrje në media për ndihma financiare, për të dërguar njerëz për kurim jashtë shtetit, për ndërtimin e shtëpive të shembura, apo për mjete të ndryshme për persona me aftësi të kufizuara dhe menjëherë iu përgjigjen biznesmenë e njerëz të pasur nga të katër anët e vendit, siç ishin dhe dy rastet e fundit të bëra prezent në media. Kjo nuk është thjesht ndihmë e përkrahje në aspektin ekonomik, por edhe lartësim i dinjitetit të njeriut, i humanizmit, që tregon se njeriu për njeriun është shok, mik, vëlla. Njeriu, çfarëdo mënyrë jetese që të bëjë, sido që të jetë, shumë i pasur apo shumë i varfër, duhet të mbaj lart dinjitetin dhe humanizmin e tij e të falënderojë zotin që e bëri njeri. Njeriu është qenia e organizuar në shkallën më të lartë dhe vullnetin e pasurinë nuk duhet ta përdorë për të sunduar njeriun, por natyrën e mjetet e prodhimit. Nëse njeriu degradohet moralisht, sado pasuri që të ketë, do të ndikojë edhe në degradimin e shoqërisë. Një poezi të bukur ka shkruar Xhevahir Spahiut për fillimet anarkiste të demokracisë në vendin tonë. Po japim katër vargje të saj: 30 lekë një kg mish/një bukë e zezë katër lekë. Po më lirë?/1kg dinjitet.

Duke përmendur e falenderuar biznesmenë që japin ndihmën e tyre të sinqertë në mbështetje të familje të varfra, të mos harrojmë se ka edhe të tjerë, që pasuria i ka depersonalizuar e më shumë humanë po tregohen me kafshët se sa me njerëzit në nevojë. Ka raste që pasanikë të veçantë po harrojnë fare, se edhe fukarai është njeri e ka të drejtë edhe ai të jetojë në këtë botë. Për këtë do të sjell dy shembuj. Në rrugën e Kavajës, një plakë, me një qese në dorë, zbriti nga autobuzi dhe gati në gjendje të fikti, u ul buzë trotuarit. Ishte vetëm, pa asnjë shoqërues. Në anën tjetër të trotuarit pashë një meso burrë të shëndoshë, që u sul me vrap në drejtim të plakës dhe unë kujtova se ai do t’i jepte ndihmë të moshuarës së tejlodhur. Por jo, ai e kishte mendjen tek një zonjë që kishte dalë xhiro me qenin e saj leshator, i vogël dhe i bukur. Burri e pushtoi qenin, e ngriti peshë e shtrëngoi fort në gjoks dhe filloi ta përqafonte e ta puthte. Pastaj u përshëndet edhe me të zonjën e qenit dhe as që ia hodhi sytë plakës. Plaka e gjorë, e dergjur atje nën diellin përvëlues të gushtit nuk e vuri re këtë skenë, por sikur të kishte pak fuqi e ta shihte, me siguri do të mendonte: Ah, sikur të isha qen! Rasti i dytë: Të gjithëve mund tu ketë ndodhur që të shohin lypsa që shtrijnë duart, e në vend të marrin ndonjë lëmoshë, hanë shqelma e poshtërime. Por ajo që pashë në një lokal luksoz në zonën e Freskut, mu duk tepër antihumane. Në këtë lokal të zakonshëm kalojnë drekat e darkat mjaft klientë se përgjithësisht ka çmime të arsyeshme. Dy burra të shëndoshë ia kishin shtruar me bërxolla, shishqebap e mish qengji. Poshtë tek këmbët e karriges së tyre rrinte shtrirë një qen, mbuluar me lesh të gjatë ngjyrë bardh e gri. Burrat herë pas here i hidhnin qenit nga pjata e tyre, që i kollofiste ato po shtrirë, pa luajtur fare nga vendi. Në ato momente, në lokal futet një lypës i vogël dhe i afrohet tryezës së tyre duke zgjatur dorën që t’i jepnin diçka për të ngrënë. Jashtë bënte ftohtë dhe i gjori fëmijë, sikur e mori disi veten në atë ngrohtësi lokali dhe i shkoi mendja edhe për të ngrënë diçka.

Por, çifti ia shty dorën e zgjatur disa herë me të egër dhe pastaj i kërkoi kamarierit ta nxirrte jashtë. Kamarieri e shty me gjurin e tij të bëshëm për ta nxjerrë jashtë dhe fëmija ikte mbrapsh me sytë nga qeni që përtypte i qetë copën e bërxollës. Dhe fëmija migjenian, kushedi sa kohë i pangrënë, ndoshta tek po dilte jashtë në të ftohtin që e priste, duke mos e kuptuar këtë diferencim të thellë midis qenies njeri dhe qenies qen, do të preferonte të ishte i shtrirë nën këmbët e tryezës ku hanin dy burrat, e do të kënaqej sikur të hante edhe nga ato mbeturinat e tavolinës, edhe më pak se qeni. Por lypsi i gjorë nuk e kishte privilegjin e të qenit qen. Sot, pasuria dhe përkujdesja në disa raste po kalon nga njeriu tek qeni. A i keni parë zonjat, që vishen e stolisen si të ishte mbrëmje feste dhe me qenin për dore, të pastruar e të pudrosur, harrojnë se çfarë është mjedisi social. Ata ndoshta e kanë flakur vogëlushin në krevatin e tij në qoshe të dhomës, ose ia kanë rrasur në duar burrit apo vjehrrës dhe kanë dalë të bëjnë qefin e tyre, duke shëtitur, me kë… me qenin. Kanë harruar se kanë burrë, se kanë edhe një vjehrrë që ka domosdoshmëri të shohë dhe ajo “dynjallëk me sy”, kanë lënë fëmijën në gjumë në krevat, as nuk duan t’ia dinë se kanë familje, dhe i janë përkushtuar krejtësisht qenit. Po sikur kjo grua të kishte atë pasion, përkushtim dhe dashuri për familjen, për vjehrrën, bashkëshortin, fëmijën, a nuk do të ishte dhe ndjenja e përgjegjësisë më e madhe para shoqërisë e normave të moralit. Ndoshta nuk besohet, por ka disa që për qenin japin dhe jetën, ose e çmojnë atë më shumë se jetën e tij. Në një lagje pranë Sanatoriumit, është një familje që mban një qen të madh, nga ata të kufirit. Çdo ditë e ushqen me mish, sallam e proshuta dhe jo pak, por me një racion ditor rreth 2-3 kg. Një ditë qeni kishte dalë nga oborri, duke përfituar që porta ishte hapur dhe në përballje me një grua, e cila po kthehej në shtëpi të saj, iu vërsul, i vuri këmbët në gjoks dhe e rrëzoi për tokë. Nuk i shkaktoi plagë në trup, por ama e trembi saqë ajo e lemerisur shkon në shtëpi duke qarë. I shoqi, kur mori vesh ç’i kishte ndodhur, i revoltuar, merr çiften dhe i afrohet familjes së pronarit të qenit dhe rrinte tek porta e tij, duke kërkuar të vriste qenin. Në atë moment doli djali 25- vjeçar i shtëpisë, e mbuloi qenin me trupin e tij dhe me lot në sy i kërkoi kërcënuesit: “Aman, po deshe më vrit mua, vetëm qenin jo”! Ja pra sa kuptim ka shprehja të bësh jetë qeni. Jeta e qenit, po bëhet çdo ditë e më tepër më e shtrenjtë se ajo e njeriut. Dikur Dritëro Agolli, në një aforizëm të bukur thoshte: Qeni është një kafshë besnike, po pse zemërohemi, kur na thonë qen”! Që atëherë, poeti i madh kishte një farë të drejte, pavarësisht ironisë së tij të pranishme. Të bën përshtypje fakti, kur shikon mjaft vajza e nuse, madje edhe të arsimuara, që në mungesë të një pune që u përshtatet, ulin dinjitetin e tyre duke pastruar dhoma e vila pasanikësh, që robtohen tërë ditën për një pagë qesharake, madje edhe pa siguracion, e duke u poshtëruar nga qëndrimi arrogant i pronarit. Ne duhet ti duam dhe ti ruajmë kafshët, sidomos qentë, por ama jo të arrihet deri aty, sa të bëhesh një me të, e ta vlerësosh më shumë se një pjesëtar të familjes, e të mos merret vesh se ku mbaron jeta jote e ku nis ajo e qenit. Se ky pastaj quhet qenëzim! “Kam afër një komshie që jeton me vjehrrën- më thoshte një ditë një kolegu im i punës. I shoqi punon në emigracion. Të vish të shikosh dallimin midis jetës që bën vjehrra dhe jetës së qenit!

Vjehrrën e ka mbyllur në një aneks të pasuvatuar, tërë lagështirë e pa asnjë lloj pajisje, kurse qeni jeton si kont. Jo vetëm që ushqehet me ushqim të zgjedhur, por ka një stelë moderne me sfungjer, e biles ka edhe veshje shumë të shtrenjta. Në Sauk është ngritur një spital veterinar modern. Dhe çdo ditë aty ndjen merakun dhe shqetësimin e madh të njerëzve për qentë, të qarat dhe kërcënimet ndaj mjekëve, kur nuk u shërbehet siç duhet atyre, që nuk i ndesh dot as në spitalin “Nënë Tereza”. Ndoshta po vjen një kohë që njeriu po harron njeriun, dhe mungesën e dashurisë njerëzore, po përpiqet ta kompensojë me dashurinë për qenin, për macet e minjtë. Jemi në shekullin e ftohtësisë njerëzore dhe ndoshta këtë e ka nxitur edhe bollëku i disave dhe varfëria e të tjerëve. Në këtë botë nuk ka qenie më të mrekullueshme, më të zhvilluar, më perfekte, më altruiste dhe më të ndërgjegjshme se njeriu, ndaj të mos harrojmë kurrë vlerësimin e Shekspiri të madh. “Njeriu, xhevahir i botës, kurorë e gjërave të gjalla”. 

 Nga Ramazan Sherja

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/11/2019 - 07:17

(17 nëntor 1944-17 nëntor 2019: 75-vjetori i çlirimit të Tiranës)

Postuar: 19/11/2019 - 07:15

Shoqëria jonë ka një mangësi të jashtëzakonshme në trashëgiminë e saj të sotme, të ardhur deri më

Postuar: 19/11/2019 - 07:13

Tani që u shua, ndoshta për një periudhë të caktuar kohe, mundësia e hapjes së negociatave me BE,

Postuar: 17/11/2019 - 19:17

Dita e sotme si një ditë përkujtimore për çlirimin e kryeqytetit nga

Postuar: 17/11/2019 - 07:47

“Nga të gjitha fatkeqësitë që mund ta gjejnë një Komb, asgjë nuk është më tragjike dhe me k

Postuar: 17/11/2019 - 07:45

Për mendimin tonë, për politikën shqiptare në përgjithësi, sindroma e mosrespektimit të të rinjve

Postuar: 17/11/2019 - 07:44

Jam një nga tre milionë shqiptarët që jetoj në Shqipëri.