BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

“Vdekja është opozita e jetës”

“Vdekja është opozita e jetës”

Radhët tona si veteranë vijnë duke u pakësuar. Kjo është e natyrshme. Nuk ka njeri që të rrojë në jetë të jetëve. Ne veteranët jemi nga ata që shkruante Gëte: “Jetën dhe lirinë i meriton vetëm ai që çdo ditë lufton për to”. Dhe veteranët luftuan, sakrifikuan për liri si partizanë, ranë dëshmorë mbi 28 mijë, mbi 12 mijë u plagosën, ata që ishin “jetëgjatë”, mbetëm gjallë, punuam me sulm në vijë të parë për rindërtimin dhe ndërtimin e Shqipërisë së Re, po një nga një ndahen nga jeta dhe përcillen me nderime në banesën e fundit. Pavarësisht si jetuan, “jeta është lulja”, ndërsa “vdekja me nder është kapak flori”, siç thotë populli.

Një veteran shuhet, qindra ngrihen!

Thuhet se “vdekjen e kemi borxh”. Ajo është bashkë me jetën, “flenë nën një jorgan, janë në unitet relativ dhe në luftë absolute”! Zakonisht vdekja lakmon të sëmurë, të dobët, pleq, me të cilët “kacafyten si skifteri me shpendin” dhe ajo rrëmben jetë. Vdekjen e ke me vete, ti s’e sheh, ajo të sheh dhe të hedh thonjtë. Heroi Shefqet Peçi, që vuante nga këmbët shprehej: “Ah, moj pleqëri e shkretë, s’të desha, po erdhe vetë”! Gjeneral Dylaver Poçi, që ishte bashkë me veteranin Ahmet Mehmei duke pirë kafe, vdekja e kobshme e mbërtheu dhe ai në çast u befasua, u shua dhe mundi të thoshte vetëm: “Erdhe, moj lanete”?!

“Vdekja është opozita e jetës”, të vjen pa trokitur në derë. Ajo të sulmon, njeriu kundërsulmon. Kur është i fortë, ky shpëton. Por vdekja s’i ndahet. Synon ta ndajë nga jeta. Jetë të dytë s’ka. Ka vetëm në mendje të atyre që besojnë në ringjallje. Besim i kot. I rrënjosur nga feja. Kur liderë të opozitës, pas fjalimit në mitingje thonë: Zoti u bekoftë! Vdekjen nuk e shohim. Ajo na sheh dhe vepron. Dhe Na sulmon. Koronavirusi që fluturon në të gjithë botën, ka zbritur edhe në tokën tonë. Lakmon të moshuar. Në tre muajt e parë të këtij viti, vetëm veteranë ka rrëmbyer 173 veta, disa të shoqëruar edhe me sëmundje të tjera. Mosha mesatare e tyre është 73 vjeç, ndër ta 10 mbi njëqind vjeçarë, 4- dyzetëvjeçarë.

Kemi qenë 70 mijë partizanë, mbi 28 mijë ranë dëshmorë, të tjerët panë me sy çlirimin e Atdheut, se “Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër”. Dhe më të rinjtë mbetën në forcat e armatosua. Të tjerët iu përveshën punës për rindërtimin dhe ndërtimin e Shqipërisë së Re. Vitet vraponin. Mosha e veteranëve rritej. Pleqëria është fundi i jetës. Ajo të vjen pa trokitur në derë. Vdekja është dukuri e përgjithshme, ligj absolut për çdo krijesë të gjallë. Ky është edhe qëndrim i natyrshëm, në përputhje me konceptin që i madhi Dritëro e trajton në vargje artistike: “Veç me vdekjen s`jam takuar kurrë, ndaj e pres nderuar në shtëpi, për respekt një qengj manar në furrë, për humor një shishe me raki”. Veteranët më pleq ishin në hall: “kujt do t’ia linin Organizatën”? Dhe çelësi u gjend: lindi një lëvizje e fuqishme: Pasardhësit e veteranëve. Sot efektivi ynë i kalon dyzet mijë pasardhës! Gjithnjë bëhen pranime të reja, shtrohen anëtarët e organizatës me të rinj e të reja, burra e gra besnikë, në radhë të parë nga ato familje që i kanë dhënë LANÇ gjak dhe kanë kontribuar në emër të Atdheut...  Jeta shuhet kur pushon së rrahuri zemra, e cila me tërë sistemin dhe funksionin e saj biologjik është çelësi i jetës. Ti e sheh njeriun e dashur se nuk ngopet dot me frymë, me oksigjen, është nën torturë dhe vuan, duron, lufton me optimizëm për jetën, kundër vdekjes, disave jeta u rëndet dhe shprehen: “Më mirë të vdes”. Dhe është në pritje. Do të rrojë, por vdekja kthehet në nevojë si gjumi. Disave ajo u vjen edhe si vazhdim i drejtpërdrejtë i gjumit të vërtetë dhe, më e shumta çfarë ndodh atyre është ndërprerja vetëm e ndonjë ëndrre të keqe! Ti pret që i sëmuri të zgjohet, por ai është shuar si qiriri. Është ndarë nga jeta. S’ka jetë tjetër. Jetën tjetër, le ta besojnë ata liderë opozitarë, të cilët kur mbarojnë fjalimin në miting, thonë: “Zoti u bekoftë”, nëse janë vërtet fetarë, ose nëse s’besojnë, shprehen kështu, që t’i duan më shumë ata që besojnë vërtet! Ai që ka besuar e tani s’beson më, thotë: “S’ka zot, zot i vetes jam vet”!

“Rruga e vdekjes i ngjan diellit:

perëndon dhe prapë ndriçon”!

Vdekja është e pashmangshme. Na i do zemra të themi se dëshmorët jetojnë edhe pas vdekjes. Jeta dhe lufta e tyre përbëjnë një shkollë të veçantë atdhetare.  Miq të huaj që vijnë në Shqipëri dhe të rinj shqiptarë që nuk i kanë jetuar ata vite të zjarrta të LANÇ, që binin dëshmorë, duke parë rrugëve qindra e qindra monumente, anës rrugëve e kodrave, pyesin: “Ç’janë këta lapidare, Këto pllaka me mbishkrime, Monumente plot kujtime, Përmendore dhe tregime? Dhe u jepej përgjigje: “Janë plagë, janë thika, janë beteja dhe prita. Janë mundime dhe vuajtje, Luftë, përpjekje pa druajtje. Është gjaku ynë i derdhur, Në shekuj shumë ka rrjedhur. Janë trimëri të rralla, Nga shumë breza përpara, që ”Ranë si bie mbi mal reja, si bie mbi lis rrufeja”.

Dhe populli i kujton, i nderon. Zhvillohen veprimtari të bukura, kulturore, të larmishme, të lavdërueshme, në lapidare, në pllaka përkujtimore, në familje baza të luftës e të tjera. Mbahet gjallë emri dhe vepra e tyre atdhetare. Zbulohen, kujtohen e kultivohen virtytet që i karakterizonin. Portrete të tyre botohen në libra, revista e në gazeta; dëgjohen nga veteranë të luftës, dëshmitarë okularë. Veprojnë aktivisht Organizata e Familjeve të Dëshmorëve dhe Organizata e Veteranëve. Dëshmorët i falën atdheut e popullit lulen e rinisë. Ç’të jepnin më tepër? Na përket neve të njihemi me jetën e veprimtarinë, të inspirohemi e të mësojmë prej tyre. Festat e dëshmorëve na i sjellin ata më afër, të përtërirë, të rinuar. Natyrisht përkujtimi i tyre ka emocionet e veta. Na prekin në ndjenja. Problemi ka anën psikologjike, njerëzore, shoqërore, shpirtërore. Nga sytë e njerëzve rrëshqasin lot, se “vitet ikin tutje, ata vijnë tëhu”. “Emocioni është një lëmsh i zjarrtë brenda shpirtit, që vërtitet e vërtitet. Kush e nxjerr lehtësohet, kush e mban zhuritet”. Një episod për dëshmorin, një kujtim i zgjedhur për të, një dolli për figurën e tij, ta sjell dëshmorin aty e të duket sikur ngrihet dhe ai e të thotë: “Vallen ma mbani dhe u ndrit shpirti, u ndrit xhani”. Në këtë mënyrë “Rruga e vdekjes i ngjan rrugës që bën dielli, i cili perëndon dhe ndriçon”. Rrojnë dhe janë modeli ynë: atdhedashuria, kryevirtyti, trimëria, sakrificat, gatishmëria, solidariteti, urtësia, vigjilenca, drejtësia, shoqëri dhe miqësia…

Në radhët e dëshmorëve janë edhe të vegjël, që nga mosha e vogël dyvjeçare në Golem të Gjirokastrës, që gjermani e theri me bajonetë në djep e deri në vrasje të pleqve andej-këndej! Ballisto-fashistët nuk i kursenin plumbat kudo që kalonin. Duke qenë bashkë, mendonin se ishin më të sigurtë për të kryer misionin e tyre, por edhe për jetën e vetë. E kishin më lehtë të vepronin tok. Ballistët ishin udhërrëfyes të pushtuesve. U tregonin pushtuesve se kush është shtëpia e komunistit, e partizanit, për të vepruar: për plaçkitje, kërcënime, djegie të shtëpisë dhe vrasje njerëzish.

Në Frashër e Sherishtë, kapën Koli Dimo, 62 vjeç, kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar. Të informuar nga spiunët e arrestuan dhe e torturonin në mënyrë çnjerëzore. Ai qëndronte heroikisht. “Qëlloni mor të poshtër, se hakun do të ma marrin partia dhe partizanët”, u tha ai sypatrembur. E goditnin akoma më shumë, ku të mundnin. I hidhnin në trup ujë të nxehtë, i mbushnin me kripë të çarat e mishit, i dogjën shtëpinë. Në mbrëmje të asaj dite xha Koli mbeti në çaste agonie. Ballistët e lanë në atë gjendje dhe i vunë roje që të mos i afrohej askush. Pas dy ditësh ai vdiq. Armiqtë urdhëruan që të mos varrosej, por populli e varrosi me nderime.

Zojë Djaloshi, 65 vjeç, nënë partizani. Gjermanë e fundërrina të reaksionit mbërritën në Qerret të Pukës. Hynë në shtëpinë e saj. -Ti je nënë komunisti? -Po! -Ku e ke djalin? -Në shesh të luftës! Si hyni kështu në shtëpinë e botës? –Zjarr shtëpisë, thirri komandanti i bandës. –Zjarri të përvëloftë! Shtëpinë e kam ndërtuar unë dhe pa vdekur unë, ti s’e djeg dot, iu përgjigj Zoja! Ndërkaq armiqtë sollën kashtë. Zoja nuk duroi më. Rrëmbeu një drapër dhe me të në dorë u sul mbi armiqtë. Plagosi një xhandar. Të tjerët u tërhoqën. U dha ura nga duart. Shtëpia mori flakë. Nëna thërriste “Komunistët do t’u hanë kokat”. Komandanti armik u tërbua dhe zbrazi në trupin e saj breshëri predhash.   

Ishin dallgët e Operacionit gjermano-ballist të Dimrit 1943-44, në shtëpinë e Dudës, kësaj nëne trime ishin mbledhur gra e nuse të fshatit që të mbroheshin bashkë. Kur ballistët trokitën në portë për të hyrë në shtëpi e të bënin reprezalje, nëna plakë u tha: “Porta jonë nuk thyhet. Po erdhët, ja, na shikoni? Të gjitha do hidhemi nga dritarja si suljotet”! Ballistët ikën me bisht ndër shalë, kurse nënë Duda u dërgua delegate në Konferencën e grave të qarkut të Gjirokastrës, që u zhvillua në Poliçan të Pogonit e më vonë delegate në Kongresin e Gruas në Berat.

***

 Ka me qindra fakte të tillë, të bashkëpunimit të pushtuesve me kolaboracionistët dhe qëndrimet heroike, gjaku dhe figura e dëshmorëve, ndriçon, flakëron, rrezaton, depërton në mendje dhe zemra të njerëzve! Aktualisht numri i vdekjeve për shkak të pandemisë në përgjithësi pandemisë është ulur, nëse do ngrihet, përgjegjësia do të jetë e opozitës, personalisht e Lulzim Bashës, që ka shkelur rregullat me mitingjet e mëdha, pa distancë, me fjalime bombastike, më zë dhe ton të lartë, për duartrokitje frenetike, për të rritur “autoritetin” si “kryeministër” ende i pazgjedhur, kokëlartë e dy gishtërinj lart për fitore. Po sikur të mos fitojë?! Luli, fol pak e dëgjo shumë! Këto janë mençuri dhe modesti…