BREAKING NEWS

Vihet në dyshim besueshmëria e OBSH, nxjerr një tjetër version duke përhapur alarm: Po, ka prova që koronavirusi transmetohet nga ajri

Vihet në dyshim besueshmëria e OBSH, nxjerr një tjetër
x

Opinion / Editorial

Vendimet e "mbetjeve toksike" të drejtësisë, baltosje për reformën

Vendimet e "mbetjeve toksike" të drejtësisë, baltosje

Çfarë duhet të shkruash për këtë drejtësi, kur edhe në demokracinë e Athinës së lashtë të Perikliut, vendimet e saj kanë qenë shumë më lart juridikisht se sa kjo e jona? Megjithëse shumë larg në kohë, kur gjykimi bëhej nga një gjykatë prej 501 anëtarësh, merreshin vendime të drejta e në sinkron me ligjet e vendosura me vullnetin e lirë të popullit. Ndërsa sot në kushte kategorike të kohëve moderne, aq sa jemi larg në kohë me demokracinë e Athinës, jemi edhe në dhënien e vendimeve farsë nga një drejtësi që nuk u bë kurrë shtylla e tretë e shtetit demokratik. Megjithëse reforma e stërzgjatur në kohë, i kapërceu edhe kufijtë e legjendës së udhëtimit të Odisesë, ajo ka mbetur në mes të rrugës. Me të drejtë qytetarët e këtij vendi i referohen retorikës së përditshme, a do të kemi ndonjëherë drejtësi si të gjithë vendet e tjera demokratike? Përgjigjen e kësaj retorike e dhanë dy vendimet e fundit të gjykatave shqiptare, kur njëra, ajo e Apelit mori vendim për pushimin e hetimeve të krimit ekonomik, të çështjes më skandaloze dhe aq shumë të përfolur të aferës CEZ, ndërsa tjetra kthen gjykimin prej 3 vitesh të ish-ministrit Tahiri në pikën 0. Vendimet farsë të këtyre gjykatave janë turpi i drejtësisë, larg asaj ç’ka pritet nga refleksioni i reformës. Ato janë jo vetëm fyerje për qytetarët e këtij vendi, por edhe mosbesim tek këto institucione në sigurinë dhe garancinë e të ardhmes së tyre. Këto vendime trishtuese apriori, që po përcillen tek qytetarët, vulosin dhe baltosin pavlefshmërinë e reformës në drejtësi, që po mbahet peng nga identitetet e degraduara të politikës së vjetër. Vendimi i mbylljes së hetimeve për aferën CEZ, tregoi se kjo drejtësi është kthyer në avokati e perandorisë së krimit dhe kancerit korrupsion, që janë bërë morali i këtyre 30 viteve demokraci. Nëse sot imperativi i shoqërisë shqiptare, është përmbushja e detyrave të vëna nga BE për integrim, përballimi i emergjencave kombëtare, si dhe konsolidimi i institucioneve demokratike, drejtësia dhe oligarkët manipulatorë të saj notojnë në korsi të kundërt. Në këtë peizazh të turbullt demokratik, në vend të aspiratave për një shoqëri të lirë, të barabartë para ligjit, jemi pushtuar dhe manipulohemi nga zullumet, nga krimi, hajdutëria, poshtërsia, mashtrimi, që kanë shtresëzuar dhe stresuar aq shumë shoqërinë. Këto fenomene që përbëjnë moralin e shoqërisë së diferencuar, midis oligarkëve dhe qytetarëve të thjeshtë, nuk janë bërë kurrë motiv i gjykimeve të drejtësisë së degraduar. Disekuilibrat brenda këtij sistemi, që po përjeton degradimin më të thellë historik, nuk kanë garantuar kurrë respektimin e elementëve principalë, mbi të cilat ngrihet dhe funksionon shteti juridik. Mungesa e shtetit ligjor për më shumë se dy dekada, nuk mundi të reduktonte hiatusin ekzistues, midis shoqërisë civile dhe proceseve në dobi të integrimit. Proceset u ngadalësuan si rezultat i mbetjeve teknokratike dhe burokratike në piramidën shtetërore. Ky shtet paralel burokratik paralel jo efektiv, ka qënë i pakontrollueshëm, gjë që ka favorizuar edhe konsumuar elementët kriminalë që përbëjnë vepra penale, si shpërdorim detyre, përfshirje në afera korruptive, shkelje të barazisë nëpër tendera, influencime dhe përvetësime pronash, fshehje dhe pastrim parash. Vetëm për shkelje të rënda në procedurat për shitjen te CEZ të 75% të aksioneve të OSSH në vitin 2009, janë bërë tre kallëzime penale nga institucionet e shtetit. Në këtë skandal të kallëzuar janë ish-kryeministri Berisha, ish-zv. i tij Meta, sekseri tashmë në arrati Nue Kalaj, ish-ministrat Genc Rruli, Ridvan Bode e Florian Mima, ish-zv. ministra, këshilltarë, drejtorë etj. Vendimi për këtë çështje nga gjyqtarë që nuk kanë kaluar vetingun, me veprimet e tyre kanë treguar se nuk i janë afruar kurrë një baze legjitimiteti institucional, për një trajtim të barabartë të qytetarëve para ligjit, duke i ndarë dhe trajtuar në ne dhe ata. Këto trajtime me diferenca dhe jo homogjene të aspiratave të tyre, e kanë zbritur drejtësinë shqiptare në nivelet e shteteve si Ruanda, Kongo, Burundi, Somalia, Sudani, Eritrea, Zambia, Kenia etj. Asnjë nga strukturat qeverisëse, djathtas e majtas nuk ka moral të thotë se gjërat kanë ecur klasikisht, kur e gjithë epoka tranzitive është përshkruar nga trauma tronditëse, të cilat e kanë katandisur shoqërinë shqiptare si një trup me proteza artificiale. Paralizimi i sistemit të drejtësisë dhe kthimi i tij në "ndërmarrje biznesi" ka favorizuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, për të cilat janë të shqetësuar me të drejtë edhe institucionet e BE e me gjerë. Me gjithë përpjekjet e deritanishme për reformimin e këtij sistemi, nuk janë krijuar fondamente juridike e morale, sipas shembujve të Gjermanisë, Kroacisë Rumanisë, Izraelit dhe tani së fundi edhe në Kirgistan, ku përpara drejtësisë janë vënë kancelarë, e kryeministra, për vepra të ndryshme penale. Por klasa politike shqiptare që ka drejtuar këtë vend me një institucion drejtësie çalaman, klasifikohet plotësisht e dështuar në ndërtimin dhe respektimin e shtetit ligjor. Ajo që me krijimin e të ashtuquajturit shtet demokratik, nuk u mbështet në rendin juridik, por vuri autokracinë mbi demokracinë, duke ndërtuar struktura në shërbim të tyre dhe jo të qyetarëve. Për këtë e të tjera qytetarët shqiptarë, kërkojnë shkatërrimin e perandorisë së krimit, që po mbahet në këmbë dhe po ju shërben peshqve të mëdhenj. Prandaj drejtësisë së porsa ngritur i duhet thënë troç, nuk fillohet detyra me ndjekjen e hajdutëve të pulave dhe të xhepave, por me kokat e peshqve të mëdhenj, që i kemi përballë dhe na bëjnë moral në media e portale që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut. Disa nga arsyet e degradimit të sistemit të drejtësisë, që nuk krijoj dot identitete juridike të besueshme për gjykimet e krimit shtetëror, politik dhe ekonomik janë; mbajtja në funksione të rëndësishme e prokurorëve dhe gjykatësve të mbetur nga sistemi monist, të cilët në gjykimin e tragjedive, kanë vepruar me "idiomën" e di partia. Kjo frymë pushtoi të gjithë sistemin, që nuk mundi të gjykojë krimet e rënda, por u mor me hajdutë pulash dhe konsumatorët e paligjshëm të energjisë elektrike. Çfarë drejtësie kanë pritur qytetarët shqiptarë kur në strukturat e ndryshme të saj u vendosën nxënësit e Aranit Çelës? Çfarë drejtësie do të bënin prokurorët dhe gjykatësit, me kursin 6 mujor të plepave të Durrësit? Çfarë drejtësie kanë pritur shqiptarët kur në krye të prokurorisë u vendos nga udhëheqja e PD Adriatik Llalla, që bëri vetëm detyrën e noterit duke mbajtur në sirtarët e drejtësisë rreth 30 mijë dosje të pashqyrtuara? Çfarë drejtësie kanë pritur shqiptarët, kur institucionit të drejtësisë i ka mbetur vetëm emri dhe evidencat e krimeve shtetërore, politike dhe ekonomike. Këto e të tjera zullume të shumta e kthyen këtë sistem në rrolin e njeriut "daun" që fatkeqësisht edhe pas vetingut ka mbetur po në këtë gjendje, duke u manipuluar nga të pandëshkuarit e aferave korruptive dhe anti-reformistët. Lidhjet vertikale dhe horizontale të politikës, duke mos lejuar ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, po bëjnë ç’është e mundur, që kjo reformë të përfundojë në farsë. Prandaj qytetarët e këtij vendi, shpresojnë shumë tek aleatët strategjikë, për t'i dhënë fund dramës së vetingut të tejzgjatur, për një drejtësi funksionale dhe të barabartë për të gjithë shqiptarët.