Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Vendimi i Floridas, një mesazh zgjimi për drejtësinë e ringritur

Vendimi i Floridas, një mesazh zgjimi për drejtësinë e

Më në fund peshkaqenit të Gërdecit, jo vetëm i çirret maska, por i thyhen dhëmbët që kërcënonte këtë gjykatë duke i kërkuar 60 milionë dollarë si dëmshpërblim, për vendimin e marrë para dy vjetësh në mbrojtje të librit të Guy Lawson. Me këtë vendim Gjykata e Floridas, jo vetëm tregon se krimit i duhet vënë vula juridike, por shërben edhe si një leksion për drejtësisë tonë, për të bërë autopsinë e perandorisë së krimit në Shqipëri. Ky vendim i marrë më 2 shtator nga kjo gjykatë, duke lënë në fuqi atë të mëparshmin të Gjykatës së Apelit, ju dha edhe një goditje tjetër, tentativave të dështuara të avokatëve të peshkaqenit Shkëlzen Berisha, i cili kërkonte të merrte medaljen e heroit, kur në të vërtetë mori vulën e kriminelit vrasës. Ai ishte personi kryesor që kishte ngritur fabrikën e vdekjes në Gërdec, e cila mori jo pak, por 26 jetë njerëzish, duke mos llogaritur edhe dëme të tjera materiale. Por gjykata që gjykoi formalisht tragjedinë e Gërdecit, duke marrë një vendim farsë, nuk ndëshkoi fajtorët të cilët kishin shkelur të gjitha rregullat, që zbatohen në demontimin e municioneve luftarake. Ajo dha shembullin më negativ, për një ngjarje unikale në historinë e shpërthimeve të municioneve, duke përkëdhelur fajtorët dhe ndëshkoi koka turku në vend të tyre. Si ushtarak karriere i ushtrisë shqiptare, dua të them se në këtë "fabrikë" vdekje nuk ishte zbatuar asnjë kriter, që përcaktojnë konventat ndërkombëtare dhe sidomos ajo e Gjenevës, për trajtimin e materialeve të rrezikshme kimike dhe municioneve luftarake. Në një kohë kur vendet e rajonit ndër to edhe Shqipëria, ishin bërë pjesë e iniciativës rajonale (RASR) për reduktimin e stoqeve të armëve konvencionale dhe municioneve. Kjo iniciativë e RASR, inkurajoi qeveritë e vendeve të rajonit, që u përballën me shkatërrimin e armëve të lehta, duke ngritur kapacitetet e nevojshme kombëtare, si dhe shkëmbimin e eksperiencave më të mira. Kjo iniciativë promovoj nxjerrjen e mësimeve si dhe sinkronizimin e burimeve në funksion të maksimizimit të eficencës në këtë proces. Ajo kishte si qëllim kryesor parandalimin e shpërthimeve katastrofike si ai që ndodhi në Gërdec, shmangien e destabilizimit që vjen nga armatimi dhe municionet konvencionale. Por nëse në demontimin industrial në ULP Mjekës, u zbatuan rregullat e sanksionuara në Konventë, në Gërdec ato u shkelën në të gjitha drejtimet, ku për pasojë ndodhi edhe shpërthimi tragjik unikal në historinë e trajtimit specifik të municioneve luftarake. Aty mungoi organizimi që nga autoritetet e MM, ku nuk u planifikuan specialistë të mirëfilltë ushtarakë, të cilët sipas rregulloreve për këtë qëllim janë vetëm ata që u lejohet të bëjnë demontimin e municioneve luftarake. Në këtë ndërmarrje plotësisht të jashtëligjshme, që u ngrit për interesa pasurimi dhe jo për pastrim dhe parandalim të shpërthimeve katastrofike. u punësuan njerëz që nuk e njihnin rrezikshmërinë e tyre. Aty u punësuan edhe gra e fëmijë, të cilët mendonin të siguronin të ardhura për të jetuar, por nuk mendonin se një pakujdesi e vogël do t'u merrte edhe jetën, ashtu siç ndodhi në të vërtetë. Gjykata e Floridas ka përshkruar në vendimmarrjen e saj, historinë e shkurtër të biznesit të trafikut të armëve nga Shqipëria, në të cilën ishte përfshirë Shkëlzen Berisha, duke treguar historinë e dy djemve amerikanë, Efraim Diverolli dhe shokut të tij. Në këtë aferë ishte përfshirë sipas gjykatës mafia lokale shqiptare, me në krye Shkëlzen Berishën me kompaninë e Diverollit AEY, një kontraktues në fushën e mbrojtjes, që u përpoq t'i shesë ushtrisë amerikane municione kineze të blera në Shqipëri, të cilat më pas do të përdoreshin në luftën e Afganistanit. Dokumentet konfidenciale kishin të bënin me rishikimin e publikimit, të librit të Guy Lawson, nga shtëpia botuese "Simon Shuster". Mbi subjektin e librit "War Dogs", është realizuar edhe fillimi, i cili vë në qendër të tij, skandalin e trafikimit të armëve dhe municioneve nga Shqipëria, në rrugë mafioze të drejtuar nga Shkëlzen Berisha, ku ishin përfshirë edhe zyrtarë amerikanë. Për këtë veprimtari të jashtëligjshme, kanë folur New Jork Times, Broqard Boack, dokumentari i kanalit arab "Al Jazira" Bullet and Bucks, i cili ka zbuluar tabulatet si dhe një numër të madh burimesh, që fundosin Berishën. Z Bullets and Buks shprehet dhe rekomandon, se duhet të merret një hetim i posaçëm për Gërdecin, për ta zbardhur plotësisht këtë aktivitet mafioz. Gjykatësja e njohur Cooke, vërtetoi me argumente të pakundërshtueshme se Shkëlzeni, ishte përfshirë në marrëveshje korruptive, për trafikim të arsenaleve të mëdha të rrezikshme, të Shqipërisë që datonin që prej luftës së ftohtë. Por peshkaqeni i Gërdecit me avokatin e paguar prej tij, Jasin Zolads, hodhi në gjyq autorin e librit, që sipas tyre ato që shkruhen në atë libër nuk janë të vërteta. Por i ziu Berisha nuk e dinte që pas gjithë kësaj afere korruptive mafioze ka qenë FBI. Vendimi i gjykatës së Floridas më 2018, që hedh poshtë padinë e Shkëlzenit, ka qenë i arkivuar deri në mars të vitit 2019. Kjo gjykatë e bëri publike këtë vendim, ditën e shpërthimit të Gërdecit. Me argumente, fakte e shifra që përshkruan libri, kjo gjykatë serioze, me profesionalizëm dhe nivel të lartë gjykimi, ka hedhur poshtë padinë e Shkëlzen Berishës. Në një kohë kur mbi Berishën rëndojnë edhe të dhëna të tjera, për të cilat duhet të njihen edhe qytetarët, që nuk kanë asnjë informacion se çfarë është bërë dhe bëhet pas krahëve të tyre. Libri i autorit Guy Laëson, ka edhe dëshminë e vajzës së të ndierit Kosta Trebicka. Ajo në dëshminë e saj e konsideron Shkëlzen Berishën, një vrasës të babait të saj, ngaqë denoncoi këtë aferë mafioze duke e braktisur atë. Por Shkëlzeni nuk u mjaftua me kaq, ai kërcënoi edhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të atyre viteve, z. Luan Hoxha, të cilit i përgatitën dokumentet për t'u larguar në SHBA, duke i thënë: "Po e hape gojën unë të bëj si Trebickën". Por përpjekjet djallëzore të peshkaqenit të Gërdecit, që aq bukur e ka realizuar Hollivudi në filmin e mbështetur tek libri i Guy Lawson, morën fund njëherë e mirë me vendimin e Gjykatës së Floridas më 2 Shtator 2020, duke i hedhur poshtë edhe kërkesën për 60 milionë dollarë si dëmshpërblim. Tani topi mbetet në fushën e drejtësisë shqiptare, e cila duhet t'i kthehet edhe një herë kësaj tragjedie. Ajo duhet t'i kthehet edhe një herë kësaj tragjedie, në respekt të atyre shpirtrave, që u bënë pre e një aktiviteti djallëzor mafioz, ku ranë për të mos u ngritur më, në atë shpërthim apokaliptik në vitin 2008. Ata nuk mund të prehen të qetë, pa marrë një vendim aq shumë të dëshiruar nga drejtësia.