Opinion / Editorial

Venecia, "shpifja", e lart shpifarakët!

Venecia, "shpifja", e lart shpifarakët!

Kanë ardhur njerëzit e Komisionit të Venecias për të ashtuquajturën "paketë anti shpifje në media"! Do mbledhin fakte dhe do të shikojnë të vërtetën te palët dhe te shoqëria shqiptare. Do takojnë njerëz në Kuvend, në zyra dhe mbase dhe në rrugë. Apo jo, në rrugë nuk ka sepse, ngaqë nuk kanë media. Po sigurisht në Venecia e ka çuar si mazhoranca dhe nja dy institucione të tjera dhe mazhoranca apo më mirë Rama, nuk shpejtuan ta aprovojnë me forcën që ju jepet nga kartonat, një ligj që është bërë apostafat për median dhe portalet. Në fakt, shpifja ka ligjin e saj dhe ka të bëjë me qytetarin dhe përgjegjësinë e tij para ligjit, por në Shqipëri, duhej (ju duhej) dhe një ligj në media që të ndalohet shpifja. Kjo mbasi në mënyrë deklamative, në mënyrë "lapidare", shpallet media si e lirë dhe e "papërndjekur" me ligj dhe Kushtetutë. Kur në fakt, pastaj i shtohen dhe i super shtohen nën nene dhe rregulla, që sigurisht mund të përdoren kundër fjalës së lirë dhe kundër individëve, të cilët e përdorin fjalën e lirë. Nga ana tjetër, ka shpërdorues të medias dhe sidomos portaleve me jo vetëm fjalën e lirë, por dhe që realisht shpifin. Ka vjedhës të lajmit dhe deformues të tij dhe padyshim, kjo është koha më e keqe që sot imponohet nga rrjetet dhe bota nën qerthullin e një super informacioni gjigant dhe në dorë të të gjithëve. Po pse i duhej Shqipërisë një ligj që ka brenda shpifjen, e cila ka nenin dhe ligjin e saj në përgjithësi e që shtohet realisht dhe posaçërisht për median? Po pra ka ligj anti shpifje dhe tani ligj posaçërisht për median. E pse duhet që ky kontroll dhe kjo cilësi e mbajtjes nën kontroll dhe bazë ligji, i duhet besuar një institucioni të ashtuquajtur publik, dhe i ngritur si vullnet politik dhe që paratë e rrogat i merr nga shteti, i cili ja ndan nga taksat e të gjithëve?! Po taksat e atyre që punojnë në media, e që nesër "mbase janë subjekt i ligjit të ri anti shpifje"? Po pra pse? E këtu hyn në lojë "Venecia". Në fakt, mazhoranca nuk guxoi ta aprovonte ashtu menjëherë jo nga kthimi i Metës, se sa nga zhurma që bënin dhe do të bëjnë mediat vetë apo njerëzit e saj. Duke e çuar te "Venecia" si Rama dhe mazhoranca justifikohen “o se nuk na la Venecia”, ose “se na aprovoi Venecia” për të dy rastet. E dinë qartë se një praktikë sado bazuar në ligj, por e përndjekjes ligjore të një individi apo testate apo portali nga një institucion politikisht formuar dhe me taksa shoqërie paguar, nuk është jo vetëm punë e mirë, por bie erë të fortë kthim pas në liri të shprehjes dhe të shtypit. Pavarësisht se është e drejtë të thuhet se janë një dorë portalesh dhe mediash që jo shpifin, por e kanë bërë baltë fare lirinë e shtypit dhe etikën në gazetari. Që në fillim më duket e vështirë që Venecia ti thotë "mirë" një AMA-s me një emër tjetër të transformuar, të bëjë arbitrin ligjor dhe gjobitës të këtij momenti Më duket e pabesueshme, por në kohën e sotme gjithçka mund të ndodhë! Do të ishte jo vetëm marrëzi kundër lirisë së shtypit, por dhe një marrëzi kundër ligjit të shpifjes në ligjet tona, mbi pikërisht shtetin e të drejtës dhe ligjet e këtij vendi. Megjithatë nuk është ky qëllimi i shkrimit, por desha të futem në situatën e sotme anti shpifje dhe pranisë së Komisionit të Venecias në Tiranë. Ajo që dua të them është se Komisioni Venecias është në një model tresh në faktmbledhjen e saj në Tiranë. Komisioni i Venecias është në terrenin jo kaq shumë të qartë të marrëzisë kolektive në Shqipëri, ku nuk dallohet kush është më shpifës se tjetri, kush është më shpifaraku i shpifjes dhe kush janë ata që përdorën shpifjen në mënyrë të rëndë që pastaj ja imponuan dhe mediave dhe rrjeteve sociale apo portaleve dhe nga kush paguhen pikërisht këto portale apo rrjete shpifëse, që Rama do t’i ndëshkojë me modelin AMA. "Shpifja" është kulturë përdorimi i Kuvendit të Shqipërisë në radhë të parë dhe foltores kryesore aty. Po aty ka vendin më të lartë, por shpifëset e vërteta janë partitë shqiptare në politikën shqiptare. Ku ka më shumë shpifje se sa në politikën shqiptare dhe me përdorim të gjerë dhe mediatik që zotërojnë. Nga kush ngrihen portalet dhe pse jo mediat online apo dhe ato të mëdhatë si testata të shkruara apo dhe televizive? Nga ku dalin paratë përveç se nga interesat e partive politike në sektorin financiaro-ekonomik të partive? Ku ka qenë goja më e shpifur e partive përveç se në Kuvendin e Shqipërisë!? Janë pozitat dhe opozitat e këtij vendi që kanë bërë shpifësin më të madh në Shqipëri dhe ata janë plotësisht shpifarakët e këtij vendi, por qëndrojnë lart. Aty ku nuk i kap ligji. Kurse ky që po vjen, si ti japë apo ta përgjysmojë Venecia, nuk do të kapë ata shpifarakët aty lart, por njerëzit që duan lirinë, që duan demokracinë dhe për këto dy vlera universale nuk kursejnë fjalën e thënë haptas pa pasur nevojë të shpifin. Sepse nëse është shpifje apo e vërtetë, nuk do ta ndajë ligji real apo gjykata reale, por në fillim institucioni që e ka prodhuar politika, si kryeshpifësja e Shqipërisë. E ky është problemi i madh që nuk e zgjidh dot Venecia. Ajo mund të zgjidhi atë nëse duhet vlerësuar shpifja nga një institucion i shtetit dhe paguar nga paratë tona për të na mbyllur gojën kur ta urdhërojnë se "po shpif filani apo portali apo gazeta, apo televizioni kundërshtar dhe kritik". E në të kundërtën, shpifësi i vërtetë ikën, shpëton apo largohet dhe transformohet. Në fakt, këtu duket dhe qëllimi ose të ngatërrohet armiku jot politik me shpifësin e vërtetë dhe dihet si ai shpifësi i vërtetë, nuk është se ju bën dëm. Jo ai është mik i politikës dhe i ngjashëm i saj, por dëm ju bën i drejti dhe i qarti në fjalën e tij të lirë dhe të pavarur. Këtë tani a do të mund ta ndajë Venecia? Ose a mund ta paramendojë dhe dallojë si qëllim? E shpifarakët politikë, janë dhe njerëzit që duhen ndëshkuar për mënyrën e tyre shpifarake të të bërit politikë dhe mendimit retro-kulturor të ndalimit të pikërisht fjalës së lirë. Shpifësit e vërtetë nuk e duan fjalën e lirë, ata duan sot me medemek demokraci, fjalën e vetëcensuruar nga frika e punës dhe nga lënia si peshku pa ujë në jetesë dhe papunësi të zgjatur dhe të praktikuar fuqishëm këto vite. Sepse shpifarakët nuk i mbyllin portalet njëri-tjetrit, por do të bashkohen bashkë, për t’i mbyllur gojën dhe shkrimin, të vërtetën njerëzve të lirë dhe të demokracisë në Shqipëri. Këtë a do të mundet vallë Venecia ta ndajë në Shqipëri? Mbase do të shohim se si dhe sa! Gjithsesi sado të gjejnë alternativa për të mbyllur gojën e lirisë dhe hapur gojën e shpifjes politike një gjë nuk e kanë mirë parasysh. Asnjëherë nuk do të munden të bëjnë në kohën moderne censurë dhe të gjobisin fjalën e lirë për ta pushuar. Mbase ju duhet burgu, mbase ju duhen falangat e krimit politik në veprim, mbase ju duhen institucione të gjera dhe të mirëpaguara përndjekje dhe survejimi, mbase ju duhet bashkimi për të përndjekur çdo njeri në shtëpi të tij. Mbase them, e ky është vetëm skenar filmi, por pothuaj i pa mundur në Shqipëri! A i kanë fondet për këtë gjë? Mbase! Por nuk besoj!