Lajme të tjera
BREAKING NEWS

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok Çupi lëshon ‘bombën’: Presidentit t’i hiqet …

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok
x

Opinion / Editorial

Vera u shty me gënjeshtra, vjeshta vjen me protesta!

Vera u shty me gënjeshtra, vjeshta vjen me protesta!

Është një ritual që përsëritet nga viti në vit. Sapo hyn vera, e cila është stina e premtimeve, takimeve, gënjeshtrave, shpallja e fitoreve të mëdha, programeve të ndryshimit të ekonomisë, politikës, shoqërisë, fitoreve madhështore në zgjedhjet e radhës, të shoqërohen me deklarata se, vjeshta do jetë e mbushur me protesta. I dëgjon këto deklarata nga podiumet e partive, fjalimet e liderëve, kryetarëve pa anëtarë, zëdhënësve llafazanë, opinionistëve të porositur, analistëve të paguar fjalimeve të liderëve, paralajmërimeve të analistëve të paguar dhe thua, o bo bo ç`na pret?! Furtuna endet në mesin tonë. Gjëmon, bubulon, shkatërron! Në shtypin e shkruar e atë viziv, gjëmojnë altoparlantët në vjeshtë me protestë. Nisin radhazi të flasin për protesta të mëdha, të papara të gjithë ata që duan të shënojnë emrin në listat për deputet, një vend në kabinet. Është bërë virale pothuaj që çdo mosdakordësi mes palëve, siç ndodhi së fundi me ndryshimet Kushtetuese, ku opozita jashtëparlamentare nuk mori pjesë në diskutimet për ndryshimet në Kushtetutë, duke bojkotuar “Këshillin Politik”, i cili është i vetmi organizëm i krijuar, si artificë dhe gjetja për të tërhequr opozitën rrugore në debatet dhe reformën e rëndësishme zgjedhore, për të cilën opozita duhet të ishte më se e interesuar për ta realizuar reformë që garanton votën e lirë, kontrollin mbi administrimin e komisioneve zgjedhore nga ai qendror në ato pranë qendrave të votimit. Si në çdo moment të rëndësishëm kur vendoset për ligje bazike, opozita bojkotuese kërkon të tregojë dhëmbët dhe t`i thotë mazhorancës se pa ne nuk mund të arrijnë asnjë ndryshim, se gjithçka vendoset nga pëlqimi ynë, duke u imponuar pa pasur asnjë mundësi konkrete pasi të gjitha i kanë braktisur deri edhe mandatet në Kuvend. Nëse opozita shqiptare do kishte sot votën e vet në Parlamentin e Shqipërisë nuk kishte asnjë arsye të krijoheshin organizma ekstra që nuk janë kushtetuese, po gjetje të momentit për t`i dhënë shansin ikanakëve të thonë mendimin e tyre dhe të bëjnë propozime për të bërë reformë gjithëpërfshirëse për të reflektuar kërkesat dhe pretendimet e veta opozita. Po edhe këtë shans, opozita e vetizoluar nuk arriti të jetë luajale dhe bashkëpunuese. Përkundrazi vijon të bojkotojë, duke krijuar boshllëk që nesër ta ketë alibi për humbjen e radhës. Të vërë kujën se ndryshimet e ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutës u bënë pa pëlqimin e tyre dhe e ndëshkuan. Është asi në mëngë që liderët opozitarë kërkojnë ta përdorin, si kartë për të kapërcyer disfatën e mundshme në zgjedhje. Është baza e moralizimit që do të bëjnë, propagandës për rezultatet. Nuk besojmë të ndjekin skenarin e mospjesëmarrjes në zgjedhje për faktin se nuk janë pjesë e ndryshimit të Kushtetutës. Qytetarët shqiptarë u lodhën nga lojëra të tilla, hyrje dalje, ikje, ardhje nga salla e demokracisë. Mospjesëmarrja në zgjedhje për pushtetin lokal, duke lënë qytete të tëra, ku kanë qënë shanset gati njëqind për qind, si opozitë të kishin sot bashkitë dhe këshillat bashkiake të vetat. Në përgjigje të veprimeve të mazhorancës në rakordim me opozitën parlamentare me 106 vota, u ndryshua Kushtetuta e Shqipërisë. U ndryshua sistemi zgjedhor. Ndryshimet e mëparshme nuk i rezistuan asnjë dekade. Ishte një ndryshim i sforcuar. Zor se Edi Rama e kishte për zemër këtë ndryshim. I imponuar nga kërkesa taksative e opozitës parlamentare, e cila vuri kusht votimin e marrëveshjes së pesë qershorit nga “Këshilli Politik” se pa ndryshimet nuk do jepte votën. Këtë fakt opozita rrugore e ikanakëve e njeh shumë mirë dhe nuk kanë pasur fuqi për ta ndryshuar pasi deputetët e rinj të listave të PD-së, LSI-së dhe gjithë forcave të tjera politike që nuk iu bindën urdhrave të partive, mbushën sallën e Parlamentit dhe u bënë faktor vendimmarrës jashtë vullnetit të partive që i etiketuan me nofkat më të rënda që nga bukëshkalë, tradhtarë e deputet të përdorur nga qeveria në shkëmbim të interesave dhe amnistimit të fajeve apo pasurive që kanë vënë familjarët e tyre. Akuza, këto asnjëherë të verifikuara, po opinion të lëshuara, si rrufe kundër atyre që i prenë në besë dhe jetësuan parlamentarizmin shqiptar, ndryshe nga llogaritë që kishin bërë ikanakët, të cilët llogarisnin përmbysjen e madhe ose një Parlament njëkolor, ku do mbeteshin vetëm socialistët, të cilët nuk do t`i pranonte bota pasi mungonte opozita. Po planet e liderëve të nxituar të opozitës, u dogjën shumë shpejt. Koha provoi sa të gabuara ishin ata në llogaritë dhe aksionet që ndërmorën. Dhe për të gjitha, janë duke paguar. Tani pasi i provuan të gjitha, pas viteve të protestave të dhunshme. Jo vetëm si opozitë e partive po edhe vetë opozita më e re, ajo presidenciale, e cila ia bëri bam në dy mars, të cilin na e tundin si kamxhik para syve se do përsëritet sa herë të jetë nevoja. Si akuzuan e prodhuan skandale e faje të paqëna, si na ushqyen me video skandale që dolën të fabrikuara nga skenaristët e PD-së në skutat më të zeza, deklarojnë se po vjen koha për të treguar forcën, muskujt, për të protestuar me forcë kundër qeverisë dhe Parlamentit, i cili është në goditjet permanente të opozitës në përgjithësi, po së pari të liderëve, një, dy, tre e njëmijë, duke nisur me Bashën, Monikën dhe vetë ai opozitari më i ri, presidenti. Pikërisht, tani si i provuan të gjitha, kërkuan gjithçka dhe ia mbërritën të bëheshin pjesë e ndryshimeve në ligjin zgjedhor, paketë që u miratua pa asnjë ndryshim përkundër akuzave të opozitarëve sikur do mbetej në letër. Na ushqyen çdo ditë me dhunën, protesta që i kanë caktuar sapo të iki vapa e gushtit. Pas vargut të pafund të premtimeve të gënjeshtërta, si pensione milionëshe, taksa zero, tarifa të reduktuara, paga mbi një mijë euro, burg për oligarkët, korrupsion zero, burg për liderët e mazhorancës, mirëqenie për të gjithë, papunësi afër zeros, iu drejtuan vjeshtës me njoftimin për protesta. Është lajtmotiv i njohur, këngë e vjetër e opozitës. Vjen dhjetori, na trembin me atë që na pret në janar. Kalon dimri, tregojnë me gisht pranverën se do bëhet hataja, ikën vera, dhe na tundin, si rrobën e kuqe demave, toreadorët në ring, vjeshtën me protesta. Në perceptimin popullor, vjeshta është stina e begatë e vjeljes së prodhimeve dhe mbushjes së hambarëve. Po për opozitën mbetet stina kur do mobilizojë popullin për të protestuar kundër ndryshimeve kushtetuese, kundër qeverisë. Në realitet, protestat nga opozita, janë përdorur, si armë në rrugëtimin drejtë pushtetit dhe nuk kanë kursyer askënd. Janë drejtuar kundër qeverisë. Janë bërë kundër forcave të rendit. Institucioneve më të rëndësishme të vendit nga Kuvendi deri te Kryeministria. Ende në bulevardin e Tiranës, duken shenjat e përplasjes dhe gropave të dinamitit, tymit e nxirjes së mureve, shenja që kanë lënë pas molotovët, boja e derdhur një vit resht mbi fasadat e godinave qeveritare sikur ta kenë ato përgjegjësinë për dështimin e opozitës. Në opinionin shqiptar, duke parë rezultatet dhe atë që u arrit nga protestat disa vjeçare, duke përfshirë ato të vitit 2019 që nisën në shkurt e mbaruan në dhjetor, vijuan në mars nga mobilizimi i popullit opozitar, nuk u arrit asgjë dhe opozita jonë nuk ia doli të voziste drejt bregut të fitores. Përkundrazi, u rrudh, u mpak, u dobësua dhe u copëtua më shumë se kishte hequr dorë nga një aksion që nuk i dha asnjë fryt, aq më pak ato që pretendonte, fitore në tavolinë mbi mazhorancën e korruptuar dhe anatemuar nga opozita në atë farë feje, nëse do ishin reale nuk do të ekzistonin fare. Paralajmërimi për protesta, përsëritja e ngjarjeve të vitit 2019, që mbetet vit i dhunës mbi institucionet, dhunë e dënuar nga opinioni i gjerë shqiptar dhe faktori ndërkombëtar. I regjistruar në memorien e qytetarëve dhe në celuloid për të gjitha bëmat, flet për mos nxjerrje të asnjë konkluzioni objektiv nga pretendentët për pushtet. Ende nuk kanë dalë me mësime se protestat ka vlerë kur organizohet për problematika të rëndësishme. Përvoja e dekadave, i ka mësuar shqiptarët se me protesta nuk ka pushtet. Edhe në vitin 1997, ishin zgjedhjet që vendosën dhe jo rruga edhe pse u paralizua totalisht i gjithë shteti dhe mbeti vetëm republika brenda e territorit të Tiranës, rreth Kryeministrisë dhe Presidencës, ku jepte urdhëra presidenti i kohës, Berisha. Paralajmërimi për protesta është një ogur i keq. Është paralajmërim që flet se ende mbetet forca, si rrugë për të ardhur në pushet. Opozita nuk ka nxjerrë mësime nga protestat e panumërta, të cilat e kanë thelluar hendekun mes saj dhe qytetarëve të lodhur, aq më shumë tani nga dy pandemitë, ajo e tërmetit dhe Covid-19. Sikur të mos mjaftonte kërcënimi për protesta, revolucion alla Maliqi, protesta paralajmëron edhe vetë Presidenti i Republikës që i referohet një më dy, dy marsit. Të gjithë shqiptarët duhet ta dinë se vjeshta vjen me protesta. Ajo që të habit në këtë klimë në kohë të pandemisë kur e tërë shoqëria është e tronditur për ardhmërinë e jetës e rrezikuar nga virusi vdekje prurës, klasa politike e Shqipërisë, sikur të jetonte në tjetër planet, flet ditë -natë për pushtet. Dhe ajo që të dhëmb më shumë është se nuk i drejtohet votës, po protestës dhe forcës. Protestat tek ne, nuk janë festë e demokracisë, po dhunim dhe rrënim i Shqipërisë.