Lajme të tjera
BREAKING NEWS

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok Çupi lëshon ‘bombën’: Presidentit t’i hiqet …

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok
x

Opinion / Editorial

Vetëm ambasadore, apo dhe mike e shqiptarëve?

Vetëm ambasadore, apo dhe mike e shqiptarëve?

-Refleksione rreth intervistës së ambasadores Yuri Kim, dhënë TV Euronews Albania-

Ndoqa me vëmendje intervistën e ambasadores së SHBA, zonjës Yuri Kim, dhënë TV Euronews Albania, e cila u transmetua në mbrëmjen e datës 15 Maj 2020. Një intervistë perfekte, me shumë kulturë dhe tepër domethënëse. Gazetarja Ilva Tare, i bëri rreth tridhjetë pyetje zonjës Yuri Kim, ku të gjitha pyetjet ishin të goditura, çka i dhanë mundësi ambasadores të fliste për gjërat më kryesore që shqetësojnë sot shqiptarët, duke evidentuar njëherësh edhe konsideratat e larta e miqësore midis dy vendeve tona. Kjo konsideratë pozitive pati vegjetuar në mendjen e shqiptarëve edhe para nëntëdhjetës, sa herë kujtonin vitin 1919 dhe reagimin e presidentit Woodrow Wilson në mbrojtje të pavarësisë së Shqipërisë. Më tej, ajo mori vrull e u gjallërua në vitin 1990, kur u ndërrua sistemi, për të arritur parametra të lartë e konkretë në vitin 1999, me çlirimin e Kosovës së martirizuar përmbi një shekull nga serbo-sllavët. Miqësia me mikun e vjetër e të madh amerikan, u kurorëzua më në fund edhe institucionalisht, kur vendi ynë i vogël arriti të ngrejë flamurin në selinë e NATO-s. Megjithatë duhet pranuar se në këtë periudhë tridhjetë vjeçare të aplikimit të demokracisë së importuar, konsiderata për mikun amerikan nuk ka ecur si në vaj. Shigjeta e saj ka patur edhe luhatje, në disa raste më të forta se “lavjerrësi i Fukoit”. Katrahura e ‘97-tës ishte një plagë që, edhe pas dy dekadash e pak, nuk është shëruar, të paktën moralisht. “Bomba” e Gërdecit, ku dolën edhe emra institucionesh amerikane, si puna e Pentagonit, i vuri një njollë të murrme miqësisë sonë të sinqertë me Amerikën. 21 janari i 2011-ës nuk mendohej nga asnjë shqiptar se mund të kalohej me batutat “Burrë shteti” dhe “Yll në ngjitje” të ambasadorit amerikan Arvizu, në adresë të Arturo Ui-së shqiptar me emrin Sali Berisha dhe zëvendësin e tij, Lul Basha. Kur kreditet e mikut të madh amerikan ishin në rënie, ja ku na vjen lëvizja e tij në drejtim të reformës në drejtësi. Reforma në fjalë u quajt shpëtimtare për shqiptarët, të cilët e besuan pa hezitim, ngase drejtohej pikërisht nga miku i përtej Atlantikut. Reforma e famshme u konsiderua si ilaçi, që do t’u jepte zgjidhje të gjitha prapësive, djallëzive dhe marrëzive të politikanëve shqiptarë, të cilët jo vetëm po i nxjerrin bojën demokracisë, por po i shkulin themelet vetë kombit të tyre. Pas rreth dy vjet hulumtime, bisedime, zbërthime e projektime, më në fund në vitin 2016, 140 kokrrat e Parlamentit tonë, ngritën si me sustë dhe njëherësh kartonat jeshilë në hedhjen e themeleve të reformës, çka bëri të entuziazmoheshin pa masë ambasadori amerikan Donald Lu, dhe kolegia e tij në BE, që ndiqnin seancën nga llozha e sallës së Parlamentit. Mirëpo, kaluan katër vjet nga 2016-ta, dhe ndërsa “reforma” në fjalë ka ecur e po ecën me hapin e breshkës, korrupsioni dhe padrejtësia nuk e ka ndalur revanin për asnjë çast. Pikërisht në këto çaste stanjacioni të reformës së drejtësisë, na vjen edhe intervista me zonjën Yuri Kim, ambasadorja e tretë, që nga koha e ideimit të reformës së famshme, për të cilën po flasim. Cilat janë disa nga përgjigjet e ambasadores, që na i ftohin mendjen dhe zemrën ne shqiptarëve të thjeshtë? Po shqyrtojmë dy-tri prej tyre:

1. Kur ambasadorja Yuri Kim, flet për ndihmat bujare që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në këta tri dekada, gazetarja jonë me mjaft diplomaci ndërhyn e njëkohësisht pyet: “Ka ndihmë, por ka edhe llogaridhënie dhe, këtë kanë dashur shqiptarët nga SHBA, kanë pritur nga ju, nga ambasadori amerikan këtu, që të thotë të vërtetën për Shqipërinë, për llogaridhënien e qeverive”. Përgjigja e ambasadores është thjesht diplomatike: “Nuk është detyrë e Ambasadës së SHBA apo qeverisë së SHBA që t’ia kërkojë këtë qeverisë shqiptare. Është diçka që duhet ta kërkojë populli shqiptar”!

Që ne shqiptarët duhet t’i kërkojmë llogari qeverisë sonë, e dimë se e thonë të shkruarat e demokracisë. Por si t’ia bëjmë që, kur marrim guximin dhe e kërkojmë këtë të drejtë, qeveria na vë përpara kordonin e policëve dhe na tregon derën e burgut?! Kjo pyetje mbetet pa përgjigje, sepse ambasadorja mbështillet me rrobën e diplomates, kur mund të vihej edhe në rolin e mikes së vërtetë, duke na folur hapur si ne qytetarëve, ashtu dhe qeveritarëve, të cilët dalin prej nesh dhe po prej nesh gëzojnë edhe miradinat e posteve zyrtare.

2. Pyetjes së gazetares se: “A përbënte ndonjë shqetësim specifik për Ambasadën e SHBA ndryshimi i Kodit Penal”, ambasadorja i përgjigjet se: “Nuk do komentoj specifikisht për të, por ajo që do të them është që procesi i arritjes deri tek ligji, mendoj se ishte një model”.

 Dhe në vijim, rreshton propozimet e qeverisë, shprehjen e mendimeve të opozitës, opinionet e presidentit, debatin (pa debat) të komisionit parlamentar, modifikimet e fundit të presidentit dhe “miratimi“ në seancë parlamentare. Pra, në gjithë këtë proces u ripyetën e u stërpyetën strukturat drejtuese, por asnjëri nga qytetarët, nëse duhej apo nuk duhej kjo ndërhyrje në ligjet themelore të shtetit.

3. Gazetarja i kujton ambasadores se për “reformën në drejtësi” ka patur e ka kritika, se SHBA dhe BE nxitën një reformë defektoze, e cila krijoi precedentë në Shqipëri, duke e lënë atë për vite me radhë pa Gjykatë Kushtetuese e pa Gjykatë të Lartë. Këtu ambasadorja mundohet të shpjegohet me këto fjalë: “Do të thosha se diçka si reforma në drejtësi është jashtëzakonisht e vështirë. Është e ndërlikuar dhe është e papërsosur, por nga sa shoh, elementët bazë janë aty dhe varet nga aktorët që të fillojnë ta zbatojnë atë vërtet”. Dhe në vijim, kur gazetarja i thotë ambasadores se shqiptarët ju konsiderojnë si garante të kësaj reforme, ajo shprehet se reforma në drejtësi mbetet prioriteti i punës së saj, se e di që do të ketë edhe frustrim, mbasi “ka disa që nuk e duan reformën”.

Në vijim të kësaj ligjërate, gazetarja përfiton dhe e pyet se kush janë këta që nuk e duan reformën. Ambasadorja e euzaron pyetjen me sloganin e përgjithshëm: “Janë shumë që nuk e duan”! Pikërisht kjo: “janë shumë që nuk e duan“, duhet të thuhet hapur dhe po hapur personat në fjalë të linçohen, nëse duam që të mos na bëhen akoma më shumë, sa ta nxjerrin plotësisht nga binarët reformën shpresëmadhe të drejtësisë!

Mund të merrnim si shembuj edhe pjesë të tjera të intervistës, por nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi. Ajo që duam të evidentojmë dhe mundësisht t’ia përcjellim edhe ambasadores së nderuar Yuri Kim, është ajo që cekëm qysh në krye, se ndërsa reforma e drejtësisë zvarritet me hapin e breshkës, korrupsioni dhe shkelja e të drejtave të qytetarit shqiptar nga pushteti dhe pushtetarët, ka tridhjetë vite që nuk e ndalon revanin. Ambasadorja e tanishme e SHBA, ashtu si gjithë ambasadorët amerikanë apo europianë, të cilët kanë kaluar apo gjenden sot në vendin tonë, mund të na recitojnë ne shqiptarëve thënien tonë popullore se “Gomarin e nxjerr i zoti nga balta”. Kjo është e vërtetë, por unë kësaj thënie popullore, do t’i shtoja edhe këtë frazë: Po ata që na e hodhën gomarin në baltë, a nuk kanë detyrimin të na japin një dorë që ta nxjerrim prej saj?!

Kemi dëgjuar jo njëherë, nga ambasadorë apo të dërguar të tjerë të kancelarive euroatlantike, se: “Ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të vendit”. Kjo është kaq bajate dhe e pabesueshme, kur jo më larg se tri dekada më parë, ju euroatlantikasit nuk latë gur pa lëvizur në punët tona të brendshme e të jashtme, gjer sa na përmbysët socializmin dhe pasi na e bëtë vendin lesh e li, na hiqeni tani si “mosndërhyrës në punët e të tjerëve”! Ju ndërkombëtarët, ambasadorë apo përfaqësues të tjerë euroatlantikas, shpesh herë na thoni se në politikë dhe në qeverisje keni shumë që nuk duan drejtësi, nuk duan reforma demokratike, se janë të korruptuar etj., etj., por nga ana tjetër, putheni buzë më buzë me këta të korruptuar, i prisni e i përcillni nëpër kancelaritë tuaja, e madje edhe i qerasni me koktejle dhe dreka e darka të pamerituara. Kjo sjellje, jo vetëm ftoh zemrat e mendjet e qytetarëve shqiptarë ndaj jush, por edhe i bind përditë e më shumë se reformat tuaja, nuk janë gjë tjetër veçse slogane, me të cilat kërkoni të nanurisni mendjet tonë të çartura, të cilat “mund të trazojnë stabilitetin” në rajon. Zonja ambasadore Yuri Kim, duke shpresuar se do ta lexoni këtë shkrim të thjeshtë, dëshiroj të shtoj edhe këtë frazë: Nëse keni vërtet interesa në vendin tim, i cili, falë natyrës, zotëron një pozicion strategjik të rëndësishëm në kryqëzimet e rrugëve Lindje-Perëndim dhe anasjelltas, lëreni diplomacinë mënjanë dhe flisni shqiptarisht me ne shqiptarët, flisni drejtpërsëdrejti dhe jo nëpërmjet të korruptuarve, që çdo vendi e çdo populli nuk i mungojnë. Në këtë mënyrë do të farkëtosh një miqësi, të cilën vendi juaj nuk e ka hasur në asnjë vend tjetër të globit. Ndryshe, ju siguroj se vendi që keni zgjedhur për të mbajtur Europën në këmbë, e për të frenuar ariun siberian, apo tigrin aziatik, do t’ju dalë prej duarsh. Unë e di se ju keni logon që thotë se “Nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përkohshme”. Të dyja mund të dështojnë nëse nuk do të dini ta menaxhoni vendin tim, që situata dhe rrethanat e sollën ta keni nën hyqëm. Njihini më mirë shqiptarët dhe mos e ndërtoni strategjinë tuaj duke u mbështetur në bërllokun e racës sonë, por në palcën e saj.