BREAKING NEWS

COVID-19/ Më shumë se 2 mijë testime! Ministria e Shëndetësisë tregon sa persona rezultuan të infektuar ditën e sotme

COVID-19/ Më shumë se 2 mijë testime! Ministria e
x

Opinion / Editorial

Vetëm në 25 prill apo presion i të vegjëlve që Basha të mbajë shënim?

Vetëm në 25 prill apo presion i të vegjëlve që Basha

Retorika pothuaj e të gjithë kryetarëve të partive të vogla, atyre që kanë mbijetuar në këto tri dekada, falë ngjitjes pas partive të mëdha si këpusha, duke siguruar një karrige për kryetarët e partive pa anëtarë dhe pa vota, pa popull, është presioni se në zgjedhjet e pritshme të 25 prillit do dalin me logon e tyre. Me sa lexohet përmes deklaratave, të gjithë atyre që kanë nisur marshimin dhe e llogarisin triumfin të padiskutueshëm nuk janë në të njëjtën gjatësi vale me partitë që u falin vende në Parlament dhe fill pas saj ata bëjnë sikur janë forcë e parë, forcë e paparë pasi kanë arritur të spostojnë figura të demokratëve apo socialistëve dhe të ngjiten në shtëpinë e demokracisë për t`u bërë karshillëk vetë atyre që i deleguan me votën e mbështetësve të tyre dhe nuk janë atje për zotësinë e tyre apo votën popullore. Debatet për koalicionet, të cilat sipas ligjit të ri do jenë paszgjedhore, kanë sjellë në gjirin e aleatëve pështjellim, çarje, mospajtime, dhimbje trupore, kanë ngritur shumë pikëpyetje, si do rreshtohen forcat politike para zgjedhjeve të prillit të vitit 2021. Kush më shumë e kush më pak, pothuajse të gjithë sot e kanë hallin si do shkruhen listat, cili do jetë numri një, dy, pesë, shtatë, dhjetë, cili është riskuar për të fituar apo humbur që do i paraqiten komisionit shtetëror të zgjedhjeve. Do jenë të përbashkëta dhe në to do përfshihen, veç demokratëve apo edhe krerët e partive të opozitës të cilët doemos nëse do rreshtohen në listat e përbashkëta? Do kërkojnë privilegje dhe rreshtim sipas preferencave dhe peshës së tyre imagjinare apo do këmbëngulin për të zënë vende preferenciale që garantojnë zgjedhjen e tyre në Kuvendin e Shqipërisë? Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i njohur për mbështetjen pa asnjë kusht ndaj Partisë Demokratike, si të ishte vëllai binjak siamez, deklaron se nuk është i punësuar, as punëtor që të punojë për partitë e tjera qoftë ajo edhe nëna PD! Ai e ndjen veten të domosdoshme dhe çdo shmangie e tij nga lista preferenciale dhe vendi i sigurtë do ta detyrojë siç thotë, të marshojë i vetëm dhe të mati forcat, duke qenë i sigurtë për merita që nuk dihet si i llogarit për të zënë vend në Parlamentin e ardhshëm. Nëse shkon me llogaritë matematikore të tipit Maliqit, apo ndonjë analisti që i bën hesapet pa popull hanxhinë, jo vetëm e ka siguruar vendin e tij në Parlament, po mundet të marri edhe deputetë të tjerë përderisa Lefter Maliqi që bënë ideologun dhe llogaritarin e fitores, situacionin e opozitës, do merren fiks njëqind deputetë nga opozita. Dhe Maliqi mbanë rezerva se ky numër mund të jetë edhe njëqind e dyzetë! Republikani Mediu, ka nisur të shikojë jashtë koalicionit opozitar, njëri sy ta mbajë nga koalicioni, tjetrin nga partia e tij dhe të futet i vetëm në garë. Po jo vetëm Fatmiri i PR, për pjesëmarrjen në zgjedhje me siglën e partisë së vet u deklarua më në fund edhe Monika Kryemadhi e LSI-së. Edhe Kryemadhi nuk e shikon partinë e saj të reshtuar në radhë me PD dhe kërkon të bëjë presion ndaj Lulzim Bashës për t`u marrë në konsideratë, si një forcë që i ka dhënë shumë opozitarizmit me karrizmën karakteristike të forcës së partisë, dinamikën e vet, shpirtin revoltues të deputetëve studentë që synon numër rekord të vendeve në Parlament, si ka synuar gjatë tërë historisë pesëmbëdhjetë vjeçare të ekzistencës së saj. Deklarata e Monika Kryemadhit, është për ndarje e veçim nga partia e madhe dhe dalje si familje me vete për t`u matur në fushën e betejës dhe për të marrë votat e të preferuarve dhe mbështetësve të vet. Edhe LSI bënë llogari për shifra me dy e tre dhjetëshe, duke mbushur sallën e kuvendit me ngjyrën rozë, duke spostuar atë mavi e cila sipas deklaratave të opozitës do pësojë humbjen më të rëndë në histori dhe kryetari i saj për t`i shpëtuar ndëshkimit do kërkoi strehim politik në Greqi ose Turqi?! Janë llogari para zgjedhore më shumë dëshira dhe fantazi se realiteti. Deklaratë për dalje si forcë me vete, pa përjashtim kanë bërë edhe partitë e sapoformuara që nga partia e drejtuar nga Astrit Patozi deri tek ajo nën drejtim të Rudina Hajdarit e Myslim Murrizit. Duke se aleanca e çeliktë, faktori më përbashkues i koalicionit opozitar, i trumbetuar si një aliazh i pazgjidhshëm, është në shthurje dhe ndarje të pashmangshme. Me sa duket mozaiku i logove partiake që do futen në zgjedhje do jetë dy shifror dhe në praktikë do zbatohet motua, secili për vete, zoti i madh për të gjithë. Këtu i tërë inati është pse nuk ngihen të gjithë në këmbë për të mbrojtur koalicionet parazgjedhore po ia lënë këtë vetëm partisë presidenciale? Inati është më Bashën, i cili akuzohet si peng i Ramës! Flasim për daljen më vete për partitë në opozitë, sepse Partia Socialsite nuk ka ç`të ndajë pasi e ndarë është. E ka deklaruar prej kohësh se do hyjë në zgjedhje e vetme së paku në pamjen e parë, pa folur për ndonjë marrëveshje, mbështetje për parti apo individë që ndihen të fuqishëm në zona të veçanta si në Shkodër, ku socialdemokratët ndihen të fortë apo gjetkë. Socialistët nuk e vuajnë shumë vetminë sepse të vetëm e kanë marrë pushtetin në 2017 dhe po të vetëm e kanë drejtuar makinën e pushtetit në tërë këto vite, duke pasur në duar, marshet, timonin dhe tërë motorin. Në këtë kuptim, socialistët nuk humbasin asgjë sepse edhe aleatë në koalicion deri tani nuk janë shfaqur, po kjo nuk u ka krijuar ndonjë traumë apo dhimbje koke, bile duken të relaksuar më shumë të lumtur për pretendentët fitues në zgjedhjet e ardhshme, të cilëve nuk u rrezikohen vendet nga kryetar partish që kanë vetëm vulë, firmë, seli dhe makina për të lëvizur kryetarët. Socialistët, duken të relaksuar se asnjëri nuk do u bëjë presion për të spostuar dikë nga vendet preferenciale në listat e deputetëve që do shpallen nga kjo forcë politike. Po deklaratat e shumicës së kryetarëve se do dalin më vete në zgjedhjet e prillit nuk është vetëm një përpjekje për t`i treguar dhëmbët partisë më të madhe, po së pari presion që kërkon të bindë Partinë Demokratike, të lërë listat hapur për pretendentët e partive të koalicionit. Ky është vetëm fillimi. Më pas do nisen dhe do tregojnë angazhimin e tyre në betejën e gjatë në opozitë dhe do i thonë Bashës se nuk e kanë lënë asnjë moment vetëm, përballë pushtetit që nga dita e parë në opozitë në protesta e në mitingje se kanë qenë ata që u kanë mbushur sheshin dhe janë bashkuar në luftën për të mposhtur kundërshtarët politikë. Do nisin të vegjlit që bëjnë si super të mëdhenj se nuk kanë dalë asnjëherë nga reshti, janë përleshur e i kanë vënë gjoksin policisë, kanë qenë grusht bashkuar rreth liderit të opozitës. Po kështu deklarata për mëvetësi, shpjegon edhe një aspekt tjerët shumë të rëndësishëm. Është tërheqja e vëmendjes së kryetarit të PD-së, Lulzim Basha që të hap doemos listën, të bëjë presion për ruajtjen e koalicioneve. Për t`i thënë se listat nuk do jenë të hapura vetëm për votuesit, po së pari për kryetarët e partive të koalicionit opozitar. Ndryshe na ke jashtë koalicionit. Mos na llogarit në thesin e votave. Për kryetarët e partive minore në koalicionin e opozitës, ka fare pak rëndësi nëse do dalin jashtë liste figura të njohura të PD-së. Ata duan vendet e tyre të sigurta dhe për këtë deklarohen se në zgjedhjet e 25 prillit do dalin me logon e tyre, si parti më vete apo grupime jashtë PD-së dhe në fund le t`i bëjë Basha llogaritë. Për kryetarët e partive minore, është e sigurtë se do jetë partia mëmë që do ua ketë nevojën, po atëherë pazari do jetë shumë i shtrenjtë sepse një votë do kushtojë sa tërë qeveria apo gjysma në rast se do jetë përcaktuese për të plotësuar mbi 70 vende në Parlamentin që do dalë pas 25 prillit. Presioni për daljen më vete të partive minore sapo ka nisur. Rruga deri në 25 prill do nxjerrë në breg shumë risi dhe do dëgjojmë shumë çudi Po kjo mbetet për t’u verifikuar në muajt që vijnë nëse opozita do ta ruajë kohezionin si një shtëpi apo do ta ndajë familjen në shumë pjesë për të ndërtuar për çdo parti nga një shtëpi pa themele, pa tavan, pa çati dhe secili të luftoj për familjen politike të tij?!