BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Opinion / Editorial

Veting-u në Shqipëri dhe Gjykata Speciale në Kosovë erdhën si rezultat i dështimit të sistemit të drejtësisë

Veting-u në Shqipëri dhe Gjykata Speciale në Kosovë

Si Gjykata Speciale në Kosovë ashtu edhe veting-u në Shqipëri erdhën si rezultat i paaftësisë dhe mosdëshirës së politikës dhe të politikanëve shqiptarë për të ndërtuar një shtet ligjor e demokratik të vërtetë. Si Gjykata Speciale në Kosovë ashtu edhe veting-u në Shqipëri erdhën si imponim nga ndërkombëtarët nisur nga shqetësimi dhe mosbesimi i thellë i shqiptarëve të drejtësia vendore, si mosbesim ndaj drejtësisë politike të korruptuar dhe të kriminalizuar në të dy shtetet shqiptare. Edhe Kosovës edhe Shqipërisë, pra politikës dhe politikanëve të tyre iu imponua nga ndërkombëtarët si veting-ut në Shqipëri ashtu edhe Gjykata Speciale në Kosovë. Kurrë nuk ndërtohet shteti demokratik e ligjor kur drejtësia është politike, servile, shërbëtore dhe e emëruar prej politikës. Nuk mund të japë drejtësi sistemi hajduto dhe krimokratik, pasi nuk mundet që krimi dhe korrupsioni i lartë shtetëror politik e juridik të hetojnë dhe të ndëshkojnë veten e tyre, pasi në Shqipëri e Kosovë ata që bëjnë krimin, hajninë dhe korrupsionin e lartë shtetëror, ata edhe japin drejtësinë, që do të thotë se drejtësia shqiptare është avokatia e korrupsionit dhe hajdutërisë së lartë shtetërore. Pra, veting-u në Shqipëri erdhi më shumë si diçka e duhur, specifike dhe e veçantë, por që veting-u për nga rëndësia është reformë jetike për shqiptarët, për shtetin, për shoqërinë dhe për drejtësinë, ashtu sikurse një reformë e tillë në Kosovë do të ishte jetike për dekomunistifikimin, pastrimin dhe dekriminalizimin e politikës, pushtetit dhe të drejtësisë edhe në Kosovë.

Pra, veting-u Shqipëri në fakt ka tiparet e një Gjykate Speciale, që erdhi si pasojë e dështimit total dhe tërësor të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Pra, ishte kriza e rëndë e sistemit të drejtësisë ajo që imponoi edhe zgjidhjen e asaj krize me anë të veting-ut. Kjo zgjidhje u imponua nga ndërkombëtarët pa rolin e të cilëve Shqipëria do të kishte degraduar akoma edhe më keq dhe më thellë. Veting-u është reforma jetike më e rëndësishme në Shqipëri që kur është shpallur Pavarësia e Shqipërisë sepse shqiptarët kanë 100 vite që pësojnë dhe vuajnë nga padrejtësia institucionale e regjimeve politike që kanë sunduar Shqipërinë duke mos përjashtuar as edhe asnjë regjim qeverisës as të këtij tranzicioni traumatik paskomunist.

Por deri më sot pavarësisht veting-ut në Shqipëri nuk ka asnjë të ndëshkuar e të dënuar prej personave VIP të korruptuar e të kriminalizuar të politikës dhe as të drejtësisë. Mesa duket këtë do ta bënte vetëm nëse më sistemin e drejtësisë shqiptare do të emëroheshin gjyqtarë të huaj, amerikanë e gjermanë p.sh. Veting-u në Shqipëri erdhi si rezultat i domosdoshmërisë për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin politik pasi: shteti, demokracia, drejtësia, pushteti qendror kryeministror dhe ai lokal ishin kapur nga mafio-oligarkia institucionale, partizane dhe farefisnore ashtu sikurse ky realitet është edhe në Kosovë. Pra: në krim, korrupsion, tradhti e në hajni politika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë ngjasojnë sikur të ishin binjakë identikë.

Kjo gjendje e kishte bërë krejtësisht të pamundur luftën kundër krimit, korrupsionit, hajdutërisë dhe kundër vjedhjes e plaçkitjes së mafisë politike, shtetërore, juridike dhe asaj të biznesit, që ishin instaluar në sistem si një korporatë antikombëtare. Duke e parë këtë gjendje të rëndë ku ndodhej shteti dhe kombi në Shqipëri dhe për ta shpëtuar Shqipërinë nga kthetrat e kësaj mafie të pasfidueshme, SHBA dhe BE ndërmorën dhe ia imponuan me zor politikës shqiptare miratimin e veting-ut. Edhe në Kosovë ka precipituar po e njëjta situatë si në Shqipëri dhe opinioni intelektual dhe ai publik atje kanë vite e vite që kërkojnë miratimin e veting-ut edhe në Kosovë ashtu sikurse u bë në Shqipëri. Në Kosovë në rast se do të ishte miratuar veting-u nuk do të kishte pasur nevojë për Gjykatë Speciale dhe kjo do të kishte qenë shumë mirë për Kosovën. Por politika kosovare gaboi rëndë, shumë rëndë që votoi Gjykatën Speciale pasi ajo realisht është një gjykatë diskriminuese për Kosovën, gjykatë krejtësisht e njëanshme. Nëse Kosova do të kishte ndërmarrë një veting në drejtësi jo vetëm se do të ishte pastruar si drejtësia ashtu edhe politika, por edhe do të ishin ndëshkuar e dënuar të gjithë ata politikanë e personazhe VIP-a të drejtësisë e të politikës së korruptuar dhe ata me rekorde krimi nga gjykata vendore.

Mirëpo fatkeqësisht politika kosovare ishte kapur nga injoranca e thellë, papërgjegjshmëria dhe korrupsioni të cilat i kanë shkaktuar Kosovës dëme aq të mëdha, gati-gati, pothuajse të pariparueshme për një kohë shumë, shumë të gjatë. Politika, elita politike dritëshkurtër e Kosovës ka mbi shpatulla edhe mëkatin tjetër të madh, atë të dëmit të jashtëzakonshëm që ajo i ka shkaktuar imazhit të Kosovës. Si e tillë e gjithë klasa politike dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë janë armiqtë më të përbetuar të veting-ut, pikërisht ashtu sikurse e kundërshtuan dhe bënë gjithçka çfarë mundën edhe politika edhe drejtësia në Shqipëri për bllokimin dhe mosmiratimin e veting-ut, ashtu dhe po të njëjtën gjë bëjnë gjithçka munden edhe sot për zvarritjen dhe pengimin e punës së tij. Por Kosova ka një specifikë të veçantë, populli atje është shumë inteligjent dhe me votën e 6 Tetorit 2019, shqiptarët e Kosovës në fakt i bënë veting-un politikës, e dërrmuan me votë ish-pushtetin politik të lig dhe të kriminalizuar dhe ia besuan qeverisjen opozitës LVV-LDK. Mirëpo me këtë nuk ishin dakord mafio-politika që e kishte kapur dhe sunduar prej 20 vitesh Kosovën. Ata u mirëorganizuan dhe kryen një grusht shteti parlamentar duke e rrëzuar qeverinë legjitime. Por kjo nuk do të zgjasë shumë në Kosovë, sepse populli i Kosovës nuk pajtohet dhe nuk do ta lejojë gjatë që të qeveriset nga një qeverisje jolegjitime, e cila ia ka grabitur vullnetin dhe demokracinë atij, nuk do ta tolerojë populli i Kosovës politikën e qeverisë aktuale antidemokratike, antiligj dhe anti-veting që ajo ta mbajë peng Kosovën.