BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Viti i tetë nuk është numri mitik që të sjell automatikisht në pushtet

Viti i tetë nuk është numri mitik që të sjell

Rotacionet politike dhe rokada e ndërrimit të pushteteve në demokraci, është festa e lirisë, e drejt e sovranit, fryt i zgjedhjeve të ndershme, barabarta, respektim i rezultateve të arritura në garat elektorale mes forcave politike që përfaqësojnë shtresat e ndryshme të shoqërisë. Qytetarët shqiptarë në tri dekada demokraci, janë ambientuar tanimë me ndërrimin e pushteteve dhe largimin e një force dhe ardhjen e forcave të ndryshme politike në krye të vendit. I kanë provuar më shumë se dy herë alternimet nga e majta në të djathtë dhe kanë shijuar koloritin e ngjyrave, si ngjyrimin blu të thellë, rozë të ndezur, mavi, bardhë e zi. Nga këto rokada, njëra forcë politike ka dalë e fituar dhe tjetra humbëse. Mbi bazën e numrave, përqindjeve, konvertuar në deputetë, njëra palë, ka rezultuar mazhorancë, pala tjetër opozitë, dy shtyllat kryesore që balancojnë sistemin pluralist. Qytetarët tanë kanë bërë detyrën përmes ushtrimit të së drejtës themelore,votës dhe kanë sjellë në pushtet ato forca që i kanë gjykuar më progresiste, të ekuilibruara, të afta për të bërë ndryshimin. Pikërisht, përmes zgjedhjeve, kanë ndodhur ndryshime të thella në interes të vendit dhe shoqërisë. Kulmi që shënoi edhe ndërrimin e sistemeve, ishte ai i vitit 1990 kur për herë të parë pas një gjysmë shekulli nga shtet njëpartiak, diktaturë e proletariatit, u instalua sistemi shumëpartiak, pluralizmi politik, sistem që do alternohej në vite deri në ditët e sotme, jo më si një tragjedi dhe përmbysje, po rokadë normale, shoqëruar me ikjen e një force politik dhe ardhjen në pushtet të forcave të tjera, pa krijuar tronditje të thella dhe ndryshime thelbësore. Forcat politike të alternuara, kanë sjellë ritmin e tyre, strategjitë e drejtimit, përvojën dhe stilin në punë dhe format e zhvillimit ndryshe nga forca paraardhëse. Siç kanë shfaqur edhe dobësitë dhe mungesat e tyre serioze. Si kanë drejtuar, mirë apo keq, kanë qenë në lartësinë e duhur, kanë sjellë ndryshime, përparime, zhvillim në të gjitha fushat, mirëqenies dhe kulturës, kanë qenë efikase kundër korrupsionit, kanë bërë detyrën në instalimin e drejtësisë për të gjithë, kanë vjedhur, kanë luftuar kundër drogës, kanë mbështetur shtresat më vulnerable, pensionistët e invalidët, kanë zhvilluar sektorët prioritarë të shërbimeve, kanë perfeksionuar arsimin dhe shëndetësinë, për të gjitha këto, notën dhe vulën i ka vënë populli, duke i ndëshkuar apo shpërblyer me votë. Qytetarët, kanë vendosur që për mungesë vizioni, skandalet me shumicë në vitet nga ata që kanë drejtuar Shqipërinë, t`i mbajnë apo t`i rrëzojnë nga froni. Ky ka qenë vullneti i popullit. Ndryshimet e qeverive asnjëherë nuk janë përjetuar si hata apo gjëmë dhe nuk kanë shkaktuar ndonjë hendek të thellë në popull. Tek e fundit është vota popullore ajo që i ka dhënë secilit hakun që i takon. E ka vendosur në mazhorancë apo e ka dërguar në opozitë. E ka certifikuar për ta hedhur në sulm në fushën e betejës apo e ka lënë në stolin e pritjes. Në traditën tonë, rokada e pushtetit përgjithësisht ka ndodhur në tetë vite. Kaq ka drejtuar mazhoranca me Berishën kryeministër, po kaq Nano së bashku me politikanë të tjerë nga e majta për arsye të trazirave që kanë ndodhur, fillimisht me ndryshmin e sistemit përmes grevave të shumta dhe bojkotit që çuan në zgjedhje të parakohshme pas një viti të Nanos në qeverisje dhe pas vitit 2007 me trazirat që u shkaktuan me grushtin e shtetit që bënë që në krye të qeverive socialiste të vinin të rinj. Në vitin 1996, rotacioni politik u pengua. Ndodhi bllokada e madhe e moslëshimit të pushtetit përmes përmbysjes së rezultatit të zgjedhjeve, të cilat u fituan në shumicë nga e majta, po u manipuluan në shkallë të gjerë. Përmbysja e rezultatit, pengimi i verdiktit të popullit i shoqëruar edhe me skandalet financiare nga piramidat që zhvatën qytetarët shqiptar deri në qindarkën e fundit me frymëzimin shtetëror, duke i paraqitur si mrekullia e ekonomisë shqiptare, u shoqëruan, jo vetëm me rënimin total të ekonomisë, po edhe me tragjedi të jashtëzakonshme me shumë viktima. Ka qenë pengimi i rotacionit politik që solli trazirat, u shoqëruan me shkatërrimin dhe rënien e shtetit, djegien e komisariateve të policisë, hapjen e depove të municioneve dhe aramit dhe rënien e rendit kushtetues. Shteti shqiptar, u shkërmoq dhe u rrudh në disa kilometër katror, rreth Presidencës. Shqiptarët i shpëtoi mrekullia që nuk u futën në spiralen më të thellë të dhunës. Ishte hera e parë në njëqind vjet që rendin në vendin tonë e morën në dorë forcat e huaja për të qetësuar situatën alarmante që solli probleme të jashtëzakonshme, jo vetëm në ecurinë normale të shoqërisë, po edhe në uljen e prestigjit ndërkombëtar të Shqipërisë me eksperimentin e rrënimit të shtetit nga vetë shtetarët dhe një pjesë jo e vogël e militantëve të rreshtuar në skalione të ndryshëm, pro dhe kundër pushtetit të kohës. Pra pengimi i rotacionit normal, njihet dhe kujtesa jonë është e freskët. Askush nuk do ta pranonte në vitin 2021, një vijim pushteti me forcë apo përmbysje, frenim apo pengim të qëllimshëm. Aq më pak manipulimin zgjedhor. Kjo do ishte fatkeqësia më e madhe e shqiptarëve në këta tridhjetë vite demokraci. Po njëherësh është edhe e pamundur për vet mekanizmat e kontrollit të votës. Nga morali i mazhorancës. Nëse pengimi apo manipulimi është i dënueshëm dhe i papranueshëm nga qytetarët dhe faktori ndërkombëtar, po kaq non sens është edhe kërkesa ultimative e ndërrimit dhe rotacionit të pushtetit, duke u nisur nga një tregues numerik, numri tetë i viteve të drejtimit të pushtetit nga socialistët. Kuptohet, ky pushtet nuk është i Ramës. Dhe shigjetimi i kryeministrit, personalizimi, vlerësimi si e keqja e vetme, është shprehje e padurimit për ta larguar këtë pengesë për të mbërritur në pushtet. Pushteti nuk është i në individi, një grupi që sot përbëjnë ekipin drejtues të qeverisë dhe organeve e institucioneve që burojnë nga Kushtetuta dhe ligji. Qeveria nuk mund të konsiderohet, siç veprohet rëndom nga politika, si uzurpatore dhe bandë që mbanë pushtetin si sundimtar dhe jo legjitim. Që kjo qeverisje ka problematika është e papërjashtueshme. Çdo qeverisje ka pikat e veta të dobëta që përbëjnë edhe objektin e kritikave dhe akuzave të opozitës, e cila është në të drejtën e vet të demaskojë punët e pakryera apo mënyrën e drejtimit të mazhorancës. Mbështetur te punët e pakryera, mosarritjet, dështimet, mangësitë, luftën e pamjaftueshme kundër korrupsionit, zbatimin e reformave të rëndësishme, marrëdhënieve me politikën e jashtme, investimet dhe realizimin e detyrave që i takojnë një qeverie për zhvillimin e vendit, opozita lufton për të realizuar rotacionin politik. Po nga sa shikohet sot në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e ardhshme të dekretuara në 25 prill të vitit 2021 e tërë propaganda e opozitës, fjalimet e liderëve që fatkeqësisht bëjnë sikur kanë zbritur në tokën shqiptare për ditë të parë, si të mos kenë të kaluar, të jenë pa mëkate, pa moshë dhe jo siç janë realisht, baballarë të këtyre tri dekadave që i kanë punuar këtij vendi qindin, bëjnë sikur ta kenë për herë të parë. Mbështetja në traditën e rotacioneve për tetë vite, opozita e quan punë të mbaruar fitoren e ardhshme. Për ta nuk ka asnjë dyshim se pushteti është i tyre. Mazhoranca i konsumoi tetë vite?! Dhe ky numri tetë, shihet si numri mitik sikur pushteti të vjen në duar automatikisht. Mjafton që mbushi kundërshtari tetë vite dhe nuk i takon të qëndrojë më asnjë ditë, asnjë orë? Një përllogaritje e tillë është sa subjektive dhe e pavend, po aq edhe iluzioniste dhe fantaziste. Mazhoranca nuk matet me vite, po me arritje dhe dështime. Me besimin e qytetarëve dhe vlerësimin e tyre për atë që nuk është bërë, atë që është arritur, meritat dhe përpjekjet që ka bërë qeveria dhe mazhoranca për të zbatuar reformat e mëdha për të ecur drejt progresit e mirëqenies. Parë në këtë kontekst edhe pse mazhoranca e sotme ka mungesat e veta, bilanci që bën çdo votues, është sa, si, cili është ndryshimi, cilat janë epërsitë, punët e kryera, reformat e ndërmarra, investimet e bëra, sa janë garantuar liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, cila ka qenë performanca e qeverisjes. Secili para votës bën një bilanc dhe merr një vendim. Askush nuk niset nga numri i viteve. As nga mallkimet e opozitës dhe liderëve të saj që bëjnë ëngjëllorët dhe qiellorin. Aq më pak ua ndjenë nga kërcënimet, nga sherret. Përbetimet për t’i denigruar me fjalë e protesta. Skaneri i qytetarëve është i pakonkurrueshëm me çdo teknologji tjetër të sofistikuar. Është objektiv. Nuk tundohet. Nuk virusohet nga kërcënimet e trazirat. Nëse sovrani kërkon ndryshim, i përket atij ta marri vendimin. Gjithë të tjerët bëjnë propagandë partiake. Në këtë kuptim, ai që vendos është populli. Jo tetë vite apo tetëmbëdhjetë dhe nuk e ka problem fare. Siç nuk e ka shqetësim nëse të zbret nga kali. Nëse shqiptarët duan ndryshimin, ky është vendimi i tyre, verdikti që nuk mund të diskutohet. Fitorja, bazuar në tetë vite, ëndërrimet se koha e mazhorancës ka mbaruar, është thjesht iluzion nga i cili opozita nëse kërkon fitore duhet t`i drejtohet betejës për të fituar mbështetjen popullore. Ndryshe do kalojnë vite dhe rotacioni do mbetet një iluzion i tetë viteve. Logjika se pas tetë viteve asnjë mazhorancë nuk ka drejtuar Shqipërinë dhe se e ka mbyllur kapitullin me mandatin e dytë dhe duhet të kalojë në opozitë se u lodh dhe nuk ka më ç`ti japi vendit, është logjikë pa asnjë bazë. Llogaria më e gabuar për t`iu qasur pushtetit dhe për të marrë mandatin e radhës. Viti i tetë, dhjetë, a njëmbëdhjetë nuk është numri mitik që të sjell në pushtet automatikisht!