BREAKING NEWS

Gjykata e Posaçme merr vendimin final, dënon me burg ish-gjyqtarin e njohur Luan Dacin

Gjykata e Posaçme merr vendimin final, dënon me burg ish-gjyqtarin e
x

Opinion / Editorial

Vjeshta, stina e begatisë i dha katër parti të reja Shqipërisë!

Vjeshta, stina e begatisë i dha katër parti të reja

Numri i partive politike në Shqipëri është i pafund. Nga një vend monopartiak, u kalua në ekstrem. Ndoshta kalojmë gjithë shtetet edhe në shkallë europiane pasi këtu çdo stinë i sjell vendit tonë një parti të re. Po vjeshta e sivjetme erdhi krejt ndryshe. Stina e prodhimit, koha e të korrave, e vjeljeve të vreshtave, portokalleve, mandarinave, korrjes së misrit, mbarështimit të blegtorisë, sigurimi i produkteve kaq shumë të lakmuar nga fermerët dhe gjithë punonjësit e bujqësisë dhe blegtorisë. Vjeshta ishte vërtet e artë dhe e begatë edhe për politikanët. Në vitin zgjedhor kur na ndajnë edhe shtatë muaj nga dita kur shqiptarët do i drejtohen kutive të votimit, pothuaj përditë listës së gjatë të forcave politike i shtohet një emër iri. Mozaiku shumëngjyrësh, plotësohet me ngjyra të tjera edhe më të ndezura, duke e bërë skenën politike më dinamike. Është fat i madh që në këto kohë pandemia kur jo pak qytetarë vuajnë ende pasojat e tmerrshme të tërmetit të një viti më parë. Plagët rrjedhin gjak, dhimbjet nuk kanë shteruar. Sëpaku po plotësohemi me parti të reja që vijnë në skenë me pretendime të mëdha. Veç pretendimeve dhe objektivave për zgjedhjet e 25 prillit, gëzim nga njëra anë për mbështetësit e partive të sapokrijuara kur ende nuk janë njohur me selitë dhe makinat, target, emrat e mbështetësve, ka shpërthyer polemika e egër mes partisë mëmë PD-së, Lulzim Bashës, kryetarit të saj dhe kryetarëve të partive të sapoformuara, të cilat deklarojnë se nuk janë në vathën e Partisë Demokratike. Nga PD në tri dekada kanë lindur dhjetëra parti. Janë shkëputur qindra protagonistë. Politikanë themelues të kësaj force politike, e para parti opozitare në vendin tonë pas një gjysmëshekulli. Të larguarit u anatemuan për shumë vite, u rehabilituan si me magji dhe nga armiq u bënë miqtë më të rëndësishëm të liderit historik Berisha. Ishin kohë të vështira dhe koka nuk kushtonte asgjë. Ikjet e bujshme të viteve të para nga PD i bënë shqiptarët të mbanin frymën pezull. Çdo çast mund të ndodhnin atentate dhe paralajmërimet nuk munguan. Po më pas djemtë plangprishës që pas ikjes nga PD u bënë ministra dhe drejtues të rëndësishëm në qeverinë “Nano” pas vitit të trazirave 2005, u kthyen në shtëpinë e vjetër si një manovër për kompaktësim. Djemtë e këqij u bënë timonierët e progresit. Ata u vendosën në krye të dikastereve të qeverisë “Berisha”. Ishte një manovër e frytshme që rriti mbështetjen e PD. Pragmatistët iu bashkuan partisë nga ikën dhe iu doli për mbarë. Të gjithë u shpërblyen me poste të rëndësishme. Historia e ndarjes dhe lindjes së partive bija, është e pafund në vendin tonë. Ndarjeve dhe ikjeve nuk i ka shpëtuar as Partia Socialsite. Nga barku i saj lindi LSI. Ikjet e viteve të para, protagonistët, u etiketuan tradhtarë. Po vetëm ditët e para veç. Shumë shpejt do shuhej hidhërimi dhe nga armiq do shndërroheshin në supermiq. Më pas kërbaçi do ia linte vendin kulaçit. Gjethet e dafinës dhe petalet e trëndafilave u shpërndanë mbi kokat e ikanakëve po ziliqarët i etiketonin ardhacak-frikacak. Largime ka pasur gjatë tërë periudhës post përmbysjes së sistemit socialist. Të gjitha ikjet janë shoqëruar me zhurmë, anatemime, mallkime, paralajmërime për atentate dhe demaskime, denigrime e linçime. Ndëshkimi i ikanakëve, atyre që guxuan të krijonin parti të reja që nga N. Ceka, G. Gollo. D. Shehi, u vunë në gijotinën e kritikave pafund, të cilat vazhdojnë deri në ditët tona. Po koha e solli që ajo që u pështy në mbrëmje u lëpi sapo erdhi fati në derë dhe partisë së madhe i duheshin në krah partitë e vogla për t’u dukur një tren me shumë vagonë. Sa shumë emërtime partish! Shumë zyra. Vula pa fund. Simbole nga më ekstravagantet. Makina të markave të fundit. Stema fosforeshente. Flamuj për të rrethuar një mal të tërë. Banderola pa fund. Kapele, çadra, lapsa, stilolapsa, tullumbace, festime, evente. Kudo partitë. Firma kostilacion të kryetarëve si në tetë nëntor 1941. Mijëra emra të depozituara. Karta identiteti të dorëzuara në sekretaritë e gjykatave dhe Ministrinë e Drejtësisë. Duket sikur jemi shteti më i madh në botë. Çdo individ kërkon një parti, shumë seli, simbole pa kufi. Të gjithë shqiptarët sikur lakmojnë të bëhen kryetar partish. Dhe prit një ditë kur do kemi më shumë parti se popullsi. Secili synon mëvetësi, pavarësi pa kufi. Një qejfmbetje, interesi i cënuar, fap politikanë kërkojnë divorc të sforcuar. Lënë selinë e vjetër, dashurojnë të renë. Deri sot vetëm nga PD janë krijuar mbi dhjetë parti. Po ikjet, diarreja nuk ka të sosur. Partia Demokratike i ka vlerësuar rrezik të madh partitë e reja. Në realitet kjo nuk ka pse shihet si tragjedi. Përvoja e djeshme ka treguar se kur do dëgjojnë kushtrimin e të parëve nuk do jenë të paktë ata që do nxitojnë të zënë vend në sofrën e partisë mëmë. Gjaku nuk bëhet ujë. Po trajtimi që u bën Lulzim Basha liderëve të partive të reja, është për të ardhur keq. Jo pse debaton, por se i fyen. Një politikan me përvojë nuk ka pse qëllon me gurë mbi mbështetësit e vet. Duhet të bëjë llogari, nesër ata që sot i denigron do t`i kushtojnë një miliard. Një numër, një emër, njëri prej atyre që është vënë në grykë të pushkës të thyejë kandarin dhe të sigurojë shumicën. Atëherë? Dridhe like, puthu me ikanakët! Me ç`mendje shkon kryetari i PD-së që nuk lë sharje pa përdorur për Jozefina Topallin. Me ç`mendje e etiketon si lolo të Ramës? Topalli në vite në PD si nënkryetare, po edhe Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ka mbajtur qëndrime të ashpra ndaj opozitës. Konseguente në qëndrimet e saj. E ka shtrydhur opozitën e majtë. E ka fyer, i ka prerë fjalën në Kuvend. Topalli pra nuk bëhet e majtë sikur qielli të takohet me tokën. Demokratët e zakonshëm e njohin Topallin, ia dinë mendimet, idetë. I njohin betejat që ajo ka bërë për të mposhtur opozitën dhe mbajtur PD në pushtet. Nuk ka pasur një rast të vetëm që të ketë mbështetur ndonjë ide apo nisëm të socialistëve. Në këtë kuptim ka qënë zonja e hekurt me zemër të ngurtë ndaj socialistëve. Të jetë i qetë Basha. Militantët e PD-së po ashtu. Miqtë e armiqtë e saj, se Jozefina Topalli u rikthye në politik, jo për t’i bërë fresk Ramës dhe qeverisë së drejtuar prej tij, po për t`i dhënë një dorë Bashës. Duket se partitë e reja janë një mallkim për demokratët. Po nuk është kështu. Secili prej tyre do thithë vota dhe nesër do ia bashkoj partisë ku u rritën dhe u bënë politikanë. Kot i shan Basha. Ata nuk i marrin mbështetës atij, po do maksimalizojnë mbështetësit e të djathtës. Rrjedhja e votave në drejtim të partive të tjera do jetë minimale. Më shumë duhet të tremben partitë që sot janë në koalicion se mundet t’u rrëshqasë ndonjë votë. Po PD-së do i shtohen shanset. Partia e re e Topallit, “Lëvizja për Ndryshim” ashtu si “Bindja Demokratike” e krijuar në vjeshtën e kaluar nga Astrit Patozi, “Lëvizja Demokratike Shqiptare” e themeluar nga Myslim Murrizi nuk do jenë kurrë në mbështetje të Partisë Socialiste. Nëse ka individë që nuk e duan PS në pushtet, janë pikërisht ata që sot kanë dalë në tregun politik me simbole të reja, me partitë e sapo krijuara. Ndaj kot e ka Lulzim Basha që gërricet me ta. Liderët e partive të reja që na solli kjo vjeshtë e këtij viti, janë nesër në një front me Bashën. Më shumë ardhja e tyre këtë vjeshtë shton produktin e të djathtës, vendos gardh pa fund për mos të rrjedhur vota në drejtim të paditur. Frika e Bashës nuk është se këto parti nesër do rreshtohen majtas. Kjo nuk bën vaki. Është pamundësi absolute. Halli i liderit demokrat dhe tërë politikës së ndjekur, rreshtuar në të djathtë, është se forcimi i partive të sapokrijuara do zbehi rezultatet e partisë së Bashës. Se mundet që shumicën e votave në Shkodër t’i rrëmbejë Jozefina me “Lëvizjen për Ndryshim”. Basha mundet të mos marri edhe votat e vitit 2013 në kryeqendrën e veriut. Të njëjtin rrezik shikon në Lushnje me Murrizin, i cili me karrizmën që shpalos dhe portretin që krijon si i djathtë real mundet ta dobësojë partinë mëmë. Të njëjtën zhbërje mundet t’i krijojë zonja Hajdari në Tropojë e gjetkë. Patozi një zë kritik i lidershipit të PD-së mundet t’i heqë gur themeli SHQUP-it dhe gjithë ata që i bëjnë karshillëk Bashës me qëndrimet e tyre të pavaruara. T’i shkaktojnë tërmet. Po ata janë në të njëjtin bllok. Politika shqiptare është trazuar në realitet këtë vjeshtë, kampi i djathtë ngjanë me tubacionin e madh të Bovillës shpuar në mijëra vende ku vendosen tubat nga fermerët për të ujitur arën e vet. Kështu edhe me partitë e reja. Hiq këtu e hiq atje të gjitha nga thesi i djathtë do dalin. Se për mbështetësit e të majtës zor se mund të rrjedhin vota aq më tepër që shqiptarët i bëjnë llogaritë dhe nuk ua marrin mend partitë. Jetojmë vjeshtën më të begatë në politikë. Është vjeshta që na solli në Shqipëri më shumë parti. Le të presim se numri i partive në ditët që vinë mund të shtohen pa kufi!