BREAKING NEWS

“Krenar për fitoren e thellë”/ Mjeku i njohur Petrit Vargu që u shkarkua nga detyra jep lajmin fantastik: Së shpejti...

“Krenar për fitoren e thellë”/ Mjeku i njohur Petrit Vargu
x
BREAKING NEWS

Kujt i kalon trualli i Teatrit Kombëtar? Qeveria merr vendimin e menjëhershëm, ja çfarë përcakton VKM-ja

Kujt i kalon trualli i Teatrit Kombëtar? Qeveria merr vendimin e
x
BREAKING NEWS

Përgjaken rrugët e vendit që në mëngjes/ Aksidenti tragjik iu merr jetën dy të rinjve. Policia zbardh detajet e rënda

Përgjaken rrugët e vendit që në mëngjes/ Aksidenti
x
BREAKING NEWS

SHBA ultimatum për likuidimin e Berishës nga politika, Kim 1 muaj afat Bashës për të spastruar partinë nga mbetja e fundit e komunizmit në Parlamentin e ri

SHBA ultimatum për likuidimin e Berishës nga politika, Kim 1 muaj afat
x
BREAKING NEWS

Kreshnik Spahiu: Sali Berisha anti-amerikani më i madh në vend, në 30 vite ka pasur vetëm përplasje me Uashingtonin

Kreshnik Spahiu: Sali Berisha anti-amerikani më i madh në vend,
x

Opinion / Editorial

Vlora në prag sezoni veror

Vlora në prag sezoni veror

Një nga bukuritë e rralla natyrore të bregdetit Mesdhetar, Vlora të tërheq si me magnet jo vetëm në pikun e sezonit veror, por në çdo kohë. Vetëm përfytyrimi se po shkon drejt një perle të vërtetë të bën realisht të mos e ndjesh fare rrugën për aty. Kur mendon se në qytetin bregdetar do gjesh miq që ia vlen të sakrifikosh orët e qëndrimit, ndjesia merr kuota me të vërtetë kënaqësie që rrallë i provon në jetë. Në rotondon e parë pasi mbaron autostrada marrim djathtas, për të shkuar në Zvërnec. Kemi qëllim të njihemi me masat që po merren për një turizëm elitar, pas një viti pandemik. 200 metrat e parë të rrugës “ta bien në majë të hundës”. Është tamam ajo shprehja e popullit që “për një hudhër prishet dasma”. Tre minisegmente të dëmtuara nga kalimi i makinave me tonazh të rëndë nuk janë pasqyrim i vërtetë i rrugës deri në plazh sepse ajo, përveç se është paksa e ngushtë, parametrat e tjerë janë në rregull. Kemi një “postbllok” pa shkuar në destinacion. Është kantina e verës dhe restoranti “Beriberi”. Mësoj se është edhe “barometër” i saktë për ecurinë e sezonit. Këtë e pohon edhe Fredi, administratori që pasi shpreh pakënaqësi për sezonin e kaluar është optimist për këtë që ka ardhur.

- Kanë ardhur plot – tregon ai – mbarimi i pandemisë ka shtuar fluksin e turistëve vendas dhe të huaj, kryesisht nga Fieri dhe Tirana. Po të vazhdojë ky fluks i fundjavave, mirë do të jemi.

Dielli duket që në mëngjes. Këtë optimizëm e gjejmë edhe në buzëdetin pas TEC–it që qysh kur ka mbaruar, nuk ka punuar asnjë ditë dhe ku marrin rroga të majme nja 50 punëtorë që kujdesen për konservimin e tij. Pronarët e lokaleve këtu që administrojnë edhe çadrat e shumta i kanë bërë gati të gjitha dhe sytë i mbajnë nga rruga dhe ndjehen mirë kur dëgjojnë një zhurmë makine. Në këtë pjesë buzëdeti ka vetëm plazh ditor se nuk ka akomodime fjetjeje, ato janë ose në fshat ose në qytet, vetëm 15 minuta larg. Është e pamundur të bësh një parashikim të saktë të kapacitetit të këtij plazhi shumë të frekuentuar sepse siç pohojnë pronarët këtu, lejet janë provizore dhe gjithmonë nën ankthin se në çdo kohë mund t’u vijë urdhri për ndërprerje kontrate. E ka bërë administrata e njësisë bashkiake nja dy herë dhe vjet ka qenë e domosdoshme ardhja e vet kryeministrit Rama për t’i qetësuar ata, por edhe ai nuk dha garanci afatgjata që edhe pronarët e sotëm të vazhdojnë të qetë investimet. Sidoqoftë për t’u vënë në dukje në këtë prag fillimsezoni ishte cilësia konkurruese me të cilët pronarët aktualë po punojnë për të pritur pushuesit që kishin disa fundjava që kishin ardhur. Plazhi i Zvërnecit ka dy avantazhe të mëdha që ia shtojnë frekuentimin: të gjitha banesat e fshatit që pothuajse janë të gjitha të reja, janë vënë në dispozicion të pushuesve dhe se aty pranë ndodhet edhe një aset i veçantë historik siç është Manastiri i Zvërnecit që jo vetëm në ditët e sezonit, por pothuajse gjatë gjithë vitit është tepër i vizitueshëm. Papu Jani ndjehet komod kur tregon se s’ka ditë të javës që pranë urës së drunjtë të mos qëndrojnë makina dhe autobuzë të shumtë që sjellin vizitorë nga gjithë vendi, madje edhe nga Kosova e Maqedonia. Ndjehet tek ai shqetësimi për afrimin e festës së Shën Marisë kur Manastiri kthehet për një ditënatë epiqendra e besimtarëve, ndonëse ne na duket larg fillimgushti. Ai tregon me mburrje se bashkëjetesa fetare më së miri shprehet në këtë festë ku nuk vijnë vetëm besimtarët ortodoksë, që padyshim janë të shumtë, por edhe të besimeve të tjera fetare. Pamjen e plazhit të Zvërnecit nuk e gjejmë tek ai i Plazhit të Vjetër, siç quhen hapësirat pranë ish-kampit të Pionierëve. Vërehet përpjekja e dy-tre pronarë lokalesh për t’u bërë mikpritës me kushte normale, por e përgjithshmja ishte ajo që ka vite që është vënë në dukje: infrastrukturë e pasistemuar në hapësirën midis rrugës dhe bregut dhe po ashtu një det i mbushur me alga. Pamë një traktor që punonte rërën dhe vetëm kaq. Duket që frekuentuesit e tij, që nuk janë të paktë do të bëjnë si do të bëjnë, do të bëjnë siç kanë bërë gjithë këto vite, do të vijnë do të shprehin pakënaqësi, por duke mos patur një zgjidhje më të mirë do të rivijnë. Pa dalë nga Skela, kthehemi për pak çaste tek studio fotografike “Lution” nën administrimin e Malko Durmishit dhe dy djemve të tij profesionistë të vërtetë që së bashku me “profesorin” Ahmet Axhushi dhe foto studion Bleta janë ajka e fotografisë vlonjate. Edhe këta të pakënaqur me çka ndodhur, por optimist për atë që presin.

- Në vitet e tjerë nuk kishim kohë të merrnim frymë nga dasmat, në këtë që kalojë na mori malli për to – thotë Malko – kemi punuar mirë në studio po në natyrë me shumë kufizime. Malko është demokrat i hapur dhe i thekur, por me “gurë në zemër” pohon se është bërë mirë në dekorimin e qytetit, sidomos Lungomarja. Tjetër pamje pas Skelës. Të ngopet së pari syri me atë që sheh, por edhe shpirti duket se ndryshon rrënjësisht. Nuk është thjesht Lungomarja që problem ka qarkullimin, por edhe prania e detit të mbush. Pastaj kur shikon rreshtimin e shezlongëve dhe çadrave si në kuadrate ushtarësh në ish-paradat ushtarake e ndjen më shumë se ka ardhur sezoni veror. Jo vetëm se zyrtarisht ai është hapur me një ceremoni mbresëlënëse nga bashkia e qytetit, por edhe se plot qytetarë kishin filluar të frekuentonin edhe ujin e detit. Nuk ishin vetëm vlonjatë të thekur që mezi presin një rreze dielli e t’i turren detit, por kishte edhe plot turistë, sidomos nga Polonia, Ukraina e Çekia dhe më pak nga Kosova dhe Maqedonia. Edhe këtu ka plazhistë ditorë, por më së shumti janë ata me prenotime. Kjo sepse ka një sërë hotelesh me kushte komode, por edhe sepse pothuajse çdo shtëpi vlonjate e ka bërë gati një ambient për të pritur pushues. Sipas pronarëve të këtyre hoteleve tashmë ka mbaruar koha kur ardhja e klientëve i lihej rastësisë. Tashmë ka bashkëpunim frutdhënës me agjensitë turistike që rekomandojnë Vlorën si destinacion dhe të dy palët mbeten të kënaqur. Edhe banesat që vihen në dispozicion të pushuesve e kërkojnë këtë bashkëpunim, por më pak sepse më funksionale për to mbeten njohjet e vjetra dhe riardhja e pushuesve të viteve të mëparshëm. Banorë të kësaj lagje na ngrenë dy shqetësime që prej vitesh nuk kanë marrë zgjidhje: jo të gjitha rrugët e brendshme të lagjes janë për t’u patur zili dhe më e keqja, në këtë segment derdhen në det rreth 10 kanale të ujërave të zeza, duke njollosur ujin në këtë plazh publik që është jo vetëm më afër qytetit, por edhe më i frekuentuari. Në bashki na sqarojnë se janë zbatuar në vite në këtë lagje dy projekte të mëdha pa e zgjidhur dot këtë situatë, por vëmendja e bashkisë është që në sezonin tjetër kjo situatë të jetë zgjidhur përfundimisht. Po ashtu problematik mbetet këtu qarkullimi i makinave. Ndonëse është mbaruar prej dy vjetësh një unazë paralele me Lungomaren, më së shumti makinat lakmojnë rrugën buzë detit se nuk duan të humbin së shijuari bukuritë që hasin aty. Me futjen në punë të by passit dhe mbikalimit të Kaninës më 15 korrik, sipas parashikimit qeveritar do të zgjidhet edhe ky problem, sepse makinat që u duhet të vazhdojnë për në Orikum dhe plazhet e shumta më në jug, do të kalojnë prej andej. Pak pa vajtur tek ish-shkolla e Marinës takojmë dy miq të vjetër, Agronin dhe Afrimin, humoristët e shquar. Ashtu kam vite që i mbaj mend, duke nxituar sikur duan t’ia kalojnë njëri-tjetrit.

- Akoma vazhdoni ju – dua t’i ngacmoj.

- Tashmë rruga Teatër – Uji i Ftohtë na është bërë si buka me djathë- më thonë. Pastaj nuk rrinë dot pa hedhur një “shqelm” – hajde me ne o barkderr se për dy javë ta bëjmë petë. (kanë vite që ma kanë bërë ofertën). Ç’thotë Tirana?

Më duket se më pyesin me kunjë. Se dialogu me ta në të shumtën e radhës i tillë është, hidh e prit.

- Hë, e gjetët fabulën për parodinë e radhës, me mua do e kruani?

- Jo, jo, më vonë se tani kemi një parodi tjetër në dorë.

- Për ç’bën fjalë?

- Ohuuu, do t’i dish të gjitha ti. Është surprizë…qeshin dhe vazhdojnë ecjen.

 Kryetari i Shoqatës së Turizmit, Vasil Bedini pohon se tashmë ka ikur koha e të bërit pushime “nga halli” dhe Vlora, si gjiganti i turizmit shqiptar afron kushte komode për çdo nivel pushuesi. Bedini “na mburret” se tashmë kapacitete hotelerike në gjithë vijën bregdetare përmbushin shumicën e kërkesave të pushuesve. Sipas tij tashmë janë bërë prenotimet përkatëse për pothuajse të gjithë këto kapacitete dhe operatorët turistikë po punojnë që të mbushin sadopak boshllëqet e krijuara nga koha e pandemisë që e paralizoi pothuajse komplet punën e tyre. Duke theksuar problematikën e gjithë operatorëve dhe jo vetëm ato vetjake ai thekson se synimi është që të thithin më shumë pushues nga vendet e ndryshme të Europës se edhe këtë vit, në tërësi në bregdetin vlonjat do të jenë mbisundues pushuesit vendas dhe këtu ai klasifikon edhe shqiptarët që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ai nuk harron të vërë në dukje edhe faktin se tashmë në bregdetin vlonjat operojnë disa anije turistike që u japin mundësi pushuesve të frekuentojnë brenda ditës bukuritë e rralla të këtij bregdeti me vizita në Ishullin e Sazanit dhe në shpellat dhe plazhet e virgjëra të Karaburunit. Sipas tij duhen ende anije të tjera sepse kërkesat në pikun e sezonit janë të shumta. Duam t’i kujtojmë se janë pak të kripura çmimet e biletave për në këto destinacione, por nuk duam t’ia prishim optimizmin që e ka kapur, pas një viti që nuk ka qënë ashtu siç pritej për të gjithë ata që turizmin kanë mënyrë të të jetuarit. Rruga drejt Orikumit aktualisht nuk të jep kënaqësi sepse pas tunelit të famshëm ajo kishte pësuar një rrëshqitje goxha problematike dhe kalimi detyrimisht bëhej me vetëm një drejtim. Të gjithë drejtuesit e makinave me të cilët u shkëmbyen në këtë rrugë shfaqnin pakënaqësi ndaj indiferencës me të cilën po kalonte ky problem. Ditë e zakonshme dhe ne u vonuam goxha, mendo se çdo të bëhet kur të fillojë fluksi. Kjo sepse ndonëse defekti kishte kohë që ishte evidentuar, shikoje pak punëtorë të angazhuar për eliminimin e tij. Tek Lungomarja 2 dukej se kishte më shumë interesim për të përfunduar. E ka dhe kjo një shpjegim: për përfundimin e saj rri në gatishmëri vetë kryeministri Rama, që të paktën një herë në javë vjen dhe ndjek nga afër punimet. Tek “Safa Ymeri” kishte qysh tani pushues të shumtë e midis tyre, “profesori” i gazetarisë shqiptare Fiqiri Sejdiaj, i cili teksa nuk lodhet të vërë në dukje vlerat e një “Vlorë të dashur e të bukur si askush” ngre problemin e rrugës. Më përtej, Orikumi që do të konkurrojë Vlorën jo në sasi sepse këtë nuk e bën dot, por në cilësinë e pritjes së pushuesve. Këtu vërejmë se shumë tiranas e fierakë kanë blerë shtëpi në ndërtimet e reja që edhe vazhdojnë dhe nuk kanë nevojë për prenotime ditore. Takojmë aty edhe Artistin e Popullit, Mjeshtrin e Madh, Luftar Paja nën shoqërinë e një tjetri Mjeshtri tjetër të Madh, profesor Bardhosh Gaçe. Biseda me ta nuk është thjesht e këndshme, por edhe shumë informuese. Paja na vë në dukje se si ai edhe shumë figura të tjera të kulturës dhe artit shqiptar kanë blerë shtëpi këtu dhe vijnë herë pas here. Sipas artistit, Orikumi ka gjithçka për një pushim elitar, sidomos të moshës së tij sepse kryesorja aty është qetësia. Ndërkohë historiani Gaçe na vë në dukje faktin se Vlora nuk ka vetëm turizmin e rërës, por edhe turizmin historik. Sa për konkretizim ai na përmend Kishën e Marmiroit që ishte aq pranë nesh, Porto Romanon, Kalanë e Kaninës, parkun Amantia ku janë luajtur edhe Lojërat Olimpike, Kalaja e Gjon Boçarit, varri i babait të kombit Ismail Qemalit...

- Janë shumë – thekson profesor Gaçe – por nuk duhet harruar edhe turizmi kulturor. Vlora nuk mund të jetojë pa labçen që tashmë e kemi edhe pasuri të UNESKO-s dhe që tashmë gjallëron prej grupeve të shumta që japin koncerte gjatë gjithë sezonit.

 Me gjuhë profesionisti ai vë në dukje se Vlora të ofron në të shumtën e saj, vlera të mirëfillta të mbështetura mbi baza si:

·         Monumentet kulturore (folklori, kultura, qendrat e edukimit shoqëror, objektet e kultit shpirtëror, veshjet, zakonet, këngët).

·         Trashëgiminë historike (vendbanimet e hershme, zbulimet arkeologjike).

·         Resurset turistike.

Meraku i tij është që pushuesit të mos angazhohen vetëm në rërën dhe ujin e detit të dashur për ta, por edhe në këto vlera shpirtërore dhe kjo më së shumti duhet bërë me pushuesit e huaj dhe me ata që vijnë nga vendet fqinje. Ai këmbëngul se përveç një projekti në të ardhmen e njësive administrative duhet vënë në punë edhe iniciativa private ku agjensitë turistike duhet të shtrojnë infrastrukturën përkatëse që nga paisja me guida të sakta e deri tek shoqëruesit që njohin historinë vlonjate. Vlora nuk të thotë kurrë “ik nga mua”. Sidomos tashmë që në “arkivin e vetëmburrjes” është shtuar edhe një fakt shumë domethënës: nuk është më Spanja rekord në orëzgjatjet me diell në gjithë Mesdheun, por është Vlora me rreth 2000 orë diell në vit. Ajo është e dashur qysh në agim me puhizën e jodit të detit dhe edhe në orët e vona të mbrëmjes ku Lungomarja është e shëtitur edhe pas orës 23, që është regjimi policor. Vlora është e lakmuara e turizmit sepse ka edhe detin edhe malin, por tashmë mund të pohojmë me plot gojën se ka edhe infrastrukturën moderne për të pritur turistë të të gjitha niveleve.