BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Opinion / Editorial

Voskopoja, lavdia, shkëlqimi, lulëzimi dhe... rrënimi!

Voskopoja, lavdia, shkëlqimi, lulëzimi dhe... rrënimi!

E meriton plotësisht atë ç’ka thotë Kadareja për Voskopojën “Jeruzalemi i Ballkanit”! Për Voskopojën, është folur e shkruar shumë. Janë shkruar mbi 200 libra nga autorë vendas dhe të huaj si një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike,tregtare kulturore dhe shoqërore. Ambasadori anglez në Janinë, Bukëvili, do ta quante Voskopojën, bashkë me rrethinat e saj Shipckë, Mecovë,Bllacë, Grabovë etj “Metropoli i vllahëve të Ballkanit”! Zhvillimin më të madh ekonomik, shoqëror, kulturor e tregtar, e arriti në shekullin e XVIII-të duke vendosur lidhje të ngushta e me preferenca të veçanta me shumë qytete si Manastirin, Korçën, Kosturin, Janinën etj. etj. Banorët e parë ishin arumunët, të cilët e zgjodhën këtë vend të bekuar nga natyra rreth vitit 1330. Kishin bredhur shumë vende të tjera vllahët nga familjet e pasura të familjeve Muzaka, por kur ata panë majat e maleve me rrobull e pishe, luginën nën këmbët e tyre, të gjatë e të gjerë të mbushur me bar e me lule kundërmuese, të njomur nga uji i kulluar i lumenjve, të ëmbël e të qetë, plot diell e freski, sytë i mbetën këtu. Si askund tjetër mushkëritë e tyre të lodhura nga udhëtimet e shumta nuk u mbushën me ajër të pastër si në këtë vend të bekuar ku mbetën të mahnitur. E kapën me syrin e tyre të regjur dhe ndjenë instinktivisht vlerën, bukurinë e saj, por nuk e shprehën atë me stilin tonë të sotëm “Ç’bukuri përrallore”, “Ç’panoramë madhështore”, “Çfarë vendi i begatë për jetesë, për kullota”, por e shprehën në praktikë. Nuk e bënë dysh vendimin e tyre, ndaluan karvanin, ndalën kopetë e bagëtive, vendosën stanin e ngritën kolibet e tyre, për të mos lëvizur për shekuj me radhë. Behari kaloi dhe shirat e vjeshtës zunë vendin e ditëve me diell. Vllahët nomadë, mblodhën stanin dhe ngarkuan mushkat. Gratë lidhën në kurriz djepat dhe fëmijët e vegjël dhe nisën kopetë për tatëpjetë. Ishin këto lëvizje për disa kohë rreth viteve 1330, kur në dimër largoheshin e në verë ktheheshin përsëri. Do të vazhdonin kështu edhe disa vite kur siç thotë legjenda, kur ata u larguan në vjeshtë lanë të ndezur një zjarr të madh në Voskopojë dhe në pranverën e ardhshme, e gjetën atë përsëri të ndezur. Bënë kryqin të menduar e pleqëruan të gjithë së bashku duke ngritur një vakëf në këtë vend, Shën e Premten. Është viti 1338, viti që shënon themelimin e Voskopojës sipas diplomatit dhe albanologut austriak Hahn e deri në vitin 1632, vit kur filloi ndërtimi i Manastirit të Shën Prodromit. Ky vit, shënon edhe ndërtimin e Voskopojës si qytet i vogël që dora dorës do të rritej e zgjerohej. Kjo luginë e mrekullueshme, u bë njësh me vllahët nomadë, stërnipër të romakëve të shpërndarë në të katër anët e Ballkanit, pa atdhe të përcaktuar, si të thuash kozmopolitë, si legjionarët e Romës plakë. Shekujt kaluan e bashkë me ta edhe Voskopoja, zhvillohej, modernizohej e lulëzonte aq sa jo vetëm me qytetet e shumta që kishte lidhje të gjithanshme, por edhe të tjerë do ta kishin zili. Në vitet e fundit të shek. të kaluar, ish zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm grek arvanitas, Theodhoros Pangallos, gjatë vizitës së tij në Voskopojë, do të shprehej: “Tërë Ballkani duhet të përulet përpara këtij qyteti me vlera ballkanike. Voskopoja, me Akademinë e saj, u bë vendi ku u përgatit inteligjenca ballkanike që u vu në krye të lëvizjeve kundër halldupit turk. Këtu u popullarizuan dhe propaganduan idetë e iluminizmit europian francez, idetë e Zhan Zhak Rusoit, Volterit etj. etj! Fundi i shek të XIV-të (1388) solli në rrethin e Korçës një armik të pabesë, një anti-Krisht, turkun e lig e gjakatar. Kjo i shtynte vllahët të vendoseshin në zona të thella për të mos iu nënshtruar armikut e për të ruajtur gjuhën, zakonet, traditën, pronat. Urrejtja e tyre fetare kundër armiqve gjakatarë e sidomos kundër islamizmit brutal të shek të XVII-të, i shtyu ata të lënë trojet e vjetra e të gjejnë strehë të re, të ruajnë gjuhën e tyre arumune, traditën dhe kulturën greko bizantine. Popullsia e këtij qyteti aq të dëgjuar për vlerat e shumta e të gjithanshme ka njohur uljet e ngritjet. Sipas studimeve turke të shek të 17-të Voskopoja, kishte 3500 banorë ortodoksë kurse në vitin 1768, kishte më shumë se 500 të tillë, periudhë kjo që i referohet edhe ndërtimit të kishave, më shumë se njëzet e katër të tilla. Në vitin 1721-1722 u ndërtua Kisha e Shën Nikollës, 1724 Shën Athanasios, 1722 Kisha e Shën Taksiarkëve etj. Shekujt kaluan dhe bashke me shekujt filloi edhe transformimi i Voskopojës. “Çeliku” vlleh, i cili kur e pa veten më të ngritur ekonomikisht, më të fortë politikisht, hoqi rrobat e rënda prej shajaku (dikur me erë të bagëtive) dhe veshi petkun e hollë të një tregtari voskopojar, la kasollen dhe ngriti shtëpi sipas modës së atëhershme, udhëtoi në krahina të largëta dhe ra në kontakt me kulturën greko-bizantine. Voskopoja dhe voskopojari, kanë ecur paralelisht me zhvillimin e gjithanshëm aq sa, me kalimin e kohës qyteti po merrte formën e një qyteti modern të kohës së vet si askush tjetër në Ballkan e më gjerë. Nga një industri primitive në fillimet e vendosjes së tyre, u zhvillua një industri moderne e kohës si ajo e përpunimit të leshit, të bulmetit, të lëkurëve, të shajakut etj. dhe një zejtari moderne duke gjetur edhe tregjet e shkëmbimeve tregtare në Ballkan e më gjerë. Lulëzimin më të madh Voskopoja e arriti, siç e thamë, në shek e XVIII-të ku qyteti numëronte 40 deri 60 mijë banorë, shifër kjo që shkonte deri në tetëdhjetë e pesë mijë banorë. Voskopoja, ishte i vetmi qytet në Ballkan që kishte Akademinë e krijuar mbi bazën e kursit të parë të shkollës greke e mbi bazën e tij u ngrit Akademia me një shumë prej 694.000 aspra, dhuruar nga Metropolitët e Kosturit, Janinës, Igumeni i Shën Naumit të Ohrit etj. me Rektorët e parë Sevast Leontiadi dhe Theodhor Kavalioti, ku vlerat e këtij të fundit janë të jashtëzakonshme për hartimin e fjalorit tri gjuhësh, greqisht, arumanisht, shqip dhe përpjekjet për përkthimin e “Dhiatës së Re”.Vlen të përmenden vështirësitë e shumta të patriarkales së Stambollit për ndalimin e gjuhës shqipe, të cilën e quanin atë gjuhë barbare, dhe më pas kjo përpjekje u vazhdua me të tjerë nxënës të Kavaliotit, si Peshkopi i Durrësit, Grigor Durrsaku, e më vonë nga Dhaskal Todri (Theodhor Filipi). Akademia me Kavaliotin përgatitën kuadro të shumta nga Shqipëria e Jugut, Maqedonia etj. Mbi të gjitha Kavalioti, do t’u rezistojë shekujve mbasi ai ishte i pari që krijoi bërthamën e një atdheu të ardhshëm shqiptar... Mbas krijimit të Akademisë, këtej e tutje, vllahu me gunë e kërrabë në dorë, do të bëhej edhe intelektuali i Akademisë që merrej me spekulime filozofike, duke kryer kështu një revolucion të madh. Vllahu dinak e i zgjuar, i gjallë e dinamik pati tej e mbanë etje për mësim ashtu si stërgjyshërit e vjetër duke pajtuar njerëz të veçantë për t’i mësuar fëmijëve shkrim e këndim. Në vitin 1905, sipas Patriarkanës së Stambollit,Voskopoja, paraqitej si Lagje me 175 familje, me tre shkolla greke, kopshti dhe një shkollë rumune. Lidhja me botën e jashtme i bëri ata njerëz të pajisur me një kulturë të gjerë. Nuk kishte voskopojar që të mos dinte dy tre e më shumë gjuhë. Tregon një i moshuar një rast kur në fundin e viteve 50-të erdhi për vizitë në Voskopojë ministri rus i Arsimit. Në pamundësi të merreshin vesh, e thërrasin Jorgji Sofronin mbase ai ia gjente gjuhën që ai dinte por ishte e kotë. Kur i thanë se me cilin kishte të bënte Jorgji, iu përgjigj: “Ky nuk bën për gjë tjetër, përveçse ta marr unë ta ngarkoj me dru. Unë dhe çdokush nga ne, zotërojmë dy e tre gjuhë, ky nuk di asnjë”. Shollat për arsimimin e banorëve vazhduan deri në vitet 20, të shek të XX-të. Dy ishin shtypshkronjat e para në Ballkan, në këtë periudhë, ajo e krijuar nga prifti grek Grigorios Konstandinidis në Voskopojë dhe ajo e Kostandinopojës, e cila kjo e fundit, asnjëherë nuk u vendos në punë duke qënë e vetme ajo e Voskopojës që funksiononte. Akademia e Voskopojës dhe shtypshkronja e saj, ishin “Pasaporta” e qytetërimit modern si askush tjetër në Ballkan. Komisioni i ndarjes së tokave në vitin 1991, është fakt që vendin ku ato ndodheshin i la të paprekura, por me këtë vendim, nuk u pajtuan “dijetarët” e errësirës, të cilët iu turrën dhe e privatizuan edhe truallin e këtyre dy epiqendrave të dijes e përparimit. “A do të ndërtohet përsëri Voskopoja”, e pyetën Dhori Falon në ditët e fundit të jetës së tij. “Do të ndërtohet, i u përgjigj, por nuk e di nëse do të digjet përsëri apo jo”. Tre herë u është nënshtruar Voskopoja barbarizmave dhe djegieve duke filluar qysh në vitin 1769, në vitin 1789 e deri në vitin 1916, nga kaçakët e Sali Butkës. Por djegiet dhe shkatërrimet e saj, nuk përfundojnë këtu, duke vazhduar mund të themi për të katërtën herë mbas vitit 1990. Kujtoj vitin 1998, kur në Voskopojë, bëri një vizitë Shoqëria “Luani” me qendër në Selanik. Bashkëshorti i kryetares së shoqërisë, një oficer madhor në ishullin e Kretës midis të tjerave e pyet kryetaren e shoqërisë dhe bashkëshorten e tij: “Më thuaj, a ka nevojë të pyesësh që ky fshat, ka qenë qytet? Dhe më tej vazhdon: “A ka fshat në Greqi me rrugë 8 m të gjëra dhe trotuare mbi 1,5 m? Por se mos vetëm këto janë dëshmitë e këtij qyteti modern të së kaluarës. Rrallë vend tjetër në botë mund të gjesh që të harmonizohen aq bukur bukuria natyrore e Voskopojës me dorën e njeriut që e bën atë, një qytet të lakmuar jo vetëm për zhvillimin që kishte por edhe për ajrin e shëndetshëm që ofronte. Një grup turistësh nga Tajlanda,mbasi bënë matjet e nevojshme të ozonit, u shprehën: “Në asnjë vend të botës, nuk e kemi ndeshur këtë pastërti dhe këtë ozon jetëdhënës që ofron klima këtu”. Me të drejtë sistemi i kaluar ndërtoi atje Kampin e Punëtorëve dhe kampin e pionierëve me të gjitha kushtet e nevojshme. Por as këto nuk shpëtuan barbarisë si kudo në Shqipëri, ashtu si njëzet e katër kishave të Voskopojës qysh nga sistemi komunist për të vazhduar edhe me Kampin e Punëtorëve dhe të pionierëve, si “mbeturina” të komunizmit. Edhe afresket e kishave u prishën si “mbeturina” të së kaluarës. Të flasësh për Voskopojën, këtë qytet me vlera të jashtëzakonshme duhet kohë, të cilën nuk mund ta përmbledhim në këto pak rreshta. Për meritat që ka, për lavdinë dhe jehonën që ajo ka bërë, për qytetërimin e saj të hershëm, dhe kontributin që ka dhënë, jo vetëm nuk do të ishte e tepërt, por do të ishte pak që ajo të kishte një trajtim të veçantë nga shteti. Është bërë një shkollë e bukur 9-vjeçare me perspektivë që të funksionojë edhe si shkollë e mesme, por edhe kjo ka mbetur pa emër në një kohë që dijetarët, patriotët e atdhetarët në Voskopojë janë me dhjetëra, duke filluar qysh nga Theodhor Kavalioti e deri tek Dhori Falo, i cili tërë jetën e tij 84-vjeçare ia kushtoi vendlindjes së tij Voskopojës edhe si mësues edhe si shkrimtar, si studiues dhe historian duke i kushtuar Voskopojës edhe shumë libra. Një mendim nga banorët është që shkolla të mbajë emrin e tij të tjerët, kanë mendime të tjera, por e rëndësishme është që njëri prej dijetarëve dhe atdhetarëve të shumtë të përjetësohej në këtë shkollë të kohës.