Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Vota anulon krizat e stisura, jo e kundërta!

Postuar: 12/06/2019 - 07:21

Ndonëse vendimi presidencial për anulimin e zgjedhjeve vendore u argumentua në emër të unitetit, ajo që vërehet është tensionimi dhe provokimi më tej i ndasive politike në vend. Lëmshit të koklavitur iu shtua dhe një “nyje” tjetër artificiale, kësaj rradhe e natyrës kushtetuese-institucionale, që jo vetëm teston në themel funksionimin e shtetit dhe institucioneve në një vend të NATO-s por dhe ri-përfshin me pahir partnerët historik ndërkombëtar në një tjetër mesele alla-shqiptare dhe kjo në një moment tepër delikat sikurse është hapja e negociatave me BE.

Krizë! Çfarë krize?

Anulimi i zgjedhjeve u motivua në emër të një “krize” që vetëm e demokracisë dhe shoqërisë nuk është. Ajo është krizë e një takëmi brenda ish-opozitës, provokuar nga reforma në drejtësi ndaj të cilës ndruhet vetëm politika e përfolur e tranzicionit. Si e tillë, ajo është shpërfillur nga shoqëria dhe perëndimi dhe është vijimësia e normaliteti i fushatës zgjedhore ai që e shpërfytyroi përfundimisht opozitën e rrugës që sot tenton ta transferojë edhe me “letra” krizën e saj tek mbarë shoqëria duke e servirur krizën e saj si lajm, argument dhe premisë për zhvillimet demokratike përfshirë këtu edhe anulimin e votës vendore.

Nëse ka ndonjë lidhje mes votës së qershorit dhe krizës së ish-opozitës, votimi dhe jo shtyrja e tij, është mundësia për llagarim të politikës në vend. Edhe në rastin e një krize të mirëfilltë të funksionimit të demokracisë e shtetit ligjor (mbajtja e sistemit zgjedhor anti-meritë, pabarazia me pronën, mosndëshkimi i korrupsionit elitar etj), dalja prej qorrsokakut nuk vjen nga anulimi e spostimi i zgjedhjeve por nga realizimi i tyre, bile një sahat e më parë!

Misioni i opozitës është provokimi i zgjedhjeve të parakohshme dhe jo shtyrja e tyre! Është ironike që ndërkohë që opozita nuk njeh një qeveri të dalë nga zgjedhjet e 2017 (kur ishte vetë në qeveri) bën thirrje për votime të parakohshme dhe... shtyrje njëkohësisht!

Qeveria e PS ka arritje por dhe kusure njëkohësisht nga diskriminimi me pronën, abuzimi me ligjin zgjedhor klientelist, mosbarazia përpara ligjit, mosdenoncimi institucional i korrupsionit e abuzimit të mëparshëm elitar, emërimet në piramidën e shtetit etj. Por është legjitime dhe e njohur nga bota si e tillë dhe nëse opozita e kap në faj, aq më mirë për të! Më shumë gjasa për rotacion politik! Deri atëhere, opozita ka për detyrë të regjistrojë dhe denoncojë gabimet e abuzimet e qeverisë dhe jo të tentojë të zvarrisë shoqërinë rrugëve nga frika prej reformës në drejtësi me “tymuesen” e dorëheqjes pa kushte të të parit të qeverisë! Dorëheqja jepet, nuk imponohet dhe nëse ndodh, ndodh kur opozita e ngre më lart stekën e moralit politik dhe nuk degradon rrugëve si tani.

Tapinë e opozitës e ka votuesi

Është vota që i jep drejtim krizave dhe jo krizat që diktojnë fatin e votës. Si e drejtë kushtetuese, vota nuk mund të bëhet kurban i krizave aq më tepër atyre të stisura për interesa të ditës. Po ndodhi njëherë, atëhere ndodh ngaherë dhe bëhet ferrë nëpër këmbë për këdo nesër në pushtet duke shantazhuar zhvillimin demokratik.

Në kushtet kur trupa e drejtësisë është duke hedhur shtat, ka rëndësi jetike për zhvillimet demokratike në vend, reformën në drejtësi si dhe respektimin e votës së qytetarit, angazhimi pa mëdyshje i perëndimit në favor të votës së qershorit. Fati i demokracisë dhe partneritetit pro-perëndimor që vjen bashkë me të, nuk ka pse të jetë fati i një partie që po i bën me shpejtësi ditët e saj.

Vet-përjashtimi nga zgjedhjet e një takëmi politik nuk ka pse të shihet si cënim i vullnetit të votuesit. Ish-opozita që sot militon në rrugë, nuk ka tapinë e opozitës. Opozitë janë dhe ata që kanë zënë sot vendet në Kuvend ose po angazhohen në fushatë elektorale për një alternativë ndryshe nga ajo e PS. Nëse ish-opozita vendos të mbyllë ciklin e saj politik si “hara-kiri” ndaj reformës në drejtësi, vendin e saj e zë gjithnjë tjetërkush dhe vetëm vota dhe jo anulimi i saj, është shansi për të rigjeneruar kampin opozitar dhe fatin e së djathtës në vend.

Anulimi i votimeve do të mirëkuptohej si përpjekje nga lart vetëm nëse pala në pushtet do të abuzonte dhe i mbyllte derën qëllimisht opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje. Por sot anulimi i votimit nuk ka të bëjë me abuzimin nga ana e pushtetit por me qorrsokakun ku ish-opozita ka futur vetveten. Edhe nëse besojmë tek dëshira e mirë nga lart, anulimi i votimit nuk zhbën arsyet e daljes së ish-opozitës në rrugë. Ajo nuk është në rrugë se është ky apo ai në krye të qeverisë por se kjo qeveri nuk po i bashkohet zallamahisë për të futur në kalendat greke reformën në drejtësi.

Është vota që vë pikat mbi “i” dhe jo ftesat bajate për dialog që degraduan plot 30 vjet shtetin ligjor në shtet llogjesh! Nëse anulohet vota sot, i njëjti avaz do të jetë edhe mot dhe institucionet, presidenca, perëndimi e shoqëria nuk kanë pse të kuturisen apo futen me pahir në këtë lojë më kot. Nëse apeli i presidencës është uniteti kombit, Kushtetuta dhe zbatimi i saj e garanton atë dhe e drejta e votës nuk e cënon stabilitetin por konsolidon mirëkuptimin social. Një shans për t’i treguar edhe BE se demokracia jonë nuk është dhe aq e brishtë tani që hapja e negociatave është sërish në tryezë.

Nga Artan Xh. DUKA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/08/2019 - 07:47

Partia Demokratike trashëgoi nga zgjedhjet e pushtetit lokal të vitit 2015, një numër jo të vogël bashkish me shtrirje nga Përmeti në jug, Mallakastra në qendër, deri me Shkodrën në veri.

Postuar: 21/08/2019 - 07:45

Nuk më kishte ndodhur ndonjëherë që, në shtëpinë time, një vizitor i huaj të shprehej me superlat

Postuar: 21/08/2019 - 07:43

KLSH është ndër institucionet e pakta publike të përgjegjshme të vendit, që ndërton plane pune pë

Postuar: 21/08/2019 - 07:40

Mendojmë se forcat politike në pushtet duhet të përcaktojnë dualitetin shtetpushtet, në zbatim të

Postuar: 21/08/2019 - 07:38

Më kanë larguar nga qendra e Tiranës që kur isha 8 vjeç, në bazë të deportimeve dhe largimit inte

Postuar: 20/08/2019 - 07:23

Është dashur jo pak punë e përpjekje e këtij stafi të mrekullueshëm për të ardhur në ditët e sotm

Postuar: 20/08/2019 - 07:21

KLSH përfundoi auditimin e performancës me temë “Efektiviteti i Programeve Sociale të Streh